Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Profecia e Hozesë na ndihmon të ecim me Perëndinë

Profecia e Hozesë na ndihmon të ecim me Perëndinë

Profecia e Hozesë na ndihmon të ecim me Perëndinë

«Ata do të ecin pas Jehovait.»​—HOZEA 11:10.

1. Cilën dramë simbolike gjejmë në librin e Hozesë?

A JU pëlqejnë dramat ku luajnë personazhe interesante dhe ka ngjarje intriguese? Libri biblik i Hozesë ka një dramë simbolike. * Kjo dramë e ka marrë temën nga jeta familjare e Hozesë, profetit të Perëndisë, dhe ka lidhje me martesën simbolike që bëri Jehovai me Izraelin e lashtë, me anë të besëlidhjes së Ligjit të Moisiut.

2. Çfarë dihet për Hozenë?

2 Të dhënat për këtë dramë i gjejmë në kapitullin e parë të Hozesë. Me sa duket, Hozea jetonte në territorin e mbretërisë prej dhjetë fisesh të Izraelit (të quajtur edhe Efraim, sipas fisit më të madh). Ai profetizoi gjatë mbretërimit të shtatë mbretërve të fundit në Izrael, ndërkohë që në Judë mbretëronin Uziahu, Jotami, Akazi dhe Hezekia. (Hozea 1:1) Pra, Hozea profetizoi të paktën për 59 vjet. Edhe pse libri që mban emrin e tij përfundoi pak pas vitit 745 p.e.s., është me rëndësi sot, kur miliona njerëz po ndjekin një drejtim që ishte parathënë me këto fjalë: «Ata do të ecin pas Jehovait.»​—Hozea 11:10.

Një rishikim i shkurtër

3, 4. Shpjegoni shkurtimisht çfarë trajtojnë kapitujt 1 deri 5 të Hozesë.

3 Një rishikim i shkurtër i kapitujve 1 deri 5 të Hozesë, do të na e forcojë vendosmërinë për të ecur me Perëndinë, duke treguar besim dhe duke ndjekur një rrugë që është në përputhje me vullnetin e tij. Ndonëse banorët e mbretërisë së Izraelit ishin fajtorë për kurorëshkelje frymore, Perëndia do t’u tregonte mëshirë, po të pendoheshin. Kjo u ilustrua me mënyrën se si veproi Hozea me gruan e tij, Gomerën. Pasi lindi një fëmijë me Hozenë, me sa duket ajo pati edhe dy fëmijë të tjerë jashtë martese. Gjithsesi, Hozea e mori prapë, njësoj si Jehovai, që ishte i gatshëm t’u tregonte mëshirë izraelitëve të penduar.​—Hozea 1:1–3:5.

4 Jehovai kishte një çështje ligjore me Izraelin, sepse në vend nuk kishte as të vërtetë, as dashamirësi dhe as njohuri për Perëndinë. Ai do t’i kërkonte llogari edhe Izraelit idhujtar, edhe mbretërisë rebele të Judës. Megjithatë, kur populli ‘ta kishte punën pisk’, do ta kërkonte Jehovain.​—Hozea 4:1–5:15.

Zhvillimi i dramës

5, 6. (a) Sa ishte përhapur kurvëria në mbretërinë prej dhjetë fisesh të Izraelit? (b) Pse është me rëndësi për ne paralajmërimi që iu dha Izraelit të lashtë?

5 «Shko,​—e urdhëroi Perëndia Hozenë,​—merr për vete një grua që do të kryejë kurvëri, dhe do të të lindin fëmijë kurvërie, sepse me anë të kurvërisë vendi largohet dhe nuk e ndjek Jehovain.» (Hozea 1:2) Sa e përhapur ishte kurvëria në Izrael? Lexojmë: «Fryma e kurvërisë i ka bërë [banorët e mbretërisë prej dhjetë fisesh] të enden larg dhe për shkak të kurvërisë nuk i nënshtrohen më Perëndisë së tyre. . . . Bijat tuaja kryejnë kurvëri dhe nuset tuaja kryejnë kurorëshkelje. . . . Burrat veçohen me prostitutat dhe bëjnë flijime me prostitutat e tempullit.»​—Hozea 4:12-14.

6 Si në kuptimin fizik, ashtu edhe në kuptimin frymor, kurvëria ishte shumë e përhapur në Izrael. Prandaj, Jehovai ‘do t’u kërkonte llogari’ izraelitëve. (Hozea 1:4; 4:9) Ky paralajmërim është me rëndësi për ne, sepse edhe sot Jehovai do t’u kërkojë llogari atyre që praktikojnë imoralitetin dhe përzihen në adhurimin e papastër. Ndërsa ata që ecin me Perëndinë, plotësojnë normat e tij për adhurimin e pastër dhe janë të vetëdijshëm se «asnjë kurvar . . . nuk ka trashëgimi në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë».​—Efesianëve 5:5; Jakovi 1:27.

