Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kush ishte Ponc Pilati?

Kush ishte Ponc Pilati?

Kush ishte Ponc Pilati?

«TALLËSI dhe mosbesuesi Pilat është një figurë historike që të ngacmon fantazinë. Për disa, ai është një shenjt, për të tjerë mishërimi i dobësisë njerëzore, një shembull tipik i politikanit që është gati të flijojë një njeri për hir të stabilitetit.»​—Nga libri Ponc Pilati (anglisht), nga Ana Ro.

Keni apo jo një nga këto pikëpamje, Ponc Pilati u bë vërtet i njohur nga mënyra se si trajtoi Jezu Krishtin. Kush ishte Pilati? Çfarë dihet për të? Një kuptueshmëri më e thellë rreth pozitës së tij, do të na ndihmojë t’i kuptojmë më shumë ngjarjet më të rëndësishme që kanë ndodhur ndonjëherë në tokë.

Pozita, detyrat dhe pushteti

Perandori romak, Tiberi, e caktoi Pilatin guvernator të provincës së Judesë në vitin 26 të e.s. Këta zyrtarë të lartë ishin burra të të ashtuquajturit urdhër të kalorësve​—rangu më i ulët i fisnikërisë, që dallohej nga aristokratët të cilët kishin statusin e senatorit. Ka të ngjarë që Pilati u fut në ushtri si një tribun ushtarak ose komandant i ri, u ngjit në rangje më të larta gjatë disa periudhave të njëpasnjëshme shërbimi dhe, para se të mbushte 30 vjeç, u caktua guvernator.

Kur ishte me uniformën ushtarake, Pilati mbante një tunikë prej lëkure dhe një parzmore metalike. Ndërsa kur dilte në publik vishte një petk të bardhë me bordurë të purpurt. Flokët duhet t’i ketë mbajtur shkurt dhe nuk duhet të ketë pasur mjekër. Megjithëse disa besojnë se ai vinte nga Spanja, emri tregon se i përkiste fisit të pontëve, fisnikëve samnitë nga jugu i Italisë.

Prefektët e rangut të Pilatit shpesh i dërgonin në vende të pazhvilluara. Kështu e konsideronin romakët Judenë. Përveç mbajtjes së rregullit, Pilati merrej edhe me mbledhjen e tatimeve të tërthorta dhe taksave të votimit. Me problemet e përditshme të drejtësisë merreshin gjykatat judeje, por rastet ku përfshihej dënimi me vdekje i kalonin guvernatorit, i cili ishte autoriteti suprem gjyqësor.

Me një grup të vogël sekretarësh, shoqëruesish dhe korrierësh, Pilati dhe gruaja e tij jetonin në qytetin-port të Cezaresë. Pilati kishte nën komandë pesë kohorta këmbësorësh, me nga 500 deri 1.000 ushtarë secila, dhe një regjiment kalorësish që ndoshta përbëhej nga 500 kalorës. Një nga detyrat e ushtarëve të tij ishte të vinin në shtyllë shkelësit e ligjit. Në kohë paqeje, ekzekutimet bëheshin pas një procesi të përmbledhur, por, gjatë kryengritjeve, rebelët vriteshin në vend dhe në masë. Për shembull, romakët vunë në shtyllë njëherësh 6.000 skllevër që të shtypnin kryengritjen e kryesuar nga Spartaku. Kur qetësia e Judesë kërcënohej, guvernatori normalisht mund t’i drejtohej për ndihmë përfaqësuesit të perandorisë në Siri, i cili komandonte legjionet. Por, gjatë kohës që Pilati ishte guvernator, shpesh ndodhte që përfaqësuesi i perandorisë nuk ishte, dhe Pilati duhej t’u jepte fund menjëherë trazirave.

Guvernatorët lidheshin rregullisht me perandorin. Kjo sepse duheshin raportuar çështjet ku vihej në diskutim dinjiteti i perandorit ose rastet kur kanosej autoriteti romak dhe, për këto, ai që merrte vendimet ishte perandori. Një guvernator mund të ishte në ankth për t’i dhënë perandorit versionin e tij për atë që ndodhte në provincë para se të ankoheshin të tjerët. Kur në Jude lindnin probleme, këto shqetësime bëheshin reale për Pilatin.

Përveç tregimeve në Ungjijtë, ata që flasin më tepër për Pilatin janë historianët judenj Jozef Flavi dhe Filoja. Historiani romak Taciti tregon gjithashtu se Pilati ekzekutoi Krishtin, nga i cili morën emrin të krishterët.

