Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zhvilloni përulësinë e vërtetë

Zhvilloni përulësinë e vërtetë

Zhvilloni përulësinë e vërtetë

«Njerëzit e përulur do t’i shpëtosh.»​—2 SAMUELIT 22:28.

1, 2. Çfarë kanë pasur të përbashkët shumë sundimtarë të botës?

PIRAMIDAT e Egjiptit janë përmendore të njerëzve që kanë sunduar një herë e një kohë në këtë vend. Të tjerë që lanë gjurmë në histori ishin Senakeribi i Asirisë, Aleksandri i Madh i Greqisë dhe Jul Cezari i Romës. Që të gjithë këta sundimtarë kishin një gjë të përbashkët: historia nuk i përmend si njerëz vërtet të përulur.​—Mateu 20:25, 26.

2 E përfytyroni dot ndonjërin nga ata sundimtarë që ta kishte si zakon të dilte nëpër mbretërinë e tij e të kërkonte nënshtetasit e përvuajtur, të cilët kishin nevojë për ngushëllim? As që bëhet fjalë! Po ashtu, nuk e përfytyrojmë dot që ata të shkonin nëpër banesat e thjeshta të shtetasve të dërrmuar shpirtërisht, për t’u dhënë zemër. Sa ndryshon qëndrimi i tyre ndaj njerëzve të tjerë të përvuajtur, nga qëndrimi që ka Sundimtari Suprem i universit, Perëndia Jehova!

Shembulli më i madh i përulësisë

3. Si i trajton Sundimtari Suprem nënshtetasit e tij njerëzorë?

3 Jehovai është më i madh e më i lartë se kushdo tjetër, e megjithatë «sytë [e tij] enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër». (2 Kronikave 16:9) Dhe çfarë bën Jehovai kur gjen adhurues të përvuajtur, të cilët janë të dërrmuar shpirtërisht, për shkak të sprovave të ndryshme? Në njëfarë kuptimi, ai ‘banon’ me ta, me anë të frymës së tij të shenjtë, ‘që të rigjallërojë frymën e të përvuajturve dhe zemrën e të dërrmuarve’. (Isaia 57:15) Kështu, pasi të jenë rigjallëruar, adhuruesit e tij mund të rifillojnë t’i shërbejnë me gëzim. Çfarë përulësie nga ana e Perëndisë!

4, 5. (a) Çfarë mendonte psalmisti për mënyrën si sundon Perëndia? (b) Çfarë do të thotë që Perëndia «përkulet» për të ndihmuar «të përvuajturin»?

4 Askush tjetër në univers s’e ka përulur veten aq sa Zotëria Sovran, për të ndihmuar njerëzit mëkatarë. Psalmisti shkroi: «Jehovai është lartësuar mbi të gjitha kombet. Lavdia e tij është mbi qiejt. Kush është si Jehovai, Perëndia ynë, që banon atje lart? Ai përkulet për të parë në qiell dhe në tokë, dhe e ngre të përvuajturin nga pluhuri. Ai e merr të varfrin nga gropa e hirit dhe e larton.»​—Psalmi 113:4-7.

5 Jehovai është i pastër e i shenjtë, prandaj tek ai s’ekziston fare ‘fodullëku’. (Marku 7:22, 23) Fjala «përkulet» mund të ketë kuptimin që të pranosh të kesh të bësh me dikë që qëndron në një shkallë më të ulët, të sillesh i afërt e i thjeshtë me ta. Sa bukur e përcjell Psalmi 113:6 imazhin e Perëndisë tonë të përulur, që u kushton vëmendje nevojave të adhuruesve të tij të papërsosur njerëzorë!​—2 Samuelit 22:36.

Pse ishte i përulur Jezui?

