Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vazhdoni të ecni si Jezu Krishti!

Vazhdoni të ecni si Jezu Krishti!

Vazhdoni të ecni si Jezu Krishti!

«Ai që thotë se qëndron në unitet me [Perëndinë], është edhe vetë nën detyrimin për të ecur ashtu si eci ai [Jezui].»​—1 GJONIT 2:6.

1, 2. Çfarë përfshin ta mbajmë shikimin të ngulur te Jezui?

«TË VRAPOJMË me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara,​—shkroi apostulli Pavël,​—ndërsa e mbajmë shikimin të ngulur te Kryepërfaqësuesi dhe Përsosësi i besimit tonë, Jezui.» (Hebrenjve 12:1, 2) Për të ndjekur rrugën e besnikërisë, duhet ta mbajmë shikimin të ngulur te Jezu Krishti.

2 Fjala e përdorur në gjuhën origjinale në Shkrimet e Krishtere Greke për shprehjen ‘ta mbash shikimin të ngulur’, do të thotë «ta drejtosh vëmendjen pa u shpërqendruar», «të heqësh sytë nga një gjë për të parë diçka tjetër», «ta përqendrosh shikimin te» diçka. Në një vepër referimi thuhet: «Në çastin kur atleti grek e hiqte mendjen nga gara e nga synimi që donte të arrinte dhe përqendrohej te turma e njerëzve që po e shikonte në stadium, shpejtësia e tij ulej. Po njësoj ndodh edhe me të krishterin.» Shpërqendrimet mund të na e pengojnë përparimin frymor, prandaj duhet ta mbajmë shikimin të ngulur te Jezu Krishti. Por, çfarë duhet të shohim në veçanti te Kryepërfaqësuesi ynë? Fjala greke e përkthyer ‘kryepërfaqësues’ ka kuptimin «udhëheqës, ai që merr drejtimin në çdo gjë, prandaj shërben si shembull». Ta mbajmë shikimin të ngulur te Jezui do të thotë të ndjekim shembullin e tij.

3, 4. (a) Çfarë kërkohet nga ne që të ecim si Jezu Krishti? (b) Cilat pyetje duhet të shqyrtojmë?

3 «Ai që thotë se qëndron në unitet me [Perëndinë], është edhe vetë nën detyrimin për të ecur ashtu si eci ai [Jezui]»,​—thotë Bibla. (1 Gjonit 2:6) Duhet të qëndrojmë në unitet me Perëndinë, duke zbatuar urdhërimet e Jezuit, ashtu siç i zbatoi ai urdhërimet që i kishte dhënë Ati.​—Gjoni 15:10.

4 Pra, që të ecim si Jezui, duhet ta vëzhgojmë nga afër si Udhëheqësin tonë dhe të ndjekim me kujdes gjurmët e tij. Në këtë kontekst, disa pyetje të rëndësishme janë: si na udhëheq Krishti sot? Kur imitojmë mënyrën si ecte ai, si duhet të ndikojë kjo te ne? Cilat janë dobitë, kur ndjekim modelin që la Jezu Krishti?

Si i udhëheq Krishti ithtarët e tij?

5. Çfarë premtimi u bëri Jezui ithtarëve të tij, para se të ngjitej në qiell?

5 Para se të ngjitej në qiell, Jezu Krishti i ringjallur iu shfaq dishepujve dhe u caktoi një detyrë të rëndësishme. Ai tha: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve.» Në atë rast, Udhëheqësi u premtoi edhe se do të ishte me ta, ndërsa përmbushnin këtë detyrë: «Ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit.» (Mateu 28:19, 20) Në ç’kuptim Jezu Krishti është me ithtarët e tij, në këtë periudhë të përfundimit të sistemit?

6, 7. Si na udhëheq Jezui me anë të frymës së shenjtë?

6 Jezui tha: «Ndihmësi, fryma e shenjtë, të cilën Ati do ta dërgojë në emrin tim, ai do t’ju mësojë gjithçka dhe do t’ju sjellë ndër mend të gjitha gjërat që ju thashë.» (Gjoni 14:26) Fryma e shenjtë, e dërguar në emër të Jezuit, na udhëheq e na forcon sot. Ajo na ndriçon frymësisht dhe na ndihmon të kuptojmë «edhe gjërat e thella të Perëndisë». (1 Korintasve 2:10) Për më tepër, cilësitë hyjnore, si «dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli», janë ‘fryt i frymës’. (Galatasve 5:22, 23) Me ndihmën e frymës së shenjtë, mund t’i zhvillojmë këto cilësi.

