Pika kryesore nga libri i parë i Kronikave
Fjala e Jehovait është e gjallë
Pika kryesore nga libri i parë i Kronikave
KANË kaluar gati 77 vjet që kur judenjtë janë kthyer nga mërgimi në Babiloni. Tempulli ka 55 vjet që është rindërtuar nga guvernatori Zorobabel. Arsyeja kryesore për kthimin e judenjve ishte rivendosja e adhurimit të vërtetë në Jerusalem. Megjithatë popullit i mungon zelli për adhurimin e Jehovait. Prandaj kanë nevojë urgjente për inkurajim, dhe pikërisht për këtë flet libri i parë i Kronikave, në Bibël.
Pa llogaritur regjistrimin gjenealogjik, libri i parë i Kronikave përfshin një periudhë prej 40 vjetësh, që nga vdekja e mbretit Saul e deri te vdekja e mbretit David. Besohet se këtë libër e ka shkruar prifti Ezdra në vitin 460 p.e.s. Libri i parë i Kronikave është me interes për ne, sepse jep me hollësi se si zhvillohej adhurimi në tempull dhe gjenealogjinë e Mesisë. Duke qenë pjesë e Fjalës së frymëzuar të Perëndisë, mesazhi i këtij libri na forcon besimin dhe na rrit kuptueshmërinë për Biblën.—Hebrenjve 4:12.
NJË DOKUMENTIM I RËNDËSISHËM EMRASH
Lista gjenealogjike që Ezdra përpilon me hollësi, është e nevojshme të paktën për tri arsye: që të sigurojë popullin se vetëm burrat e autorizuar mund të jenë priftërinj, që t’i ndihmojë të përcaktojnë trashëgiminë fisnore dhe që ta kenë të dokumentuar linjën gjenealogjike që të çon deri te Mesia. Ky dokumentim tregon të kaluarën e judenjve duke filluar që nga njeriu i parë. Nga Adami te Noeja janë dhjetë breza, dhe dhjetë të tjerë deri tek Abrahami. Pasi rendit bijtë e Ismaelit, bijtë e Keturës, konkubinës së Abrahamit, dhe bijtë e Esaut, tregimi përqendrohet te linja gjenealogjike e 12 bijve të Izraelit.—1 Kronikave 2:1.
Ezdra i lë më tepër hapësirë pasardhësve të Judës, sepse ata sigurojnë linjën mbretërore të mbretit David. Nga Abrahami te Davidi janë 14 breza, e po 14 breza janë edhe nga Davidi deri në dëbimin e popullit në Babiloni. (1 Kronikave 1:27, 34; 2:1-15; 3:1-17; Mateu 1:17) Pas kësaj, Ezdra rendit pasardhësit e fiseve në lindje të Jordanit dhe gjenealogjinë e bijve të Levit. (1 Kronikave 5:1-24; 6:1) Pastaj, në mënyrë të përmbledhur, jep gjenealogjinë e disa fiseve të tjera në perëndim të lumit Jordan dhe, me hollësi, gjenealogjinë e fisit të Beniaminit. (1 Kronikave 8:1) Aty renditen edhe emrat e banorëve të parë të Jerusalemit pas kthimit nga Babilonia.—1 Kronikave 9:1-16.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
1:18—Kush ishte i ati i Shelahut: Kainani apo Arpakshadi? (Luka 3:35, 36) Arpakshadi ishte babai i Shelahut. (Zanafilla 10:24; 11:12) Fjala «Kainan» te Luka 3:36 ka shumë mundësi të jetë një shtrembërim i fjalës «kaldeasit». Nëse është kështu, në tekstin origjinal mund të ketë qenë «biri i kaldeasit Arpakshad». Ose ndoshta emrat Kainan dhe Arpakshad i referohen të njëjtit njeri. Vlen të përmendet që shprehja «djali i Kainanit», në disa dorëshkrime nuk gjendet.—Luka 3:36, shënimi, Përkthimi Bota e Re me referime, anglisht.
2:15—A ishte Davidi djali i shtatë i Jeseut? Jo. Jeseu kishte tetë djem dhe Davidi ishte më i vogli. (1 Samuelit 16:10, 11; 17:12) Me sa duket, një nga djemtë e Jeseut vdiq pa pasur fëmijë. Meqë nuk ishte i rëndësishëm për dokumentimin e gjenealogjisë, Ezdra e ka hequr emrin e tij.
