Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Besnikëria të sjell dobi

Besnikëria të sjell dobi

Besnikëria të sjell dobi

NDONJËHERË fëmijët kanë qejf ta vënë në lojë shokun, duke i ngjitur rrodhe në pulovër. Rrodhet ngjiten pas materialit dhe, çfarëdo që të bëjë fëmija​—sikur të ecë, të vrapojë, të shkundë pulovrën a të hidhet përpjetë​—ato nuk shqiten. E vetmja mënyrë për t’u çliruar prej tyre, është t’i heqësh një nga një. Kjo lojë i zbavit jashtë mase vocërrakët.

Patjetër, jo të gjithë i kanë qejf rrodhet në rroba, por çdo njeri mahnitet me to, me vetinë e tyre për t’u ngjitur pas gjërave. Njeriu besnik ka një cilësi të ngjashme me rrodhet. Ai krijon lidhje të qëndrueshme me njerëzit dhe u rri pranë atyre. I përmbush me besnikëri përgjegjësitë dhe detyrimet që sjell kjo lidhje, madje edhe kur rrethanat ia vështirësojnë punën. Fjala «besnikëri» na sjell ndër mend virtyte si: sinqeriteti, përkrahja dhe përkushtimi. Mirëpo, përveçse e vlerësojmë besnikërinë e të tjerëve, a kemi ne vetë forcë karakteri që të jemi besnikë ndaj tyre? Në rast se po, ndaj kujt duhet të tregohemi besnikë?

Besnikëria në martesë është e domosdoshme

Martesa është një fushë ku besnikëria është jetësore, mirëpo të vjen keq që, pikërisht atje, ajo mungon më shumë. Burri dhe gruaja që i qëndrojnë besnikë betimit të martesës​—pra që rrinë bashkë dhe secili mundohet për të mirën e tjetrit​—po ecin në drejtimin e duhur për të pasur lumturi dhe siguri. Pse? Sepse njerëzit u krijuan me këtë nevojë: të jenë vetë besnikë dhe të tjerët të jenë besnikë ndaj tyre. Kur bashkoi në martesë Adamin dhe Evën, në kopshtin e Edenit, Perëndia shpalli: «Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij.» E njëjta gjë do të vlente edhe për gruan; ajo do të bashkohej me burrin e saj. Burri dhe gruaja duhej të ishin besnikë ndaj njëri-tjetrit dhe të bashkëpunonin.​—Zanafilla 2:24; Mateu 19:3-9.

Sigurisht, kjo deklaratë u bë mijëra vjet më parë. Por, a do të thotë kjo që besnikëria në martesë është jashtë mode sot? Shumica e njerëzve do të thoshin jo. Disa studiues në Gjermani zbuluan se 80 për qind e njerëzve e konsideronin tepër të rëndësishme besnikërinë në martesë. U bë një anketë tjetër për të zbuluar karakteristikat më të dëshirueshme te burrat dhe te gratë. Një grupi burrash iu kërkua të renditnin pesë cilësitë që admironin më shumë te gratë, kurse grave iu kërkua të renditnin pesë cilësitë që admironin më shumë te burrat. Virtyti që çmohej më tepër, si nga burrat, si nga gratë, ishte besnikëria.

Vërtet pra, besnikëria është pjesë e një themeli të fortë për një martesë të suksesshme. Megjithatë, siç pamë në artikullin e mëparshëm, besnikërinë shumë e çmojnë, por pak e shfaqin. Për shembull, shifrat e larta të divorceve në mjaft vende janë një provë se jobesnikëria po përhapet kudo. Si t’i bëjnë ballë bashkëshortët kësaj prirjeje dhe t’i mbeten besnikë njëri-tjetrit?

Besnikëria e bën martesën të qëndrueshme

Besnikëria tregohet kur bashkëshortët kërkojnë raste që ta sigurojnë njëri-tjetrin për përkushtimin e tyre. Për shembull, zakonisht është më mirë të thuhet «tanë ose tona», në vend të «imi ose imja», pra «miqtë tanë», «fëmijët tanë», «shtëpia jonë», «përvojat tona», e kështu me radhë. Kur bëjnë plane e marrin vendime​—qoftë për strehimin, punësimin, rritjen e fëmijëve, zbavitjen, pushimet a veprimtaritë fetare​—burri e gruaja bëjnë mirë të tregojnë konsideratë për ndjenjat dhe mendimet e njëri-tjetrit.​—Fjalët e urta 11:14; 15:22.

