Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të ecim me anë të besimit, jo me anë të asaj që shihet!

Të ecim me anë të besimit, jo me anë të asaj që shihet!

Të ecim me anë të besimit, jo me anë të asaj që shihet!

«Po ecim me anë të besimit dhe jo me anë të asaj që shihet.»​—2 KORINTASVE 5:7.

1. Nga e kuptojmë që apostulli Pavël eci me anë të besimit, jo me anë të asaj që shihet?

ËSHTË viti 55 i erës sonë. Kanë kaluar rreth 20 vjet që kur Sauli, i cili përndiqte të krishterët, u kthye në besimin e krishterë. Por ai s’ka lejuar që besimi te Perëndia t’i dobësohet ose t’i pakësohet me kalimin e kohës. Ndonëse nuk i ka parë me sytë fizikë realitetet qiellore, është i palëkundur në besim. Prandaj, tani si apostulli Pavël, u shkruan të krishterëve të mirosur, që kanë shpresë qiellore: «[Ne] po ecim me anë të besimit dhe jo me anë të asaj që shihet.»​—2 Korintasve 5:7.

2, 3. (a) Si tregojmë se po ecim me anë të besimit? (b) Ç’do të thotë të ecësh me anë të asaj që shihet?

2 Ecja me anë të besimit kërkon që të kemi siguri të plotë tek aftësia e Perëndisë për të drejtuar jetën tonë. Duhet të jemi plotësisht të bindur se ai e di vërtet çfarë është më e mira për ne. (Psalmi 119:66) Kur marrim vendime në jetë dhe i vëmë në zbatim, ne mbajmë parasysh ‘realitetet që s’i kemi parë’. (Hebrenjve 11:1) Ndër to përfshihen ‘qiejt e rinj dhe toka e re’ që na janë premtuar. (2 Pjetrit 3:13) Kurse, të ecim me anë të asaj që shihet, do të thotë se drejtimin tonë në jetë e dikton thjesht ajo që kapim me shqisat. Kjo është e rrezikshme, sepse mund të na bëjë ta shpërfillim fare vullnetin e Perëndisë.​—Psalmi 81:12; Eklisiastiu 11:9.

3 Pavarësisht se në cilin grup bëjmë pjesë​—te ‘kopeja e vogël’ që ka thirrjen qiellore apo te ‘delet e tjera’ me shpresë tokësore​—secili nga ne duhet t’i vërë veshin këshillës për të ecur me anë të besimit, jo me anë të asaj që shihet. (Luka 12:32; Gjoni 10:16) Le të shohim se si ndjekja e kësaj këshille të frymëzuar do të na mbrojë që të mos bëhemi viktima të ‘kënaqësisë së përkohshme të mëkatit’, të mos biem në grackën e materializmit dhe të mos humbim nga sytë fundin e këtij sistemi. Do të shqyrtojmë edhe rreziqet e ecjes me anë të asaj që shihet.​—Hebrenjve 11:25.

Të hedhim poshtë «kënaqësinë e përkohshme të mëkatit»

4. Cilën zgjedhje bëri Moisiu dhe përse?

4 Përfytyroni se çfarë jete mund të kishte pasur Moisiu, bir i Amramit, po të donte. Ai ishte rritur në oborrin mbretëror të Egjiptit të lashtë dhe, fare lehtë, mund të kishte marrë pushtet, pasuri dhe autoritet. Moisiu mund të kishte arsyetuar: ‘Jam arsimuar sipas mençurisë kaq të vlerësuar të Egjiptit dhe jam i fuqishëm në fjalë e në vepra. Po të qëndroj në oborrin mbretëror, mund ta përdor pozitën time për të ndihmuar vëllezërit e shtypur hebrenj.’ (Veprat 7:22) Por, në vend të kësaj, Moisiu zgjodhi që «të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë». Përse? Çfarë e shtyu Moisiun të refuzonte gjithë ato gjëra që mund t’i ofronte Egjipti? Bibla përgjigjet: «Me anë të besimit [Moisiu] la Egjiptin, por pa iu frikësuar zemërimit të mbretit, sepse qëndroi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm.» (Hebrenjve 11:24-27) Besimi te shpërblimi që Jehovai me siguri do t’i jepte për drejtësinë, e ndihmoi Moisiun t’i kundërvihej mëkatit dhe kënaqësisë kalimtare që mund të sillte ai.

