Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

T’i luftojmë mendimet negative!

T’i luftojmë mendimet negative!

T’i luftojmë mendimet negative!

NË KOHËN që i ndodhën fatkeqësitë, patriarkut Job i vajtën për vizitë tri miqtë e tij: Elifazi, Bildadi dhe Zofari. Ata shkuan t’i qanin hallin dhe ta ngushëllonin. (Jobi 2:11, BR) Atij që i dëgjohej më tepër fjala, e ndoshta më i moshuari, ishte Elifazi. Ai foli i pari dhe foli më shumë se dy të tjerët. Po çfarë mendimesh nxori në pah Elifazi në tri ligjëratat e tij?

Duke kujtuar një ngjarje të mbinatyrshme që kishte përjetuar në një rast, Elifazi tha: «Një frymë kaloi mbi mua, dhe qimet m’u ngritën përpjetë. Ajo u ndal, por unë nuk munda t’ia shquaja pamjen; diçka më qëndronte përballë; qe heshtje, por pastaj dëgjova një zë.» (Jobi 4:15, 16, BR) Çfarë fryme kishte ndikuar në mendjen e Elifazit? Toni kritik i mëpasshëm tregon se kjo frymë nuk vinte kurrsesi nga një prej engjëjve të drejtë të Perëndisë. (Jobi 4:17, 18, BR) Vinte nga një krijesë frymore e ligë. Nëse jo, pse do t’i kishte qortuar Jehovai Elifazin dhe dy shokët e tij për gënjeshtrat që nxorën nga goja? (Job 42:7, BR) Po, Elifazi ishte nën pushtetin e demonëve. Komentet e tij pasqyronin mendime të paperëndishme.

Çfarë idesh mund të krijohen nga fjalët e Elifazit? Pse është e rëndësishme të ruhemi nga mendimet e gabuara? Dhe çfarë mund të bëjmë për t’i luftuar këto mendime?

«As shërbëtorëve të vet ai s’u zë besë»

Në të tria ligjëratat e tij, Elifazi hodhi idenë se Perëndia është aq kërkues, sa nuk e kënaq asgjë nga ato që bëjnë shërbëtorët e tij. «As shërbëtorëve të vet ai s’u zë besë,​—i tha Elifazi Jobit.​—Edhe engjëjve të tij u gjen të meta.» (Jobi 4:18, BR) Më pas, Elifazi tha për Perëndinë: «Perëndia nuk ka besim as te të shenjtët; në sytë e tij as qiejt nuk janë të pastër.» (Jobi 15:15, BR) Dhe bëri pyetjen: «Ç’kënaqësi ka i Plotfuqishmi, edhe nëse ti je i drejtë?» (Jobi 22:3, BR) Bildadi ishte dakord me pikëpamjen e tij, pasi tha: «Edhe hëna nuk shndrit para tij; as yjet nuk janë të pastër në sy të [Perëndisë].»​—Jobi 25:5, BR.

Duhet të kemi kujdes që të mos ndikohemi nga mendime të tilla, pasi kështu mund të mendojmë se Perëndia kërkon tepër nga ne. Kjo pikëpamje vë në rrezik marrëdhënien tonë me Jehovain. Për më tepër, nëse biem pre e këtij lloj arsyetimi, si do të reagonim nëse do të merrnim disiplinën e nevojshme? Në vend që ta pranonim me përulësi, zemra jonë mund të ‘tërbohet kundër vetë Jehovait’ dhe mund të ushqejmë mëri ndaj tij. (Proverbat 19:3, BR) Sa e dëmshme do të ishte kjo për gjendjen tonë frymore!

«Ç’i hyn në punë njeriu Perëndisë?»

Ideja se Perëndia është tepër kërkues, lidhet ngushtë me pikëpamjen se ai i sheh njerëzit si të padobishëm. Në ligjëratën e tij të tretë, Elifazi ngre pyetjen: «Ç’i hyn në punë njeriu Perëndisë? Ç’i hyn në punë ai që ka gjykim të thellë?» (Jobi 22:2, BR) Elifazi donte të thoshte se njeriu nuk i hyn në punë Perëndisë për asgjë. I të njëjtit mendim ishte edhe Bildadi i cili tha: «Ndaj si mund të ketë të drejtë vdekatari para Perëndisë? Si mund të jetë i pastër njeriu i lindur nga një grua?» (Jobi 25:4) Sipas këtij arsyetimi, Jobi, një njeri i vdekshëm, as mund të pretendonte të ishte i drejtë në sy të Perëndisë.