Besnikëria tregohet kur secili nga bashkëshortët bën që tjetri të ndiejë se e do dhe ka nevojë për të. Të martuarit ndihen të pasigurt kur bashkëshorti sillet me afrimitet të tepruar me dikë të gjinisë tjetër. Bibla i këshillon burrat të rrinë «me nusen e rinisë [së tyre]». Burri nuk duhet ta lejojë zemrën që të dëshirojë vëmendjen dhe admirimin e një gruaje tjetër, e pa diskutim, nuk duhet të ketë marrëdhënie fizike me një grua tjetër. Bibla paralajmëron: «Por ai që kryen një shkelje kurore me një grua është një njeri pa mend; ai që bën një gjë të tillë shkatërron jetën e tij.» Edhe nga gruaja pritet e njëjta normë e lartë besnikërie.​—Fjalët e urta 5:18; 6:32.

A ia vlen barra qiranë të tregohesh besnik në martesë? Patjetër që po, sepse martesa bëhet më e fortë dhe më e qëndrueshme, e secili nga bashkëshortët nxjerr dobi. Për shembull, kur burri tregon besnikëri ndaj së shoqes, duke menduar për mirëqenien e saj, ajo ndien siguri, dhe kjo ndjenjë e shtyn të shfaqë anët më të mira të karakterit. Po kështu është edhe me burrin. Vendosmëria për t’i qëndruar besnik së shoqes, e ndihmon t’u përmbahet fort parimeve të drejta në të gjitha fushat e jetës së tij.

Në qoftë se burri dhe gruaja po kalojnë një periudhë të vështirë, besnikëria i bën të ndihen të sigurt, që të dy. Nga ana tjetër, në një martesë ku nuk ka besnikëri, zakonisht kërkohet ndarja ose divorci, kur hasen ca probleme. Një hap i tillë, në vend që t’i zgjidhë problemet, shpesh çon në probleme të tjera. Në vitet 80 të shekullit të kaluar, një ekspert i mirënjohur në fushën e modës u nda nga gruaja dhe fëmijët. A gjeti lumturi duke jetuar i ndarë? Pas njëzet vjetësh, ai pranoi se nga ndarja mbeti «i vetmuar e i trazuar, dhe natën rrinte pa gjumë se donte t’u thoshte natën e mirë fëmijëve».

Besnikëria midis prindërve e fëmijëve

Kur prindërit janë besnikë ndaj njëri-tjetrit, ka shumë mundësi që kjo cilësi të rrënjoset edhe te fëmijët. Ata fëmijë që rriten në një familje besnike e të dashur, më pas në jetë, do ta kenë më të lehtë të sillen me besnikëri ndaj bashkëshortit dhe ndaj prindërve, ndërsa këta hasin problemet e moshës së thyer.​—1 Timoteut 5:4, 8.

Megjithatë nuk ndodh gjithmonë që të sëmuren prindërit të parët. Nganjëherë ata duhet të kujdesen me besnikëri për fëmijët e sëmurë. Kështu ndodhi me Herbertin dhe Getrudën, të cilët janë të dy Dëshmitarë të Jehovait. U kujdesën për më shumë se 40 vjet për të birin, Ditmarin, që vuajti tërë jetën nga distrofia muskulare. Shtatë vitet e fundit para se të vdiste, në nëntor 2002, Ditmari kishte nevojë për kujdes dhe vëmendje ditë e natë. Prindërit u kujdesën me dashuri për nevojat e tij. Madje, instaluan pajisje mjekësore në shtëpi dhe morën disa njohuri mjekësore. Ç’shembull i shkëlqyer i besnikërisë familjare!

Besnikëria është jetësore për miqësinë

«Njeriu mund të jetë i lumtur edhe pa qenë i martuar, po zor se është i lumtur pa pasur miq»,​—tha Birgita. Ndoshta edhe ju mendoni kështu. Sido që të jemi, të martuar a beqarë, besnikëria e një miku të mirë na ngroh zemrën dhe na pasuron jetën. Sigurisht, nëse jemi të martuar, mikun më të ngushtë duhet të kemi bashkëshortin.