5. Për çfarë na nxit shembulli i Moisiut?

5 Shpesh, edhe neve na duhet të marrim vendime të vështira, për çështje të tilla, si: ‘A duhet të heq dorë nga disa praktika a zakone që s’janë qind për qind në harmoni me parimet biblike? A duhet të pranoj një punë që mund të ketë përfitime ekonomike, por do të më pengojë përparimin frymor?’ Shembulli i Moisiut na nxit të mos marrim vendime të cilat pasqyrojnë dritëshkurtësinë e kësaj bote. Përkundrazi, duhet të kemi besim në mençurinë largpamëse të ‘Atij që është i padukshëm’, Perëndisë Jehova. Ashtu si Moisiu, le ta vlerësojmë miqësinë me Jehovain më tepër se çdo gjë që mund të na ofrojë kjo botë.

6, 7. (a) Si tregoi Esau se i pëlqente më shumë të ecte me anë të asaj që shihej? (b) Çfarë paralajmërimi gjejmë në shembullin e Esaut?

6 Bëni një krahasim mes Moisiut dhe Esaut, djalit të patriarkut Isak. Esau pëlqente më shumë kënaqësinë e çastit. (Zanafilla 25:30-34) Ngaqë ‘nuk i vlerësonte gjërat e shenjta’, Esau i dorëzoi të drejtat e tij si i parëlindur «në shkëmbim të vetëm një gjelle». (Hebrenjve 12:16) S’e mendoi si do të ndikonte në marrëdhënien e tij me Jehovain vendimi për të shitur të drejtën e të parëlindurit ose si do të ndikonte te pasardhësit e tij ky veprim. I mungonte aftësia për t’i parë gjërat nga këndvështrimi frymor. Esau i shpërfilli premtimet e çmuara të Perëndisë, duke i parë si gjëra të pavlera. Ai eci me anë të asaj që shihej, jo me anë të besimit.

7 Esau është një shembull paralajmërues për ne sot. (1 Korintasve 10:11) Kur kemi për të marrë vendime, të mëdha a të vogla, nuk duhet të na joshë propaganda e botës së Satanait, sipas së cilës, duhet ta kesh në çast atë që do. Është mirë të pyesim veten: ‘A po shfaq prirje si të Esaut në vendimet që marr? Nëse kërkoj me çdo kusht ta kem tani atë që dëshiroj, a do t’i çonte kjo në plan të dytë interesat frymore? Mos ndoshta zgjedhjet e mia po më vënë në rrezik miqësinë që kam me Perëndinë dhe shpërblimin që më pret në të ardhmen? Çfarë shembulli po lë për të tjerët?’ Nëse zgjedhjet tona pasqyrojnë çmueshmërinë për gjërat e shenjta, Jehovai do të na bekojë.​—Proverbat 10:22.

Të shmangim grackën e materializmit

8. Cilin paralajmërim morën të krishterët e Laodicesë, e pse na intereson edhe neve sot?

8 Në një zbulesë që iu dha apostullit Gjon nga fundi i shekullit të parë, Jezu Krishti në pozitën e tij të lartësuar i dha një mesazh kongregacionit që ndodhej në Laodice, në Azinë e Vogël. Mesazhi përmbante një paralajmërim kundër materializmit. Edhe pse ishin të pasur materialisht, të krishterët e Laodicesë ishin të varfër frymësisht. Në vend që të vazhdonin të ecnin me anë të besimit, ata lejuan që t’u verbohej shikimi frymor nga gjërat materiale. (Zbulesa 3:14-18) Edhe sot materializmi sjell të njëjtat pasoja. Na dobëson besimin dhe na bën ta ndalim ‘vrapimin me qëndrueshmëri në garën’ për jetë. (Hebrenjve 12:1) Po të mos jemi të kujdesshëm, «kënaqësitë e kësaj jete» mund t’ua zënë frymën gjithnjë e më tepër aktiviteteve frymore, derisa këto ‘të mbyten plotësisht’.​—Luka 8:14.

