Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Prindër: Ç’të ardhme doni për fëmijët tuaj?

Prindër: Ç’të ardhme doni për fëmijët tuaj?

Prindër: Ç’të ardhme doni për fëmijët tuaj?

«Ju djem të rinj e ju virgjëresha. . . . Le ta lëvdojnë emrin e Jehovait.»​—Psalmi 148:12, 13.

1. Çfarë shqetësimesh kanë prindërit për fëmijët e tyre?

CILI është ai prind që nuk merakoset për të ardhmen e fëmijëve të vet?! Që kur fëmija lind, ose edhe më parë, prindërit fillojnë të shqetësohen për mirëqenien e tij. A do të ketë shëndet të mirë? A do të zhvillohet normalisht? Kur fëmija rritet, shqetësimet shtohen. Në përgjithësi prindërit duan më të mirën për fëmijët e tyre.​—1 Samuelit 1:11, 27, 28; Psalmi 127:3-5.

2. Pse shumë prindër sot duan me çdo kusht që fëmijët e tyre të kenë një jetë të mirë kur të rriten?

2 Mirëpo, në botën e sotme, është e vështirë për prindërit t’u sigurojnë më të mirën fëmijëve të tyre. Shumë prindër kanë kaluar kohë të vështira, si luftëra, trazira politike, vështirësi ekonomike, trauma fizike a emocionale, e të tjera. Prandaj është e kuptueshme të dëshirojnë që fëmijët e tyre të mos provojnë të njëjtat gjëra. Në vendet e pasura, prindërit ndoshta shohin që djemtë e vajzat e miqve ose të të afërmve çajnë përpara e bëjnë karrierë, dhe kanë një jetë të suksesshme në dukje. Kështu, ndihen të detyruar të bëjnë gjithë ç’kanë në dorë, që edhe fëmijët e tyre, kur të rriten, të arrijnë të kenë një jetë pak a shumë të rehatshme e të sigurt: një jetë të mirë.​—Eklisiastiu 3:13.

Të zgjedhësh një jetë të mirë

3. Cilën zgjedhje kanë bërë të krishterët?

3 Si ithtarë të Jezu Krishtit, të krishterët kanë zgjedhur t’ia kushtojnë jetën Jehovait. I kanë marrë seriozisht fjalët e Jezuit: «Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë ditë për ditë shtyllën e vet të torturës dhe të më ndjekë vazhdimisht.» (Luka 9:23; 14:27) Vërtet, jeta si të krishterë kërkon sakrifica. Por nuk është një jetë në varfëri e mjerim. Përkundrazi, është një jetë e lumtur dhe e kënaqshme,​—një jetë e mirë​—sepse përfshin dhënien, dhe Jezui tha që «ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh».​—Veprat 20:35.

4. Për çfarë i nxiti Jezui ithtarët e tij?

4 Në kohën e Jezuit, njerëzit jetonin në kushte shumë të vështira. Përveçse duhej të siguronin jetesën, ata duhej të duronin sundimin e ashpër të romakëve dhe barrën e rëndë të fanatikëve fetarë të asaj kohe. (Mateu 23:2-4) Gjithsesi, shumë njerëz që dëgjuan për Jezuin, me kënaqësi hoqën dorë nga aktivitetet e tyre, madje edhe nga karriera, e u bënë ithtarë të tij. (Mateu 4:18-22; 9:9; Kolosianëve 4:14) Mos vallë ata dishepuj po vinin në rrezik të ardhmen e tyre, duke vepruar kështu? Shikoni fjalët e Jezuit: «Kushdo që ka lënë shtëpi ose vëllezër, motra, baba, nënë, fëmijë, a toka për hir të emrit tim, do të marrë shumë herë më tepër dhe do të trashëgojë jetën e përhershme.» (Mateu 19:29) Jezui i siguroi ithtarët se Ati qiellor i dinte nevojat e tyre. Prandaj, i nxiti: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.»​—Mateu 6:31-33.

5. Çfarë mendojnë disa prindër për sigurinë që dha Jezui kur tha se Perëndia do të kujdeset për shërbëtorët e vet?

