Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A mund të ketë ndërgjegje të pastër një i krishterë, nëse pranon punë ku duhet të mbajë armë?

Të gjithë Dëshmitarët e Jehovait e marrin seriozisht përgjegjësinë që u ka dhënë Perëndia për t’u siguruar gjërat e nevojshme familjeve të tyre. (1 Timoteut 5:8) Megjithatë, disa lloje punësh i shkelin drejtpërdrejt parimet biblike, prandaj duhen shmangur. Këtu futen punët që kanë lidhje me bixhozin, me keqpërdorimin e gjakut dhe me nxitjen apo shitjen e produkteve të duhanit. (Isaia 65:11; Veprat 15:29; 2 Korintasve 7:1; Kolosianëve 3:5) Disa lloje të tjera punësh, edhe pse nuk dënohen drejtpërdrejt në Bibël, mund të cenojnë ndërgjegjen e atij që po kërkon punë ose të të tjerëve.

Të bësh një punë ku kërkohet të mbash armë zjarri ose ndonjë lloj tjetër arme, është vendim personal. Megjithatë, nëse dikush pranon një punë ku duhet të mbajë armë, e vë veten në rrezik që të bëhet fajtor gjaku, nëse do t’i duhet ta përdorë armën. Prandaj, një i krishterë duhet ta shqyrtojë në lutje nëse është gati të pranojë barrën për të marrë një vendim të çastit, ku përfshihet jeta e një njeriu tjetër. Nëse dikush mban armë, ka rrezik edhe të plagoset ose të vritet, nëse bëhet ndonjë sulm ose shkëmbim zjarri.

Por, ky vendim mund të ndikojë edhe te të tjerët. Për shembull, përgjegjësia kryesore e një të krishteri është të predikojë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 24:14) A do të mund t’u mësonte ai të tjerëve që ‘të jenë paqësorë me të gjithë’, ndërkohë që vetë e fiton bukën e gojës duke mbajtur armë? (Romakëve 12:18) Po fëmijët ose familjarët e tjerë? A mund të jenë në rrezik, ngaqë kanë një armë zjarri në shtëpi? Për më tepër, a mund të pengohen ndoshta disa të tjerë, nga qëndrimi që ka ky i krishterë për këtë çështje?​—Filipianëve 1:10.

Në këto ‘ditë të fundit’, gjithnjë e më shumë njerëz janë «të egër, pa dashuri për mirësinë». (2 Timoteut 3:1, 3) Duke e ditur këtë, a mund të mbetet një njeri ‘i lirë nga akuza’, nëse zgjedh një punë ku duhet të mbajë armë e ku mund të përballet me këta lloj njerëzish? (1 Timoteut 3:10) Vështirë se po. Për këtë arsye, kongregacioni nuk do ta shihte këtë njeri si ‘të paqortueshëm’, nëse vazhdon të mbajë armë, edhe pasi, me dashamirësi, i janë dhënë këshilla nga Bibla. (1 Timoteut 3:2; Titit 1:5, 6) Kështu, ky burrë ose kjo grua nuk do të kualifikohej për privilegje të veçanta në kongregacion.

Jezui i siguroi dishepujt e tij se, po t’i vënë interesat e Mbretërisë në vend të parë, nuk duhet të shqetësohen së tepërmi për të pasur gjërat e nevojshme të jetës. (Mateu 6:25, 33) Po, nëse i besojmë plotësisht Jehovait, «ai vetë do të [na] mbështetë. Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet».​—Psalmi 55:22.