Jehovai është Bariu ynë
Jehovai është Bariu ynë
«Jehovai është Bariu im. Nuk do të më mungojë asgjë.»—Psalmi 23:1.
1-3. Pse nuk është për t’u habitur që Davidi e krahasoi Jehovain me një bari?
SI DO ta përshkruaje mënyrën se si kujdeset Jehovai për popullin e tij, po të të pyesnin? Çfarë krahasimi do të bëje për të përcjellë kujdesin e butë që tregon ai për shërbëtorët e tij besnikë? Më shumë se 3.000 vjet më parë, mbreti David bëri një përshkrim të bukur për Jehovain në një psalm, duke përdorur një krahasim nga puna që kishte bërë vetë kur ishte i ri.
2 Në fëmijërinë e tij, Davidi kishte qenë bari, prandaj e dinte se ç’kujdes u kushtohej deleve. E dinte mirë se delet, po t’i lësh vetëm, humbasin me lehtësi dhe bëhen pre e grabitësve ose e kafshëve të egra. (1 Samuelit 17:34-36) Po të mos kenë një bari që kujdeset, delet mund të mos gjejnë dot kullota me bar për të ngrënë. Pa dyshim që, në vitet e mëvonshme, Davidi i kujtonte me mall orët e gjata që kishte kaluar duke u prirë deleve të tij, duke i mbrojtur e duke i ushqyer.
3 Nuk është për t’u habitur që Davidit i erdhi në mend puna e bariut, kur u frymëzua të përshkruante kujdesin që tregon Jehovai për popullin e vet. Psalmi 23, i shkruar nga Davidi, fillon me këto fjalë: «Jehovai është Bariu im. Nuk do të më mungojë asgjë.» Le të shqyrtojmë pse janë me vend këto fjalë. Pastaj, duke u bazuar te Psalmi 23, do të shohim se si kujdeset Jehovai për adhuruesit e tij, ashtu si një bari që kujdeset për delet.—1 Pjetrit 2:25.
Krahasim me vend
4, 5. Si i përshkruan Bibla tiparet e deleve?
4 Në Shkrime ka shumë tituj për Jehovain, por titulli «Bari» është ndër më të përzemërtit. (Psalmi 80:1) Për të kuptuar më mirë pse Jehovai quhet në mënyrë të përshtatshme Bari, duhet të dimë dy gjëra: së pari, natyrën e deleve e, së dyti, punën dhe cilësitë e një bariu të mirë.
5 Shpesh në Bibël gjejmë përshkrime të tipareve që kanë delet: ato i përgjigjen menjëherë përzemërsisë së bariut (2 Samuelit 12:3), s’janë agresive (Isaia 53:7) dhe janë të pambrojtura. (Mikea 5:8) Një shkrimtar, që kishte mbajtur vetë dele për disa vjet, komentoi: «Delet nuk ‘kujdesen vetë për veten e tyre’, siç mund të mendojnë disa. Ato, më tepër se çdo kategori tjetër bagëtie, duan vëmendje të vazhdueshme dhe një mijë përkujdesje.» Për të mbijetuar, këto krijesa të pambrojtura kanë nevojë për një bari të kujdesshëm.—Ezekieli 34:5.
6. Si e shpjegon një fjalor biblik një ditë të zakonshme pune në kohët e lashta për një bari?
6 Si ishte në kohët e lashta një ditë e zakonshme pune për një bari? Një fjalor biblik shpjegon: «Herët në mëngjes ai e nxirrte tufën nga vatha, vihej në krye të tyre dhe u printe për te kullotat. Aty, i ruante gjithë ditën, duke bërë kujdes që të mos i largohej ndonjë dele, e nëse ndonjëra i humbte nga sytë për ca kohë dhe largohej nga tufa, e kërkonte me zell derisa ta gjente dhe ta sillte prapë. . . . Në mbrëmje i sillte përsëri në vathë dhe i numëronte ndërsa ato kalonin nën bastunin e tij një nga një, për t’u siguruar se s’mungonte asnjëra. . . . Shpesh duhej ta ruante vathën në orët e natës, se mos sulmonin kafshë të egra ose mos përpiqeshin t’ia vidhnin.» *
