Jehovai më dha ‘çfarë më donte zemra’
Jetëshkrim
Jehovai më dha ‘çfarë më donte zemra’
TREGUAR NGA DOMINIKA MORGU
Më në fund, në dhjetor të vitit 1998, isha në Afrikë! Kështu u realizua një ëndërr e fëmijërisë sime. Gjithmonë më kishin bërë për vete vendet e hapura dhe bota shtazore magjepsëse e Afrikës. Dhe tani, ja ku isha, në Afrikë. Njëkohësisht kisha realizuar edhe një ëndërr tjetër. Po shërbeja si ungjillëzuese në kohë të plotë në një vend të huaj. Për shumë veta, kjo mund të dukej e pamundur. Kam probleme të rënda me shikimin dhe, për të ecur në rrugët me rërë të fshatrave afrikane, përdor një qen udhërrëfyes, të stërvitur për rrugët e qyteteve evropiane. Më lejoni t’ju tregoj si arrita të shërbej në Afrikë dhe si Jehovai më dha ‘çfarë më donte zemra’.—Psalmi 37:4.
LINDA më 9 qershor 1966, në jug të Francës dhe isha më e vogla nga të shtatë fëmijët, dy djem dhe pesë vajza. Prindërit tanë të dashur u kujdesën për të gjithë ne. Megjithatë, kur isha e re më ndodhi diçka e trishtueshme. Ashtu si gjyshja, mamaja dhe një nga motrat e mia, vuaj nga një sëmundje e trashëguar, e cila, me kalimin e kohës, të bën plotësisht të verbër.
Gjatë adoleshencës m’u desh të përballoja racizmin, paragjykimin dhe hipokrizinë, prandaj u rebelova ndaj shoqërisë. Pikërisht gjatë asaj kohe të vështirë, u transferuam në rajonin e Erosë. Atje ndodhi diçka e mrekullueshme.
Një të diel në mëngjes, në derën tonë trokitën dy Dëshmitare të Jehovait. Nëna i njihte, prandaj i ftoi brenda. Një nga gratë e pyeti mamanë nëse i kujtohej premtimi që kishte bërë, Galatasve 2:14.
se ndonjë ditë do të pranonte një studim biblik. Mamaja i tha se i kujtohej dhe e pyeti: «Kur do të fillojmë?» E lanë të takoheshin çdo të diel në mëngjes dhe kështu mamaja nisi të mësonte ‘të vërtetën e lajmit të mirë’.—Filloj të kuptoj
Mamaja përpiqej me shumë zell për të kuptuar e për të mbajtur mend atë që mësonte. Meqë ishte e verbër, gjithçka duhej ta mësonte përmendësh. Dëshmitaret u treguan vërtet të durueshme me të. Ndërsa unë, sa herë që vinin Dëshmitaret, fshihesha në dhomën time dhe dilja vetëm pasi iknin ato. Megjithatë, Euzhenia, një nga Dëshmitaret, më takoi një pasdite dhe bëri një bisedë me mua. Më tha se Mbretëria e Perëndisë do t’i jepte fund gjithë hipokrizisë, urrejtjes dhe paragjykimit që kishte në botë. «Vetëm Perëndia e ka në dorë zgjidhjen e këtyre problemeve»,—tha ajo. Më pyeti nëse doja të mësoja më tepër. Ditën tjetër fillova një studim biblik.
Çdo gjë që mësoja, ishte e re për mua. Po kuptoja se Perëndia ka arsye të vlefshme pse e ka lejuar përkohësisht ligësinë në tokë. (Zanafilla 3:15; Gjoni 3:16; Romakëve 9:17) Gjithashtu, mësova se Jehovai nuk na lë pa shpresë. Na ka bërë premtimin e mrekullueshëm për një jetë të përhershme në një tokë parajsore. (Psalmi 37:29; 96:11, 12; Isaia 35:1, 2; 45:18) Në atë parajsë, do të më kthehej prapë shikimi, një dhuratë e çmuar që po e humbja dalëngadalë.—Isaia 35:5.
Nis shërbimin në kohë të plotë
Më 12 dhjetor 1985, e simbolizova kushtimin ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë, duke u bashkuar me motrën time, Mari-Klerin, e cila tashmë e kishte bërë këtë hap. S’kaloi shumë dhe vëllai, Zhan-Pjeri, ndoqi shembullin tonë, e po kështu edhe nëna jonë e dashur.