7 Kur i studiojmë Shkrimet dhe përpiqemi të zbatojmë atë që mësojmë, fryma e Jehovait na ndihmon të kemi më shumë mençuri, aftësi dalluese, kuptueshmëri, njohuri, gjykim dhe aftësi për të menduar. (Proverbat 2:1-11) Gjithashtu, fryma e shenjtë na ndihmon të durojmë tundimet dhe sprovat. (1 Korintasve 10:13; 2 Korintasve 4:7; Filipianëve 4:13) Të krishterëve u bëhet thirrje që ‘të pastrohen nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës, ta përsosin shenjtërinë’. (2 Korintasve 7:1) Pa ndihmën e frymës së shenjtë, a do të mund t’i plotësonim kërkesat e Perëndisë për shenjtërinë ose pastërtinë?! Një nga mjetet që përdor Jezui për të na udhëhequr sot, është fryma e shenjtë, të cilën ai mund ta përdorë, pasi e ka autorizuar Perëndia Jehova.​—Mateu 28:18.

8, 9. Si na siguron udhëheqje Krishti me anë të ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’?

8 Të shqyrtojmë një mjet tjetër me anë të të cilit Krishti udhëheq kongregacionin sot. Kur po fliste për praninë e tij dhe për përfundimin e sistemit, Jezui tha: «Kush është në të vërtetë skllavi i besueshëm dhe i matur, të cilin zotëria i tij e emëroi mbi shërbëtorët e shtëpisë së vet, për t’u dhënë atyre ushqim në kohën e duhur? Lum ai skllav, nëse zotëria i tij, kur të mbërrijë, e gjen duke bërë kështu! Vërtet po ju them: Ai do ta emërojë mbi gjithë zotërimet e tij.»​—Mateu 24:3, 45-47.

9 «Zotëria» është Jezu Krishti. «Skllavi» është grupi i të krishterëve të mirosur që janë në tokë. Kësaj klase të skllavit i janë besuar interesat tokësore të Jezuit dhe sigurimi i ushqimit frymor në kohën e duhur. Një grup i vogël me mbikëqyrës të kualifikuar, që janë pjesë e klasës së përbërë të ‘skllavit të besueshëm e të matur’, formojnë Trupin Udhëheqës, i cili shërben si përfaqësues i klasës së skllavit. Ata drejtojnë veprën mbarëbotërore të predikimit të Mbretërisë dhe sigurojnë furnizimin me ushqim frymor në kohën e duhur. Pra, Krishti e udhëheq kongregacionin me anë të ‘skllavit të besueshëm e të matur’, të mirosur me frymën e shenjtë, dhe me anë të Trupit Udhëheqës që përfaqëson këtë klasë.

10. Çfarë qëndrimi duhet të kemi ndaj pleqve dhe përse?

10 Një shfaqje tjetër e udhëheqjes së Krishtit janë ‘dhuratat në njerëz’, domethënë pleqtë ose ndryshe mbikëqyrësit e krishterë. Ata janë dhënë «për ndreqjen e të shenjtëve, për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit». (Efesianëve 4:8, 11, 12) Për ta, te Hebrenjve 13:7 thuhet: «Kujtoni ata që marrin drejtimin mes jush, që ju kanë thënë fjalën e Perëndisë dhe ndërsa kundroni përfundimin e sjelljes së tyre, imitoni besimin e tyre.» Pleqtë marrin drejtimin në kongregacion. Meqë ata imitojnë Krishtin Jezu, besimi i tyre bëhet i denjë për t’u imituar. (1 Korintasve 11:1) Mund ta shprehim mirënjohjen për këtë masë duke qenë të bindur e të nënshtruar ndaj pleqve, ‘dhuratave në njerëz’.​—Hebrenjve 13:17.

