Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
A mund të ndikojë loja me lojëra të dhunshme në kompjuter ose në video, në marrëdhënien e dikujt me Jehovain?
«Jehovai heton edhe të drejtin, edhe të ligun,—shkroi Davidi, mbret në Izraelin e lashtë.—Atë që do dhunën, shpirti i Tij e urren.» (Psalmi 11:5) Fjala e përdorur në gjuhën hebraike për foljen ‘urrej’ mund të mbartë idenë e ‘atij që është armik’. Prandaj, ai që do dhunën, po e bën veten armik të Perëndisë. Atëherë, pyetja që duhet të shqyrtojmë është: a ka mundësi që disa lojëra në kompjuter ose në video të ushqejnë dëshirën për dhunën?
Në lojërat e dhunshme kompjuterike theksohet shumë përdorimi i armëve. Shpesh, në këto lojëra, lojtari stërvitet në artin e luftës. Revista The Economist thoshte: «Forcat ushtarake amerikane po i përdorin më shumë lojërat kompjuterike, si mjete stërvitore. Disa lojëra që përdorin ushtarakët, janë edhe në tregun e lirë.»
Është e vërtetë se ata që luajnë me lojëra të dhunshme në kompjuter ose në video nuk po vrasin njerëz realë. Por, çfarë tregon kjo zbavitje, për atë që po ndodh në zemrën e tyre? (Mateu 5:21, 22; Luka 6:45) Ç’përfundim do të nxirrje për një njeri, të cilit i pëlqen të therë, të qëllojë, të masakrojë ose të vrasë njerëz imagjinarë? Po sikur ky njeri të kalojë shumë orë në javë me këto fantazi të dhunshme, duke u bërë pothuajse i sëmurë pas këtyre lojërave? Më e pakta, do të nxirrje përfundimin se po i lind dëshira për të qenë i dhunshëm, ashtu si një njeriu që sheh pornografi, i lindin dëshira imorale.—Mateu 5:27-29.
Me sa forcë e urren Jehovai atë që do dhunën? Forma e foljes ‘urren’ që përdoret në gjuhën origjinale në Psalmin 11:5, tregon një veprim intensiv, e mund të përkthehet edhe «e urren me siguri». Në kohën e Noesë, Jehovai e tregoi sa shumë i urrente ata që e donin dhunën. Ai i tha Noesë: «E shoh që çdo mishi i ka ardhur fundi, sepse toka është plot dhunë për shkak të tyre. Ja, unë do të sjell shkatërrim mbi njerëzit dhe mbi tokën.» (Zanafilla 6:13) Perëndia i vërtetë shkatërroi një botë të tërë, sepse njerëzit ishin bërë të dhunshëm. Shpëtoi vetëm Noenë dhe familjen e tij, tetë veta që nuk e donin dhunën.—2 Pjetrit 2:5.
Njerëzit që duan të bëhen miq të Jehovait, ‘i farkëtojnë shpatat duke i kthyer në plore dhe heshtat në kiza për krasitje’. Në vend që të mësojnë të duan dhunën, ata ‘nuk mësojnë më të luftojnë’. (Isaia 2:4) Që të mbetemi miq të Perëndisë e të mos bëhemi armiq të tij, duhet ‘të largohemi nga e keqja dhe të bëjmë të mirën’. Duhet ‘të kërkojmë paqen dhe ta ndjekim’.—1 Pjetrit 3:11.
Po nëse tashmë na është bërë zakon të luajmë me lojëra të dhunshme në kompjuter ose në video? Atëherë duhet të jemi shumë të vendosur për t’i pëlqyer Jehovait, duke hequr dorë nga praktikat që ai urren. Patjetër që duhet t’i lutemi Perëndisë të na japë frymën e shenjtë, e cila do të na ndihmojë t’i japim fund kësaj praktike që na dëmton frymësisht. Mund t’ia dalim mbanë, nëse lejojmë që në jetën tonë të ndikojë paqja, mirësia dhe vetëkontrolli, të cilat do të na bëjnë të pëlqyeshëm për Perëndinë.—Luka 11:13; Galatasve 5:22, 23.