5 Sot gjërat nuk ndryshojnë shumë. Jehovai i di nevojat tona, dhe ata që i vënë në vend të parë në jetë interesat e Mbretërisë, sidomos ata që janë në shërbim të plotkohor, kanë të njëjtën siguri se ai do të kujdeset për ta. (Malakia 3:6, 16; 1 Pjetrit 5:7) Por, disa prindër, janë në dy mendje në këtë aspekt. Nga njëra anë, u pëlqen që fëmijët e tyre të përparojnë në shërbim të Jehovait, e ndoshta të fillojnë shërbimin e plotkohor në të ardhmen. Por, nga ana tjetër, duke parë situatën ekonomike dhe kushtet e punësimit sot, mendojnë se është e rëndësishme që të rinjtë të marrin në radhë të parë një arsim të mirë. Kështu, sipas tyre, do të kenë kualifikimet e nevojshme për një punë të mirë ose të paktën të kenë ku të mbështeten, në rast nevoje. Për këta prindër, një arsim i mirë shpesh do të thotë arsimi i lartë.

Përgatitja për të ardhmen

6. Çfarë nënkupton në këtë artikull termi «arsim i lartë»?

6 Sistemi arsimor ndryshon nga njëri vend në tjetrin. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara, shkolla shtetërore të jep 12 vjet arsim bazë. Më pas, nxënësit mund të vendosin të ndjekin universitetin ose kolegjin për katër a më shumë vjet, e më pas të marrin një diplomë në mjekësi, juridik, inxhinieri e kështu me radhë, ose të vazhdojnë studimet pasuniversitare. Në këtë artikull, termi «arsim i lartë» nënkupton këto studime universitare. Në anën tjetër, ka shkolla teknike e profesionale, që ofrojnë kurse afatshkurtra, për të marrë një certifikatë ose diplomë për ndonjë zanat a sektor shërbimesh.

7. Cilat presione hasin nxënësit e shkollave të mesme?

7 Prirja e sotme është që shkollat e mesme duhet t’i përgatitin nxënësit për arsimin e lartë. Për këtë qëllim, në shumë shkolla të mesme vihet theksi te lëndët teorike që u japin mundësi nxënësve të fitojnë konkursin për pranimin në universitet, jo te ato lëndë që do t’i pajisin me aftësitë e duhura për të punuar. Sot, nxënësve të shkollave të mesme u bëhet shumë presion nga mësuesit, psikologët dhe nxënësit e tjerë, që të synojnë të futen në universitetet më të mira, ku shpresojnë të marrin diploma që do t’u hapin dyert për punë të mira e me pagë të lartë.

8. Para cilës zgjedhje gjenden prindërit e krishterë?

8 Po atëherë, çfarë duhet të bëjnë prindërit e krishterë? Sigurisht, ata duan që fëmijët e tyre të dalin mirë në shkollë e të marrin njohuritë e nevojshme që do t’i ndihmojnë të mbajnë veten financiarisht, në të ardhmen. (Proverbat 22:29) Por, a duhet t’i lënë fëmijët që t’i rrëmbejë fryma e konkurrencës për të siguruar anën materiale dhe për të pasur sukses? Çfarë synimesh i nxitin të kenë, qoftë me fjalë, qoftë me shembullin e tyre? Disa prindër robtohen dhe kursejnë shumë, që t’i dërgojnë fëmijët nëpër universitete, kur t’u vijë koha. Të tjerë futen edhe në borxhe për këtë qëllim. Mirëpo, kostoja e këtij vendimi nuk matet dot vetëm në para. Cila është, në ditët e sotme, kostoja e ndjekjes së një arsimi të lartë?​—Luka 14:28-33.

Kostoja e ndjekjes së arsimit të lartë

9. Ç’mund të thuhet për koston financiare të arsimit të lartë sot?

9 Kur mendojmë për koston, normalisht na vijnë në mendje shpenzimet financiare. Në disa vende, arsimi i lartë është shtetëror, kështu që studentët nuk duhet të paguajnë gjë. Por, në shumë të tjera, arsimi i lartë është i kushtueshëm, dhe sa vjen e po shtrenjtohet. Në gazetën New York Times thuhet: «Më parë, arsimi i lartë shihej si diçka që të hapte mundësi të reja. Tani thjesht po ligjëson hendekun midis të pasurve dhe atyre që s’janë shumë të pasur.» Me fjalë të tjera, arsimi i lartë cilësor po bëhet pronë e njerëzve të pasur e të rëndësishëm, të cilët i çojnë fëmijët atje, për t’u siguruar që edhe ata të bëhen të pasur e të rëndësishëm në këtë sistem. Po prindërit e krishterë, a duhet të kenë një synim të tillë për fëmijët e tyre?​—Filipianëve 3:7, 8; Jakovi 4:4.

