Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një shumicë e madhe përqafon adhurimin e Jehovait

Një shumicë e madhe përqafon adhurimin e Jehovait

«Ndihma më vjen nga Jehovai»

Një shumicë e madhe përqafon adhurimin e Jehovait

PROFECITË biblike që kanë të bëjnë me ditët tona, parathanë se njerëz nga të gjitha kombet do të vërshonin në adhurimin e lartësuar të Jehovait. Për shembull, nëpërmjet profetit Hage, Perëndia Jehova shpalli: «Do të lëkund gjithë kombet dhe gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve kanë për të ardhur; unë do ta mbush këtë shtëpi me lavdi.» (Hageu 2:7, BR) Gjithashtu, si Isaia, ashtu edhe Mikea profetizuan se në kohën tonë​—«ditët e fundit»​—kombe e popuj do ta adhuronin Jehovain në një mënyrë të pranueshme për të.​—Isaia 2:2-4; Mikea 4:1-4.

A po përmbushen me të vërtetë sot këto profeci? Faktet flasin vetë. Vetëm gjatë dhjetë viteve të kaluara, më shumë se 3.110.000 njerëz iu kushtuan Jehovait në më shumë se 230 vende. Në të vërtetë, 6 në çdo 10 Dëshmitarë të Jehovait që po shërbejnë tani në mbarë botën, janë pagëzuar dhjetëvjeçarin e fundit. Në vitin 2004, çdo dy minuta, kongregacionit të krishterë i shtohej mesatarisht një shërbëtor i ri që i kushtohej Perëndisë. *

Ashtu si në shekullin e parë, edhe sot ‘një numër i madh njerëzish janë bërë besimtarë dhe janë kthyer te Zotëria’. Megjithëse në vetvete rritja numerike nuk është provë e bekimit të Perëndisë, ajo është një provë që «dora e Jehovait» është me popullin e tij. (Veprat 11:21) Çfarë i tërheq miliona njerëz drejt adhurimit të Jehovait? Dhe si ndikon te ti kjo gjë?

Tërheq njerëz me zemër të drejtë

Jezui u shpreh mjaft qartë: «Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi nuk e tërheq.» (Gjoni 6:44) Pra, në të vërtetë është Jehovai ai që i tërheq njerëzit që janë «të prirur për jetën e përhershme». (Veprat 13:48) Fryma e Perëndisë mund t’i bëjë njerëzit të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Të. (Mateu 5:3) Një ndërgjegje e trazuar, një thirrje e dëshpëruar për shpresë ose një problem mbytës, mund të bëjë që disa të kërkojnë Perëndinë, dhe kështu mësojnë qëllimin që ka ai për njerëzimin.​—Marku 7:26-30; Luka 19:2-10.

Shumë individë janë tërhequr drejt adhurimit të Jehovait, sepse programi arsimor i bazuar në Bibël, që zhvillohet në kongregacionin e krishterë, i ndihmon të gjejnë përgjigje për pyetjet që i mundojnë.

«Nëse ka Perëndi, pse njerëzit vazhdojnë të vuajnë nga padrejtësitë?» Kjo pyetje e shqetësonte Daviden, një shpërndarës droge në Itali. Atij nuk i interesonin shumë argumentet fetare, prandaj këtë pyetje sfiduese e bëri më tepër si provokim. «Nuk ma merrte mendja se do të merrja një përgjigje të arsyeshme dhe bindëse,​—thotë ai.​—Mirëpo Dëshmitari që foli me mua, ishte goxha i duruar dhe ato që thoshte, i mbështeste në Bibël. Ajo bisedë pati ndikim të thellë tek unë.» Sot, Davide ka ndryshuar mënyrën e jetesës dhe i shërben Jehovait.

Kurse disa të tjerë janë drejtuar te pjesa tokësore e organizatës së Jehovait, sepse donin të gjenin kuptimin dhe qëllimin e jetës. Duke kërkuar një terapi për problemet e saj emocionale, një psikiatre në Zagreb, Kroaci, shkoi te një koleg i famshëm. Për habinë e saj, mjeku i dha numrin e telefonit të zyrës së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Zagreb, si edhe emrin e një Dëshmitari që e njihte vetë. «Dëgjo,​—i tha,​—për mendimin tim, këta njerëz mund të të ndihmojnë. Po të të dërgoj në kishë, do të gjesh vetëm ca statuja pa jetë​—askush nuk të flet dhe gjithçka është e zymtë. S’besoj se kisha mund të të ndihmojë. Kam dërguar pacientë të tjerë te Dëshmitarët e Jehovait, dhe mendoj se kjo do të ishte gjëja më e mirë edhe për ty.» Dëshmitarët u treguan të gatshëm ta vizitonin dhe shumë shpejt filluan një studim biblik me të. Në pak javë, ajo psikiatre u shpreh e gëzuar se njohuria për qëllimin e Perëndisë i kishte dhënë kuptim jetës së saj.​—Eklisiastiu 12:13.

Kur kalojnë një periudhë të vështirë, shumë njerëz kanë parë që vetëm e vërteta biblike mund t’u sjellë ngushëllim të vërtetë. Në Greqi, një djalë shtatëvjeçar ra nga çatia e shkollës dhe vdiq. Pas ca muajsh, dy Dëshmitare takuan të ëmën e djalit dhe u përpoqën ta ngushëllonin duke folur për shpresën e ringjalljes. (Gjoni 5:28, 29) Sakaq, e ëma shpërtheu në lot. Motrat e pyetën: «Po të duash të mësosh më shumë për Biblën, kur mund të vijmë?» «Që tani!»​—u përgjigj ajo. Gruaja i çoi në shtëpinë e saj dhe ato filluan një studim biblik me të. Sot, e tërë familja e saj i shërben Jehovait.

A po merr pjesë edhe ti?

Këto përvoja janë një pasqyrim i asaj që po ndodh nëpër botë. Jehovai po mbledh e po stërvit një shumicë të madhe ndërkombëtare me adhurues të vërtetë. Këta njerëz nga e gjithë bota kanë shpresën e bukur për të mbijetuar, kur këtij sistemi të lig t’i vijë fundi, dhe për të jetuar në një botë të re e të drejtë.​—2 Pjetrit 3:13.

Falë bekimit të Jehovait, kjo vepër e paparë e mbledhjes së njerëzve, po shkon pa ndalur, drejt përfundimit së saj të suksesshëm. (Isaia 55:10, 11; Mateu 24:3, 14) A po merr pjesë me zell në veprën e predikimit të Mbretërisë? Në rast se po, të jesh i sigurt që ke përkrahjen e Perëndisë dhe mund t’u bësh jehonë fjalëve të psalmistit: «Ndihma më vjen nga Jehovai.»​—Psalmi 121:2, BR.

[Shënimi]

^ par. 4 Shih Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait 2005, shtator/tetor.

[Diçitura në faqen 9]

«Askush nuk mund të vijë tek unë, nëse Ati që më dërgoi nuk e tërheq.»​—GJONI 6:44

[Kutia në faqen 8]

KUSH E KA MERITËN PËR KËTË RRITJE?

«Po s’e ndërtoi Jehovai shtëpinë, më kot lodhen ndërtuesit.»​—Psalmi 127:1, BR.

«Perëndia vazhdon ta rritë, prandaj as ai që mbjell s’është gjë, as ai që ujit, por Perëndia që e rrit.»​—1 Korintasve 3:6, 7.