9. Si jemi të mbrojtur kur kënaqemi me atë që kemi dhe e çmojmë ushqimin frymor që marrim?

9 Për t’u mbrojtur frymësisht, kryesorja është të kënaqemi me atë që kemi, jo të përpiqemi ta përdorim sa më shumë këtë botë e të grumbullojmë pasuri. (1 Korintasve 7:31; 1 Timoteut 6:6-8) Kur ecim me anë të besimit e jo me anë të asaj që shihet, gëzojmë për parajsën frymore që kemi tani. A nuk ndihemi të motivuar ‘të lëshojmë britma gëzimi për gjendjen e mirë të zemrës’ kur marrim ushqim frymor të shëndetshëm? (Isaia 65:13, 14, BR) Për më tepër, ne kënaqemi me shoqërinë e atyre që shfaqin frytin e frymës së Perëndisë. (Galatasve 5:22, 23) Sa thelbësore është të gjejmë kënaqësi e freskim në masat frymore që na siguron Jehovai!

10. Cilat pyetje duhet t’i bëjmë vetes?

10 Ja disa pyetje që duhet t’i bëjmë vetes: ‘Sa të rëndësishme janë për mua gjërat materiale? Si po i përdor të mirat materiale që kam: për t’u dhënë pas qejfeve apo për të çuar përpara adhurimin e vërtetë? Çfarë më jep më shumë kënaqësi? Studimi i Biblës dhe shoqëria në mbledhje apo fundjavët që kaloj larg përgjegjësive të krishtere? A i shfrytëzoj shumicën e fundjavëve për zbavitje, në vend që ta përdor këtë kohë për shërbimin e për veprimtari të tjera që lidhen me adhurimin e pastër?’ Të ecim me anë të besimit do të thotë të jemi të zënë në veprën e Mbretërisë, duke pasur besim të plotë te premtimet e Jehovait.​—1 Korintasve 15:58.

Ta mbajmë gjithnjë parasysh fundin

11. Si na ndihmon ecja me anë të besimit që ta mbajmë gjithnjë parasysh fundin?

11 Ecja me anë të besimit na ndihmon të shmangim pikëpamjet njerëzore se fundi është shumë larg ose s’do të vijë fare. Ndryshe nga skeptikët, që tallen me profecitë e Biblës, ne e dallojmë se si po e përmbushin ngjarjet botërore atë që kishte parathënë Fjala e Perëndisë për ditët tona. (2 Pjetrit 3:3, 4) Për shembull, a nuk tregojnë qëndrimi dhe sjellja që kanë njerëzit në përgjithësi, se po jetojmë në «ditët e fundit»? (2 Timoteut 3:1-5) Me sytë e besimit, ne shohim se ngjarjet aktuale botërore nuk përbëjnë thjesht histori që përsëritet. Jo, ato përbëjnë ‘shenjën e pranisë së Krishtit dhe të përfundimit të sistemit’.​—Mateu 24:1-14.

12. Si u përmbushën në shekullin e parë fjalët e Jezuit të dokumentuara te Luka 21:20, 21?

12 Të shqyrtojmë një ngjarje të shekullit të parë të erës sonë, që ka një paralele në ditët tona. Kur ishte në tokë, Jezu Krishti i paralajmëroi ithtarët e tij: «Kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afruar. Atëherë ata në Jude le të fillojnë të ikin në male dhe ata në mes të saj le të tërhiqen.» (Luka 21:20, 21) Në përmbushje të kësaj profecie, ushtritë romake nën komandën e Cest Galit e rrethuan Jerusalemin në vitin 66 të e.s. Por, papritur, ushtritë u tërhoqën, duke u dhënë të krishterëve sinjalin dhe mundësinë që ‘të iknin në male’. Në vitin 70 të e.s., ushtritë romake u rikthyen, e kësaj radhe e sulmuan Jerusalemin dhe shkatërruan tempullin. Historiani Jozef raporton se vdiqën më shumë se një milion judenj dhe u morën robër 97.000 të tjerë. Mbi atë sistem judaik u ekzekutua gjykimi hyjnor. Ata që ecnin me anë të besimit dhe që ia vunë veshin paralajmërimit të Jezuit, shpëtuan.

13, 14. (a) Cilat ngjarje do të ndodhin së shpejti? (b) Pse duhet të jemi vigjilentë për të parë përmbushjen e profecive të Biblës?