10. Si lidhet ngushtësisht arsimi i lartë me përpjekjet për të përmirësuar sistemin e tanishëm?

10 Por, edhe aty ku arsimi i lartë është falas, mund të ketë telashe të tjera. Për shembull, në një gazetë (The Wall Street Journal) thuhet se, në një vend të Azisë Juglindore, qeveria ka «një sistem shkollor piramidal, ku paturpësisht bëhet seleksionimi i ‘ajkës’ së nxënësve». Ky ‘seleksionim’ do të thotë se pastaj ata do të shkojnë në institutet më në zë të botës, si universitetet «Oksford» e «Kembrixh» në Angli, universitetet «Harvard» e «Jeil» në Shtetet e Bashkuara, e të tjera. Përse qeveria u siguron këtyre nxënësve një program kaq afatgjatë? «Për të forcuar ekonominë e vendit»,​—thuhet në artikull. Arsimi mund të jetë vërtet falas, por çmimi që paguajnë nxënësit është një jetë e përkushtuar për përmirësimin e sistemit të tanishëm. Edhe pse kjo është një jetë që e lakmojnë shumë veta në botë, a është vërtet ajo çfarë dëshiron një prind i krishterë për fëmijët e vet?​—Gjoni 15:19; 1 Gjonit 2:15-17.

11. Çfarë tregojnë të dhënat për sa i përket pirjes së alkoolit dhe imoralitetit seksual ndër studentët e universitetit?

11 Një faktor tjetër që duhet shqyrtuar është mjedisi. Konviktet e universiteteve kanë një nam shumë të keq për sa i përket sjelljes së studentëve. Lista është e gjatë: droga, alkooli, imoraliteti, vjedhja e kështu me radhë. Le të marrim pirjen e alkoolit. Një revistë (New Scientist) fliste për pirjen binxh, që do të thotë të pish thjesht për t’u dehur. Ajo thoshte: «Rreth 44 për qind e [studentëve në Shtetet e Bashkuara] e praktikojnë këtë metodë të paktën një herë në dy javë.» I njëjti problem është i përhapur edhe te të rinjtë në Australi, Britani, Rusi e gjetkë. Për sa i përket imoralitetit, sot studentët flasin vetëm për «lidhjet për një natë», që, sipas një raporti nga një revistë tjetër (Newsweek), «do të thotë përvoja seksuale thjesht për një herë, që shkojnë nga puthja deri te marrëdhëniet seksuale, me njerëz që s’kanë në plan as t’i përshëndetin pas kësaj». Sipas studimeve të bëra, nga 60 deri në 80 për qind e studentëve përfshihen në këtë lloj aktiviteti. Një studiuese thotë: «Po të jesh student normal, edhe ti do të bësh njësoj si të tjerët.»​—1 Korintasve 5:11; 6:9, 10.

12. Cilat presione mund të hasin studentët në universitet?

12 Përveç mjedisit të dëmshëm, është edhe presioni i detyrave të shtëpisë dhe i provimeve. Natyrisht, që të kalojnë në provime, nxënësit duhet të mësojnë e t’i bëjnë detyrat e shtëpisë. Disave u duhet edhe të bëjnë ndonjë punë me orar të shkurtër, ndërkohë që vazhdojnë shkollën. E gjithë kjo të merr shumë kohë dhe energji. Po çfarë ngelet atëherë për veprimtaritë frymore? Kur shtohen presionet, nga çfarë do të hiqet dorë? A do të vazhdojnë të jenë në vend të parë interesat e Mbretërisë apo do të lihen mënjanë? (Mateu 6:33) Bibla i nxit të krishterët: «Vazhdoni të shikoni me kujdes që mënyra se si ecni, të mos jetë si të pamendët, por si të mençurit, duke blerë kohën e duhur për veten tuaj, sepse ditët janë të liga.» (Efesianëve 5:15, 16) Sa keq që disa janë larguar nga besimi, ngaqë ia kanë përkushtuar të gjithë kohën dhe energjitë e tyre shkollës ose ngaqë janë ngatërruar me sjellje jobiblike ndërkohë që ishin në universitet!

