Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Menonitët në kërkim të së vërtetës biblike

Menonitët në kërkim të së vërtetës biblike

Menonitët në kërkim të së vërtetës biblike

NJË mëngjes, në nëntor të vitit 2000, disa misionarë Dëshmitarë të Jehovait në Bolivi, panë nga dritarja e shtëpisë së tyre të vogël disa burra e gra të veshur thjesht, të cilët, gjithë ankth, po pritnin te porta. Kur misionarët hapën portën, fjalët e para të vizitorëve ishin: «Duam të zbulojmë të vërtetën nga Bibla.» Ishin menonitë. Burrat kishin veshur kominoshe, ndërsa gratë përparëse të zeza me rrip në mes, dhe me njëri-tjetrin flitnin në një dialekt gjerman. Nga sytë dukeshin të frikësuar. Vazhdimisht, shihnin nga pas se mos i kishte ndjekur njeri. Megjithëse të frikësuar, duke ngjitur shkallët e shtëpisë, një i ri prej tyre tha: «Dua të njoh popullin që përdor emrin e Perëndisë.»

Kur hynë brenda, vizitorët filluan të qetësoheshin kur misionarët u nxorën diçka për të ngrënë e për të pirë, që të freskoheshin. Kishin ardhur nga një koloni bujqësore e largët dhe e izoluar. Prej gjashtë vjetësh merrnin revistat Kulla e Rojës me anë të postës. «Kemi lexuar që toka do të bëhet parajsë. A është e vërtetë?»​—pyetën ata. Dëshmitarët u treguan përgjigjen nga Bibla. (Isaia 11:9; Luka 23:43; 2 Pjetrit 3:7, 13; Zbulesa 21:3, 4) «E shikoni?!​—u tha të tjerëve një nga bujqit.​—E vërtetë është. Toka do të bëhet parajsë.» Të tjerët thoshin: «Mendoj se kemi gjetur të vërtetën.»

Cilët janë menonitët? Çfarë besojnë ata? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, duhet të kthehemi pas, në shekullin e 16-të.

Cilët janë menonitët?

Në fillim të shekullit të 16-të, vala e përkthimit të Biblës dhe botimi i saj në gjuhët kryesore të Evropës, rizgjoi interesin e njerëzve për të studiuar Biblën. Martin Luteri dhe reformatorë të tjerë hodhën poshtë shumë nga mësimet e Kishës Katolike. Megjithatë, kishat protestante të sapoformuara praktikonin ende shumë zakone jobiblike. Për shembull, një pjesë e madhe nga ata kërkonte që çdo foshnjë e sapolindur, të pagëzohej në kishë. Por, disa që donin sinqerisht të gjenin të vërtetën biblike, kuptuan se një njeri bëhet anëtar i kongregacionit të krishterë vetëm atëherë kur, duke u bazuar në njohurinë, merr një vendim dhe pastaj pagëzohet. (Mateu 28:19, 20) Predikuesit e zellshëm që besonin këtë gjë, filluan të shkonin nëpër qytete e fshatra, duke u mësuar njerëzve Biblën dhe duke pagëzuar të rriturit. Prandaj, ata u quajtën anabaptistë, që do të thotë «ripagëzues».

Njëri prej atyre që, në kërkim të së vërtetës biblike, iu drejtuan anabaptistëve, ishte edhe Meno Simonsi, një prift katolik në fshatin Vitmarsum në veri të Holandës. Aty nga viti 1536, ai i kishte shkëputur fare lidhjet me kishën, dhe ajo e shpalli person në kërkim. Në vitin 1542 Perandori Karli V, që kishte lidhje të ngushta me Selinë e Shenjtë të Romës, premtoi 100 gulden si shpërblim për atë që do të kapte Menon. Pavarësisht nga këto, Menoja i organizoi në kongregacione disa anabaptistë. Shumë shpejt, ai dhe pasuesit e tij filluan të quheshin menonitë.