Sot, disa njerëz pushtohen nga mendimet negative për veten. Këto mendime shkaktohen nga faktorë të tillë, si ambienti familjar ku rriten, presionet e jetës ose të qenët viktimë e urrejtjes racore ose etnike. Por edhe Satanai e demonët e tij kënaqen kur e shkatërrojnë dikë. Nëse mund ta bëjnë dikë të mendojë që asgjë nga ato që bën, nuk i hyn në sy Perëndisë së Plotfuqishëm, ai është më i prirur për t’u mposhtur nga trishtimi. Me kalimin e kohës ky individ mund të ftohet, madje edhe mund të largohet nga Perëndia.​—Hebrenjve 2:1; 3:12.

Mosha e thyer ose problemet e shëndetit mund të bëhen pengesë për ne. Ajo që bëjmë në shërbim të Mbretërisë, mund të na duket pak në krahasim me atë që bënim kur ishim më të rinj, më të shëndetshëm dhe më të fortë. Sa e rëndësishme është të kuptojmë se Satanai dhe demonët e tij duan që të ndihemi sikur ajo që bëjmë, nuk vlen në sytë e Perëndisë! Nuk duhet të mendojmë kurrë kështu.

Si t’i luftojmë mendimet negative?

Pavarësisht nga vuajtjet që i shkaktoi Satana Djalli, Jobi tha: «As që e çoj nëpër mend t’ju shpall të drejtë! Nga integriteti im nuk do të heq dorë gjersa të vdes.» (Jobi 27:5, BR) Ngaqë e donte Perëndinë, Jobi ishte i vendosur të ruante integritetin e tij pavarësisht nga çfarë ndodhi, dhe asgjë nuk do ta bënte të lëkundej. Këtu gjejmë një faktor kyç për të shmangur mendimet negative. Duhet të fitojmë një kuptueshmëri të qartë për dashurinë e Perëndisë dhe, me zemër, të ushqejmë çmueshmëri për të. Gjithashtu, duhet të thellojmë dashurinë tonë për të. Kjo arrihet me anë të studimit të rregullt të Fjalës së Perëndisë dhe të meditimit të thellë për atë që mësojmë.

Për shembull, te Gjoni 3:16 thuhet: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur.» Jehovai ka dashuri të thellë për njerëzimin dhe këtë e ka treguar në marrëdhënien që ka pasur me njerëzit gjatë kohëve. Meditimi mbi shembujt e së shkuarës duhet ta rritë vlerësimin tonë për Jehovain e të thellojë dashurinë tonë për të, gjë që na ndihmon të luftojmë mendimet negative dhe të gabuara.

Mendoni pak për mënyrën se si e trajtoi Jehovai Abrahamin pak para se të shkatërroheshin Sodoma dhe Gomorra. Abrahami e pyeti tetë herë Jehovain në lidhje me vendimin që do të merrte. Megjithatë, Jehovai nuk shfaqi asnjë shenjë bezdie ose irritimi. Përkundrazi, përgjigjet që dha, e siguruan dhe e ngushëlluan Abrahamin. (Zanafilla 18:22-33) Më vonë, kur Perëndia shpëtoi Lotin dhe familjen e tij nga Sodoma, Loti kërkoi që më mirë të shkonte në ndonjë qytet aty afër sesa në male. Jehovai iu përgjigj: «Mirë, po ta marr parasysh edhe këtë, dhe s’po e shkatërroj qytetin për të cilin fole.» (Zanafilla 19:18-22, BR) A e paraqitin këto raste Jehovain si një sundues kërkues, të pashpirt dhe autoritar? Jo. Ato e paraqitin ashtu siç është në të vërtetë​—një Sovran i dashur, dashamirës, i mëshirshëm dhe i kuptueshëm.