13. Cilat pyetje duhet të shqyrtojnë prindërit e krishterë?

13 Sigurisht që imoraliteti, sjellja e keqe dhe presionet nuk kufizohen vetëm nëpër universitete e nëpër konvikte. Gjithsesi, shumë të rinj që s’i shërbejnë Perëndisë, i shohin këto gjëra thjesht si pjesë të arsimimit, e s’mendojnë shumë për to. A duhet që prindërit e krishterë, me dijeni të plotë, t’i lënë fëmijët e tyre në këtë lloj mjedisi për katër a më shumë vjet? (Proverbat 22:3; 2 Timoteut 2:22) A ia vlen gjithë ky rrezikim për ndonjë dobi që mund të marrin të rinjtë? Dhe, ç’është më e rëndësishmja, çfarë do t’u mësohet të rinjve në universitet rreth gjërave që duhet të kenë vendin e parë në jetën e tyre? * (Filipianëve 1:10; 1 Selanikasve 5:21) Prindërit duhet t’i mendojnë seriozisht në lutje këto pyetje, si dhe rreziqet që vijnë po t’i çojnë fëmijët e tyre në universitet në ndonjë qytet a shtet tjetër.

Çfarë mundësish të tjera ka?

14, 15. (a) Pavarësisht nga mendimi i përgjithshëm, cila këshillë biblike zbatohet sot? (b) Çfarë pyetjesh mund t’i bëjnë vetes të rinjtë?

14 Sot, mendimi i përgjithshëm është se, për të pasur sukses, e vetmja mundësi është të ndjekësh universitetin. Megjithatë, në vend që të ndjekin çfarë mendon shumica, të krishterët i vënë veshin këshillës së Biblës: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote, por shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj, që të vërtetoni se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.» (Romakëve 12:2) Cili është vullneti i Perëndisë për shërbëtorët e tij, të rinj e të moshuar, në këtë fazë përfundimtare të kohës së fundit? Pavli e nxiti Timoteun: «Ruaj gjykimin në gjithçka, vuaj nga e liga, bëj veprën e ungjillëzuesit, kryeje plotësisht shërbimin tënd.» Këto fjalë patjetër që zbatohen për të gjithë ne sot.​—2 Timoteut 4:5.

15 Në vend që të na bëjë për vete fryma materialiste e botës, që të gjithë duhet ‘të ruajmë gjykimin’, domethënë orientimin tonë frymor. Në qoftë se je i ri ose e re, pyet veten: ‘A po bëj çmos që ‘të kryej shërbimin tim’, të kualifikohem si shërbëtor i Fjalës së Perëndisë? Çfarë planesh kam, për ta kryer «plotësisht» shërbimin tim? A kam bërë plane për të filluar shërbimin e plotkohor, duke e bërë karrierën time?’ Këto janë pyetje të vështira, sidomos kur shikon të rinj të tjerë që jepen pas synimeve egoiste, ‘duke kërkuar gjëra të mëdha’ se mendojnë që do t’u sjellin një të ardhme të begatë. (Jeremia 45:5) Prandaj, me mençuri prindërit e krishterë u sigurojnë fëmijëve, që kur janë të vegjël, mjedisin e duhur frymor dhe stërvitjen e duhur.​—Proverbat 22:6; Eklisiastiu 12:1; 2 Timoteut 3:14, 15.

16. Si mund të sigurojnë me mençuri prindërit e krishterë llojin e duhur të mjedisit frymor për fëmijët?

16 «Mamaja mbikëqyrte me shumë kujdes se me kë shoqëroheshim»,​—kujton më i madhi nga tre djemtë e një familjeje, mamaja e të cilëve ka qenë për shumë vjet në shërbimin e plotkohor. Ai vazhdon: «Nuk rrinim me djemtë e shkollës, por vetëm me disa shokë në kongregacion që kishin zakone të mira frymore. Gjithashtu, mamaja ftonte gjithnjë në shtëpi vëllezër e motra që ishin në shërbimin e plotkohor: misionarë, mbikëqyrës udhëtues, bethelitë dhe pionierë. Ngaqë dëgjonim përvojat e tyre dhe shihnim gëzimin që ndienin, na u ngulit në zemër dëshira për shërbimin e plotkohor.» Sa bukur është t’i shohësh sot të tre djemtë në shërbim të plotkohor: njëri shërben në Bethel, tjetri ka ndjekur Shkollën e Stërvitjes për Shërbim, dhe i treti është pionier i rregullt!