Menonitët në ditët e sotme

Me kalimin e kohës, përndjekjet i detyruan mijëra menonitë të largoheshin nga Evropa Perëndimore e të shkonin për të jetuar në Amerikën e Veriut. Atje kishin mundësinë të vazhdonin kërkimin për të vërtetën dhe t’ua përhapnin mesazhin e tyre shumë të tjerëve. Por, zelli i zjarrtë i paraardhësve të tyre për të studiuar Biblën në mënyrë të vazhdueshme dhe për të predikuar publikisht, kishte rënë mjaft. Një pjesë e madhe mbështetej në disa doktrina jobiblike, si për shembull: Triniteti, pavdekësia e shpirtit të njeriut dhe ferri i zjarrtë. (Predikuesi 9:5; Ezekieli 18:4; Marku 12:29) Sot, përpjekjet misionare të menonitëve përqendrohen më tepër në ndihmat mjekësore dhe në shërbimet sociale, sesa te predikimi.

Është llogaritur se tani ka rreth 1.300.000 menonitë që jetojnë në 65 vende. Por, menonitët e sotëm ankohen për mungesën e unitetit, po ashtu si Meno Simonsi shekuj më parë. Gjatë Luftës I Botërore, pikëpamjet e ndryshme për konfliktet botërore shkaktuan përçarje të mëdha. Shumë nga ata që jetonin në Amerikën e Veriut, nuk pranonin të kryenin shërbimin ushtarak, ngaqë bazoheshin në Bibël. Por, në librin Hyrje në historinë e menonitëve (anglisht), thuhet: «Aty nga viti 1914, refuzimi për të kryer shërbimin ushtarak ishte veçse një kujtim i së shkuarës për kishat menonite në Evropën Perëndimore.» Sot, disa grupe menonite janë përshtatur, ku më shumë e ku më pak, me jetën moderne. Ndërsa të tjerët, në vend të kopsave përdorin akoma mbërthecka e iliqe për rrobat, dhe besojnë se burrat nuk duhet ta rruajnë mjekrën.

Disa grupe të tjera, vendosën të mbeteshin të ndarë nga bota moderne, prandaj u transferuan në vende ku qeveria i lejonte të jetonin më vete, pa ndërhyrje. Për shembull, në Bolivi, është llogaritur se rreth 38.000 menonitë jetojnë në shumë koloni të largëta, dhe çdonjëra ka rregulla të ndryshme për sjelljen. Në disa koloni ndalohen mjetet e motorizuara, dhe lëvizin vetëm me kuaj dhe kaloshina. Në disa ndalohen radiot, televizorët dhe muzika. Ndërsa, në disa të tjera nuk lejohet mësimi i gjuhës së vendit. «Që të na mbajnë nën kontroll, pastorët nuk na lënë të mësojmë spanjishten»,​—tha një që banonte në atë koloni. Shumë ndihen të shtypur dhe jetojnë me frikën se mos i përjashtojnë nga komuniteti, një mendim i tmerrshëm për dikë që nuk e ka provuar kurrë si është jeta jashtë komunitetit.

Si u mboll fara e së vërtetës

Ishte pikërisht në këto rrethana kur një bujk menonit me emrin Johan pa një kopje të revistës Kulla e Rojës në shtëpinë e një fqinji. Familja e Johanit kishte emigruar nga Kanadaja në Meksikë e pastaj në Bolivi. Por Johani gjithmonë kishte dëshiruar që dikush ta ndihmonte në kërkimin për të vërtetën biblike. Prandaj ia kërkoi hua fqinjit revistën.

Një ditë, kur kishte zbritur në qytet për të shitur prodhimet bujqësore, Johani iu afrua një Dëshmitareje që po ofronte revistën Kulla e Rojës aty në treg. Ajo i dha adresën e një misionari që fliste gjermanisht dhe, shumë shpejt, Johani filloi të merrte revistat Kulla e Rojës në gjermanisht nëpërmjet postës. E studionte mirë çdo numër të revistës dhe pastaj e kalonte nga njëra familje e kolonisë së tij te tjetra, derisa grisej nga përdorimi. Ndonjëherë, familjet atje mblidheshin bashkë dhe e studionin një revistë Kulla e Rojës deri në mesnatë, duke parë në Bibël shkrimet që tregoheshin në revistë. Johani u bind se Dëshmitarët e Jehovait janë ata që, në unitet, po bëjnë vullnetin e Perëndisë në mbarë tokën. Para se të vdiste, Johani i tha gruas dhe fëmijëve: «Mos e lini kurrë pa lexuar revistën Kulla e Rojës. Ajo do t’ju ndihmojë të kuptoni Biblën.»

