Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A keni një ndërgjegje të stërvitur mirë?

A keni një ndërgjegje të stërvitur mirë?

A keni një ndërgjegje të stërvitur mirë?

A KENI thënë ndonjëherë: «Zemra më thotë që s’është e drejtë.» Ose: «S’e bëj dot këtë që më kërkon ti! Diçka brenda meje më thotë që është e gabuar.» Ky është «zëri» i ndërgjegjes, aftësia ose ndjenja e brendshme e njeriut për të dalluar atë që është e drejtë dhe e gabuar, që shfajëson ose akuzon. Po, ndërgjegjja është diçka e lindur te ne.

Ndonëse është larguar nga Perëndia, prapëseprapë, njeriu në përgjithësi është i aftë të dallojë të drejtën nga e gabuara. Kjo sepse njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, kështu që deri në njëfarë mase pasqyron cilësinë e mençurisë dhe të drejtësisë që ka vetë Perëndia. (Zanafilla 1:26, 27) Në lidhje me këtë, apostulli Pavël, i frymëzuar nga Perëndia, shkroi: «Sa herë që njerëzit e kombeve, që nuk kanë ligj, bëjnë nga natyra gjërat e ligjit, këta njerëz, edhe pse nuk kanë ligj, janë ligj për vetveten. Këta tregojnë se thelbin e ligjit e kanë të shkruar në zemër, ndërkohë që ndërgjegjja e tyre, që jep dëshmi bashkë me ta dhe në mendimet e tyre, i akuzon ose i shfajëson.» *​—Romakëve 2:14, 15.

Kjo aftësi, e trashëguar nga njeriu i parë, Adami, vepron si një «ligj» ose normë sjelljeje te njerëzit e të gjitha racave dhe kombësive. Ajo është aftësia për të parë brenda vetes dhe për të gjykuar vetveten. (Romakëve 9:1) Kjo aftësi u shfaq tek Adami dhe Eva menjëherë sapo shkelën ligjin e Perëndisë​—ata u fshehën. (Zanafilla 3:7, 8) Një shembull tjetër si vepron ndërgjegjja shihet nga mënyra si reagoi mbreti David kur kuptoi se kishte mëkatuar duke bërë regjistrimin e popullsisë. Bibla thotë se «Davidin nisi ta qortonte zemra».​—2 Samuelit 24:1-10.

Falë aftësisë për të shqyrtuar veprimet tona dhe për të gjykuar sjelljen, mund të shfaqim pendimin që i pëlqen Perëndisë, gjë që është mjaft e rëndësishme. Davidi shkroi: «Meqë unë heshtja, kockat më treteshin nga rënkimi gjithë ditën e ditës. Më në fund ta rrëfeva mëkatin tim dhe fajin që bëra nuk e mbulova, porse thashë: ‘Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Jehovait.’ Dhe ti e fale ligësinë e mëkateve të mia.» (Psalmi 32:3, 5) Pra, kur ndërgjegjja vepron, ajo mund ta kthejë te Perëndia atë që ka mëkatuar, duke e ndihmuar të kuptojë nevojën për të pasur faljen e Perëndisë dhe për të ndjekur udhët e Tij.​—Psalmi 51:1-4, 9, 13-15.

Gjithashtu ndërgjegjja na paralajmëron ose na drejton, kur duhet të bëjmë një zgjedhje ose kur duhet të marrim një vendim për një çështje morale. Mund të ketë qenë pikërisht ndërgjegjja ajo që e ndihmoi Jozefin të kuptonte që më përpara se kurorëshkelja ishte e gabuar dhe diçka e keqe​—një mëkat kundër Perëndisë. Më vonë, te Dhjetë Urdhërimet që iu dhanë Izraelit, u përfshi një ligj i posaçëm kundër kurorëshkeljes. (Zanafilla 39:1-9; Dalja 20:14) Sigurisht, do të jetë më mirë për ne nëse ndërgjegjja jonë është stërvitur që të na drejtojë para se të marrim vendimin, sesa vetëm të na gjykojë më pas. A vepron në këtë mënyrë edhe ndërgjegjja juaj?

Ta stërvitim ndërgjegjen për të marrë vendimet e duhura

Ndonëse ndërgjegjja është e lindur te njerëzit, mjerisht kjo dhunti nuk është e përsosur. Megjithëse në fillim njerëzit u krijuan të përsosur, «të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë arritur lavdinë e Perëndisë». (Romakëve 3:23) Duke qenë të njollosur nga mëkati e papërsosmëria, ndërgjegjja jonë mund të shtrembërohet dhe të mos funksionojë më plotësisht sipas mënyrës që e bëri Perëndia. (Romakëve 7:18-23) Përveç këtyre, te ndërgjegjja mund të ndikojnë edhe faktorë të jashtëm. Mund të ndikojë edukimi që kemi marrë në familje ose zakonet, bindjet e mjedisi ku jemi rritur. Sigurisht normat e degjeneruara morale të botës nuk mund të jenë standardi për një ndërgjegje të mirë.

