Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Po të donin, mund të ishin liruar menjëherë»

«Po të donin, mund të ishin liruar menjëherë»

«Po të donin, mund të ishin liruar menjëherë»

ZHËNEVIEVË DE GOLI, mbesa e ish-presidentit të Francës Sharl de Gol, pati rastin të njihte Dëshmitarët e Jehovait në kampin e përqendrimit nazist të Ravensbrukut, që ndodhej në veri të Gjermanisë. Fjalët e mësipërme, ajo i shkroi në një letër, në gusht të vitit 1945.

Të burgosurit në kampin e përqendrimit në Aushvic të Polonisë, u çliruan më 27 janar 1945. Që nga viti 1996, në Gjermani, kjo ka qenë një ditë përkujtimore për viktimat e Rajhut të Tretë të Hitlerit.

Gjatë një fjalimi zyrtar përkujtimor, që u mbajt më 27 janar 2003, kryetari i parlamentit të shtetit të Baden-Vyrtembergut, Peter Shtraubi, tha: «Të gjithë ata që u përndoqën për shkak të bindjeve fetare a politike dhe që, më mirë pranonin të vdisnin sesa të dorëzoheshin, meritojnë respektin tonë, një respekt aq të thellë sa nuk mund të shprehet dot me fjalë. Dëshmitarët e Jehovait ishin e vetmja fe që refuzoi në mënyrë kategorike të plotësonte kërkesat e regjimit të Hitlerit: nuk ngrinin dorën për të bërë përshëndetjen hitleriane. Nuk betoheshin për besnikëri ndaj ‘Fyrerit dhe shtetit’, njësoj si nuk pranonin të bënin shërbim ushtarak dhe shërbime të tjera për të mbështetur luftën. Dhe fëmijët e tyre nuk merrnin pjesë në Rininë Hitleriane.»

Jezu Krishti tha për ithtarët e tij: «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:16) Pra, Dëshmitarët e Jehovait kishin këtë qëndrim vetëm për shkak të besimit të tyre fetar. Shtraubi vazhdoi: «Dëshmitarët e Jehovait, të cilët, si të burgosur në kampin e përqendrimit, duhej të mbanin në rrobat e tyre trekëndëshin ngjyrë vjollcë, ishin të vetmit që, po të donin, mund t’i jepnin fund martirizimit të tyre. Mjaftonte të nënshkruanin një deklaratë ku mohonin besimin e tyre fetar.»

Pjesa më e madhe e Dëshmitarëve, as që e çonin nëpër mend të mohonin besimin e tyre. Si rrjedhojë, rreth 1.200 prej tyre vdiqën gjatë regjimit nazist. Dyqind e shtatëdhjetë u ekzekutuan si kundërshtarë për arsye ndërgjegjeje. Ata nuk mjaftoheshin vetëm duke i thënë, por edhe i zbatonin fjalët: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar në vend të njerëzve.»​—Veprat 5:29.

Siç u shpreh Ulrih Shmidi, kryetari i parlamentit të shtetit të përbërë nga Renania Veriore dhe Vestfalia, Dëshmitarët e Jehovait nuk ishin njerëz të jashtëzakonshëm. Duke folur për fjalimin e Ulrih Shmidit, broshura Landtag Intern i quajti Dëshmitarët «njerëz të zakonshëm të cilët, duke ndjekur ndërgjegjen, i qëndruan besnikë besimit të tyre, treguan një guxim altruist dhe, për shkak të bindjeve të krishtere, i bënë rezistencë ideologjike nazizmit.» Mund të jemi të sigurt se Perëndia Jehova gëzohet me të gjithë ata që i qëndrojnë besnikë atij, edhe në rrethana të vështira. Te Fjalët e urta 27:11 lexojmë: «Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t’i përgjigjem atij që përflet kundër meje.»

[Burimi i figurës në faqen 30]

Me mirësjellje nga Muzeu Përkujtimor i Holokaustit në Shtetet e Bashkuara