Miku nuk është vetëm një i njohur. Mund të kemi shumë të njohur: fqinjë, shokë pune dhe njerëz që i takojmë me raste. Por miqësia e vërtetë kërkon investim në kohë, energji dhe angazhim nga ana emocionale. Është një nder të jesh mik i dikujt. Miqësia të fal bekime, por sjell me vete edhe disa përgjegjësi.

Komunikimi i mirë me miqtë tanë është i domosdoshëm. Pjesërisht ky komunikim vjen edhe ngaqë kemi nevojë të flasim me dikë. Birgita thotë: «Nëse unë ose shoqja ime kemi ndonjë shqetësim, flasim në telefon një a dy herë në javë. Është fantastike të di se kam një shoqe dhe se ajo është gati të më dëgjojë.» Largësia nuk ka pse të jetë një pengesë për miqësinë. Gerda dhe Helga jetojnë mijëra kilometra larg njëra-tjetrës, e megjithatë kanë qenë mike të mira për më se 35 vjet. «Shkruajmë letra rregullisht,​—shprehet Gerda.​—Tregojmë përvoja dhe flasim për ndjenjat tona më të thella, sido të jenë, të gëzuara o të trishtuara. Letrat e Helgës më gëzojnë jashtë mase. Ne ngjajmë shumë në mendime.»

Besnikëria është jetësore për një miqësi. Një gjest jobesnikërie mund të rrënojë edhe lidhje që ekzistojnë prej vitesh. Është normale që miqtë të këshillohen me njëri-tjetrin, madje dhe për çështje konfidenciale. Miqtë flasin nga zemra, pa pasur frikë se mos tjetri i përçmon ose ua shpërdoron besimin. Bibla pohon: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»​—Proverbat 17:17, BR.

Meqë miqtë ndikojnë në mënyrën si mendojmë, ndiejmë dhe veprojmë, ka rëndësi të zëmë miqësi me njerëzit që kanë një mënyrë jetese që përputhet me tonën. Për shembull, të sigurohemi se po krijojmë miqësi me individë që kanë po ato bindje, po atë pikëpamje për moralin dhe po ato norma për të drejtën e të gabuarën që kemi ne. Këta miq do të na ndihmojnë të arrijmë synimet tona. Përveç kësaj, e pse të dëshirojmë të kemi afrimitet me dikë që nuk ka të njëjtat parime e norma morale si tonat? Bibla tregon sa rëndësi ka të zgjedhim miqtë e duhur, kur thotë: «Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.»​—Fjalët e urta 13:20.

Besnikëria mund të mësohet

Kur një fëmijë mëson të ngjitë rrodhe te rrobat e dikujt, ka të ngjarë që ai dëshiron ta luajë këtë lojë me qindra herë. E njëjta gjë mund të thuhet për një njeri që është besnik. Pse? Sepse sa më tepër ushtrohemi duke shfaqur besnikëri, aq më e lehtë na bëhet. Në qoftë se dikush mëson të jetë besnik që në moshë të njomë, brenda familjes, më vonë do ta ketë më të lehtë të krijojë miqësi të bazuara te besnikëria. Nëse këto miqësi kaq të forta dhe të qëndrueshme ecin në shtegun e duhur, mund të shtrojë udhën për një martesë ku ka besnikëri. Gjithashtu, do ta ndihmojnë këtë njeri të jetë besnik në miqësinë më të rëndësishme nga të gjitha.

Jezui tha se urdhërimi më i madh është ta duam Perëndinë Jehova me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tonë. (Marku 12:30) Kjo do të thotë se Perëndia meriton t’i tregojmë besnikëri në gjithçka. Të jesh besnik ndaj Perëndisë Jehova, sjell shpërblime të pamasa. Ai nuk do të na braktisë e nuk do të na zhgënjejë kurrë, pasi thotë: «Unë . . . jam besnik.» (Jeremia 3:12, BR) Në të vërtetë, besnikëria ose besueshmëria ndaj Perëndinë sjell shpërblime që zgjatin përjetë.​—1 Gjonit 2:17.

[Diçitura në faqen 6]

Besnikëria e një miku të mirë na ngroh zemrën

[Figura në faqen 5]

Familjarët që janë besnikë, kujdesen për nevojat e njëri-tjetrit