7. Pse nganjëherë një bari duhej të tregonte edhe më tepër durim e butësi?
7 Kishte raste kur delet—sidomos ato që ishin barrsë dhe të vegjlit e tyre—kishin nevojë edhe për më tepër durim e butësi. (Zanafilla 33:13) Një vepër biblike referimi thotë: «Në një kope, shpesh lindja e qengjave ndodh larg, rrëzë malit. Me shumë vëmendje, bariu e ruan delen nënë gjatë çasteve të lindjes dhe pastaj e merr qengjin dhe e çon në vathë. Më pas, për disa ditë, derisa qengji të ecë me këmbët e veta, bariu mund ta mbajë në krahë ose ta vendosë në palët e gjera të rrobës së tij.» (Isaia 40:10, 11) Është e qartë se një bari i mirë duhej të kishte edhe karakter të fortë, edhe natyrë të butë.
8. Cilat arsye citon Davidi, për sigurinë që ka te Jehovai?
8 «Jehovai është Bariu im.» A nuk është ky një përshkrim me vend për Atin tonë qiellor? Ndërsa analizojmë Psalmin 23, do të shohim se si kujdeset Perëndia për ne, me forcën dhe me butësinë e një bariu. Në vargun e parë, Davidi shpreh sigurinë se Perëndia do t’u sigurojë çdo gjë të nevojshme deleve të Tij, që atyre ‘të mos u mungojë asgjë’. Në vargjet më pas, Davidi citon tri arsye për këtë siguri: Jehovai u prin deleve të Tij, i mbron dhe i ushqen. Le t’i trajtojmë një nga një secilën nga këto.
Ai «më prin»
9. Cilën skenë paqësore përshkruan Davidi, dhe si do të arrinin ta gjenin delet këtë vend?
9 Së pari, Jehovai i prin ose e udhëheq popullin e tij. Davidi shkruan: «Ai më çon të shtrihem në livadhe plot bar, më çon të prehem në vende të ujitura mirë, dhe ma freskon shpirtin. Për hir të emrit të tij, më prin nëpër shtigjet e drejtësisë.» (Psalmi 23:2, 3) Përfytyroni një kope me dele që prehet e qetë në mes të bollëkut. Davidi këtu paraqet një skenë kënaqësie, freskie dhe sigurie. Fjala hebraike e përkthyer «livadhe» mund të ketë edhe kuptimin «vend i këndshëm». Me siguri, delet nuk do ta gjenin dot vetë një vend të tillë të këndshëm ku të rrinin të qeta. Për në këto ‘vende të këndshme’, duhet t’u prijë bariu i tyre.
10. Si e tregon Perëndia besimin që ka te ne?
10 Si na prin sot Jehovai? Një mënyrë është me anë të shembullit të tij. Fjala e tij na nxit ‘të bëhemi imitues të Perëndisë’. (Efesianëve 5:1) Në kontekst, aty përmendet dhembshuria, falja dhe dashuria. (Efesianëve 4:32; 5:2) Sigurisht, Jehovai lë shembullin më të mirë në shfaqjen e këtyre cilësive të dëshirueshme. A po tregohet jorealist ai, duke na kërkuar ta imitojmë? Jo. Faktikisht, kjo këshillë e frymëzuar është një shprehje e mrekullueshme e besimit që ka ai te ne. Pse e themi këtë? Ne jemi bërë sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, dhe kjo do të thotë se jemi pajisur me cilësi morale dhe me aftësinë për të zhvilluar karakterin frymor. (Zanafilla 1:26) Pra, Jehovai e di se, pavarësisht nga papërsosmëria, ne kemi brenda vetes potencialin për të zhvilluar të njëjtat cilësi që shfaq ai. Mendoni për këtë: Perëndia ynë i dashur është i sigurt se ne mund të jemi si ai. Po të ndjekim shembullin e tij, në kuptimin e figurshëm, ai do të na prijë në një ‘vend të këndshëm’. Në mes të kësaj bote të dhunshme, ‘do të rrimë në siguri’, duke pasur paqen që vjen ngaqë e dimë se kemi miratimin e Perëndisë.—Psalmi 4:8, Kristoforidhi; 29:11.
11. Çfarë mban parasysh Jehovai ndërsa u prin deleve të tij, dhe si pasqyrohet kjo në atë që kërkon prej nesh?