Në kongregacionin me të cilin shoqërohesha, kishte mjaft pionierë të rregullt, ose ungjillëzues në kohë të plotë. Inkurajohesha kur shihja gëzimin dhe entuziazmin e tyre për shërbimin. Madje, edhe Mari-Kleri, e cila vuante nga një sëmundje e syve dhe kishte një pajisje ortopedike në një këmbë, filloi shërbimin në kohë të plotë. Ajo vazhdon të më inkurajojë frymësisht edhe sot e kësaj dite. Falë pionierëve që kisha në kongregacion dhe në familje, më lindi një dëshirë e madhe që të filloja edhe unë shërbimin në kohë të plotë. Prandaj, në nëntor të vitit 1990, nisa shërbimin si pioniere në qytetin e Bezjesë.—Psalmi 94:17-19.
Përballoj shkurajimin
Pionierët e tjerë kujdeseshin shumë për mua në lidhje me shërbimin. Pavarësisht nga kjo, hera-herës më shkurajonin kufizimet e mia, sepse dëshiroja të bëja më tepër. Megjithatë, Jehovai më mbështeti gjatë periudhave shkurajuese. Bëra kërkime në Treguesin e botimeve Watch Tower, për të gjetur jetëshkrime të pionierëve, të cilët, ashtu si unë, vuanin nga shikimi i dobët. U befasova se sa shumë jetëshkrime kishte! Ato tregime praktike dhe inkurajuese më mësuan ta vlerësoja atë çfarë arrija të bëja dhe t’i pranoja kufizimet e mia.
Që të kujdesesha për nevojat e mia, pastroja supermarketet bashkë me Dëshmitarë të tjerë. Një ditë, pashë se disa punëtorë pastruan prapë zonat ku sapo kisha mbaruar unë. Me sa duket, kisha lënë shumë pisllëk pa hequr. Vajta te Valeria, pionierja që ishte përgjegjëse e grupit tonë të pastrimit, dhe i kërkova të më thoshte me sinqeritet nëse po ua vështirësoja punën të tjerëve. Me dashamirësi, ajo ma la mua në dorë ta përcaktoja se kur nuk do të mund ta bëja dot punën. Në mars të vitit 1994 e lashë punën si pastruese.
Përsëri më pushtoi ndjenja e pavlefshmërisë. Iu luta me përgjërim Jehovait dhe e di që i dëgjoi kërkesat e mia. Edhe një herë, ndihmë të madhe më dha studimi i Biblës dhe i
botimeve të krishtere. Ndonëse shikimi sa vinte e dobësohej, dëshira për t’i shërbyer Jehovait sa vinte e shtohej. Ç’të bëja?Nga lista e pritjes, në një vendim të shpejtë
Bëra kërkesën që të stërvitesha në Qendrën e Rehabilitimit për të Verbrit dhe të atyre me Shikim të Dobët në qytetin e Nimit, dhe më pranuan për tre muaj. Koha që kalova atje, ia vlejti. Kuptova deri në ç’pikë më kufizonte mangësia ime dhe mësova të përshtatesha. Shoqëria me njerëz që vuanin nga të gjitha llojet e gjymtimeve, më ndihmoi të kuptoja sa e çmuar është shpresa ime e krishterë. Të paktën unë kisha një synim dhe mund të bëja diçka të frytshme. Përveç kësaj, mësova gjuhën franceze braile.
Kur u ktheva në shtëpi, familja vuri re sa shumë më kishte ndihmuar ajo stërvitje. Megjithatë, një gjë s’më pëlqente. Ishte bastuni i bardhë që duhej të përdorja. E kisha të vështirë të mësohesha me të. Do të ishte më mirë të kisha një tjetër ndihmë, ndoshta një qen udhërrëfyes.
Bëra kërkesë për një qen, por më thanë se kishte një listë të gjatë pritjeje. Gjithashtu, agjencia duhej të bënte një shqyrtim. Jo kushdo merr një qen udhërrëfyes. Një ditë, një grua që ndihmon në drejtimin e një shoqate për të verbrit, përmendi se një klub tenisi do t’i dhuronte një qen udhërrëfyes një të verbri ose dikujt me shikim të dobët në zonën tonë. Më tha se ajo kishte menduar për mua. A do ta pranoja? E kuptova se Jehovai kishte dorë në këtë çështje dhe e pranova dhuratën e përzemërt. Megjithatë, për të marrë qenin, më duhej të prisja.