11. Si i udhëheq sot Krishti ithtarët e tij, dhe çfarë përfshin të ecim si ai?

11 Pra, Jezu Krishti i udhëheq sot ithtarët e tij me anë të frymës së shenjtë, të ‘skllavit të besueshëm e të matur’ dhe të pleqve të kongregacionit. Që të ecim si Krishti, duhet të kuptojmë se si po na udhëheq ai dhe t’i nënshtrohemi kësaj udhëheqjeje. Gjithashtu, duhet të imitojmë mënyrën si eci ai. «Në këtë udhë u thirrët,​—shkroi apostulli Pjetër,​—sepse edhe Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.» (1 Pjetrit 2:21) Kur ndjekim modelin e përsosur të Jezuit, si duhet të ndikojë kjo te ne?

Të arsyeshëm në ushtrimin e autoritetit

12. Në ç’aspekt, shembulli i Krishtit është me interes të veçantë për pleqtë e kongregacionit?

12 Ndonëse Ati i kishte dhënë autoritet më shumë se kujtdo tjetër, Jezui ishte i arsyeshëm në mënyrën si e ushtronte autoritetin. Të gjithë, po sidomos mbikëqyrësit në kongregacion, duhet të jenë të tillë që ‘arsyetueshmërinë e tyre ta njohin të gjithë njerëzit’. (Filipianëve 4:5; 1 Timoteut 3:2, 3) Meqenëse pleqtë kanë njëfarë autoriteti në kongregacion, është thelbësore që të ndjekin gjurmët e Krishtit në mënyrën si e ushtrojnë këtë autoritet.

13, 14. Si mund ta imitojnë Krishtin pleqtë, ndërsa nxitin të tjerët që t’i shërbejnë Perëndisë?

13 Jezui merrte parasysh kufizimet e dishepujve të tij. Nuk u kërkonte më tepër nga sa ishin në gjendje të jepnin. (Gjoni 16:12) Pa u bërë presion, Jezui i nxiti ithtarët që ‘të përpiqeshin fuqimisht’ të bënin vullnetin e Perëndisë. (Luka 13:24) Këtë e arriti duke marrë vetë drejtimin dhe duke u bërë thirrje zemrave të tyre. Po kështu, sot pleqtë e krishterë nuk nxitin te të tjerët ndjenjat e turpit a të fajit për t’i detyruar që t’i shërbejnë Perëndisë. Jo, ata i nxitin njerëzit që t’i shërbejnë Jehovait nga dashuria për të e për Jezuin, dhe për njerëzit e tjerë.​—Mateu 22:37-39.

14 Jezui nuk e shfrytëzoi autoritetin që i ishte dhënë, për të kontrolluar jetën e të tjerëve. Nuk vendosi norma që njerëzit s’i arrinin dot dhe as përcaktoi rregulla të panumërta. Metoda që ndiqte ishte t’i motivonte të tjerët duke u prekur zemrën me parimet ku ishin mbështetur ligjet e dhëna nëpërmjet Moisiut. (Mateu 5:27, 28) Duke imituar Jezu Krishtin, pleqtë nuk vendosin rregulla arbitrare e nuk ngulin këmbë në pikëpamjet personale. Kur bëhet fjalë për veshjen dhe rregullimin ose për çlodhjen dhe zbavitjen, pleqtë përpiqen t’u prekin zemrën të tjerëve duke përdorur parimet biblike, si ato që gjenden te Mikea 6:8; 1 Korintasve 10:31-33 dhe 1 Timoteut 2:9, 10.

