Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dalja e Biblës Mbretërore: Ngjarje e shënuar në fushën e dijes

Dalja e Biblës Mbretërore: Ngjarje e shënuar në fushën e dijes

Dalja e Biblës Mbretërore: Ngjarje e shënuar në fushën e dijes

ISHTE fillimi i shekullit të 16-të. Një anije la brigjet e Spanjës dhe mori udhën për në Gadishullin Italik. Në hambarin e saj ndodhej një mall që s’kishte të çmuar: pjesa më e madhe e kopjeve të shtypura të Biblës Shumëgjuhëshe Komplutense. Këto kopje u shtypën nga viti 1514 deri në vitin 1517. Befas, në det shpërtheu një stuhi e furishme. Të tërë në ekuipazh luftuan që të shpëtonin anijen, por më kot. Ajo u fundos bashkë me atë ngarkesë të çmuar.

Nga kjo katastrofë, lindi nevoja për një botim të ri të Biblës Shumëgjuhëshe. Si përfundim, këtë detyrë të vështirë e mori përsipër mjeshtri i shtypjes, Kristof Plonteja. I duhej një financues i pasur për të përkrahur këtë vepër kolosale, prandaj i kërkoi mbretit të Spanjës, Filipit II, që të bëhej zyrtarisht financuesi i saj. Para se të merrte vendimin, mbreti u këshillua me dijetarë të ndryshëm spanjollë, ndër të tjerë edhe me dijetarin e mirënjohur në fushën e studimit të Biblës, Benito Arias Montanon. Ai i tha mbretit Filip: «Përveçse do t’i shërbeni Perëndisë dhe do t’i sillni dobi kishës mbarëbotërore, Lartmadhëri, ju do t’i sillni lavdi të madhe emrit mbretëror që mbani, si dhe do t’i rritni prestigjin vetes.»

Një botim i rishikuar i Biblës Shumëgjuhëshe Komplutense do të ishte një arritje e shquar në fushën e kulturës, prandaj Filipi vendosi ta përkrahte me gjithë shpirt projektin e Plontesë. Mbreti ia ngarkoi Arias Montanos këtë detyrë madhështore, pra botimin e asaj që më vonë u quajt «Bibla Mbretërore» ose «Bibla Shumëgjuhëshe e Anversës». *

Filipi ishte kaq i interesuar për përparimin e kësaj Bible Shumëgjuhëshe, saqë kërkoi t’i dërgonin nga një bocë për çdo faqe të librit. Natyrisht, Plonteja nuk priste dot sa të shkonin bocat nga Anversa në Spanjë, të lexoheshin e të korrigjoheshin nga monarku, dhe të ktheheshin prapë. Si përfundim, Filipi mori vetëm bocën e parë të shtypur dhe ndoshta disa nga faqet e para të Biblës. Ndërkaq, Montanoja po ecte mjaft mirë me redaktimin e vërtetë, dhe një ndihmë të çmuar po i jepnin tre profesorë të Luvenit, si dhe vajza adoleshente e Plontesë.

Ai e donte Fjalën e Perëndisë

Arias Montanoja ndihej mirë mes dijetarëve të Anversës. Falë metodës së tij, që pasqyronte horizontin e gjerë që kishte, ai u bë i shtrenjtë për Plontenë, prandaj miqësia dhe bashkëpunimi i tyre zgjati tërë jetën. Montanoja nuk spikaste vetëm për dijet e veta, por edhe për dashurinë e madhe që kishte për Fjalën e Perëndisë. * Kur ishte djalë i ri, ai mezi priste sa të mbaronte studimet akademike, që të jepej vetëm pas studimit të Shkrimeve.

Arias Montanoja besonte se Bibla duhej përkthyer sa më fjalë për fjalë që të ishte e mundur. Ai u përpoq të përkthente një për një çfarë ishte shkruar në tekstin origjinal, që t’u jepte mundësi njerëzve të lexonin Fjalën e vërtetë të Perëndisë. Montanoja ndoqi moton e Erasmit, i cili i nxiste dijetarët «të predikonin për Krishtin me gjuhën e tekstit origjinal». Domethënia e Shkrimeve, sipas gjuhës origjinale, u ishte fshehur njerëzve për shekuj të tërë, sepse përkthimet në latinisht mezi kuptoheshin.

Faqosja e veprës

Të gjitha dorëshkrimet që Alfonso de Zamora kishte përgatitur e rishikuar për shtypjen e Biblës Shumëgjuhëshe Komplutense, i mori Arias Montanoja, i cili i shfrytëzoi për Biblën Mbretërore. *

Bibla Mbretërore fillimisht u mendua si një botim i dytë i Biblës Shumëgjuhëshe Komplutense, mirëpo doli shumë më tepër se një rishikim i thjeshtë. Teksti në hebraisht dhe në greqisht i Septuagintës u mor nga Bibla Komplutense; pastaj u shtuan disa tekste të reja bashkë me një shtojcë të zgjeruar. Bibla e re shumëgjuhëshe në fund doli me tetë vëllime. Shtypja zgjati pesë vjet, nga viti 1568 deri në 1572​—një kohë vërtet e shkurtër po të kemi parasysh sa e ndërlikuar ishte e gjithë kjo. Më në fund, u shtypën 1.213 kopje.

