Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kujdes të mos zhvilloni një zemër fodulle!

Kujdes të mos zhvilloni një zemër fodulle!

Kujdes të mos zhvilloni një zemër fodulle!

«Perëndia u kundërvihet fodullëve.»​—JAKOVI 4:6.

1. Jepni një shembull të ndjenjës së përshtatshme të krenarisë.

A TË ka ndodhur ndonjëherë që të ndihesh shumë krenar për diçka? Pjesa më e madhe e njerëzve e kanë provuar këtë ndjesi të këndshme. Të ndiesh njëfarë krenarie hera-herës, nuk është e gabuar. Për shembull, kur prindërit lexojnë dëftesën e shkollës së fëmijës së tyre dhe shohin sjelljen e mirë e notat e tij apo të saj, me siguri fytyra u ndrin nga kënaqësia për këto rezultate. Apostulli Pavël dhe shokët e tij krenoheshin me një kongregacion të ri që kishin ndihmuar për ta themeluar, pasi vëllezërit e atjeshëm po e përballonin me besnikëri përndjekjen.​—1 Selanikasve 1:1, 6; 2:19, 20; 2 Selanikasve 1:1, 4.

2. Pse në përgjithësi ndjenjat e krenarisë janë të dëmshme?

2 Nga shembujt e mësipërm, kuptojmë se krenaria mund të jetë një ndjenjë kënaqësie që vjen nga një punë ose nga një cilësi a aftësi që zotërojmë. Por, më shpesh, krenaria është pasqyrim i vlerësimit të tepruar të vetvetes, një ndjenjë epërsie që ka njeriu për shkak të sukseseve të tij, të pamjes së jashtme, të pasurisë ose të pozitës shoqërore. Zakonisht kjo lloj krenarie shfaqet me një arrogancë në sjellje, me një qëndrim fodull. S’ka diskutim që ne si të krishterë duhet të ruhemi nga kjo lloj krenarie. Përse? Sepse kemi trashëguar nga paraardhësi ynë, Adami, prirjen për të qenë egoistë. (Zanafilla 8:21) Si pasojë, zemra mund të na mashtrojë fare lehtë, e të ndihemi krenarë për arsyet e gabuara. Për shembull, të krishterët nuk duhet të ndihen krenarë për shkak të racës, pasurisë, arsimit, talenteve ose për shkak të aftësisë së tyre në punë në krahasim me të tjerët. Krenaria që lind nga këto gjëra është e gabuar dhe nuk i pëlqen Jehovait.​—Jeremia 9:23; Veprat 10:34, 35; 1 Korintasve 4:7; Galatasve 5:26; 6:3, 4.

3. Çfarë është fodullëku e çfarë tha Jezui për të?

3 Ka edhe një arsye tjetër se përse duhet ta shmangim krenarinë e papërshtatshme. Nëse lejojmë që të na lindë në zemër kjo krenari, mund të zhvillojmë një formë të përbuzshme të saj​—fodullëkun. Çfarë është fodullëku? Përveçse mbahet me të madh, një njeri fodull i sheh me përçmim të tjerët, pasi i konsideron më të ulët se veten. (Luka 18:9; Gjoni 7:47-49) Jezui e renditi ‘fodullëkun’ bashkë me tipare të tjera të këqija që dalin «nga zemra» dhe «e ndotin njeriun». (Marku 7:20-23) Prandaj, të krishterët e kuptojnë sa e domosdoshme është të kujdesen që të mos zhvillojnë një zemër fodulle.

4. Si të ndihmon shqyrtimi i shembujve biblikë të njerëzve fodullë?

4 Një ndihmë për të shmangur fodullëkun është të shqyrtosh disa tregime biblike për njerëz që ishin fodullë. Kështu do ta kesh më të lehtë t’i diktosh ndjenjat e papërshtatshme të krenarisë që mund të kesh brenda teje ose që mund të zhvillohen në të ardhmen. Kjo do të të ndihmojë të largosh mendimet ose ndjenjat që me kalimin e kohës mund ta bëjnë fodulle zemrën. Kështu, nuk do të pësosh gjë, kur Perëndia të veprojë në përputhje me paralajmërimin e tij: «Do të heq nga gjiri yt ata që gëzojnë gjithë fodullëk e ti nuk do të jesh më kurrë fodull në malin tim të shenjtë.»​—Sofonia 3:11.