6. Cili ishte akti më i madh i përulësisë nga ana e Jehovait?

6 Akti më i madh i përulësisë dhe i dashurisë së Perëndisë ishte dërgimi i Birit të tij të dashur të parëlindur që të lindte në tokë e të rritej si njeri, për të shpëtuar njerëzimin. (Gjoni 3:16) Jezui na mësoi të vërtetën për Atin e tij qiellor dhe pastaj dha jetën e tij të përsosur njerëzore, për të hequr «mëkatin e botës». (Gjoni 1:29; 18:37) Duke pasqyruar në mënyrë të përkryer personalitetin e Atit të tij, ku përfshihej edhe cilësia e përulësisë, Jezui ishte i gatshëm të bënte ç’t’i kërkonte Perëndia. Ky ishte shembulli më i madh i përulësisë dhe i dashurisë që ka treguar ndonjë krijesë e Perëndisë. Jo të gjithë e shihnin me sy të mirë përulësinë e Jezuit, madje armiqtë e tij e konsideronin «më të përvuajturin e njerëzve». (Danieli 4:17) Gjithsesi, apostulli Pavël e kuptoi se bashkëbesimtarët e tij duhej të imitonin Jezuin e të ishin të përulur në marrëdhëniet me njëri-tjetrin.​—1 Korintasve 11:1; Filipianëve 2:3, 4.

7, 8. (a) Si mësoi të ishte i përulur Jezui? (b) Cilën thirrje u bën Jezui atyre që duan të jenë dishepuj të tij?

7 Pavli e theksoi shembullin e jashtëzakonshëm të Jezuit me këto fjalë: «Mbani po atë qëndrim mendor që kishte edhe Krishti Jezu, i cili, edhe pse ishte në formë Perëndie, as që e çoi nëpër mend të bënte ndonjë rrëmbim, domethënë, të ishte i barabartë me Perëndinë. Jo, përkundrazi e zbrazi veten dhe mori formë skllavi, duke u bërë ngjashëm njerëzve. Për më tepër, kur u gjend në trajtë njeriu, ai e përuli veten dhe u bind madje deri në vdekje, po, vdekje në një shtyllë torture.»​—Filipianëve 2:5-8.

8 Disa mund të pyesin: ‘Si mësoi Jezui të ishte i përulur?’ Për të ishte privilegj i mrekullueshëm që pati mundësinë të shoqërohej nga afër me Atin e tij qiellor për miliarda e miliarda vjet, gjatë të cilave shërbeu si ‘kryemjeshtri’ i Perëndisë për krijimin e gjithçkaje. (Proverbat 8:30) Pas rebelimit në Eden, i Parëlinduri i Perëndisë e pa vetë se me sa përulësi sillej Ati i tij me njerëzit mëkatarë. Rrjedhimisht, kur ishte në tokë, Jezui pasqyroi përulësinë e Atit dhe bëri këtë thirrje: «Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam me natyrë të butë e i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni freskim për shpirtin.»​—Mateu 11:29; Gjoni 14:9.

9. (a) Ç’gjë kaq të veçantë shihte Jezui te fëmijët? (b) Cilin mësim dha Jezui, duke përdorur si shembull një fëmijë?

9 Ngaqë Jezui ishte vërtet i përulur, fëmijët e vegjël nuk druheshin prej tij, por i afroheshin pa ngurrim. Dhe ai tregonte përzemërsi për fëmijët dhe u kushtonte vëmendje. (Marku 10:13-16) Ç’gjë kaq të veçantë shihte Jezui te fëmijët? Me siguri, ata kishin disa cilësi të dëshirueshme që dishepujt e tij të rritur nuk i shfaqnin gjithnjë. Është normale që fëmijët i shohin të rriturit si më të lartë se veten. Kjo duket nga pyetjet e shumta që u bëjnë. Po, në krahasim me shumë të rritur, fëmijët janë më të gatshëm për të mësuar dhe s’para janë krenarë. Në një rast, Jezui veçoi një fëmijë dhe u tha ithtarëve të vet: «Po të mos ktheheni e të bëheni si fëmijë të vegjël, nuk do të hyni kurrë në mbretërinë e qiejve.» Pastaj vazhdoi: «Kushdo që përulet dhe bëhet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve.» (Mateu 18:3, 4) Jezui tha këtë rregull: «Kushdo që e lartëson veten, do të përulet, dhe kushdo që e përul veten, do të lartësohet.»​—Luka 14:11; 18:14; Mateu 23:12.

10. Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

10 Kjo e vërtetë bën të lindin disa pyetje të rëndësishme. Ne e dimë që, pjesërisht, mundësia jonë për të fituar jetën e përhershme varet nga shfaqja e përulësisë së vërtetë. Por, përse disa herë të krishterët e kanë të vështirë të jenë të përulur? Pse e kemi kaq të vështirë të mposhtim krenarinë dhe të tregohemi të përulur kur jemi përballë sprovave? Dhe çfarë do të na ndihmojë që të arrijmë të zhvillojmë përulësinë e vërtetë?​—Jakovi 4:6, 10.

Pse është e vështirë të jesh i përulur?

11. Pse nuk është çudi që e kemi të vështirë të jemi të përulur?

11 Në qoftë se po lufton për të shfaqur përulësi, duhet të dish që nuk je vetëm. Në vitin 1920, kjo revistë shtjellonte këshillën e Jezuit për të qenë të përulur, dhe komentonte: «Meqë e kuptojmë sa e vlerëson Zotëria përulësinë, kjo duhet t’i nxitë të gjithë dishepujt e vërtetë që ta zhvillojnë nga dita në ditë këtë cilësi.» Por, pastaj pranohej hapur: «Pavarësisht nga gjithë këto këshilla në Shkrime, ligësia e natyrës njerëzore duket se është kaq e madhe, sa ata që bëhen dishepuj të Zotërisë dhe fillojnë të vrapojnë në këtë mënyrë, me sa duket e kanë më të vështirë dhe duhet të luftojnë më shumë në këtë pikë, se në çdo pikë tjetër.» Këto fjalë theksojnë një arsye pse të krishterët duhet të luftojnë për të shfaqur përulësi: natyra njerëzore mëkatare është e etur për të marrë lavdi. Kjo sepse jemi pasardhës të një çifti mëkatar, Adamit dhe Evës, të cilët iu dorëzuan dëshirave egoiste.​—Romakëve 5:12.

12, 13. (a) Si bëhet pengesë bota për të shfaqur përulësinë e krishterë? (b) Kush na e bën edhe më të vështirë luftën tonë për të zhvilluar përulësinë?

12 Një arsye tjetër pse mund ta kemi të vështirë të shfaqim përulësi, është se rrethohemi nga një botë që i nxit njerëzit të përpiqen të jenë më lart se të tjerët. Një ndër synimet e zakonshme të kësaj bote është etja për të kënaqur «dëshirat e mishit [mëkatar], dëshirat e syve dhe kapardisja për t’u dukur me të mirat materiale». (1 Gjonit 2:16) Por dishepujt e Jezuit, në vend që t’u nënshtrohen këtyre dëshirave të botës, duhet ta mbajnë syrin të thjeshtë dhe të përqendrohen për të bërë vullnetin e Perëndisë.​—Mateu 6:22-24, 31-33; 1 Gjonit 2:17.

13 Një arsye e tretë pse e kemi të vështirë të zhvillojmë e të shfaqim përulësi, është se këtë botë e sundon nismëtari i fodullëkut, Satana Djalli. (2 Korintasve 4:4; 1 Timoteut 3:6) Satanai bën çmos që njerëzit të shfaqin tiparet e tij të liga. Për shembull, ai i kërkoi Jezuit që ta adhuronte, dhe në këmbim do t’i jepte «të gjitha mbretëritë e botës e lavdinë e tyre». Por Jezui, që ishte gjithnjë i përulur, e refuzoi prerazi këtë propozim të Djallit. (Mateu 4:8, 10) Në mënyrë të ngjashme, Satanai i tundon të krishterët që të kërkojnë lavdi për veten e tyre. Por të krishterët e përulur përpiqen të ndjekin shembullin e Jezuit dhe ia drejtojnë Perëndisë nderimin e lavdinë.​—Marku 10:17, 18.

Të zhvillojmë e të shfaqim përulësi të vërtetë

14. Çfarë është ‘përulësia e shtirur’?

14 Në letrën drejtuar kolosianëve, apostulli Pavël paralajmëroi kundër shfaqjes së përulësisë sa për sy e faqe, për t’u bërë përshtypje njerëzve. Pavli e përshkroi këtë si «përulësi të shtirur». Ata që vetëm sa hiqen sikur janë të përulur, nuk janë të pjekur frymësisht. Jo, përkundrazi, tregojnë se në të vërtetë janë ‘të krekosur’. (Kolosianëve 2:18, 23) Jezui përmendi disa shembuj të kësaj përulësie të rremë. Ai i dënoi farisenjtë që i bënin lutjet sa për t’u dukur dhe që agjëronin me fytyrë të ngrysur e të shfytyruar, për t’u vënë re nga njerëzit. Në dallim nga ata, lutjet që i bëjmë personalisht Perëndisë, mund të kenë vlerë para tij vetëm nëse i themi me përulësi.​—Mateu 6:5, 6, 16.