17. Çfarë drejtimi mund t’u sigurojnë prindërit fëmijëve për sa i përket zgjedhjes së lëndëve shkollore dhe synimeve për profesionin? (Shih kutinë në faqen 29.)

17 Përveçse t’u sigurojnë një mjedis të shëndetshëm frymor, prindërit duhet t’u japin fëmijëve, sa më shpejt të jetë e mundur, edhe drejtimin e duhur në zgjedhjen e lëndëve shkollore dhe të edukimit profesional. Një i ri tjetër, që tani shërben në Bethel, thotë: «Të dy prindërit ishin pionierë, para dhe pasi u martuan, e bënë çmos që e gjithë familja të kishte frymën e pionierit. Sa herë që zgjidhnim lëndët shkollore ose merrnim vendime që do të ndikonin në të ardhmen tonë, na nxitnin të zgjidhnim atë që do të na jepte më shumë mundësi të gjenim punë me orar të shkurtër dhe të shërbenim si pionierë.» Në vend që të zgjedhin lëndë teorike që kanë si synim përgatitjen për universitetin, prindërit dhe fëmijët duhet të shqyrtojnë kurse që janë të dobishme për të ndjekur një karrierë teokratike. *

18. Cilat mundësi pune mund të shqyrtojnë të rinjtë?

18 Studimet tregojnë se në shumë vende s’ka nevojë për njerëz që kanë mbaruar universitetin, po ka një nevojë të ngutshme për njerëz që të punojnë në zanate të ndryshme e në sektorin e shërbimeve. Një revistë (USA Today) thotë se «70 për qind e punëtorëve, në dekadat e ardhshme, s’do të kenë nevojë për diplomë universiteti, po për një diplomë të ndonjë shkolle dyvjeçare pas shkollës së mesme ose certifikatë për ndonjë zanat». Shumë nga këto institute ofrojnë kurse afatshkurtra për punë zyre, për mekanik makinash, riparues kompjuterësh, hidraulik, parukier, dhe shumë zanate të tjera. A janë punë të dëshirueshme këto? Patjetër që janë! Ndoshta s’janë ato profesionet tërheqëse që ëndërrojnë disa, por, ama, ofrojnë pikërisht të ardhurat dhe programin elastik që u duhet atyre që kanë si synim të vërtetë t’i shërbejnë Jehovait.​—2 Selanikasve 3:8.

19. Cila është rruga më e sigurt për të pasur një jetë të gëzuar e të kënaqshme?

19 «Ju djem të rinj e ju virgjëresha. . . . Le ta lëvdojnë emrin e Jehovait,​—lutet psalmisti,​—sepse veç emri i tij është aq i lartë sa s’arrihet dot. Lavdia e tij është përmbi tokën dhe qiellin.» (Psalmi 148:12, 13) Në krahasim me rangun e me shpërblimet që ofron bota, karriera në shërbimin e plotkohor ndaj Jehovait është pa dyshim rruga më e sigurt për të pasur një jetë të gëzuar e të kënaqshme. Mos e harroni këtë siguri që jep Bibla: «Bekimi i Jehovait të bën të pasur dhe ai nuk shton asnjë dhembje.»​—Proverbat 10:22.

[Shënimet]

^ par. 13 Disa tregime për njerëz që vlerësuan arsimin teokratik më shumë se arsimin e lartë, mund t’i gjesh në Kullën e Rojës, 1 maj 1982, faqet 3-6; 15 prill 1979, faqet 5-10; Zgjohuni!, 8 qershor 1978, faqja 15 dhe 8 gusht 1974, faqet 3-7, të gjitha në anglisht, si edhe Zgjohuni! 22 janar 2004 dhe 22 shtator 2003.