Perëndia vepron kundër fodullëve

5, 6. Si tregoi fodullëk faraoni, por cilat ishin pasojat?

5 Mund ta kuptosh si e konsideron Jehovai fodullëkun edhe nga mënyra si veproi me sundimtarë të fuqishëm të tillë si faraoni. S’ka asnjë dyshim se faraoni e kishte zemrën fodulle. Ngaqë e konsideronte veten si një perëndi që të tjerët duhej ta adhuronin, ai i përbuzte skllevërit e tij, izraelitët. Shikoni si reagoi kur i kërkuan që t’i lejonte izraelitët të shkonin në shkretëtirë ‘për të kremtuar një festë’ për Jehovain. Me fodullëk, faraoni u përgjigj: «Kush është Jehovai, që u dashka t’i bindem zërit të tij, dhe ta lë Izraelin të shkojë?!»​—Dalja 5:1, 2.

6 Pasi faraoni kishte pësuar gjashtë plagë, Jehovai i tha Moisiut ta pyeste: «Ende sillesh me fodullëk me popullin tim, duke mos i lënë të ikin?» (Dalja 9:17) Pas kësaj, Moisiu njoftoi plagën e shtatë, një breshër që shkretoi vendin. Ndonëse pas plagës së dhjetë i la të lirë izraelitët të iknin, faraoni ndërroi mendje dhe iu vu pas. Përfundimisht, faraoni me ushtritë e tij ngecën në Detin e Kuq. Përfytyroni se çfarë duhet të kenë menduar ndërsa ujërat binin mbi ta! Ç’të mirë i solli faraonit fodullëku i tij? Trupat e tij të zgjedhura thanë: «T’ia mbathim para izraelitëve, sepse Jehovai po lufton për ta kundër nesh.»​—Dalja 14:25.

7. Si u treguan fodullë sundimtarët e Babilonisë?

7 Jehovai poshtëroi edhe sundimtarë të tjerë fodullë. Njëri prej tyre ishte Senakeribi, mbret i Asirisë. (Isaia 36:1-4, 20; 37:36-38) Më pas, Asiria u mund nga babilonasit, por edhe dy mbretër fodullë babilonas u poshtëruan. Sillni ndër mend gostinë që bëri mbreti Belshazar, gjatë së cilës ai dhe miqtë e tij pinë verë me enët që ishin marrë nga tempulli i Jehovait, ndërkohë që i thurnin lavde perëndive babilonase. Papritur, u shfaqën gishtat e dorës së një njeriu, që shkruan një mesazh mbi faqen e murit. Kur Belshazari i kërkoi profetit Daniel të shpjegonte shkrimin e mistershëm, ky i kujtoi: «Perëndia Më i Lartë e madhëroi Nabukodonosorin, atin tënd, i dha mbretërinë. . . . Por kur zemra e tij u bë fodulle . . . , e zbritën nga froni i mbretërisë dhe lavdia iu hoq. Ti, o Belshazar, biri i tij, nuk e përule zemrën, edhe pse e dije gjithë këtë.» (Danieli 5:3, 18, 20, 22) Po atë natë, ushtria medo-perse pushtoi Babiloninë dhe Belshazari u vra.​—Danieli 5:30, 31.

8. Si veproi Jehovai me disa njerëz fodullë?

8 Ose mendoni edhe për njerëz të tjerë fodullë, që përçmuan popullin e Jehovait: gjiganti filistin Goliadi, kryeministri pers Hamani dhe mbreti Herod Agripa, që sundonte në provincën e Judesë. Për shkak të fodullëkut të tyre, këta burra patën një vdekje poshtëruese nga dora e Perëndisë. (1 Samuelit 17:42-51; Estera 3:5, 6; 7:10; Veprat 12:1-3, 21-23) Mënyra si veproi Jehovai me këta njerëz fodullë, nxjerr në pah këtë të vërtetë: «Krenaria vjen para rrëzimit dhe fryma e fodullëkut para pengimit.» (Proverbat 16:18) Vërtet, s’ka asnjë dyshim se «Perëndia u kundërvihet fodullëve»!​—Jakovi 4:6.