15. (a) Çfarë mund të bëjmë për të mbetur të përulur në mendje? (b) Cilët janë disa shembuj të mirë përulësie?

15 Duke u përqendruar te shembujt më të mirë të përulësisë, që janë Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti, të krishterët kanë mundësi të mbeten vërtet të përulur në mendje. Kjo përfshin të studiojnë rregullisht Biblën dhe botimet ndihmëse për studimin e Biblës, të siguruara nga «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mateu 24:45) Ky studim është me rëndësi parësore për mbikëqyrësit e krishterë, «që zemra të mos [u] lartësohet mbi vëllezërit». (Ligji i përtërirë 17:19, 20; 1 Pjetrit 5:1-3) Medito për shembujt e shumtë të atyre që u bekuan ngaqë ishin të përulur, si Rutha, Hana, Elizabeta e shumë të tjerë. (Rutha 1:16, 17; 1 Samuelit 1:11, 20; Luka 1:41-43) Mendo edhe për gjithë ata shembuj të shkëlqyer të burrave të shquar, të cilët qëndruan të përulur në shërbim të Jehovait, si Davidi, Josia, Gjon Pagëzori dhe apostulli Pavël. (2 Kronikave 34:1, 2, 19, 26-28; Psalmi 131:1; Gjoni 1:26, 27; 3:26-30; Veprat 21:20-26; 1 Korintasve 15:9) Pastaj kemi edhe shembujt e shumtë të përulësisë në ditët e sotme, që gjejmë në kongregacionin e krishterë. Duke medituar për këta shembuj, të krishterët e vërtetë do të arrijnë të kenë «përulësi mendjeje ndaj njëri-tjetrit».​—1 Pjetrit 5:5.

16. Si na ndihmon shërbimi i krishterë që të jemi të përulur?

16 Edhe pjesëmarrja e rregullt në shërbimin e krishterë na ndihmon të mbetemi të përulur. Përulësia e mendjes na bën të efektshëm kur flasim me të panjohurit që mund të gjejmë shtëpi më shtëpi e në vende të tjera. Kjo vlen sidomos kur, fillimisht, të zotët e shtëpisë i përgjigjen me apati ose me ashpërsi mesazhit të Mbretërisë. Bindjet tona i vënë shpesh në dyshim, dhe përulësia mund ta ndihmojë një të krishterë që të vazhdojë t’u përgjigjet pyetjeve «me frymë butësie dhe me respekt të thellë». (1 Pjetrit 3:15) Shërbëtorë të përulur të Perëndisë janë transferuar në territore të reja dhe kanë ndihmuar njerëz me kultura të ndryshme dhe nivele të ndryshme jetese. Shërbëtorë të tillë, me përulësi, marrin përsipër sfidën për të mësuar një gjuhë tjetër, që t’u shërbejnë më mirë atyre të cilëve duan t’u japin lajmin e mirë. Sa e lavdërueshme është kjo!​—Mateu 28:19, 20.

17. Cilat përgjegjësi të krishtere kërkojnë përulësi?

17 Me përulësi, shumë veta i kanë përmbushur detyrat e tyre të krishtere duke vënë interesat e të tjerëve para interesave vetjake. Për shembull, duhet përulësi që një baba i krishterë të heqë kohë nga gjërat e tij, për t’u përgatitur e për të drejtuar një studim biblik të efektshëm me fëmijët e vet. Përulësia ndihmon edhe fëmijët që të nderojnë prindërit e t’u binden, pavarësisht se këta janë të papërsosur. (Efesianëve 6:1-4) Gratë që i kanë burrat jobesimtarë, shpesh ndeshen me situata që u kërkojnë përulësi, ndërsa përpiqen t’i fitojnë bashkëshortët me «sjelljen [e tyre] të dëlirë bashkë me respekt të thellë». (1 Pjetrit 3:1, 2) Përulësia dhe dashuria vetëmohuese janë po ashtu të dobishme kur kujdesemi me përzemërsi për prindërit e sëmurë e të moshuar.​—1 Timoteut 5:4.

