Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ndihmë për të kontrolluar ndjenjat

Ndihmë për të kontrolluar ndjenjat

Ndihmë për të kontrolluar ndjenjat

A TË duket ndonjëherë sikur të kanë pushtuar ndjenjat negative? A shqetësohesh, inatosesh ose mërzitesh shpejt? A të ndodh shpesh që të mbërthejnë ankthet e jetës? Çfarë mund të të ndihmojë në këtë gjendje?

Reagimet emocionale janë pjesë e pandarë e jetës. Kur mbahen nën kontroll, ato e bëjnë jetën më interesante. E megjithatë, Bibla pohon se «shtypja mund ta bëjë të mençurin të veprojë çmendurisht». (Eklisiastiu 7:7, BR) E kush nuk ndikohet emocionalisht nga ajo çka ndodh në këtë botë ku dhuna e aksidentet janë diçka e zakonshme? Sidoqoftë, Shkrimet thonë edhe se «s’ka asgjë më të mirë për njeriun, sesa të gëzojë në punët e tij». (Eklisiastiu 3:22, BR) Prandaj, për ta bërë jetën më të kënaqshme, duhet të mësojmë të gëzojmë dhe të ushqejmë ndjenja pozitive. Si t’i ushqejmë ndjenjat e dobishme dhe të frenojmë ato të dëmshmet?

Nëse bëjmë diçka konkrete, shpesh ndjenjat negative zbehen. Për shembull, kur jemi në ankth për gjëra që nuk varen nga ne, a nuk është më mirë të ndryshojmë ambientin ose rutinën e jetës, sesa ta mbushim mendjen me shqetësime? Shëtitja, muzika qetësuese, ushtrimet fizike energjike ose ndihma që i japim dikujt që është në nevojë, mund të na japë njëfarë lehtësimi ose kënaqësie.​—Veprat 20:35.

Sidoqoftë, mënyra më e mirë për të larguar mendimet negative, është duke treguar besim te Krijuesi. Kur mendimet negative nuk reshtin, me anë të lutjes duhet ‘ta hedhim gjithë ankthin tonë mbi Perëndinë’. (1 Pjetrit 5:6, 7) Bibla na siguron: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve . . . I drejti heq shumë të këqija, por Jehovai e çliron nga të gjitha.» (Psalmi 34:18, 19, BR) Si të jemi të sigurt se Perëndia mund të bëhet ‘ndihma jonë dhe Ai që na sjell shpëtim’? (Psalmi 40:17, BR) Këtë mund ta bëjmë duke studiuar Biblën dhe duke menduar për shembujt realë, të cilët tregojnë se Perëndia interesohet personalisht për mirëqenien e shërbëtorëve të vet.