Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një Bibël e vjetër gjermane përdor emrin e Perëndisë

Një Bibël e vjetër gjermane përdor emrin e Perëndisë

Një Bibël e vjetër gjermane përdor emrin e Perëndisë

EMRI i Perëndisë, Jehova, gjendet mijëra herë në Përkthimin Bota e Re të Shkrimeve të Shenjta, botuar në gjermanisht në vitin 1971. * Por, kjo nuk ishte Bibla e parë në gjermanisht që përdorte emrin hyjnor. Ka shumë mundësi që Bibla e parë në gjermanisht ku është përdorur emri Jehova, të jetë botuar rreth 500 vjet më parë nga Johan Eku, një teolog i mirënjohur katolik.

Johan Eku lindi në vitin 1486, në jug të Gjermanisë. Në moshën 24-vjeçare, ishte tashmë profesor teologjie në universitetin e Ingolshtadit, ku punoi deri ditën e fundit të jetës së tij, në vitin 1543. Eku ishte bashkëkohës i Martin Luterit, me të cilin kishte miqësi për ca kohë. Megjithatë, Luteri më vonë u bë një figurë e rëndësishme e Reformës, ndërsa Eku ishte mbrojtës i Kishës Katolike.

Duka i Bavarisë i dha për detyrë Ekut të përkthente Biblën në gjuhën gjermane, dhe ky përkthim u botua në vitin 1537. Sipas Kirchliches Handlexikon, përkthimi i tij i qëndronte besnik tekstit origjinal dhe «duhet vlerësuar më shumë se ç’është vlerësuar deri tani». Ja përkthimi që i ka bërë Eku Daljes 6:3: «Unë jam Zoti, që iu shfaq Abraamit, Isakut dhe Jakobit si Perëndia i Plotfuqishëm: dhe emrin tim Adonai nuk ua kam zbuluar kurrë atyre.» Për këtë varg Eku shtoi një referim: «Emri Adonai: Jehoua.» Shumë studiues të Biblës besojnë se kjo ishte hera e parë që emri i Perëndisë u përdor në një Bibël gjermane.

Megjithatë, njerëzit e kanë ditur dhe e kanë përdorur për mijëra vjet emrin e Perëndisë. Përdorimi i tij është dokumentuar për herë të parë në gjuhën hebraike, ku emri «Jehova» përdoret për të identifikuar Perëndinë e vetëm dhe të vërtetë. (Ligji i përtërirë 6:4) Gati 2.000 vjet më parë, u dokumentuan në gjuhën greke fjalët e Jezuit, që tha se e kishte bërë të njohur emrin e Perëndisë. (Gjoni 17:6) Që atëherë, ky emër është botuar në një mori gjuhësh dhe, shumë shpejt, në përmbushje të Psalmit 83:18, të gjithë do ta dinë se ai që e ka emrin Jehova, është Më i Larti në tërë dheun.

[Shënimi]

^ par. 2 Botuar së pari në anglisht në vitin 1961, nga Dëshmitarët e Jehovait. Tani është përkthyer e tëra ose pjesërisht në më shumë se 50 gjuhë.

[Figura në faqen 32]

Botim i vitit 1558 i Biblës së Ekut, me referimin anësor për emrin Jehova te Dalja 6:3