Të kemi empati e të falim

15. Si reagoi Jezui ndaj të metave të dishepujve të tij?

15 Krishti na la një model për ta ndjekur, në mënyrën si reagoi ndaj të metave dhe gabimeve të dishepujve. Të shqyrtojmë dy ngjarje që ndodhën natën e fundit kur ai ishte në tokë si njeri. Pasi mbërriti në kopshtin e Getsemanisë, Jezui «mori me vete Pjetrin, Jakovin e Gjonin» dhe u tha ‘të qëndronin vigjilentë’. Pastaj, «shkoi pak më përpara, ra përtokë dhe nisi të lutej». Kur u kthye, «i gjeti duke fjetur». Çfarë bëri atëherë Jezui? Tha: «Sigurisht, fryma është gati, por mishi është i dobët.» (Marku 14:32-38) Në vend që t’i qortonte ashpër Pjetrin, Jakovin dhe Gjonin, ai tregoi empati për ta. Po atë natë, Pjetri e mohoi tri herë Jezuin. (Mark 14:66-72) Po më pas, si e trajtoi Jezui Pjetrin? «Zotëria u ngrit dhe iu shfaq Simonit [Pjetrit]!» (Luka 24:34) Bibla thotë: «[Ai] iu shfaq Kefës dhe pastaj të dymbëdhjetëve.» (1 Korintasve 15:5) Në vend që të mbante mëri, Jezui e fali apostullin e penduar dhe i dha forcë. Më vonë, Jezui i besoi Pjetrit përgjegjësi të mëdha.​—Veprat 2:14; 8:14-17; 10:44, 45.

16. Si mund të ecim si Jezui, kur bashkëbesimtarët na zhgënjejnë ose na bëjnë ndonjë padrejtësi?

16 A nuk duhet të tregojmë empati e të falim edhe ne, ashtu si Jezui, kur bashkëbesimtarët na zhgënjejnë ose na bëjnë ndonjë padrejtësi, për shkak të papërsosmërisë njerëzore? Pjetri i nxiti bashkëbesimtarët: «Jini të gjithë të një mendjeje, duke treguar ndjenja të përbashkëta, duke pasur përzemërsi vëllazërore, duke qenë zemërdhembshur, me mendje të përulur, duke mos e kthyer të keqen me të keqe ose sharjen me të sharë, por, përkundrazi, duke dhënë një bekim.» (1 Pjetrit 3:8, 9) Po sikur dikush të mos na trajtojë ashtu siç do të kishte bërë Jezui, e të mos na tregojë empati ose të na falë? Edhe në këtë rast, jemi nën detyrimin që të përpiqemi të imitojmë Jezuin dhe të përgjigjemi siç do të ishte përgjigjur ai.​—1 Gjonit 3:16.

Interesat e Mbretërisë në vend të parë

17. Nga duket se Jezui e vinte në vend të parë në jetën e tij vullnetin e Perëndisë?

17 Duhet të ecim si Jezu Krishti edhe në një aspekt tjetër. Në jetën e Jezuit, shpallja e lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë zinte vend kryesor. Pasi i predikoi gruas samaritane pranë qytetit të Siharit, në Samari, Jezui u tha dishepujve: «Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.» (Gjoni 4:34) Bërja e vullnetit të Atit të tij e mbante gjallë Jezuin; ishte për të si një ushqim i mirë, i kënaqshëm e ripërtëritës. Jemi të sigurt se, po të imitojmë Jezuin, duke u përqendruar në bërjen e vullnetit të Perëndisë, patjetër do të kemi një jetë domethënëse e të kënaqshme.

18. Çfarë bekimesh vijnë kur prindërit i nxitin fëmijët që të fillojnë shërbimin e plotkohor?

18 Kur prindërit i nxitin fëmijët që të fillojnë shërbimin e plotkohor, marrin shumë bekime ata vetë, si dhe fëmijët. Babai i dy binjakëve i nxiste ata, që kur ishin të vegjël, të kishin si synim shërbimin e pionierit. Dhe vërtet, pasi mbaruan shkollën, binjakët u bënë pionierë. Ndërsa mendon për gëzimet që ka pasur, babai shkruan: «Djemtë nuk na kanë zhgënjyer. Mund të themi me mirënjohje: ‘Fëmijët janë trashëgimi nga Jehovai.’» (Psalmi 127:3, BR) Po fëmijët, ç’dobi nxjerrin duke qenë në shërbimin e plotkohor? Një nënë me pesë fëmijë thotë: «Shërbimi si pionierë i ka ndihmuar të gjithë fëmijët e mi që të kenë një marrëdhënie shumë më të ngushtë me Jehovain, ka përmirësuar zakonet e tyre të studimit, i ka mësuar ta përdorin me mençuri kohën dhe t’i vënë gjërat frymore në vend të parë në jetë. Ndonëse të gjithëve u është dashur të bëjnë shumë rregullime, asnjëri s’është penduar për rrugën që ka zgjedhur.»

19. Çfarë planesh duhet të mendojnë të rinjtë për të ardhmen e tyre, me mençuri?