Mendoj përsëri për Afrikën
Ndërsa prisja, e drejtova vëmendjen diku tjetër. Siç e përmenda më lart, që në fëmijëri
kam pasur interes të madh për Afrikën. Pavarësisht nga keqësimi i shikimit, ai interes po më shtohej gjithnjë e më tepër, sidomos pasi mësova se në Afrikë ka shumë njerëz të interesuar për Biblën dhe për shërbimin ndaj Jehovait. Pak kohë më parë, rastësisht i kisha thënë Valerisë se dëshiroja të shkoja në Afrikë për një vizitë. E kisha pyetur nëse dëshironte të vinte me mua. Ajo pranoi, dhe u shkruam disa degëve të Dëshmitarëve të Jehovait në Afrikë, ku flitej frëngjisht.Morëm përgjigje nga dega e Togos. U emocionova dhe i thashë Valerisë të ma lexonte letrën. Ajo që shkruhej aty, ishte inkurajuese, prandaj Valeria më tha: «Epo, përse të mos shkojmë?» Pas korrespondencës me vëllezërit e degës, ata më lidhën me Sandrën, një pioniere në Lome, kryeqytetin e Togos. Caktuam si datën e nisjes 1 dhjetorin e vitit 1998.
Ishte krejt ndryshe, por, gjithsesi, shumë e këndshme! Pasi mbërritëm në Lome, zbritëm nga avioni, dhe nxehtësia e Afrikës na mbështolli si një batanije. Atje po na priste Sandra. Nuk ishim takuar kurrë më parë, por menjëherë u ndiem si shoqe të vjetra. Pak kohë para se të venim ne, Sandra dhe shoqja e saj e shërbimit, Kristina, ishin caktuar si pioniere speciale në Tabligbo, një qytet i vogël në brendësi të Togos. Kishim privilegjin t’i shoqëronim në caktimin e tyre të ri. Ndenjëm gati dy muaj atje dhe, kur u larguam, e ndieja se do të kthehesha përsëri.
U kënaqa që u ktheva
Në Francë, fillova menjëherë përgatitjet për udhëtimin e dytë në Togo. Me përkrahjen e familjes, i rregullova gjërat që të rrija gjashtë muaj atje. Kështu që në shtator të vitit 1999, hipa përsëri në një avion që shkonte në Togo. Por, kësaj radhe isha vetëm. Imagjinoni si u ndie familja kur më pa të largohesha e vetme, pavarësisht nga problemi im shëndetësor! Por, nuk kishin pse të shqetësoheshin. I sigurova prindërit se në Lome më prisnin miqtë e mi, të cilët tani ishin si një familje për mua.
Çfarë kënaqësie ishte të kthehesha përsëri në një zonë ku kishte kaq shumë njerëz të interesuar për Biblën! Atje është e zakonshme të shohësh njerëz që e lexojnë Biblën në rrugë. Në Tabligbo njerëzit të thërrasin t’u shkosh në shtëpi thjesht për të bërë një bisedë biblike. Dhe ç’privilegj kisha të banoja bashkë me dy pioniere speciale në një shtëpi modeste! Njoha një kulturë tjetër dhe një pikëpamje tjetër për gjërat. Ç’është më e rëndësishmja, vura re se vëllezërit dhe motrat tona të krishtere në Afrikë vinin interesat e Mbretërisë në radhë të parë në jetë. Për shembull, ndonëse duhej të bënin shumë kilometra rrugë në këmbë për në Sallën e Mbretërisë, kjo nuk i pengonte të ndiqnin mbledhjet. Gjithashtu, mësova shumë nga ngrohtësia dhe mikpritja e tyre.
Një ditë, kur u ktheva nga shërbimi, i thashë Sandrës se kisha frikë të kthehesha në
Francë. Shikimi më ishte dobësuar edhe më. Mendova për rrugët e zhurmshme të Bezierit, për shkallët e pallateve dhe për mjaft gjëra që ia vështirësojnë jetën dikujt me shikim të kufizuar. Nga ana tjetër, rrugët e Tabligbos, edhe pse të pashtruara, ishin të qeta, pa turma të mëdha njerëzish dhe pa shumë trafik. Si do t’ia dilja në Francë, tani që isha mësuar në Tabligbo?Dy ditë më vonë më mori mamaja në telefon dhe më tha se ata të shkollës së qenve udhërrëfyes po më prisnin. Një langua i ri i racës Labrador, me emrin Oseana ishte gati të bëhej «syri» im. Përsëri, nevojat e mia u plotësuan dhe s’kisha më ankth. Pas gjashtë muajsh shërbimi të gëzuar në Tabligbo, u ktheva në Francë të njihja Oseanën.