9. Si u bënë tradhtarë mbretërit e Tirit?

9 Ndryshe nga sundimtarët fodullë të Egjiptit, Asirisë e Babilonisë, mbreti i Tirit në fillim i erdhi në ndihmë popullit të Perëndisë. Gjatë mbretërimit të Davidit e të Solomonit, ai u siguroi zejtarë të aftë, si dhe materiale për ndërtimin e shtëpive mbretërore dhe të tempullit të Perëndisë. (2 Samuelit 5:11; 2 Kronikave 2:11-16) Por, mjerisht, me kalimin e kohës mbretërit e Tirit u kthyen kundër popullit të Jehovait. Pse ndodhi kjo?​—Psalmi 83:3-7; Joeli 3:4-6; Amosi 1:9, 10.

«Zemra jote u bë fodulle»

10, 11. (a) Kush mund të krahasohet me mbretërit e Tirit? (b) Pse ndryshoi qëndrimi i Tirit ndaj Izraelit?

10 Jehovai e frymëzoi profetin Ezekiel që të demaskonte e të dënonte dinastinë e mbretërve të Tirit. Mesazhi që iu drejtua ‘mbretit të Tirit’ përmban shprehje të përshtatshme si për dinastinë e mbretërve të Tirit, ashtu edhe për tradhtarin e parë, Satanain, i cili «nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën». (Ezekieli 28:12; Gjoni 8:44) Në fillim Satanai ishte një krijesë frymore besnike, në organizatën e bijve qiellorë të Jehovait. Ja se çfarë shpjegoi Perëndia Jehova, nëpërmjet Ezekielit, si arsye kryesore të rebelimit të dinastisë së Tirit dhe të Satanait:

11 «Ti ishe në Eden, në kopshtin e Perëndisë, i mbuluar me lloj-lloj gurësh të çmuar. . . . Ti je kerubini mbrojtës i mirosur. . . . Ti ishe i patëmetë në udhët e tua, që nga dita kur u krijove e derisa te ti u gjet padrejtësi. Për shkak të bollëkut të mallrave të tua, u mbushe me dhunë dhe fillove të mëkatoje. Prandaj, unë . . . do të të shkatërroj . . . o kerubin mbrojtës. Nga bukuria që kishe, zemra jote u bë fodulle. Ti e rrënove mençurinë tënde për shkak të shkëlqimit tënd rrezatues.» (Ezekieli 28:13-17) Po, fodullëku i shtyu mbretërit e Tirit të silleshin mizorisht me popullin e Jehovait. Tiri u bë jashtë mase i pasur si qendër tregtare dhe i famshëm për prodhimet e bukura të tij. (Isaia 23:8, 9) Mbretërit e Tirit filluan të mbaheshin me të madh e prandaj nisën të shtypnin popullin e Perëndisë.

12. Si ndodhi që Satanai u bë tradhtar dhe çfarë ka vazhduar të bëjë ai?

12 Po njësoj, krijesa frymore që u bë Satana, në fillim kishte gjithë mençurinë që i duhej për të përmbushur caktimet që i jepte Perëndia. Por, në vend që të ishte mirënjohës, ai ‘u krekos’ dhe filloi të përçmonte mënyrën si sundonte Perëndia. (1 Timoteut 3:6) Mbahej kaq me të madh, saqë filloi të dëshironte adhurimin që mund t’i jepte Adami dhe Eva. Kjo dëshirë e ligë u bë pjellore dhe lindi mëkatin. (Jakovi 1:14, 15) Satanai e tundoi Evën, duke e bërë të hante nga fryti i së vetmes pemë që Perëndia e kishte ndaluar. Pastaj, Satanai e përdori Evën për ta shtyrë edhe Adamin që të hante frytin e ndaluar. (Zanafilla 3:1-6) Kështu, çifti i parë njerëzor nuk deshi që të sundonte Perëndia mbi ta dhe, në fakt, u bënë adhurues të Satanait. Por fodullëku i tij s’njeh kufi. Është orvatur t’i tundojë të gjitha krijesat me aftësi për të arsyetuar, në qiell e në tokë, përfshirë edhe Jezu Krishtin, që ta adhurojnë e të hedhin poshtë sovranitetin e Jehovait.​—Mateu 4:8-10; Zbulesa 12:3, 4, 9.