11 Jehovai është i butë dhe i durueshëm ndërsa na prin. Bariu i mban parasysh kufizimet e deleve të tij, prandaj i prin «sipas hapit të bagëtisë». (Zanafilla 33:14) Po ashtu, edhe Jehovai u prin deleve të tij «sipas hapit» të tyre. Ai mban parasysh aftësitë dhe rrethanat tona. Madje e përshtat hapin, duke mos kërkuar asnjëherë më tepër nga sa mund të japim. Ajo që kërkon prej nesh, është që t’i bëjmë gjërat me gjithë shpirt. (Kolosianëve 3:23) Po nëse je i moshuar e s’bën dot aq sa më parë? Ose në qoftë se ke një sëmundje të rëndë, që të kufizon? Pikërisht këtu qëndron e bukura e kërkesës që t’i bëjmë gjërat me gjithë shpirt. Nuk ka dy shpirt, pra dy njerëz, që të jenë njësoj. Të shërbesh me gjithë shpirt do të thotë të përdorësh në shërbim të Perëndisë gjithë forcën dhe energjinë tënde, në masën më të plotë të mundshme për ty. Pavarësisht nga dobësitë që mund të na e ngadalësojnë hapin, Jehovai vlerëson adhurimin që i bëjmë me gjithë zemër.—Marku 12:29, 30.
12. Cili shembull në Ligjin e Moisiut ilustron se Jehovai u prin deleve të tij «sipas hapit» të tyre?
12 Për të ilustruar pohimin se Jehovai u prin deleve të tij «sipas hapit» të tyre, shqyrtoni çfarë thuhet në Ligjin e Moisiut lidhur me blatimet për fajin. Jehovai dëshironte blatime të mira që jepeshin nga një zemër mirënjohëse. Por, në të njëjtën kohë, blatimet ishin të llojeve të ndryshme, në varësi të mundësive të atij që i paraqiste. Në Ligj thuhej: «Nëse nuk i ka mundësitë të sjellë një kafshë nga bagëtia e imët, do të sjellë . . . dy turtuj ose dy zogj pëllumbash.» E po të mos i kishte mundësitë as për këto? Atëherë mund të sillte ca «majë mielli». (Levitiku 5:7, 11) Kjo tregon se Perëndia nuk kërkonte diçka që ishte përtej mundësive të atij që i paraqiste blatimin. Meqë Perëndia nuk ndryshon, gjejmë ngushëllim duke ditur se nuk kërkon asnjëherë më tepër nga sa mund të japim, po përkundrazi, pranon me kënaqësi atë që kemi në dorë për t’i dhënë. (Malakia 3:6) Është kënaqësi e vërtetë të na prijë një Bari që mendon kaq shumë për ne!
«Nuk kam frikë nga asgjë e keqe, sepse ti je me mua»
13. Si flet në mënyrë më të afërt Davidi te Psalmi 23:4, e pse nuk është çudi kjo?
13 Davidi jep një arsye të dytë pse është kaq i sigurt: Jehovai i mbron delet e tij. Lexojmë: «Edhe sikur të eci nëpër luginën e territ, nuk do të kem frikë nga asgjë e keqe, sepse ti je me mua. Shkopi yt dhe thupra jote më ngushëllojnë.» (Psalmi 23:4) Në këto vargje Davidi flet në mënyrë më të afërt, duke iu drejtuar Jehovait me përemrin «ti». Kjo s’është çudi, sepse ai po tregon si e ndihmoi Perëndia të duronte vështirësitë. Davidi kishte ecur nëpër shumë lugina të errëta, domethënë kishte kaluar periudha kur jeta e tij ishte vërtet në rrezik. Por nuk e kishte lënë frikën që ta mbyste, sepse e ndiente se Perëndia ishte me të, me ‘shkopin’ dhe ‘thuprën’ e Tij gati për ta përdorur. Kjo vetëdije se Jehovai e mbronte, e ngushëllonte Davidin dhe, pa dyshim, e afronte edhe më shumë me të. *
14. Çfarë sigurie na jep Bibla lidhur me mbrojtjen e Jehovait, por çfarë nuk do të thotë kjo?