Disa nga familja e Johanit filluan të flitnin me fqinjët për gjërat që po mësonin nga Bibla. «Toka nuk do të shkatërrohet. Përkundrazi, Perëndia do ta kthejë në një parajsë,​—u thoshin.​—Dhe Perëndia nuk i torturon njerëzit në ferr.» Por, këto biseda u ranë në vesh edhe pastorëve të kishës, të cilët e kërcënuan familjen e Johanit se do ta përjashtonin, nëse vazhdonte akoma. Më vonë, gjatë një bisede me familjen, në lidhje me presionin që po u bënin pastorët menonitë, një djalë foli: «Nuk e kuptoj pse ankohemi për pastorët e kishës sonë. Ne të gjithë e dimë se cila është feja e vërtetë, dhe prapëseprapë nuk kemi bërë asgjë për këtë.» Këto fjalë e prekën babanë e tij. Kështu, pa vonuar, dhjetë pjesëtarë të kësaj familjeje, pa e marrë vesh njeri tjetër, shkuan të kërkonin Dëshmitarët e Jehovait dhe përfunduan në shtëpinë e misionarëve që përmendëm në fillim të artikullit.

Të nesërmen, misionarët shkuan të vizitonin miqtë e tyre të rinj, që jetonin në koloni. Në rrugë nuk kishte asnjë automjet tjetër përveç atij të misionarëve. Ndërsa i kalonin ngadalë kaloshinat rrugës, ata shkëmbenin vështrimet me banorët që ishin po aq të habitur. Pas pak u ulën në tavolinë me dhjetë menonitë, që përbënin dy familje.

Atë ditë iu deshën katër orë për të studiuar kapitullin e parë të librit Njohuria që të çon në jetën e përhershme. * Në çdo paragraf, bujqit hapnin Biblën për të lexuar shkrimet, pasi donin të dinin nëse po i zbatonin saktë shkrimet. Pas çdo pyetjeje bëhej një pauzë për pak minuta, ndërkohë që bujqit konsultoheshin me njëri-tjetrin në dialektin e veriut të Gjermanisë, para se njëri prej tyre të përgjigjej për grupin në spanjisht. Ishte një ditë e paharrueshme, por shpejt do të gjendeshin përballë një morie telashesh. Do të hasnin shumë sprova, pikërisht si Meno Simonsi kur filloi të kërkonte të vërtetën biblike rreth pesë shekuj më parë.

Hasin sprova për shkak të së vërtetës

Pak ditë më vonë, pastorët e kishës vajtën në shtëpinë e familjes së Johanit për t’u dhënë ultimatumin atyre që donin të studionin Biblën me Dëshmitarët: «Kemi marrë vesh që Dëshmitarët e Jehovait ju kanë vizituar. Nuk duhet t’i lejoni që të vijnë më, dhe, nëse nuk na e jepni literaturën e tyre që ta djegim, atëherë do të përjashtoheni.» Vetëm një herë kishin bërë studim të Biblës me Dëshmitarët, prandaj kjo ishte një sprovë vërtet e madhe për ta.

«Nuk mund ta bëjmë këtë që kërkoni,​—iu përgjigj një nga kryetarët e familjes.​—Ata erdhën të na mësonin Biblën.» Po si reaguan pastorët? I përjashtuan vetëm se po studionin Biblën. Kjo ishte vërtet një goditje mizore. Karroca e punishtes së djathit të asaj kolonie kalonte para shtëpisë së tyre dhe nuk ndalonte për të marrë qumështin, duke u mohuar kështu të vetmin burim të ardhurash. Një kryefamiljar e hoqën nga puna. Një tjetër nuk e lejuan të blinte në dyqanin e kolonisë, dhe vajzën e tij dhjetëvjeçare e përjashtuan nga shkolla. Fqinjët rrethuan një nga shtëpitë për të marrë një nga gratë, pasi, sipas tyre, nuk mund të jetonte me burrin e saj të përjashtuar. Pavarësisht nga gjithë këto, familjet nuk hoqën dorë nga kërkimi për të vërtetën.