Provokohet zemërimi i judenjve

Historiani Jozef thotë se nga konsiderata për judenjtë që ishin kundër bërjes së shëmbëlltyrave, guvernatorët romakë nuk kishin futur në Jerusalem emblema ushtarake me simbolin e perandorit. Për shkak se Pilati e theu këtë zakon, judenjtë u xhindosën dhe rendën në Cezare për t’u ankuar. Për pesë ditë Pilati nuk reagoi fare. Ditën e gjashtë, i urdhëroi ushtarët të rrethonin protestuesit dhe t’i kërcënonin se do t’i vrisnin, nëse nuk shpërndaheshin. Kur judenjtë thanë se më mirë të vdisnin, sesa të lejonin shkeljen e Ligjit të tyre, Pilati lëshoi pe dhe urdhëroi që të hiqeshin emblemat.

Por Pilati përdorte edhe forcën. Në një rast të dokumentuar nga historiani Jozef, Pilati filloi ndërtimin e një ujësjellësi që do të sillte ujë në Jerusalem dhe për këtë projekt përdori fondet e thesarit të tempullit. Ai nuk i konfiskoi paratë, sepse e dinte se plaçkitja e tempullit ishte sakrilegj dhe judenjtë e inatosur mund t’i kërkonin Tiberit që ta hiqte nga posti. Me sa duket, me Pilatin bashkëpunuan edhe autoritetet e tempullit. Ligji lejonte që fondet e kushtuara tempullit, që quheshin «kurban», të përdoreshin për shërbime publike ku i gjithë qyteti mund të përfitonte. Por mijëra judenj u mblodhën gjithsesi për të shprehur indinjatën e tyre.

Të urdhëruar që të mos përdornin shpatat, por t’i goditnin protestuesit me shkopinj, trupat e Pilatit u përzien me turmën. Ndoshta ai donte ta kishte nën kontroll turmën pa provokuar ndonjë masakër. Nga sa dihet, ai ia arriti qëllimit deri diku, megjithëse disa vdiqën. Ndoshta ata që i thanë Jezuit se Pilati e kishte përzier gjakun e galileasve me flijimet e tyre, po i referoheshin pikërisht kësaj ngjarjeje.​—Luka 13:1.

«Ç’është e vërteta?»

Ajo që e bëri famëkeq Pilatin, ishte hetimi që i bëri padisë që kishte ngritur kryeprifti dhe pleqtë judenj ndaj Jezuit, ngaqë e paraqiste veten si Mbret. Kur dëgjoi se misioni i Jezuit ishte të jepte dëshmi për të vërtetën, Pilati e kuptoi që i burgosuri nuk përbënte kërcënim për Romën. «Ç’është e vërteta?»​—pyeti ai, ndoshta duke menduar se e vërteta ishte diçka tepër e pakonceptueshme për të merituar aq shumë vëmendje. Dhe çfarë përfundimi nxori? «Unë nuk gjej asnjë faj tek ai.»​—Gjoni 18:37, 38; Luka 23:4.

Ky duhej të kishte qenë fundi i gjyqit të Jezuit, por judenjtë këmbëngulën se ai po shkatërronte një komb të tërë. Arsyeja kryesore se përse kryeprifti e dorëzoi Jezuin te romakët, ishte smira, dhe Pilati e dinte këtë. Gjithashtu ai e dinte se lirimi i Jezuit do të shkaktonte probleme, dhe kjo ishte diçka që nuk e dëshironte. Kishin pasur mjaft shqetësime deri në atë moment, sepse Baraba dhe të tjerë ishin burgosur për kryengritje dhe vrasje. (Marku 15:7, 10; Luka 23:2) Për më tepër, grindjet e mëparshme me judenjtë ia kishin prishur reputacionin Pilatit para Tiberit, i cili njihej si dikush që sillej shumë ashpër me guvernatorët e paaftë. Por, po t’u plotësonte dëshirën judenjve, kjo do të merrej si shenjë dobësie nga ana e tij. Pra, Pilati u gjend përballë një dileme.

Kur mori vesh se nga ishte Jezui, Pilati u përpoq t’ia kalonte çështjen Herod Antipës, qeveritarit të krahinës së Galilesë. Kur pa që edhe kjo nuk funksionoi, Pilati mendoi që të mblidhte popullin para pallatit të tij dhe t’i pyeste nëse dëshironin që Jezui të lirohej sipas zakonit të çlirimit të një të burgosuri me rastin e Pashkës. Turma kërkoi lirimin e Barabës.​—Luka 23:5-19.