3:17—Pse Luka 3:27 i referohet Shealtielit, birit të Jekonisë, si biri i Nereit? I ati i Shealtielit ishte Jekonia. Por, me sa duket, Shealtieli mori për grua të bijën e Nereit. Luka e kishte fjalën për dhëndrin e Nereit, pikërisht siç kishte bërë edhe me Jozefin, duke e quajtur biri i Helit, babait të Marisë.—Luka 3:23.
3:17-19—Ç’lidhje kishin me njëri-tjetrin Zorobabeli, Pedajahu dhe Shealtieli? Zorobabeli ishte bir i Pedajahut që ishte vëllai i Shealtielit. Por ka raste kur Bibla e quan Zorobabelin birin e Shealtielit. (Mateu 1:12; Luka 3:27) Ndoshta e quan kështu sepse Pedajahu vdiq dhe Zorobabelin e rriti Shealtieli. Ose, meqenëse Shealtieli vdiq pa lënë fëmijë, Pedajahu mund të jetë martuar me vejushën, sipas ligjit të martesës me kunatën, dhe Zorobabeli ishte i parëlinduri i këtij bashkimi.—Ligji i përtërirë 25:5-10.
5:1, 2—Çfarë do të thoshte për Jozefin marrja e së drejtës së të parëlindurit? Do të thoshte që Jozefi mori dy pjesë të trashëgimisë. (Ligji i përtërirë 21:17) Kështu ai u bë babai i dy fiseve, i Efraimit dhe i Manaseut. Ndërsa nga bijtë e tjerë të Izraelit rrodhi vetëm nga një fis.
Mësime për ne:
1:1–9:44. Gjenealogjia e njerëzve që kanë jetuar vërtet, tregon se i gjithë organizimi i adhurimit të vërtetë nuk bazohet në mite, por në fakte.
4:9, 10. Jehovai iu përgjigj lutjes së zjarrtë të Jabezit për një zgjerim paqësor të territorit, ku mund të banonin më shumë njerëz me frikë Perëndie. Edhe ne, ndërsa marrim pjesë me zell në veprën e bërjes së dishepujve, duhet të bëjmë lutje të zjarrta që numri i adhuruesve të Jehovait të rritet.
5:10, 18-22. Në ditët e mbretit Saul, fiset në lindje të Jordanit mundën hagritët, megjithëse këta të fundit ishin më shumë se dyfishi i tyre në numër. Fituan sepse luftëtarët trima të këtyre fiseve kishin besim te Jehovai dhe kërkuan ndihmën e tij. Le të kemi besim të plotë te Jehovai ndërsa vazhdojmë luftën tonë frymore kundër armiqve të panumërt!—Efesianëve 6:10-17.
9:26, 27. Derëtarët levitë kishin një caktim me përgjegjësi të madhe. Ata mbanin çelësin e hyrjes për në vendet e shenjta të tempullit. Ishin të besueshëm në hapjen e dyerve çdo ditë. Ndërsa ne na është besuar përgjegjësia të shkojmë te njerëzit në territor dhe t’i ndihmojmë që të vijnë e të adhurojnë Jehovain. A nuk duhet të tregojmë edhe ne se jemi po aq të besueshëm sa derëtarët levitë?
DAVIDI SUNDON SI MBRET
Tregimi fillon me mbretin Saul dhe tre djemtë e tij, të cilët vdesin në betejën kundër filistinëve në malin Gilboa. Davidi, biri i Jeseut, bëhet mbret i fisit të Judës. Burra nga të gjitha fiset vijnë në Hebron dhe e bëjnë mbret të të gjithë Izraelit. (1 Kronikave 11:1-3) Jo shumë kohë më pas, ai pushton Jerusalemin. Më vonë, izraelitët sjellin arkën e besëlidhjes në Jerusalem «me britma të gëzueshme, me të rëna briri, . . . duke u rënë fort veglave me tela dhe harpave».—1 Kronikave 15:28.
Davidi shpreh dëshirën për të ndërtuar një shtëpi për Perëndinë e vërtetë. Duke ia lënë këtë privilegj Solomonit, Jehovai bën një besëlidhje me Davidin për një Mbretëri. Ndërsa Davidi vazhdon fushatën e tij kundër armiqve të Izraelit, Jehovai i jep fitore pas fitoreje. Për shkak të regjistrimit të popullsisë pa urdhrin e Jehovait, vdesin 70.000 veta. Pasi udhëzohet nga engjëjt për t’i ngritur një altar Jehovait, Davidi blen një copë toke nga jebusiti Ornan. Davidi fillon të bëjë «përgatitje të shumta» për të ndërtuar në atë vend një shtëpi «tejet madhështore» kushtuar Jehovait. (1 Kronikave 22:5) Davidi organizon shërbimet e levitëve, shërbime të cilat këtu shpjegohen më me hollësi se në çdo vend tjetër në Shkrime. Mbreti dhe populli kontribuojnë me bujari për tempullin. Pasi ka mbretëruar për 40 vjet, Davidi vdes «i ngopur me ditë, pasuri dhe lavdi. Në vend të tij [fillon] të mbretërojë i biri, Solomoni».—1 Kronikave 29:28.
