Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Ku bazohemi kur pohojmë se shprehjet «i vetmi që ka pavdekësinë» dhe «të cilin as edhe një njeri nuk e ka parë e as nuk mund ta shohë» i referohen Jezuit, dhe jo Perëndisë Jehova?

Apostulli Pavël shkroi: «Këtë shfaqje do ta tregojë në kohën e caktuar prej tij i lumi dhe i vetmi i Pushtetshëm, Mbreti i atyre që sundojnë si mbretër dhe Zotëria i atyre që sundojnë si zotërinj, i vetmi që ka pavdekësinë, që banon në dritë të paafrueshme, të cilin as edhe një njeri nuk e ka parë e as nuk mund ta shohë.»​—1 Timoteut 6:15, 16.

Në përgjithësi, komentuesit e Biblës arsyetojnë: ‘E kujt mund t’i referohen tjetër, përveçse të Plotfuqishmit, shprehjet «i vetmi që ka pavdekësinë», «i vetmi i Pushtetshëm» dhe «të cilin as edhe një njeri nuk e ka parë e as nuk mund ta shohë»?’ Në fakt, këto shprehje mund të përdoren për të përshkruar Jehovain. Megjithatë, konteksti tregon se, te 1 Timoteut 6:15, 16, Pavli e kishte fjalën në mënyrë specifike për Jezuin.

Në fund të vargut 14, Pavli përmend «shfaqjen e Zotërisë tonë Jezu Krisht». (1 Timoteut 6:14) Prandaj, në vargun 15, kur Pavli shkruan se «këtë shfaqje do ta tregojë në kohën e caktuar prej tij i lumi dhe i vetmi i Pushtetshëm», e ka fjalën për shfaqjen e Jezuit, jo të Perëndisë Jehova. Atëherë, kush është «i vetmi i Pushtetshëm»? Duket e arsyeshme të themi se Jezui ishte i Pushtetshmi për të cilin po fliste Pavli. Përse? Konteksti bën të qartë se Pavli po e krahason Jezuin me sundimtarët njerëzorë. Siç shkroi Pavli, Jezui është vërtet «Mbreti i atyre [njerëzve] që sundojnë si mbretër dhe Zotëria i atyre [njerëzve] që sundojnë si zotërinj». * Po, në krahasim me ta, Jezui është «i vetmi i Pushtetshëm». Atij i është dhënë «sundimi, lavdia dhe mbretëria, me qëllim që gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t’i shërbenin». (Danieli 7:14) Asnjë njeri i fuqishëm nuk mund të pretendojë këtë!

Po shprehja «i vetmi që ka pavdekësinë»? Edhe këtu krahasimi bëhet ndërmjet Jezuit dhe mbretërve njerëzorë. Asnjë sundimtar njerëzor nuk pretendon dot se ka pavdekësinë, kurse Jezui mund ta thotë këtë. Pavli shkroi: «E dimë se Krishti, tani që është ngritur nga të vdekurit, nuk vdes më; vdekja nuk është më zot mbi të.» (Romakëve 6:9) Kështu, Jezui është i pari që përmendet në Bibël se ka marrë dhuratën e pavdekësisë. Në fakt, në kohën kur Pavli shkroi ato fjalë, Jezui ishte vërtet i vetmi që kishte arritur jetën e paprishshme.

Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë se do të kishte qenë e gabuar që Pavli të thoshte se vetëm Perëndia Jehova ka pavdekësinë, sepse kur Pavli shkroi këto fjalë, edhe Jezui ishte i pavdekshëm. Por ai mund të thoshte se vetëm Jezui ishte i pavdekshëm në krahasim me sundimtarët njerëzorë.

Veç kësaj, është patjetër e vërtetë që, pas ringjalljes dhe ngjitjes së tij në qiell, Jezui mund të përshkruhet si dikush «të cilin as edhe një njeri nuk e ka parë e as nuk mund ta shohë». Kuptohet, dishepujt e tij të mirosur do ta shihnin Jezuin pasi të vdisnin edhe ata e të ringjalleshin pastaj në qiell si krijesa frymore. (Gjoni 17:24) Por asnjë njeri në tokë nuk do ta shihte Jezuin në gjendjen e tij të lartësuar. Prandaj, mund të thuhet pa frikë se, që nga ringjallja dhe ngjitja e Jezuit në qiell, «as edhe një njeri» nuk e ka parë faktikisht atë.

Vërtet, në pamje të parë, mund të duket sikur shprehjet që gjejmë te 1 Timoteut 6:15, 16 i referohen Perëndisë. Por konteksti i fjalëve të Pavlit, si edhe shkrimet e tjera që e mbështetin, tregojnë se Pavli po i referohej Jezuit.

[Shënimi]

^ par. 5 Shprehje të ngjashme janë thënë për Jezuin te 1 Korintasve 8:5, 6; Zbulesa 17:12, 14; 19:16.