14 Si i mbron Jehovai sot delet e tij? Bibla na siguron se asnjë kundërshtar, demon a njeri qoftë, nuk do të ketë kurrë sukses për t’i zhdukur nga toka delet e Perëndisë. Jehovai nuk do ta lejonte kurrë këtë. (Isaia 54:17; 2 Pjetrit 2:9) Megjithatë, kjo nuk do të thotë se Bariu ynë do të na vërë ndonjë mur mbrojtës për të na ruajtur nga të gjitha gjëmat. Ne kalojmë vështirësitë që janë të zakonshme për të gjithë njerëzit dhe hasim kundërshtimin që kanë të gjithë të krishterët e vërtetë. (2 Timoteut 3:12; Jakovi 1:2) Ka raste kur, në kuptimin e figurshëm, mund të themi se ‘po ecim në luginën e territ’. Për shembull, mund të na rrezikohet jeta për shkak të përndjekjes a të ndonjë problemi të rëndë shëndetësor. Ose ndoshta një i afërmi a miku ynë rrezikon vdekjen a bie në gjumin e vdekjes. Gjatë këtyre periudhave që duken më të errëtat në jetën tonë, Bariu ynë është me ne dhe do të na mbrojë. Në ç’mënyrë?
15, 16. (a) Në cilat mënyra na ndihmon Jehovai për të përballuar pengesat që mund të hasim? (b) Tregoni një përvojë për të nxjerrë në pah si na ndihmon Jehovai në kohë sprovash.
15 Jehovai nuk premton se do të ndërhyjë me ndonjë mrekulli. * Por mund të jemi të sigurt për këtë: Jehovai do të na ndihmojë të kapërcejmë çfarëdo pengesash që hasim. Ai mund të na japë mençurinë e duhur për të përballuar «sprova të ndryshme». (Jakovi 1:2-5) Një bari e përdor shkopin ose thuprën që mban në dorë, jo vetëm për të larguar grabitqarët, por edhe për t’i shtyrë me butësi delet që të shkojnë në drejtimin e duhur. Edhe neve, Jehovai mund të na ‘shtyjë’ me butësi, ndoshta me anë të një bashkëbesimtari, për të zbatuar këshillat biblike që mund ta ndryshojnë shumë situatën tonë. Veç kësaj, Jehovai na jep forcën e duhur për të qëndruar. (Filipianëve 4:13) Me anë të frymës së tij të shenjtë, na pajis me ‘fuqi përtej asaj që është normale’. (2 Korintasve 4:7) Fryma e Perëndisë do të na ndihmojë që të durojmë çfarëdo sprove që mund të na sjellë Satanai. (1 Korintasve 10:13) A nuk është ngushëlluese të dimë se Jehovai është gjithnjë gati për të na ndihmuar?
16 Po, pavarësisht se në cilën luginë terri gjendemi, nuk kemi pse të ecim vetëm nëpër të. Kemi përkrah Bariun tonë, i cili na ndihmon në mënyra që në fillim mund të mos i kuptojmë plotësisht. Shqyrtoni përvojën e një plaku të krishterë, të cilin e diagnostikuan me kancer në tru. «Më duhet ta pranoj se në fillim më vinin në mendje pyetje se mos Jehovai ishte i mërzitur me mua ose nuk më donte. Por isha i vendosur të mos largohesha prej tij. Në vend të kësaj, ia shpreha shqetësimet e mia dhe Jehovai më ndihmoi, shpesh duke më ngushëlluar nëpërmjet vëllezërve dhe motrave në besim. Shumë prej tyre më dhanë sugjerime të dobishme, bazuar në përvojën e tyre kur kishin pasur sëmundje të rënda. Komentet e tyre të ekuilibruara më bënë të kuptoja se situata që po kaloja s’ishte aspak e pazakontë. Ndihma praktike, si dhe disa shprehje prekëse dashamirësie, më siguruan se Jehovai nuk ishte i pakënaqur me mua. Sigurisht, duhet të vazhdoj të luftoj me sëmundjen time dhe nuk e di ç’fund do të ketë. Por jam i bindur se Jehovai është me mua dhe se do të vazhdojë të më ndihmojë gjatë kësaj sprove.»
«Ti më shtron një tryezë»
17. Si e përshkruan Davidi Jehovain në Psalmin 23:5, dhe përse kjo nuk është kontradiktore me ilustrimin e bariut?
17 Më pas Davidi citon një arsye të tretë pse ka besim te Bariu i tij: Jehovai i ushqen delet e tij, madje me bollëk. Davidi shkruan: «Ti më shtron një tryezë përpara armiqve të mi. Kokën ma lyen me vaj; kupa ime është e mbushur plot.» (Psalmi 23:5) Në këtë varg, Davidi e përshkruan Bariun e tij si një mikpritës bujar që u vë para mysafirëve ushqim dhe pije me bollëk. Këto dy ilustrime, bariu i kujdesshëm dhe mikpritësi bujar, nuk janë kontradiktore. Në fund të fundit, një bari i mirë duhet të dijë ku të gjejë kullota plot bar dhe ujë të mjaftueshëm, që tufës së tij ‘të mos i mungojë asgjë’.—Psalmi 23:1, 2.