Prandaj një i krishterë duhet të ketë ndihmën shtesë të standardit të qëndrueshëm e të drejtë që gjendet në Fjalën e Perëndisë, në Bibël. Ky standard mund ta udhëheqë ndërgjegjen tonë për t’i peshuar gjërat mirë e për t’i ndrequr siç duhet. (2 Timoteut 3:16) Kur ndërgjegjja drejtohet nga normat e Perëndisë, shërben më mirë si një mjet që mund të na ndihmojë «për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën» e për të shmangur veprimet që na dëmtojnë moralisht. (Hebrenjve 5:14) Pa normat e Perëndisë, ndërgjegjja mund të mos na sinjalizojë fare kur hyjmë në udhë të keqe. Bibla thotë: «Ka një udhë që njeriut i duket e drejtë, por vdekja është fundi i saj.»​—Proverbat 16:25; 17:20.

Në disa fusha të jetës, Fjala e Perëndisë jep këshilla e udhëzime të qarta, të cilat bëjmë mirë t’i ndjekim. Nga ana tjetër, ka shumë situata për të cilat në Bibël nuk ka udhëzime specifike. Këtu përfshihen zgjedhjet që kanë të bëjnë me punën, shëndetin, argëtimin, veshjen e rregullimin, si dhe fusha të tjera. Nuk është e lehtë të dimë se ç’të bëjmë në çdo rast dhe të marrim vendimin e duhur. Për këtë arsye duhet të kemi qëndrimin e Davidit, që u lut: «Më bëj të njoh udhët e tua, o Jehova, më mëso shtigjet e tua. Më bëj të eci në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim.» (Psalmi 25:4, 5) Sa më mirë t’i kuptojmë pikëpamjet dhe udhët e Perëndisë, aq më shumë do të jemi në gjendje t’i peshojmë siç duhet rrethanat tona dhe t’i marrim vendimet me ndërgjegje të pastër.

Prandaj, kur jemi përballë një çështjeje a një vendimi, në fillim duhet të mendojmë thellë për parimet biblike që mund të përfshihen. Disa parime mund të jenë: respekti për kryesinë (Kolosianëve 3:18, 20); ndershmëria në gjithçka (Hebrenjve 13:18); urrejtja për atë që është e keqe (Psalmi 97:10); ndjekja e paqes (Romakëve 14:19); bindja ndaj autoriteteve (Mateu 22:21; Romakëve 13:1-7); përkushtimi vetëm ndaj Perëndisë (Mateu 4:10); të mos jemi pjesë e botës (Gjoni 17:14); shmangia e shoqërive të këqija (1 Korintasve 15:33); modestia në veshje e rregullim (1 Timoteut 2:9, 10); dhe të mos pengojmë të tjerët (Filipianëve 1:10). Kur përcaktojmë se cili parim biblik zbatohet në raste të caktuara, ndërgjegjja mund të jetë më e fortë dhe të na ndihmojë të marrim vendimin e duhur.

Dëgjojeni zërin e ndërgjegjes

Duhet t’ia vëmë veshin ndërgjegjes, nëse duam që të na ndihmojë. Vetëm kur reagojmë menjëherë ndaj sinjaleve që na jep ndërgjegjja jonë e stërvitur sipas Biblës, nxjerrim dobi prej saj. Mund ta krahasojmë ndërgjegjen e stërvitur me dritat paralajmëruese në kruskotën e një automjeti. Ta zëmë se ndizet një dritë që na paralajmëron se presioni i vajit është nën vlerat e lejuara. Ç’do të ndodhë nëse nuk marrim masa të menjëhershme dhe vazhdojmë t’i japim makinës? Mund t’i shkaktojmë dëme të mëdha motorit. Po kështu, ndërgjegjja jonë, ose zëri brenda nesh, mund të na paralajmërojë se njëfarë mënyre të vepruari është e gabuar. Ajo i krahason normat dhe vlerat tona të bazuara në Shkrime me atë drejtim që po marrim ose mendojmë të marrim, dhe na jep një sinjal paralajmërues, ashtu si drita në kruskotën e automjetit. Po t’ia vëmë veshin paralajmërimit, jo vetëm që do të arrijmë të shmangim pasojat e këqija, por edhe do të na ndihmojë që ndërgjegjja jonë të funksionojë si duhet.

