Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Ç’domethënie kishte drita e mbinatyrshme, e quajtur ndonjëherë Shekinah, e cila qëndronte te Më e Shenjta e tabernakullit dhe e tempullit në Izraelin e lashtë?

Jehovai, Ati i dashur dhe Mbrojtësi i popullit të tij, bënte që prania e tij të shfaqej dukshëm në Izrael. Një mënyrë se si e realizonte këtë, ishte me anë të një reje të shndritshme që ishte një karakteristikë e vendit të tij të adhurimit.

Kjo dritë e fortë përfaqësonte praninë e padukshme të Jehovait. Ajo qëndronte te Më e Shenjta e tabernakullit dhe më vonë te Më e Shenjta e tempullit që ndërtoi Solomoni. Kjo dritë e mbinatyrshme nuk nënkuptonte se Jehovai ishte i pranishëm me trup aty. Perëndia nuk mund të kufizohet në asnjë ndërtesë të ngritur nga njerëzit. (2 Kronikave 6:18; Veprat 17:24) Ky rrëzëllim i mbinatyrshëm në shenjtëroren e Perëndisë e siguronte kryepriftin, dhe nëpërmjet tij gjithë izraelitët, për praninë mbrojtëse të Jehovait, i cili kujdesej për ta dhe për nevojat e tyre.

Në periudhën pasi Bibla ishte shkruar, në gjuhën aramaike kjo dritë quhej Shekinah (shekhinah), një fjalë që do të thotë «që banon» ose «banesa». Kjo fjalë nuk shfaqet në Bibël, por gjendet në përkthimet aramaike të Shkrimeve Hebraike, që ndryshe njihen si Targumet.

Duke i dhënë udhëzimet për ndërtimin e tabernakullit, Jehovai i tha Moisiut: «Kapakun vendose mbi Arkë, dhe brenda Arkës vendos dëshminë që do të të jap. Atje do të të shfaqem dhe, nga lart kapakut, mes dy kerubinëve që ndodhen mbi arkën.» (Dalja [Eksodi] 25:21, 22, BR) Arka e përmendur këtu ishte një kuti e veshur me ar që ndodhej te Më e Shenjta. Mbi kapakun e Arkës ndodheshin dy kerubinë prej ari.

Nga do të fliste Jehovai? Përgjigjen e kësaj e gjejmë te fjalët që i tha Moisiut: «Unë do të jem i pranishëm te reja mbi kapak.» (Levitiku 16:2, BR) Kjo re qëndronte pezull mbi Arkën e shenjtë, midis dy kerubinëve prej ari. Bibla nuk tregon se sa lart qëndronte kjo re ose sa ishte shtrirja e saj mbi kerubinët.

Kjo re e shndritshme ndriçonte Më të Shenjtën. Në fakt, ishte i vetmi mjet ndriçimi në këtë ndarje. Në Ditën e Shlyerjes, kur kryeprifti hynte në dhomën e brendshme, kjo dritë e ndihmonte të shikonte. Aty, ai ishte në praninë e Jehovait.

A ka ndonjë domethënie për të krishterët kjo dritë e mbinatyrshme? Apostulli Gjon pa në vegim një qytet ku «nata nuk do të ekzistojë». Bëhet fjalë për Jerusalemin e Ri, që përbëhet nga të krishterët e mirosur të ringjallur për të qeverisur bashkë me Jezuin. Drita e këtij qyteti simbolik nuk vjen nga dielli apo nga hëna. Lavdia e Perëndisë Jehova ndriçon në mënyrë të drejtpërdrejtë organizatën e tij, pikërisht ashtu si reja Shekinah ndriçonte Më të Shenjtën. Dhe «llamba» e këtij qyteti është Qengji, Jezu Krishti. Ndërsa, vetë «qyteti» derdh dritën frymore dhe miratimin e tij mbi njerëzit e shpenguar nga të gjitha kombet, në mënyrë që t’i drejtojë.​—Zbulesa 21:22-25.

Duke parë bekimet e mëdha që marrin nga Jehovai, adhuruesit e tij mund të jenë të sigurt se ai është Bariu i tyre mbrojtës dhe Ati i dhembshur.