Ndoshta Pilati donte të bënte atë që ishte e drejtë, por donte edhe të mos vinte kokën në rrezik e t’i bënte qejfin turmës. Në fund, vendosi karrierën e tij para ndërgjegjes dhe drejtësisë. Kërkoi ujë dhe lau duart, duke pretenduar se ishte i pafajshëm për vdekjen që sapo kishte miratuar. * Edhe pse besonte se Jezui ishte i pafajshëm, Pilati dha urdhër që të qëllohej me kamxhik dhe i lejoi ushtarët që ta tallnin, ta goditnin dhe ta pështynin.​—Mateu 27:24-31.

Pilati bëri edhe një përpjekje të fundit për ta liruar Jezuin, por turma bërtiti se po ta lironte, ai nuk ishte më mik i Cezarit. (Gjoni 19:12) Me të dëgjuar këtë, Pilati u dorëzua. Një studiues u shpreh kështu për vendimin e Pilatit: «Zgjidhja ishte më se e thjeshtë: të ekzekutohej ai njeri. Në fund të fundit, ajo që do të humbitnin, ishte jeta e një judeu, në dukje i parëndësishëm. Do të ishte budallallëk ta linte problemin të shtohej vetëm për kaq gjë.»

Çfarë ndodhi me Pilatin?

Ngjarja e fundit e dokumentuar në lidhje me karrierën e Pilatit kishte të bënte me një konflikt tjetër. Jozefi thotë se një numër i madh samaritanësh të armatosur u mblodhën në malin Gerizim, me shpresën se do të gjenin thesarin që mendohej se Moisiu kishte groposur aty. Pilati ndërhyri dhe ushtarët e tij vranë disa prej tyre. Prandaj samaritanët u ankuan te eprori i Pilatit, te Luc Viteli, guvernatori i Sirisë. Nuk thuhet nëse Viteli mendonte që Pilati e kishte tepruar apo jo. Por, sidoqoftë, ai i dha urdhër Pilatit të shkonte në Romë për t’i dhënë llogari perandorit se përse kishte vepruar ashtu. Por, para se Pilati të mbërrinte në Romë, Tiberi vdiq.

«Pas kësaj,​—thuhet në një revistë,​—Pilati kalon nga historia në legjendë.» Dhe shumë janë përpjekur që të gjejnë hollësirat që mungojnë. Disa pretendojnë se Pilati u bë i krishterë. «Të krishterët» në Etiopi e bënë «shenjtor». Eusebi, që i përket fundit të shekullit të tretë dhe fillimit të shekullit të katërt, ishte i pari ndër shumë shkrimtarë të tjerë që tha se ashtu si Judë Iskarioti, Pilati kreu vetëvrasje. Megjithatë, se ç’fund pati Pilati, mbetet ende një spekulim.

Pilati mund të ishte kokëfortë, moskokëçarës dhe i ashpër. Por qëndroi në postin e guvernatorit për dhjetë vjet, kurse shumica e guvernatorëve të Judesë kishin qëndruar shumë më pak në këtë post. Pra, po ta shikosh sipas pikëpamjes romake, Pilati ishte mjaft i aftë. Është quajtur frikacak, sepse e mbrojti veten duke torturuar dhe vrarë Jezuin, dhe për këtë ishte fajtor. Të tjerë janë të mendimit se detyra kryesore e Pilatit nuk ishte ruajtja e drejtësisë, por mbrojtja e paqes dhe e interesave të Romës.

Koha e Pilatit ishte mjaft ndryshe nga koha jonë. Megjithatë, asnjë gjykatës nuk kishte të drejtë të dënonte një njeri që e konsideronte të pafajshëm. Po të mos kishte takuar Jezuin, emri i Ponc Pilatit do të kishte qenë thjesht një emër tjetër në librat e historisë.

[Shënimi]

^ par. 19 Larja e duarve ishte një zakon judaik dhe jo romak, që tregonte se dikush nuk kishte gisht në një gjakderdhje.​—Ligji i përtërirë 21:6, 7.

[Figura në faqen 11]

Ky mbishkrim që e identifikon Ponc Pilatin si prefektin e Judesë, u gjend në Cezare