Përulësia zgjidh problemet

18. Si na ndihmon përulësia që të zgjidhim problemet?

18 Të gjithë shërbëtorët njerëzorë të Perëndisë janë të papërsosur. (Jakovi 3:2) Nganjëherë mes dy të krishterëve mund të lindin fërkime ose keqkuptime. Njëri mund të ketë vërtet shkak për t’u ankuar kundër tjetrit. Zakonisht këto situata mund të rregullohen duke zbatuar këtë këshillë: «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, edhe nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri. Ashtu si Jehovai ju fali bujarisht, po kështu bëni edhe ju.» (Kolosianëve 3:13) Vërtet që kjo këshillë nuk është e lehtë të ndiqet, por përulësia të ndihmon ta zbatosh atë.

19. Çfarë duhet të mbajmë në mend, kur flasim me dikë që mund të na ketë fyer?

19 Nganjëherë, një i krishterë mund të mendojë se shkaku që ka ai për t’u ankuar është shumë i madh, nuk e kapërcen dot. Atëherë, përulësia do ta ndihmojë që të shkojë tek individi që mendon se e ka fyer, me synimin për të rivendosur paqen. (Mateu 18:15) Një arsye pse disa herë problemet mes të krishterëve vazhdojnë për shumë kohë, është që ndoshta njëri apo të dy janë tepër krenarë dhe nuk pranojnë se e kanë gabim. Ose ai që merr iniciativën dhe shkon i pari tek individi tjetër, mund ta bëjë këtë me një qëndrim kritik, për ta nxjerrë veten të drejtë. Ndryshe nga kjo, një qëndrim vërtet i përulur do të ndihmojë shumë për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

20, 21. Cila është një ndihmë shumë e madhe për të qenë të përulur?

20 Një hap i rëndësishëm për të zhvilluar përulësinë, është t’i lutemi Perëndisë për ndihmë e për frymën e tij. Por, mos harroni se «Perëndia . . . u jep dashamirësi të pamerituar [si dhe frymën e tij të shenjtë] të përulurve». (Jakovi 4:6) Pra, nëse keni ndonjë mosmarrëveshje me një bashkëbesimtar, lutjuni Jehovait që t’ju ndihmojë ta pranoni me përulësi pjesën tuaj të fajit, e madhe a e vogël qoftë. Nëse jeni lënduar dhe ai që ju ka lënduar ju thotë sinqerisht «më fal», atëherë faleni me përulësi. Po ta keni të vështirë, lutjuni Jehovait për ndihmë që të hiqni nga zemra juaj ndonjë gjurmë fodullëku që mund të ketë mbetur ende.

21 Kur kuptojmë dobitë e shumta që vijnë nga përulësia, duhet të ndihemi të nxitur për ta zhvilluar e për ta mbajtur këtë cilësi të vyer. Sa shembuj të shkëlqyer janë në këtë drejtim Perëndia Jehova dhe Jezu Krishti! Mos e harroni kurrë sigurinë që jepet në Bibël: «Fryti i përulësisë dhe frika nga Jehovai është pasuri, lavdi dhe jetë.»​—Proverbat 22:4.

Pika për të medituar

• Cilët janë shembujt më të mirë të përulësisë?

• Pse është e vështirë ta zhvillojmë përulësinë?

• Çfarë mund të na ndihmojë të jemi të përulur?

• Pse është shumë e rëndësishme të mbetemi të përulur?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 26]

Jezui ishte vërtet i përulur

[Figura në faqen 28]

Bota i nxit njerëzit që të përpiqen të jenë më lart se të tjerët

[Burimi]

Fotografi e OBSH-së nga L. Almasi/K. Hemzǒ

[Figura në faqen 29]

Përulësia na ndihmon kur flasim me të panjohur në shërbim

[Figurat në faqen 30]

Shpesh mosmarrëveshjet mund të zgjidhen, nëse ne, me përulësi, e mbulojmë çështjen me dashuri

[Figurat në faqen 31]

Ka shumë mënyra se si të krishterët tregojnë përulësi