Përgjigjet e pyetjeve biblike:
11:11—Pse këtu numri i të vrarëve është 300, ndërsa te 2 Samuelit 23:8, ku tregohet e njëjta histori, ky numër është 800? Nga tre luftëtarët më trima të Davidit, kreu ishte Jashobeami ose ndryshe Josheb-Bashebethi. Dy të tjerët ishin Eleazari dhe Shamahu. (2 Samuelit 23:8-11) Ndoshta arsyeja pse ky numër ndryshon është sepse këto tregime mund t’i referohen dy bëmave të ndryshme të të njëjtit individ.
11:20, 21—Cila ishte pozita e Abishait në lidhje me tre burrat e fuqishëm kryesorë të Davidit? Abishai nuk ishte një nga tre burrat më të fuqishëm që i shërbyen Davidit. Megjithatë, ashtu siç thuhet te 2 Samuelit 23:18, 19, ai ishte komandanti i 30 luftëtarëve dhe shquhej ndër ta. Fama e Abishait ishte gati e njëjtë me atë të tre burrave të fuqishëm kryesorë, sepse ai kreu një trimëri të ngjashme me atë të Jashobeamit.
12:8—Në ç’kuptim fytyrat e luftëtarëve gaditë ishin si «ato të luanëve»? Kur Davidi ishte në shkretëtirë, këta trima ishin në krah të tij. U ishin rritur flokët, dhe ashtu me flokë të gjatë e me mjekër kishin marrë pamjen e luanëve të frikshëm.
13:5—Çfarë është «lumi i Egjiptit»? Disa kanë menduar se në këtë varg bëhet fjalë për një degë të lumit Nil. Megjithatë, në përgjithësi ky referim merret si ‘lugina e përroit të Egjiptit’—një grykë e gjatë që shërbente si kufi në pjesën jugperëndimore të Tokës së Premtuar.—Numrat 34:2, 5; Zanafilla 15:18.
16:30—Çfarë nënkuptojnë «dhembjet e forta» për shkak të Jehovait? Fjala «dhembjet» këtu përdoret në kuptim të figurshëm për të treguar frikën me nderim dhe respektin e thellë që duhet të kemi për Jehovain.
16:1, 37-40; 21:29, 30; 22:19—Cili rregull për adhurimin mbeti në fuqi në Izrael që nga koha kur arka e besëlidhjes u soll në Jerusalem e deri kur u ndërtua tempulli? Kur Davidi e solli Arkën në Jerusalem dhe e vendosi në tendën që kishte bërë, Arka kishte vite që nuk kishte qëndruar në tabernakull. Pas transferimit të saj, Arka mbeti në atë tendë në Jerusalem. Tabernakulli ishte në Gibeon, aty ku kryeprifti Sadok dhe vëllezërit e tij bënin flijime sipas Ligjit. Kjo vazhdoi derisa u mbarua tempulli në Jerusalem. Kur tempulli ishte gati, tabernakullin e sollën nga Gibeoni në Jerusalem, dhe Arkën e vunë te Më e Shenjta e tempullit.—1 Mbretërve 8:4, 6.
Mësime për ne:
13:11. Kur përpjekjet tona dështojnë, në vend që të zemërohemi dhe t’ia hedhim fajin Jehovait, duhet të analizojmë situatën dhe të përpiqemi të kuptojmë se përse nuk ia dolëm dot. Sigurisht që Davidi e bëri një gjë të tillë. Ai mësoi nga gabimi i tij dhe më vonë arriti ta sillte Arkën në Jerusalem duke përdorur mënyrën e duhur. *
14:10, 13-16; 22:17-19. Duhet t’i lutemi gjithnjë Jehovait dhe të kërkojmë drejtimin e tij para se të hedhim ndonjë hap që do të ndikojë në gjendjen tonë frymore.
16:23-29. Vëmendjen tonë më të madhe në jetë duhet t’ia kushtojmë adhurimit të Jehovait.
18:3. Jehovai është Plotësuesi i premtimeve që bën. Nëpërmjet Davidit, ai e mbajti premtimin dhe i dha farës së Abrahamit gjithë vendin e Kanaanit, që «nga lumi i Egjiptit deri në lumin e madh, lumin Eufrat».—Zanafilla 15:18; 1 Kronikave 13:5.