13 Diçka e ngjashme do të ndodhë në ditët tona. Disa elementë brenda Kombeve të Bashkuara do të përfshihen në ekzekutimin e gjykimit hyjnor. Ashtu si ushtritë romake në shekullin e parë kishin si synim të ruanin Paqen Romake (Pax Romana), sot Kombet e Bashkuara kanë si qëllim të luajnë rol paqeruajtës. Ndonëse ushtritë romake u përpoqën të ruanin paqen në botën që njihej atëherë, prej tyre erdhi shkatërrimi i Jerusalemit. Po kështu edhe sot, profecitë biblike tregojnë se fuqitë e armatosura brenda Kombeve të Bashkuara do ta shohin fenë si element që u hap probleme dhe do të ndërmarrin veprime për të shkatërruar Jerusalemin modern, domethënë të ashtuquajturin krishterim, si edhe pjesën tjetër të Babilonisë së Madhe. (Zbulesa 17:12-17) Po, e gjithë perandoria botërore e fesë së rreme është në prag të shkatërrimit.

14 Shkatërrimi i fesë së rreme do të shënojë fillimin e shtrëngimit të madh. Në pjesën përfundimtare të shtrëngimit të madh, do të shkatërrohen elementët e tjerë që mbeten në këtë sistem të lig. (Mateu 24:29, 30; Zbulesa 16:14, 16) Ecja me anë të besimit na mban vigjilentë për të parë përmbushjen e profecive të Biblës. Nuk lejojmë të na mashtrojë mendimi se ndonjë organizatë njerëzore, si Kombet e Bashkuara, mund të jetë mjeti me të cilin Perëndia do të sjellë paqe e siguri të vërtetë. Por, atëherë, a nuk duhet të tregojmë me jetën tonë se jemi të bindur që «dita e madhe e Jehovait është afër»?​—Sofonia 1:14, BR.

Sa e rrezikshme është të ecësh me anë të asaj që shihet?

15. Në cilën grackë ra kombi i Izraelit, edhe pse kishte përjetuar bekimin e Perëndisë?

15 Përvojat që pati Izraeli i lashtë ilustrojnë sa e rrezikshme është të lëmë që të na dobësohet besimi sepse ecim me anë të asaj që shihet. Edhe pse panë dhjetë plagët që poshtëruan perënditë e rreme të Egjiptit, e pastaj u çliruan me anë të një mrekullie në Detin e Kuq, izraelitët u treguan të pabindur. Bënë një viç të artë dhe filluan ta adhuronin. U bënë të paduruar dhe u lodhën së prituri Moisiun, që «po vononte të zbriste nga mali». (Dalja 32:1-4, BR) Padurimi i shtyu të adhuronin një idhull, diçka që mund ta shihnin me sytë fizikë. Jehovai u ndie i fyer që ata po ecnin me anë të asaj që shihej, prandaj si pasojë u ekzekutuan «tre mijë burra». (Dalja 32:25-29, BR) Edhe sot është shumë e trishtueshme kur një adhurues i Jehovait merr vendime që tregojnë se nuk ka besim tek Ai dhe nuk është i sigurt për aftësinë e Tij për të përmbushur premtimet që bën.

16. Si u ndikuan izraelitët nga dukja e jashtme e gjërave?

16 Dukja e jashtme e gjërave ndikoi për keq tek izraelitët edhe në drejtime të tjera. Ngaqë ecnin me anë të asaj që shihej, ata u frikësuan para armiqve të tyre. (Numrat 13:28, 32; Ligji i përtërirë 1:28) Vunë në dyshim autoritetin që Perëndia i kishte dhënë Moisiut dhe u ankuan për jetën që po bënin. Kjo mungesë besimi bëri që të pëlqenin më shumë Egjiptin e pushtuar nga demonët, sesa Tokën e Premtuar. (Numrat 14:1-4; Psalmi 106:24) Sa duhet të jetë lënduar Jehovai kur ka parë mungesën e thellë të respektit që tregoi populli i tij për të, Mbretin e padukshëm!