^ par. 17 Shih Zgjohuni!, 8 tetor 1998, me temë «Në kërkim të një jete të sigurt», faqet 4-6, si dhe 8 maj 1989, «Cilën karrierë duhet të zgjedh?», faqet 12-14, të dyja në anglisht.

A mund të shpjegoni?

• Ku e mbështetin të krishterët besimin e tyre për një të ardhme të sigurt?

• Çfarë sfidash hasin prindërit e krishterë lidhur me të ardhmen e fëmijëve të tyre?

• Çfarë duhet mbajtur parasysh kur llogarit koston e ndjekjes së arsimit të lartë?

• Çfarë mund të bëjnë prindërit, që fëmijët e tyre të zgjedhin karrierën në shërbim të Jehovait?

[Pyetjet]

[Kutia në faqen 29]

Cila është vlera e arsimit të lartë?

Shumica e atyre që regjistrohen në universitet, shpresojnë të marrin një diplomë që do t’u hapë dyert për një punë të sigurt e që paguhet mirë. Por, si tregojnë raportet zyrtare në SHBA, vetëm çereku i atyre që shkojnë në universitet, arrijnë të marrin diplomën brenda gjashtë vitesh​—një shifër vërtet shkurajuese. Veç kësaj, a u siguron kjo diplomë një punë të mirë? Ja ç’tregojnë disa studime e anketa të kohëve të fundit.

«Të shkosh në [universitetet] ‘Harvard’ ose në ‘Djuk’, nuk të garanton automatikisht një punë më të mirë me një pagë më të lartë. . . . Kompanitë nuk dinë shumë për kandidatët e rinj për një vend pune. Ndoshta do të bëjë përshtypje një diplomë nga një shkollë me emër (si diploma nga ‘Harvard’ ose ‘Jeil’). Por, më vonë, ajo që ka më shumë rëndësi për punëdhënësin, është çfarë di të bëjë e çfarë jo ai kandidat.»​—Newsweek, 1 nëntor 1999.

«Ndonëse sot një punë e zakonshme kërkon të kesh më shumë njohuri se ç’kërkohej në të kaluarën . . . , njohuritë për këto punë janë ato që mësohen në shkollën e mesme: matematika, leximi dhe gramatika që bëhen në vit të parë . . . , jo njohuritë e shkollës së lartë. . . . Nxënësit s’kanë pse të shkojnë në universitet për të gjetur një punë të mirë, por, ama, duhet të zotërojnë mirë lëndët e shkollës së mesme.»​—American Educator, pranverë 2004.

«Shumica e universiteteve kanë një shkëputje të madhe nga bota reale, sepse nuk i përgatitin studentët që të jenë në gjendje të punojnë pasi të kenë mbaruar shkollën e lartë. Shkollave profesionale . . . papritur, po u rritet popullariteti. Nga viti 1996 deri në vitin 2000, regjistrimi në këto shkolla u rrit me 48 për qind. . . . Kurse diplomave të kushtueshme dhe sfilitëse të universitetit u ka rënë vlera më tepër se kurrë.»​—Time, 24 janar 2005.

«Përllogaritjet e bëra nga Ministria Amerikane e Punës për vitin 2005, zbulojnë një tablo të zymtë: të paktën një e treta e gjithë studentëve të vitit të katërt të universitetit, nuk do të gjejnë punë sipas diplomës që do të marrin.»​—The Futurist, korrik-gusht 2000.

Duke pasur parasysh atë që u tha më lart, gjithnjë e më shumë arsimtarë po vënë vërtet në dyshim vlerën që ka sot arsimi i lartë. «Po i arsimojmë njerëzit për të ardhmen e gabuar»,​—thuhej me keqardhje në revistën Futurist. Ndryshe nga kjo, shikoni çfarë thotë Bibla për Perëndinë: «Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete, Ai që të vë të ecësh nëpër udhën nga duhet të shkosh. Ah, sikur t’u kushtoje vëmendje urdhërimeve të mia! Paqja jote do të ishte si lumë dhe drejtësia jote si valët e detit.»​—Isaia 48:17, 18.

[Figura në faqen 26]

Ata hoqën dorë nga aktivitetet e tyre dhe ndoqën Jezuin

[Figura në faqen 31]

Me mençuri, prindërit e krishterë u sigurojnë fëmijëve, që të vegjël, një mjedis të shëndetshëm frymor