19 Të rinj, çfarë planesh keni për të ardhmen? A po përpiqeni të bëni karrierë në ndonjë fushë profesionale? Apo jeni duke bërë hapa drejt një karriere në shërbimin e plotkohor? «Vazhdoni të shikoni, pra, me kujdes që mënyra se si ecni të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit,​—këshilloi Pavli,​—duke blerë kohën e duhur për veten tuaj, sepse ditët janë të liga.» Pastaj shtoi: «Prandaj, mjaft u bëtë të paarsyeshëm, por vazhdoni të dalloni se cili është vullneti i Jehovait.»​—Efesianëve 5:15-17.

Të jemi besnikë

20, 21. Si tregoi besnikëri Jezui e si mund ta imitojmë ne besnikërinë e tij?

20 Të ecim si Jezui kërkon të imitojmë besnikërinë që tregoi ai. Për sa i përket besnikërisë së Jezuit, Bibla thotë: «Edhe pse gjendej në formë Perëndie, [ai] as që e çoi nëpër mend të bënte ndonjë rrëmbim, domethënë, të ishte i barabartë me Perëndinë. Jo, por e zbrazi veten dhe mori formën e një skllavi, duke u bërë në ngjashmëri me njerëzit. Për më tepër, kur u gjend nga trajta si një njeri, ai e përuli veten dhe u bë i bindur deri në vdekje, po, vdekje në një shtyllë torture.» Me besnikëri, Jezui e përkrahu sovranitetin e Jehovait duke iu nënshtruar vullnetit të Jehovait për të. U bind madje duke pranuar edhe vdekjen në një shtyllë torture. Ne duhet ‘të mbajmë po atë qëndrim mendor’ dhe, me besnikëri, t’i nënshtrohemi vullnetit të Perëndisë.​—Filipianëve 2:5-8.

21 Jezui tregoi besnikëri edhe ndaj apostujve të tij besnikë. Pavarësisht nga dobësitë dhe papërsosmëritë e tyre, Jezui i deshi «deri në fund». (Gjoni 13:1) Po kështu, edhe ne nuk duhet të lëmë që papërsosmëritë e vëllezërve të na bëjnë të zhvillojmë një qëndrim kritik.

T’i përmbahemi modelit që la Jezui

22, 23. Cilat dobi vijnë kur ndjekim modelin që la Jezui?

22 Natyrisht, si njerëz të papërsosur, ne s’mund të ecim qind për qind në gjurmët e Shembullit tonë të përsosur. Megjithatë, mund të përpiqemi t’i ndjekim nga afër gjurmët e tij. Kjo kërkon të kuptojmë se si na udhëheq Krishti, t’i nënshtrohemi kësaj udhëheqjeje dhe t’i përmbahemi ngushtësisht modelit që la ai.

23 Kur bëhemi imitues të Krishtit, kemi shumë bekime. Jeta jonë bëhet më domethënëse dhe e kënaqshme, sepse jemi të përqendruar në bërjen e vullnetit të Perëndisë, jo tonit. (Gjoni 5:30; 6:38) Kemi ndërgjegje të pastër dhe ecim në një mënyrë shembullore. Jezui i ftoi të gjithë ata që po robtoheshin e që ishin të ngarkuar, të shkonin tek ai dhe të gjenin freskim për shpirtin e tyre. (Mateu 11:28-30) Kur ndjekim shembullin e Jezuit, edhe ne mund t’i freskojmë të tjerët me shoqërinë tonë. Prandaj, le të vazhdojmë të ecim si Jezui!

A ju kujtohet?

• Si i udhëheq Krishti ithtarët e tij sot?

• Si mund ta ndjekin pleqtë drejtimin e Krishtit, kur ushtrojnë autoritetin që u ka dhënë Perëndia?

• Si mund të ndjekim shembullin e Jezuit kur bëhet fjalë për mangësitë e të tjerëve?

• Si mund t’i vënë të rinjtë interesat e Mbretërisë në vend të parë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 23]

Pleqtë e krishterë na ndihmojnë të ndjekim udhëheqjen e Krishtit

[Figurat në faqet 24, 25]

Të rinj, çfarë planesh po bëni për të pasur një jetë të krishterë shpërblyese?