Pas disa muajsh stërvitje, Oseanën e lanë nën kujdesin tim. Në fillim nuk ishte e lehtë. Duhej ta kuptonim njëra-tjetrën. Megjithatë, me kalimin e kohës, e kuptova sa nevojë kisha për Oseanën. Në të vërtetë, tani Oseana është pjesë e qenies sime. Si reagonin njerëzit e Bezjesë kur më shihnin me një qen te dera e tyre? Më trajtonin me shumë respekt e dashamirësi. Oseana u bë «heroina» e lagjes. Ndonëse shumë njerëz nuk ndihen rehat në praninë e një njeriu të kufizuar, falë qenit flisja më lirshëm për kufizimin tim. Njerëzit ishin të qetë dhe më dëgjonin. Në të vërtetë, Oseana u bë tema më e mirë për të hapur bisedën.
Në Afrikë me Oseanën
Nuk e kisha harruar Afrikën, dhe fillova përgatitjet për udhëtimin tim të tretë. Kësaj here mora me vete Oseanën. Më shoqëroi edhe një çift i ri, Antuani dhe Aurora, si dhe një shoqja ime, Karolina. Ishin të tre pionierë, si unë. Më 10 shtator 2000 arritëm në Lome.
Në fillim, shumë njerëz e kishin frikë Oseanën. Pak njerëz në Lome kishin parë një qen kaq të madh, sepse në përgjithësi qentë në Togo janë të vegjël. Kur panë pajimet e saj, disa menduan se ishte e rrezikshme, prandaj duhej mbajtur nën fre. Vetë Oseana filloi të rrinte në mbrojtje, gati të më ruante nga çdo gjë që i dukej kërcënuese. Prapëseprapë, shumë shpejt, Oseana u ndie si në shtëpinë e vet, në këtë mjedis të ri. Kur i vë pajimet, ajo fillon punën e saj—e disiplinuar, e përgjegjshme, rri përkrah meje. Kur e lë të lirë, bëhet lozonjare dhe disa herë dinake. Argëtohemi shumë së bashku.
Sandra dhe Kristina na ftuan të gjithëve të rrinim tek ato, në Tabligbo. I ftuam vëllezërit dhe motrat për vizitë, që të mësoheshin me Oseanën. U shpjegova rolin e qenit udhërrëfyes, pse kisha nevojë për të dhe si duhej të silleshin kur ishin pranë saj. Pleqtë pranuan që Oseana të rrinte me mua në Sallën e Mbretërisë. Meqë kjo gjë ishte e pazakontë në Togo, u bë një njoftim para kongregacionit dhe iu shpjegua kjo çështje. Ndërsa në shërbim, e merrja vetëm kur bëja rivizita dhe drejtoja studime biblike. Në këto raste do ta kuptonin më lehtë praninë e saj.
Predikimi është gjithnjë i kënaqshëm në këtë territor. Gjithmonë, prekesha kur njerëzit e butë i kuptonin ndjenjat e mia dhe e tregonin me veprime dashamirëse, si për shembull kur menjëherë më jepnin një karrige për t’u ulur. Në tetor të vitit 2001 mamaja erdhi me mua në udhëtimin e katërt në Togo. Pas tre javësh u kthye në Francë, e lumtur dhe e sigurt që isha mirë.
I jam shumë mirënjohëse Jehovait që pata mundësinë të shërbeja në Togo. Kam besim se Jehovai do të vazhdojë të më japë ‘çfarë më do zemra’ ndërsa përdor gjithçka që kam në shërbim të tij. *
[Shënimi]
^ par. 37 Motra Morgu u kthye në Francë dhe më pas bëri udhëtimin e saj të pestë në Togo, ku qëndroi që nga 6 tetori 2003 deri më 6 shkurt 2004. Mjerisht, për shkak të ndërlikimeve shëndetësore, ky mund të jetë udhëtimi i saj i fundit në Togo, në këtë sistem. Megjithatë, ajo vazhdon të ketë një dëshirë të zjarrtë për t’i shërbyer Jehovait.
[Figurat në faqen 10]
Gjithmonë më kishin bërë për vete vendet e hapura dhe bota shtazore magjepsëse e Afrikës
[Figura në faqen 10]
Oseana më shoqëronte gjatë rivizitave
[Figura në faqen 11]
Pleqtë pranuan që Oseana të rrinte me mua në mbledhje