Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pikëllimi i thellë që shkakton vdekja

Pikëllimi i thellë që shkakton vdekja

Pikëllimi i thellë që shkakton vdekja

«GJASHTËVJEÇARJA VRET VETEN.» Ky titull tronditës gazete, i referohej vdekjes tragjike të një vajze të vogël me emrin Xheki. Jo shumë kohë më parë, e ëma kishte vdekur nga një sëmundje e pashërueshme. Para se të hidhej në shinat e trenit, Xheki i tha familjes së vet se donte ‘të bëhej engjëll dhe të shkonte te mami’.

Iani ishte 18 vjeç kur, i dëshpëruar, i kërkoi priftit që t’i shpjegonte se përse i ati kishte vdekur nga kanceri. Prifti i tha se, meqë babai i Ianit kishte qenë njeri i mirë, Perëndia e donte në qiell. Pas këtij shpjegimi, Iani vendosi të mos e njihte një Perëndi kaq mizor. Pasi jeta i dukej pa kuptim, Iani mendoi se ishte më mirë të rendte pas kënaqësive. Prandaj u dha me tepri pas alkoolit e drogës, dhe bënte një jetë të shthurur. Jeta po i rrëshqiste nga duart.

«Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur»

Këto dy raste të hidhura tregojnë se si vdekja mund t’ua rrënojë jetën njerëzve, sidomos kur vjen papritur. Sigurisht, të gjithë jemi në dijeni të asaj që thuhet edhe në Bibël: «Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur.» (Predikuesi 9:5) Por, shumë njerëz parapëlqejnë ta shpërfillin këtë të vërtetë të hidhur. Po ti? Jeta sot është kaq e ngarkuar sa, mendimin se një ditë do të vdesim, e mënjanojmë në një qoshe të trurit, duke e konsideruar si diçka që i përket së ardhmes së largët.

«Shumë veta i frikësohen vdekjes dhe përpiqen të mos e mendojnë fare»,​—thotë një enciklopedi (The World Book Encyclopedia). Por, në rast aksidenti ose sëmundjeje të rëndë, papritur mund të gjendemi ballë për ballë me vdekjen. Ose varrimi i një miku a të afërmi na kujton në mënyrë të hidhur fundin që i pret të gjithë njerëzit.

E megjithatë, nëpër varrime, shpesh njerëzit thonë shprehje të tilla, si: «Jeta vazhdon.» Dhe kjo është e vërtetë. Në fakt, koha fluturon, dhe shumë shpejt përballemi me problemet e moshës së shkuar. Në këtë pikë, vdekjen nuk e konsiderojmë më si diçka që i përket të ardhmes së largët. Na duhet të shkojmë shpesh në varrime, dhe të përballemi me humbjen e shumë miqve të vjetër që kemi pasur. Pyetja që i mundon më tepër të moshuarit është: «Po mua, kur do të më vijë radha?»

Pikëpyetja e madhe

Megjithëse askush nuk e vë në dyshim se të gjithë njerëzit i pret vdekja, ajo çfarë ndodh pas saj është një pikëpyetje e madhe. Shpjegimet e shumta dhe të papajtueshme me njëra-tjetrën, e shtyjnë një skeptik ta konsiderojë të gjithë këtë çështje si një polemikë të kotë për të panjohurën. Kurse pragmatistët mendojnë se, meqë «jeta të vjen vetëm një herë», duhet ta shijosh deri në fund.

Të tjerë akoma, nuk duan ta pranojnë se vdekja është fundi i gjithçkaje. Por nga ana tjetër, nuk e kanë të qartë se çfarë ndodh pas saj. Disa besojnë se jeta vazhdon në një vend lumturie të përhershme, ndërsa të tjerë mendojnë se në një të ardhme do të jetojnë përsëri, ndoshta si një njeri tjetër.

Të afërmit e atyre që kanë vdekur, vazhdimisht pyesin veten: «Ku janë të vdekurit?» Para disa vitesh, anëtarët e një ekipi futbolli kishin një ngjarje sportive dhe, ndërsa udhëtonin, papritur, një kamion u përplas me mikrobusin e tyre, i cili përfundoi rrokullimthi jashtë rruge. Pesë pjesëtarë të skuadrës vdiqën. Jeta e nënës së njërit prej këtyre djemve, në njëfarë kuptimi u ndal ditën që i vdiq i biri. Atë e mundon pyetja se ku mund të jetë djali i saj. Shkon rregullisht te varri i tij, dhe për orë të tëra i flet me zë. «Nuk mund ta besoj se nuk ka asgjë pas vdekjes,​—thotë ajo e pikëlluar,​—por nuk jam e sigurt.»

Është e qartë se pikëpamja që kemi për vdekjen mund të ndikojë në mënyrën se si jetojmë tani. Duke pasur parasysh reagimin e njerëzve kundrejt vdekjes, kësaj tragjedie, lindin disa pyetje. Mendoni se si do t’u përgjigjeshit këtyre pyetjeve: a duhet ta heqim nga mendja vdekjen dhe të përqendrohemi te jeta? A duhet të lejojmë që realiteti i frikshëm i vdekjes të na pengojë ta shijojmë jetën? A duhet që një të brengosur ta mundojë pambarimisht pyetja se ku ndodhet i afërmi që i ka vdekur? A duhet të mbetet vdekja një enigmë?