13. Çfarë ka sjellë si pasojë fodullëku?

13 Pra, është e qartë se fodullëku e ka origjinën nga Satanai dhe është shkaku kryesor i mëkatit, i vuajtjeve dhe i prishjes së botës së sotme. Satanai, duke qenë «perëndia i kësaj bote», vazhdon të nxitë te njerëzit ndjenja të papërshtatshme krenarie dhe fodullëku. (2 Korintasve 4:4) Ai e di se i ka mbetur vetëm një periudhë kohe e shkurtër, prandaj lufton kundër të krishterëve të vërtetë. Synimi i tij është që t’i largojë nga Perëndia, të dashurohen me veten, të bëhen mendjemëdhenj e fodullë. Bibla paratha se tipare të tilla egoiste do të ishin të zakonshme në këto ‘ditë të fundit’.​—2 Timoteut 3:1, 2; Zbulesa 12:12, 17.

14. Sipas cilit rregull vepron Jehovai me krijesat e tij që kanë aftësi për të arsyetuar?

14 Jezu Krishti, nga ana e tij, i demaskoi me guxim pasojat e këqija të shkaktuara nga fodullëku i Satanait. Të paktën në tri raste, e në prani të armiqve të tij që e mbanin veten për të drejtë, Jezui tregoi rregullin sipas të cilit vepron Jehovai me njerëzit: «Kushdo që e lartëson veten, do të përulet, dhe kushdo që e përul veten, do të lartësohet.»​—Luka 14:11; 18:14; Mateu 23:12.

Ruajeni zemrën nga fodullëku

15, 16. Si ndodhi që Agara u bë fodulle?

15 Ndoshta e keni vënë re se shembujt e fodullëkut që kemi trajtuar, kishin të bënin me njerëz të shquar. A do të thotë kjo se njerëzit e thjeshtë nuk mund të bëhen fodullë? Patjetër që jo. Shqyrtoni një ngjarje që ndodhi në shtëpinë e Abrahamit. Ky patriark s’kishte trashëgimtar dhe e shoqja, Sara, e kishte kaluar moshën kur mund të lindte fëmijë. Ishte e zakonshme që një burrë në situatën e Abrahamit të merrte një grua të dytë, për të pasur fëmijë. Perëndia i toleronte këto martesa, sepse ende s’kishte ardhur koha që ai të rivendoste normën fillestare të martesës, tek adhuruesit e vërtetë.​—Mateu 19:3-9.

16 Me nxitjen e së shoqes, Abrahami pranoi të kishte një trashëgimtar të mundshëm me anë të Agarës, shërbëtores egjiptiane të Sarës. Pasi Abrahami e mori si grua të dytë, Agara mbeti shtatzënë. Ajo duhej të kishte qenë shumë mirënjohëse për pozitën e nderuar që mori. Por, në vend të kësaj, lejoi që zemra t’i bëhej fodulle. Bibla tregon: «Kur e mori vesh se ishte shtatzënë, ajo nisi ta shihte me përbuzje të zonjën.» Ky qëndrim i saj shkaktoi kaq shumë konflikte në shtëpinë e Abrahamit, saqë Sara e dëboi Agarën. Por problemi s’ishte pa zgjidhje. Engjëlli i Perëndisë e këshilloi Agarën: «Kthehu te zonja jote dhe përulu nën dorën e saj.» (Zanafilla 16:4, 9) Me sa duket, Agara e ndoqi këtë këshillë, ndryshoi qëndrim kundrejt Sarës dhe u bë paraardhëse e një populli të madh.

17, 18. Pse që të gjithë kemi nevojë të ruhemi nga fodullëku?

17 Rasti i Agarës tregon se një njeri mund të bëhet fodull kur situata e tij në jetë ndryshon për mirë. Mësimi që nxjerrim është se edhe një i krishterë që i ka shërbyer Perëndisë me zemër të pastër, mund të bëhet fodull kur fiton pasuri ose autoritet. Ai mund ta zhvillojë këtë qëndrim edhe kur të tjerët e lavdërojnë për suksesin që ka, për mençurinë ose për aftësitë e tij. Po, i krishteri duhet të jetë vigjilent e të mos e lejojë në zemrën e tij fodullëkun. Kjo vlen sidomos kur arrin ndonjë sukses ose merr përgjegjësi të mëtejshme.