21:13-15. Jehovai e urdhëroi engjëllin që ta ndalonte murtajën, sepse është i ndjeshëm ndaj vuajtjeve të popullit të Tij. Vërtet, «e madhe është mëshira e tij». *
22:5, 9; 29:3-5, 14-16. Megjithëse nuk i ishte ngarkuar ndërtimi i tempullit të Jehovait, Davidi tregoi një frymë vërtet bujare. Pse? Sepse ai e kuptonte se gjithçka e kishte fituar falë mirësisë së Jehovait. Të njëjtat ndjenja mirënjohjeje duhet të na motivojnë edhe ne për të shfaqur një frymë të tillë bujare.
24:7-18. Rregulli i 24 ndarjeve priftërore që themeloi Davidi ishte në fuqi në momentin kur engjëlli i Jehovait iu shfaq Zakarisë, babait të Gjon Pagëzorit, dhe e lajmëroi për lindjen e Gjonit. Si një prift nga «ndarja e Abijahut», Zakaria në atë kohë kishte radhën për të shërbyer në tempull. (Luka 1:5, 8, 9) Adhurimi i pastër lidhet me personazhe historike, e jo mitologjike. Bekimet janë të shumta nëse bashkëpunojmë me besnikëri me ‘skllavin e besueshëm e të matur’ sot, në adhurimin e organizuar të Jehovait.—Mateu 24:45.
T’i shërbejmë Jehovait «me shpirt plotësisht të kënaqur»
Libri i parë i Kronikave nuk flet vetëm për gjenealogji. Aty tregohet edhe për rastin kur Davidi sjell arkën e besëlidhjes në Jerusalem, për fitoret e tij të mëdha, për përgatitjet e tij për të ndërtuar tempullin dhe për ndarjet e priftërinjve levitë që shërbenin në tempull. Gjithçka që Ezdra tregon te libri i parë i Kronikave duhet të ketë qenë dobiprurëse për izraelitët, duke i ndihmuar që të rifitonin zellin për adhurimin e Jehovait në tempull.
Çfarë shembulli të mrekullueshëm la Davidi në lidhje me mbajtjen e adhurimit të Jehovait në vend të parë në jetë! Në vend që të kërkonte privilegje të veçanta për veten, Davidi përpiqej të bënte vullnetin e Perëndisë. Jemi të inkurajuar që ta zbatojmë këshillën e tij për t’i shërbyer Jehovait «me gjithë zemër e me shpirt plotësisht të kënaqur».—1 Kronikave 28:9.
[Shënimet]
^ par. 32 Për të kuptuar se çfarë mësimesh të tjera nxjerrim nga transportimi i Arkës në Jerusalem, shih Kullën e Rojës, 15 maj 2005, faqet 16-19.
^ par. 36 Për të ditur më tepër rreth regjistrimit të popullsisë që Davidi e bëri pa urdhrin e Perëndisë, shih Kullën e Rojës, 15 maj 2005, faqet 16-19.
[Tabela dhe figurat në faqet 8-11]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Brezat nga Adami te Noeja (1.056 vjet)
4026 p.e.s. Adami
130 vjet ⇩
Seti
105 ⇩
Enosi
90 ⇩
Kenani
70 ⇩
Mahalaleli
65 ⇩
Jaredi
162 ⇩
Enoku
65 ⇩
Metuselahu
187 ⇩
Lameku
182 ⇩
2970 p.e.s. Lind NOEJA
Brezat nga Noeja te Abrahami (952 vjet)
2970 p.e.s. Noeja
502 vjet ⇩
Semi
100 ⇩
PËRMBYTJA 2370 p.e.s.
Arpakshadi
35 ⇩
Shelahu
30 ⇩
Eberi
34 ⇩
Pelegu
30 ⇩
Reu
32 ⇩
Serugu
30 ⇩
Nahori
29 ⇩
Terahu
130 ⇩
2018 p.e.s. Lind ABRAHAMI
Nga Abrahami te Davidi: 14 breza (911 vjet)
2018 p.e.s. Abrahami
100 vjet
Isaku
60 ⇩
Jakobi
rr. 88 ⇩
Juda
⇩
Perezi
⇩
Hezroni
⇩
Rami
⇩
Aminadabi
⇩
Nahasoni
⇩
Salmoni
⇩
Boazi
⇩
Obedi
⇩
Jeseu
⇩
1107 p.e.s. Lind DAVIDI