17. Pse izraelitët në kohën e Samuelit e hodhën poshtë udhëheqjen e Jehovait?

17 Edhe në ditët e profetit Samuel, kombi i privilegjuar i Izraelit ra në grackën e ecjes me anë të asaj që shihej. Populli filloi të kërkonte një mbret që mund ta shihte. Ndonëse Jehovai kishte dhënë prova se ishte Mbreti i tyre, kjo nuk u mjaftoi që të ecnin me anë të besimit. (1 Samuelit 8:4-9) Për të keqen e tyre, me marrëzi e hodhën poshtë udhëheqjen e përsosur të Jehovait dhe deshën të ishin si kombet përreth.​—1 Samuelit 8:19, 20.

18. Ç’mësime nxjerrim nga e kaluara, që tregojnë se është e rrezikshme të ecim me anë të asaj që shihet?

18 Sot, ne që jemi shërbëtorë të Jehovait, e vlerësojmë shumë marrëdhënien e mirë që kemi me të. Dëshirojmë fort të nxjerrim mësime të vlefshme nga ngjarjet e kaluara dhe t’i zbatojmë në jetë. (Romakëve 15:4) Kur ecën me anë të asaj që shihej, izraelitët harruan se ishte Perëndia që po i udhëhiqte me anë të Moisiut. Po të mos jemi të kujdesshëm, edhe ne mund të harrojmë se janë Perëndia Jehova dhe Moisiu më i Madh, Jezu Krishti, që po e udhëheqin kongregacionin e krishterë sot. (Zbulesa 1:12-16) Duhet të ruhemi që të mos përvetësojmë ndonjë pikëpamje njerëzore për pjesën tokësore të organizatës së Jehovait. Kjo mund të nxitë frymën e ankesës dhe humbjen e vlerësimit për përfaqësuesit e Jehovait, si edhe për ushqimin frymor që siguron «skllavi i besueshëm dhe i matur».​—Mateu 24:45.

Të vendosur për të ecur me anë të besimit

19, 20. Çfarë jeni të vendosur të bëni e përse?

19 Bibla thotë: «Ne kemi një përleshje, jo kundër gjakut e mishit, por kundër qeverive, kundër autoriteteve, kundër sundimtarëve botërorë të kësaj errësire, kundër forcave të liga frymore në vendet qiellore.» (Efesianëve 6:12) Armiku ynë kryesor është Satana Djalli. Synimi i tij është të na shkatërrojë besimin te Jehovai. Ai nuk do të lërë pa përdorur asnjë lloj argumentimi bindës që mund të na e lëkundë vendosmërinë për t’i shërbyer Perëndisë. (1 Pjetrit 5:8) Çfarë do të na mbrojë, që të mos mashtrohemi nga dukja e jashtme e sistemit të Satanait? Duhet të ecim me anë të besimit, jo me anë të asaj që shihet! Besimi dhe siguria te premtimet e Jehovait do të na ruajnë, që të mos pësojmë «anijethyerje në lidhje me besimin» tonë. (1 Timoteut 1:19) Atëherë, le të jemi të vendosur të ecim me anë të besimit, duke qenë plotësisht të bindur se Jehovai do të na bekojë! Dhe le të lutemi vazhdimisht që t’ia dalim mbanë të shpëtojmë nga të gjitha gjërat që do të ndodhin në të ardhmen e afërt!​—Luka 21:36.

20 Ndërkohë që ecim me anë të besimit e jo me anë të asaj që shihet, kemi një Shembull të shkëlqyer për të ndjekur. Bibla thotë: «Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.» (1 Pjetrit 2:21) Në artikullin vijues do të shqyrtohet se si mund të ecim si ai.

A ju kujtohet?

• Çfarë mësuat nga shembulli i Moisiut dhe i Esaut, lidhur me ecjen me anë të besimit e jo me anë të asaj që shihet?

• Cili është çelësi për të shmangur materializmin?

• Si na ndihmon ecja me anë të besimit, që të shmangim pikëpamjen se fundi është larg?

• Pse është e rrezikshme të ecim me anë të asaj që shihet?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 17]

Moisiu eci me anë të besimit

[Figura në faqen 18]

A të pengon shpeshherë zbavitja që të merresh me aktivitetet frymore?

[Figura në faqen 20]

Si jemi të mbrojtur kur i kushtojmë vëmendje Fjalës së Perëndisë?