Bibla Shumëgjuhëshe Komplutense e vitit 1517 ishte një «monument i artit tipografik», por botimi i ri i Biblës Shumëgjuhëshe të Anversës ia kaloi nga ana teknike dhe nga përmbajtja pararendëses së vet. Botimi i saj ishte një tjetër ngjarje e shënuar në historinë e shtypjes dhe, ç’është më e rëndësishmja, në përgatitjen e teksteve që u përdorën si modele për përkthimin e Biblës.

Sulme nga armiqtë e Fjalës së Perëndisë

Nuk është çudi që armiqtë e përkthimeve besnike të Biblës, shpejt e nxorën kokën. Megjithëse Bibla Shumëgjuhëshe e Anversës kishte miratimin e papës, dhe Arias Montanoja me të drejtë njihej si dijetar i respektuar, atë e denoncuan në Inkuizicion. Kundërshtarët thanë se vepra e tij e paraqiste tekstin e rishikuar në latinisht të Santes Panjinit si një përkthim më të saktë të tekstit origjinal hebraik dhe grek se Vulgata, e përkthyer shekuj më parë. E akuzuan Montanon edhe se, ngaqë donte të nxirrte një përkthim të saktë të Biblës, kishte bërë krahasimin me gjuhët origjinale​—procedurë që atëherë shihej si heretike.

Madje Inkuizicioni pohoi se «mbreti nuk e kishte nderuar edhe aq shumë veten që kishte vënë emrin e tij në këtë vepër». Ata shprehën keqardhjen që Montanoja nuk i kishte dhënë rëndësinë e duhur Vulgatës zyrtare. Me gjithë këto akuza, nuk gjetën dot prova të mjaftueshme që të dënonin Montanon, e as Biblën e tij shumëgjuhëshe. Si përfundim, Bibla Mbretërore u prit mirë dhe u bë vepra standarde në universitete të ndryshme.

Mjet i vlefshëm për përkthimin e Biblës

Ndonëse Bibla Shumëgjuhëshe e Anversës nuk ishte një vepër e hartuar për publikun e gjerë, ajo u bë një mjet i vlefshëm për përkthyesit e Biblës. Ashtu si Bibla Shumëgjuhëshe Komplutense, pararendësja e vet, ajo ndikoi në përsosjen e teksteve ekzistuese të Shkrimeve. Gjithashtu, i ndihmoi përkthyesit që të kuptonin më mirë gjuhët origjinale. Nga kjo vepër përfituan përkthimet e Biblës në mjaft gjuhë kryesore evropiane. Për shembull, botimi Historia e Biblës, sipas Kembrixhit (anglisht) raporton se përkthyesit e të famshmit King James Version ose Versioni i autorizuar, të vitit 1611, përdorën Biblën Shumëgjuhëshe të Anversës si një mjet të çmuar për t’i përkthyer gjuhët e lashta. Bibla Mbretërore ushtroi një ndikim të madh edhe te dy Bibla shumëgjuhëshe të rëndësishme, që u botuan në shekullin e 17-të.​—Shih kutinë «Biblat shumëgjuhëshe».

Një nga meritat e panumërta të Biblës Shumëgjuhëshe të Anversës ishte që ajo, për herë të parë, u vuri në dispozicion dijetarëve evropianë versionin siriak të Shkrimeve Greke. Teksti siriak u vu krahas një përkthimi fjalë për fjalë në latinisht. Kjo ishte një shtesë vërtet e dobishme, meqë përkthimi në gjuhën siriake ishte një nga përkthimet më të vjetra të Shkrimeve të Krishtere Greke. Versioni siriak datonte nga shekulli i pestë i erës sonë dhe bazohej në dorëshkrimet që datonin deri në shekullin e dytë të erës sonë. Sipas një enciklopedie (The International Standard Bible Encyclopedia) «pranohet gjerësisht vlera që ka Peshita [siriake] në analizën e tekstit. Ky version është një nga dëshmitë më të vjetra e më të rëndësishme në lidhje me traditat e lashta».

As deti i tërbuar, as sulmet e Inkuizicionit spanjoll nuk ia dolën mbanë që ta pengonin versionin e përmirësuar dhe të zgjeruar të Biblës Shumëgjuhëshe të shihte dritën e botimit, kësaj here si Bibla Mbretërore. Kjo ndodhi në vitin 1572. Historia e Biblës Shumëgjuhëshe të Anversës është një shembull tjetër që tregon se njerëzit e sinqertë janë përpjekur ta mbrojnë Fjalën e Perëndisë.

Pavarësisht në e dinin ose jo, me mundin e tyre vetëmohues, këta njerëz të përkushtuar pasqyruan vërtetësinë e fjalëve profetike të Isaisë. Gati tre mijë vjet më parë, ai shkroi: «Bari thahet, lulja fishket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përjetë.»​—Isaia 40:8.

