Interpretimi i shenjave është diçka serioze
Interpretimi i shenjave është diçka serioze
«Në fillim mendova se djali ynë Andreasi kishte vetëm dhimbje koke. Por, pastaj, i iku oreksi dhe i hipi temperatura. Koka filloi t’i dhembte më shumë, prandaj u bëra merak. Kur erdhi burri në shtëpi, e çuam Andreasin te mjeku. Ai e vizitoi dhe e çoi direkt në spital. Nuk ishte vetëm një dhimbje koke, ishte më rëndë. Andreasi ishte me meningjit. Pasi e mjekuan, u shërua shpejt.»—Gertruda, një nënë nga Gjermania.
KJO që i ka ndodhur Gertrudës ndoshta i ka ndodhur edhe shumë prindërve të tjerë. Ata vënë re disa shenja që tregojnë se fëmija i tyre mund të jetë sëmurë. Megjithëse jo të gjitha sëmundjet janë të rënda, prindërit s’kanë se si të mos i marrin parasysh simptomat e sëmundjes te fëmija. Është shumë e rëndësishme të kuptohen shenjat dhe të ndërmerren veprimet e duhura. Është një çështje mjaft serioze.
Kjo është e vërtetë jo vetëm në lidhje me shëndetin, por edhe në fusha të tjera. Një shembull është katastrofa e tsunamit që ndodhi në dhjetor të vitit 2004 në zonat përreth Oqeanit Indian. Institutet përkatëse qeveritare në vende të tilla, si Australia dhe Havai, e kishin dalluar që po afrohej një tërmet i madh në veri të Sumatrës dhe parashikuan që mund të kishte pasoja të rënda. Megjithatë, njerëzit në zonat e rrezikuara nuk kishin mundësi të merrnin paralajmërimin ose t’i përgjigjeshin atij. Prandaj, më shumë se 220.000 njerëz humbën jetën.
Shenja të një rëndësie shumë më të madhe
Kur Jezu Krishti ishte në tokë, i mësoi dëgjuesit se duhej t’i vëzhgonin shenjat dhe duhej të vepronin sipas tyre. Ai e kishte fjalën për diçka me rëndësi më të madhe. Bibla thotë: «Iu afruan farisenjtë e saducenjtë dhe, për ta tunduar, i kërkuan që t’u tregonte një shenjë nga qielli. Ai iu përgjigj: ‘Kur bie mbrëmja, ju e keni zakon të thoni: “Do të jetë mot i mirë, sepse qielli është flakë i kuq” dhe në mëngjes: Mateu 16:1-3.
“Sot do të jetë si mot dimri me shi, sepse qielli është flakë i kuq, por i vranët.” Ju dini të interpretoni shenjat e qiellit, por nuk interpretoni dot shenjat e kohëve.’»—Duke folur për «shenjat e kohëve», Jezui tregoi se dëgjuesit hebrenj të shekullit të parë duhej të ishin në dijeni të urgjencës së kohëve në të cilat jetonin. Sistemi judaik shumë shpejt do të pësonte një katastrofë që do të ndikonte te të gjithë ata. Disa ditë para se të vdiste, Jezui u foli dishepujve të tij për një shenjë tjetër, për shenjën e pranisë së tij. Ajo çfarë tha në atë rast është jetësore për të gjithë njerëzit sot.