18. Si e kuptojmë që Jehovai është një mikpritës bujar?
18 A është edhe Bariu ynë një mikpritës bujar? Kjo as që diskutohet! Mendoni vetëm për cilësinë, sasinë dhe shumëllojshmërinë e ushqimit frymor që gëzojmë tani. Nëpërmjet klasës së skllavit të besueshëm dhe të matur, Jehovai na ka siguruar botime të dobishme e programe të pasura në mbledhje, asamble e kongrese, dhe që të gjitha përmbushin nevojat tona frymore. (Mateu 24:45-47) Patjetër që ushqimi frymor është me bollëk. «Skllavi i besueshëm dhe i matur» ka siguruar miliona Bibla dhe botime ndihmëse për studimin e Biblës, të cilat janë tani në 413 gjuhë. Jehovai e ka siguruar këtë ushqim frymor në një shumëllojshmëri të madhe: që nga ‘qumështi’, domethënë mësimet themelore biblike, e deri te «ushqimi i fortë», pra informacionet më të thella frymore. (Hebrenjve 5:11-14) Rrjedhimisht, kur hasim probleme ose duhet të marrim vendime, në përgjithësi mund të gjejmë tamam atë që na nevojitet. Ku do të ishim pa këtë ushqim frymor?! Bariu ynë është vërtet një mikpritës shumë bujar!—Isaia 25:6; 65:13.
«Do të kem ditë të gjata në shtëpinë e Jehovait»
19, 20. (a) Çfarë sigurie shpreh Davidi te Psalmi 23:6, dhe si mund të kemi të njëjtën siguri? (b) Çfarë do të trajtohet në artikullin vijues?
19 Pasi ka medituar për mënyrën si vepron Bariu dhe Mikpritësi i tij, Davidi përfundon me fjalët: «Mirësia dhe dashamirësia do të më shoqërojnë çdo ditë të jetës sime, dhe do të kem ditë të gjata në shtëpinë e Jehovait.» (Psalmi 23:6) Davidi flet nga një zemër e mbushur me mirënjohje e besim: mirënjohje kur kujton të kaluarën dhe besim kur mendon për të ardhmen. Duke qenë se dikur ishte vetë bari, është i sigurt se, për sa kohë të qëndrojë pranë Bariut të tij qiellor, si të banonte në shtëpinë e Tij, do të ketë gjithnjë kujdesin e dashur të Jehovait.
20 Sa mirënjohës jemi për fjalët e bukura që gjejmë në Psalmin 23! Davidi s’mund të kishte gjetur mënyrë më të përshtatshme për të përshkruar se si i prin, i mbron dhe i ushqen Jehovai delet e tij. Shprehjet e përzemërta që përdori Davidi, janë ruajtur për të na dhënë sigurinë se edhe ne mund ta konsiderojmë Jehovain si Bariun tonë. Po, për sa kohë të qëndrojmë pranë Jehovait, ai do të kujdeset për ne si një Bari i dashur, gjatë gjithë ‘ditëve’ tona, madje për gjithë përjetësinë. Megjithatë, si delet e tij, ne kemi përgjegjësinë të ecim me Bariun tonë të madh, Jehovain. Se çfarë përfshin kjo, do të trajtohet në artikullin vijues.
[Shënimet]
^ par. 13 Davidi kompozoi disa psalme, në të cilat lëvdonte Jehovain që e kishte çliruar nga rreziku.—Shih, për shembull, mbishkrimet e Psalmeve 18, 34, 56, 57, 59 dhe 63.
^ par. 15 Shih artikullin «Ç’lloj ndërhyrjeje hyjnore mund të presim?», në Kullën e Rojës, 1 tetor 2003.
A ju kujtohet?
• Pse është me vend krahasimi që i bëri Davidi Jehovait me një bari?
• Si na prin Jehovai duke treguar kuptueshmëri?
• Në cilat mënyra na ndihmon Jehovai që të durojmë sprovat?
• Si e kuptojmë që Jehovai është një mikpritës bujar?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 18]
Ashtu si një bari në Izrael, edhe Jehovai u prin deleve të Tij