[Shënimet]

^ par. 4 U quajt «Bibla Mbretërore», sepse u financua nga mbreti Filip, dhe «Bibla Shumëgjuhëshe e Anversës», sepse u shtyp në qytetin e Anversës, që në atë kohë i përkiste Perandorisë Spanjolle.

^ par. 7 Ai zotëronte rrjedhshëm gjuhën arabe, greke, hebraike, latine dhe siriake, pesë gjuhët kryesore që u përdorën në Biblën Shumëgjuhëshe. Kishte edhe njohuri të thella në fushën e arkeologjisë, mjekësisë dhe të shkencave të natyrës, si edhe në teologji, dije që i shfrytëzoi mirë për të përgatitur shtojcën e Biblës.

^ par. 10 Për shpjegimin e domethënies së emrit Bibla Shumëgjuhëshe Komplutense, shih Kullën e Rojës, 15 prill 2004.

[Diçitura në faqen 13]

«Fjala e Perëndisë tonë mbetet përjetë»

[Kutia dhe figurat në faqen 12]

BIBLAT SHUMËGJUHËSHE

«Bibël shumëgjuhëshe quhet ajo që e ka tekstin në disa gjuhë,​—shpjegon dijetari spanjoll Federiko Perez Kastro.​—Gjithsesi, historikisht, termi u është referuar Biblave që e kanë tekstin në gjuhët origjinale. Në këtë kuptim të ngushtë, janë vërtet të pakta Biblat shumëgjuhëshe.»

1. Bibla Shumëgjuhëshe Komplutense (1514-1517), e financuar nga kardinali Thisneros, u shtyp në Alkala de Henares, në Spanjë. Gjashtë vëllimet e saj përmbanin tekstin e Biblës në katër gjuhë: hebraisht, greqisht, aramaisht dhe latinisht. U siguroi përkthyesve të shekullit të 16-të një tekst model për Shkrimet Hebraiko-Aramaike.

2. Bibla Shumëgjuhëshe e Anversës (1568-1572), e cila u botua nga Benito Arias Montanoja, i shtoi tekstit të Biblës Komplutense versionin e Peshitës siriake të Shkrimeve të Krishtere Greke dhe Targumin Aramaik të Jonatanit. Teksti në hebraisht, i cili përmbante pikat e shqiptimit të zanoreve dhe shenjat e theksit, u rishikua sipas tekstit hebraik të Jakob ben Hajimit. Prandaj, u bë teksti standard që përdornin përkthyesit e Biblës për Shkrimet Hebraike.

3. Bibla Shumëgjuhëshe e Parisit (1629-1645) u financua nga avokati francez Gi Mishel lë Zhe. U frymëzua nga Bibla Shumëgjuhëshe e Anversës, ndonëse përmbante edhe disa tekste samaritane e arabe.

4. Bibla Shumëgjuhëshe e Londrës (1655-1657), u botua nga Brajan Uolltoni. Edhe ajo bazohej te Bibla Shumëgjuhëshe e Anversës. Kjo Bibël përfshinte përkthime të lashta të Biblës në gjuhët etiopase dhe perse, megjithëse këto versione nuk patën ndonjë ndikim të ndjeshëm në qartësinë e tekstit biblik.

[Burimi]

Parulla dhe Biblat Shumëgjuhëshe të Anversës (dy këtu poshtë): Biblioteca Histórica. Universidad Complutense de Madrid; Bibla Shumëgjuhëshe e Anversës (në krye të faqes): Me mirësjelljen e muzeut Plantin-Moretus/Stedelijk Prentenkabinet Antwerpen; Bibla Shumëgjuhëshe e Londrës: Nga libri The Walton Polyglot Bible, vëll. III, 1655-1657

[Figura në faqen 9]

Filipi II, mbret i Spanjës

[Burimi]

Filipi II: Biblioteca Nacional, Madrid

[Figura në faqen 10]

Arias Montanoja

[Burimi]

Montanoja: Biblioteca Histórica. Universidad Complutense de Madrid

[Figura në faqen 10]

Shtypshkronja origjinale në Anversë, Belgjikë

[Burimi]

Shtypshkronja: Me mirësjelljen e muzeut Plantin-Moretus/Stedelijk Prentenkabinet Antwerpen

[Figurat në faqen 11]

Majtas: Kristof Plonteja dhe kopertina e «Biblës Shumëgjuhëshe të Anversës»

[Burimi]

Kopertina dhe Plonteja: Me mirësjelljen e muzeut Plantin-Moretus/Stedelijk Prentenkabinet Antwerpen

[Figura në faqen 11]

Sipër: kapitulli i 15-të i Eksodit, me tekstin në katër kolona

[Burimi i figurës në faqen 9]

Kopertina dhe Plonteja: Me mirësjelljen e muzeut Plantin-Moretus/Stedelijk Prentenkabinet Antwerpen

[Burimi i figurës në faqen 13]

Biblioteca Histórica. Universidad Complutense de Madrid