Ajo çfarë hedh poshtë idenë se Perëndia kërkon vetëm të metat te njeriu dhe se askush nuk është i mirë sa duhet në sytë e tij, është shembulli i Aaronit, Davidit dhe Manaseut në Izraelin e lashtë. Aaroni bëri tri gabime të rënda. Bëri viçin e artë, përkrahu motrën e tij, Miriamin, kur kritikoi Moisiun dhe nuk arriti të shenjtëronte e të nderonte Perëndinë në Meribë. Prapëseprapë, Jehovai pa anët e tij të mira dhe e lejoi të vazhdonte të shërbente si kryeprift derisa vdiq.​—Dalja 32:3, 4; Numrat 12:1, 2; 20:9-13.

Edhe mbreti David bëri mëkate të rënda gjatë mbretërimit të tij. Këtu përfshihen: tradhtia bashkëshortore, komploti për vrasjen e një njeriu të pafajshëm dhe regjistrimi i popullsisë pa miratimin e Jehovait. Por, Jehovai pa pendimin e Davidit dhe, duke i qëndruar besnik besëlidhjes së Mbretërisë, e lejoi të vazhdonte si mbret, derisa vdiq.​—2 Samuelit 12:9; 1 Kronikave 21:1-7.

Manaseu, mbreti i Judesë ngriti altarë kushtuar Baalit, kaloi djemtë e tij në zjarr, si dhe nxiste praktikat spiritiste në oborrin e tempullit. Por, pasi tregoi se ishte penduar thellë, Jehovai e fali, e çliroi nga robëria dhe i ktheu mbretërinë. (2 Kronikave 33:1-13) A janë këto, veprime të një Perëndie që askush nuk ia mbush syrin? Aspak!

Fajin e ka vetë akuzuesi i rremë

Nuk duhet të habitemi që Satanai është mishërimi i atyre karakteristikave që thotë se i ka Jehovai. Satanai është i egër dhe kërkues. Kjo duket mjaft qartë nga zakoni i flijimit të fëmijëve, që lidhej me adhurimin e rremë. Izraelitët apostatë i dogjën bijtë dhe bijat e tyre në zjarr, gjë që Jehovait as i kishte shkuar kurrë ndër mend.​—Jeremia 7:31.

Ai që kërkon vetëm të metat te njeriu, është Satanai dhe jo Jehovai. Zbulesa 12:10 i referohet Satanait si «paditësi i vëllezërve tanë, i cili i padit ata ditë e natë para Perëndisë tonë». Nga ana tjetër, për Jehovain, psalmisti këndoi: «Po t’i mbaje sytë te fajet, o Jah, o Jehova, kush do të mbetej në këmbë? Ti fal me të vërtetë, që të kenë frikë nga ti.»​—Psalmi 130:3, 4, BR.

Kur të mos ketë më mendime negative

Sa shumë duhet të jenë lehtësuar engjëjt kur Satana Djalli dhe demonët u flakën nga qielli! (Zbulesa 12:7-9) Pas kësaj, këto krijesa të liga nuk mund të ndikonin më në veprimtarinë e familjes engjëllore të Jehovait në qiell.​—Danieli 10:13.

Në të ardhmen e afërt, banorët e tokës do të jenë të lumtur. Së shpejti, një engjëll do të zbresë nga qielli me çelësat e humnerës e me një zinxhir të madh në dorë, do të lidhë Satanain e demonët dhe do t’i hedhë në humnerë ku s’mund të bëjnë asgjë. (Zbulesa 20:1-3) Çfarë çlirimi do të jetë ky për ne!

Ndërkohë, duhet të kemi kujdes që të mos mendojmë gabim. Sa herë që në mendjen tonë hyjnë mendime të gabuara ose negative, duhet t’i luftojmë duke u përqendruar në dashurinë e Jehovait. Pastaj, ‘paqja e Perëndisë, që tejkalon çdo mendim, do të ruajë zemrën tonë dhe fuqitë tona mendore’.​—Filipianëve 4:6, 7.

[Figura në faqen 26]

Jobi i luftoi mendimet negative

[Figura në faqen 28]

Loti mësoi se Jehovai është një Sovran i kuptueshëm