Ç’do të ndodhte sikur ta shpërfillim atë paralajmërim? Me kohë, ndërgjegjja jonë do të bëhej e pandjeshme. Efekti që lë shpërfillja ose ndrydhja e vazhdueshme e ndërgjegjes, është si damka që lë në lëkurë një hekur i skuqur. Pjesa e vragës, ku mungojnë fundet e indeve, ka humbur çdo lloj ndjesie. (1 Timoteut 4:2) Një ndërgjegje e tillë nuk reagon më ndaj mëkatit e as na paralajmëron para se ta bëjmë prapë atë mëkat. Një ndërgjegje e pandjeshme i shpërfill normat e Biblës për të drejtën dhe të gabuarën, e kështu është një ndërgjegje e keqe. Është një ndërgjegje e ndotur dhe ai që ka një ndërgjegje të tillë ‘nuk ka më asnjë ndjesi morale’ dhe është larguar nga Perëndia. (Efesianëve 4:17-19; Titit 1:15) Ç’përfundim i tmerrshëm!

«Mbani një ndërgjegje të mirë»

Për të mbajtur një ndërgjegje të mirë, kërkohen përpjekje të vazhdueshme. Apostulli Pavël pohoi: «Përpiqem vazhdimisht, që të mund të them me ndërgjegje të pastër se nuk kam kryer asnjë faj kundër Perëndisë dhe njerëzve.» (Veprat 24:16) Si i krishterë, Pavli vazhdimisht e kontrollonte dhe e ndreqte mënyrën e tij të të vepruarit, për t’u siguruar që të mos bënte ndonjë shkelje ndaj Perëndisë. Pavli e dinte se, në fund, do të ishte Perëndia ai që do të gjykonte nëse ajo që bëjmë është e mirë ose e keqe. (Romakëve 14:10-12; 1 Korintasve 4:4) Pavli tha: «Nuk ka krijesë që të mos jetë e dukshme përpara tij, por të gjitha gjërat janë lakuriq dhe fare sheshit në sytë e atij, të cilit do t’i japim llogari.»​—Hebrenjve 4:13.

Pavli tha edhe që nuk duhet të kryejmë mëkate kundrejt njerëzve. Për shembull, ai i këshilloi të krishterët në Korint për ‘ngrënien e ushqimeve të paraqitura idhujve’. Ai po theksonte se, edhe kur një drejtim i caktuar nuk është i diskutueshëm nga pikëpamja e Perëndisë, është mjaft e rëndësishme që të marrim parasysh ndërgjegjen e të tjerëve. Nëse nuk veprojmë kështu, mund të bëjmë që ‘të shkatërrohen vëllezërit tanë për hir të të cilëve Krishti vdiq’. Gjithashtu mund të shkatërrojmë edhe vetë marrëdhënien tonë me Perëndinë.​—1 Korintasve 8:4, 11-13; 10:23, 24.

Prandaj, të vazhdojmë ta stërvitim ndërgjegjen dhe të mbajmë një ndërgjegje të mirë. Kur marrim vendime, të kërkojmë udhëheqjen e Perëndisë. (Jakovi 1:5) Të studiojmë Fjalën e Perëndisë dhe të lejojmë që parimet e saj të na modelojnë mendjen e zemrën. (Proverbat 2:3-5) Kur lindin çështje të rëndësishme, këshillohuni me të krishterë të pjekur që të siguroheni se i keni kuptuar siç duhet parimet biblike që përfshihen. (Proverbat 12:15; Romakëve 14:1; Galatasve 6:5) Shqyrtoni se si do të ndikojë ky vendim te ndërgjegjja juaj, te të tjerët dhe, mbi të gjitha, te marrëdhënia me Jehovain.​—1 Timoteut 1:5, 18, 19.

Ndërgjegjja është një dhuratë e mrekullueshme që na ka bërë Ati ynë i shtrenjtë qiellor, Perëndia Jehova. Duke e përdorur në përputhje me vullnetin e Dhënësit të saj, do të afrohemi më shumë me Krijuesin tonë. Teksa përpiqemi ‘të mbajmë një ndërgjegje të mirë’ në gjithçka që bëjmë, tregojmë më qartë se jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë.​—1 Pjetrit 3:16; Kolosianëve 3:10.

[Shënimi]

^ par. 3 Këtu, fjala greke për ndërgjegje do të thotë «aftësi e brendshme për të gjykuar anën morale» [The Analytical Greek Lexicon Revised, nga Herold K. Multoni]; «të dallosh midis asaj që është e mirë dhe e keqe nga ana morale».​—Greek-English Lexicon, nga Xh. H. Thajer.

[Figurat në faqen 13]

A keni një ndërgjegje të stërvitur që t’ju drejtojë para se të merrni vendimin, sesa vetëm t’ju gjykojë më pas?

[Figura në faqen 14]

Do të kemi një ndërgjegje të stërvitur mirë po t’i mësojmë e t’i zbatojmë parimet e Biblës

[Figurat në faqen 15]

Mos i shpërfillni paralajmërimet e ndërgjegjes