18 Arsyeja më e fortë për të shmangur fodullëkun është pikëpamja që ka Perëndia për këtë tipar. Në Fjalën e tij thuhet: «Sytë krenarë dhe zemra arrogante, që janë llamba e të ligjve, janë mëkate.» (Proverbat 21:4) Është interesante se Bibla paralajmëron, në veçanti, ata të krishterë «që janë të pasur në këtë botë» të mos jenë «kryelartë» ose ndryshe fodullë. (1 Timoteut 6:17; Ligji i përtërirë 8:11-17) Ndërsa të krishterët që s’janë të pasur duhet të mos kenë një «sy ziliqar» dhe duhet të mbajnë në mend se fodullëku mund të zhvillohet te kushdo, i pasur a i varfër qoftë.​—Marku 7:21-23; Jakovi 4:5.

19. Si e prishi Uziahu emrin e tij të mirë?

19 Fodullëku, bashkë me tiparet të tjera të këqija, mund të na prishin marrëdhënien e mirë që kemi me Jehovain. Mendoni, për shembull, për pjesën e parë të mbretërimit të Uziahut: «Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Jehovait. . . . U kujdes vazhdimisht që të kërkonte Perëndinë. . . . Për aq kohë sa e kërkoi Jehovain, Perëndia i vërtetë bëri që t’i shkonte mbarë.» (2 Kronikave 26:4, 5) Por, mjerisht, mbreti Uziah e prishi emrin e tij të mirë, sepse «zemra e tij u bë fodulle aq sa e rrënoi». Filloi të kishte një mendim kaq të lartë për veten, sa hyri në tempull për të djegur temjan. Kur priftërinjtë e paralajmëruan që të mos kryente këtë veprim arrogant, Uziahu «u tërbua». Si pasojë, Jehovai e goditi me lebër, e kështu vdiq pa pasur miratimin e Perëndisë.​—2 Kronikave 26:16-21.

20. (a) Si u rrezikua emri i mirë i mbretit Hezekia? (b) Çfarë do të shqyrtohet në artikullin vijues?

20 Mund ta krahasoni këtë me shembullin e mbretit Hezekia. Në një rast, emri i shkëlqyer i këtij mbreti u rrezikua, sepse «zemra e tij u bë fodulle». Mirëpo, «Hezekia e la fodullëkun e zemrës dhe u përul», duke rifituar miratimin e Perëndisë. (2 Kronikave 32:25, 26) Vini re se ilaçi për fodullëkun që kishte lindur në zemrën e Hezekisë, ishte përulësia. Po, përulësia është e kundërta e fodullëkut, prandaj, në artikullin vijues, do të shqyrtojmë si mund të zhvillojmë e të mbajmë përulësinë e krishterë.

21. Çfarë mund të presin të krishterët e përulur?

21 Por le të mos i harrojmë pasojat e këqija që kanë ardhur nga fodullëku. Meqë «Perëndia u kundërvihet fodullëve», le të jemi shumë të vendosur për të hequr nga zemra ndjenjat e krenarisë së papërshtatshme. Ndërsa përpiqemi të jemi të krishterë të përulur, mund të presim që të mbijetojmë në ditën e madhe të Perëndisë, kur njerëzit fodullë dhe gjërat që kanë bërë, do të zhduken nga toka. Atëherë «fodullëku i njeriut dhe kryelartësia e burrave do të marrë fund. Atë ditë do të lartësohet vetëm Jehovai».​—Isaia 2:17.

Pika për të medituar

• Si do ta përshkruanit një njeri fodull?

• Cila është origjina e fodullëkut?

• Si mund të bëhet dikush fodull?

• Pse duhet të ruhemi nga fodullëku?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 23]

Fodullëku i solli si pasojë poshtërimin faraonit

[Figura në faqen 24]

Ngaqë iu përmirësua jeta, Agara u bë fodulle

[Figura në faqen 25]

Hezekia u përul dhe rifitoi miratimin e Perëndisë