Misionarët vazhduan të merrnin çdo javë atë rrugë të gjatë për t’u drejtuar studimin biblik. Sa shumë forcoheshin nga këto mësime! Disa nga anëtarët e familjes udhëtonin dy orë me kuaj e kaloshina që të ishin të pranishëm në studim. Sa prekëse ishte kur ftuan për herë të parë një nga misionarët të drejtonte lutjen. Në këto koloni, menonitët nuk luten asnjëherë me zë, prandaj nuk kishin dëgjuar kurrë dikë të lutej për ta. Burrave iu mbushën sytë me lot. Dhe, a e merrni dot me mend kureshtjen e tyre kur panë magnetofonin që misionarët kishin marrë me vete? Në atë koloni ishte e ndaluar të dëgjoje muzikë. Ata u kënaqën kaq shumë me Meloditë e Mbretërisë, sa vendosën që t’i këndonin këto këngë gjithmonë pas studimit të Biblës. Por, mbetej pyetja: «Si do të mund të mbijetonin në këto rrethana që kishin ndryshuar?»

Gjejnë një vëllazëri të dashur

Ngaqë tani ishin të ndarë nga kolonia, filluan ta bënin vetë djathin. Misionarët i ndihmonin të gjenin blerësit. Një amerikano-verior, që ishte Dëshmitar prej kohësh dhe që ishte rritur në një nga kolonitë menonite në Amerikën e Jugut, mori vesh për gjendjen e vështirë të këtyre familjeve dhe shfaqi një dëshirë të madhe t’i ndihmonte. Brenda javës, i hipi avionit për në Bolivi për t’i vizituar. Përveç inkurajimit frymor, ai i ndihmoi të blinin kamionin e tyre, në mënyrë që të shkonin në mbledhje në Sallën e Mbretërisë dhe të nxirrnin prodhimet në treg.

«Ishte e vështirë pasi na përjashtuan nga kolonia. Shkonim në Sallën e Mbretërisë me fytyrë të zymtë,​—kujton njëri prej tyre.​—Por, kur ktheheshim, na shkëlqenin sytë nga gëzimi.» Vërtet, Dëshmitarët e atjeshëm iu gjendën pranë në atë rast dhe i mbështetën. Disa mësuan gjermanisht, dhe disa Dëshmitarë që flitnin gjermanisht vajtën nga Evropa në Bolivi, për të mbajtur mbledhjet e krishtere në këtë gjuhë. Shumë shpejt, 14 menonitë po ua predikonin të tjerëve lajmin e mirë të Mbretërisë.

Më 12 tetor të vitit 2001, më pak se një vit pasi shkuan në shtëpinë e misionarëve, 11 prej këtyre ish-anabaptistëve u pagëzuan përsëri, por këtë herë në simbol të kushtimit të tyre ndaj Jehovait. Që atëherë, janë pagëzuar edhe shumë të tjerë. Njëri prej tyre, më vonë komentoi: «Që kur kemi mësuar të vërtetën nga Bibla, ndihemi si skllevër të liruar.» Ndërsa një tjetër tha: «Shumë menonitë ankohen për mungesën e dashurisë në komunitetin e tyre. Por Dëshmitarët e Jehovait interesohen për njëri-tjetrin. Ndihem i sigurt mes tyre.» Në rast se doni ta kuptoni më shumë të vërtetën biblike, edhe ju mund të hasni sprova. Por, nëse kërkoni ndihmën e Jehovait, dhe nëse tregoni besim e guxim ashtu si këto familje, atëherë edhe ju do t’ia dilni mbanë dhe do të gjeni lumturinë.

[Shënimi]

^ par. 17 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 25]

Të lumtur që marrin literaturë biblike në gjermanisht

[Figura në faqen 26]

Megjithëse muzika kishte qenë gjithnjë e ndaluar, ata këndojnë pas çdo studimi biblik