7. Çfarë portretizoi martesa e Hozesë me Gomerën?

7 Kur Hozea u martua me Gomerën, ajo me sa duket ishte e virgjër dhe, në kohën kur «i lindi një djalë», ishte ende një grua besnike. (Hozea 1:3) Siç portretizohet në dramën simbolike, pak kohë pasi i çliroi izraelitët nga skllavëria egjiptiane në vitin 1513 p.e.s., Perëndia bëri me ta një besëlidhje që ishte si një kontratë për një martesë të pastër. Duke e pranuar besëlidhjen, Izraeli premtoi se do t’i qëndronte besnik ‘burrit’ të vet, Jehovait. (Isaia 54:5) Po, kjo martesë simbolike e Perëndisë me Izraelin u portretizua nga martesa e pastër e Hozesë me Gomerën. Por, sa shpejt ndryshuan gjërat!

8. Si u krijua mbretëria dhjetëfisëshe e Izraelit dhe ç’mund të thoni për adhurimin në atë vend?

8 Gruaja e Hozesë «mbeti përsëri shtatzënë dhe lindi vajzë». Kjo vajzë, si edhe një fëmijë tjetër që Gomera lindi më vonë, ka të ngjarë të ishin fryt i kurorëshkeljes. (Hozea 1:6, 8) Meqë Gomera paraqiste Izraelin, ndoshta ju pyetni: ‘Si ndodhi që Izraeli u bë si një prostitutë?’ Në vitin 997 p.e.s., dhjetë nga fiset e Izraelit u ndanë nga fiset jugore të Judës dhe Beniaminit. Në mbretërinë veriore prej dhjetë fisesh të Izraelit, u vendos adhurimi i viçit, që njerëzit të mos shkonin më në Judë për të adhuruar Jehovain në tempullin e tij, në Jerusalem. Në Izrael u rrënjos thellë adhurimi i perëndisë së rremë Baal, që përfshinte edhe orgji seksuale.

9. Çfarë i ndodhi Izraelit, siç ishte parathënë te Hozea 1:6?

9 Kur lindi fëmija i dytë i Gomerës, me sa duket jashtë martese, Perëndia i tha Hozesë: «Vërja emrin Lo-Ruhama [që do të thotë «asaj nuk iu tregua mëshirë»], sepse unë nuk do t’i tregoj më mëshirë shtëpisë së Izraelit, ngaqë kam për t’i hequr fare.» (Hozea 1:6) Jehovai ‘i hoqi’ izraelitët, kur asirianët i çuan në robëri në vitin 740 p.e.s. Megjithatë, ai i tregoi mëshirë mbretërisë prej dy fisesh të Judës dhe e shpëtoi, por jo me hark, me shpatë, me luftë, me kuaj a me kalorës. (Hozea 1:7) Në një natë të vetme, në vitin 732 p.e.s., një engjëll vrau 185.000 ushtarë asirianë që po kërcënonin Jerusalemin, kryeqytetin e Judës.​—2 Mbretërve 19:35.

Çështja ligjore e Jehovait kundër Izraelit

10. Çfarë ilustroi sjellja kurorëshkelëse e Gomerës?

10 Gomera e la Hozenë dhe u bë ‘një grua që kryen kurvëri’, sepse shkoi të jetonte me një burrë tjetër. Kjo ilustroi se si mbretëria e Izraelit lidhi aleanca politike me kombe idhujtare dhe filloi të mbështetej tek ato kombe. Në vend që t’ia jepte meritën Jehovait për begatinë materiale që kishte, Izraeli ua dha meritën perëndive të këtyre kombeve dhe shkeli besëlidhjen martesore me Perëndinë, duke u marrë me adhurimin e rremë. Ja pse Jehovai kishte një çështje ligjore kundër këtij kombi kurorëshkelës në kuptimin frymor!​—Hozea 1:2; 2:2, 12, 13.

11. Çfarë ndodhi me besëlidhjen e Ligjit, kur Jehovai lejoi që Izraeli dhe Juda të shkonin në robëri?

11 Çfarë dënimi mori Izraeli, që kishte lënë «burrin» e vet? Perëndia e bëri ‘të shkonte në shkretëtirën’ e Babilonisë, kombit që mundi Asirinë, ku izraelitët ishin çuar robër në vitin 740 p.e.s. (Hozea 2:14) Kur bëri që mbretëria prej 10 fisesh të përfundonte në këtë mënyrë, Jehovai nuk e anuloi besëlidhjen martesore që kishte bërë me kombin fillestar prej 12 fisesh të Izraelit. Në fakt, kur lejoi që Jerusalemin ta shkatërronin babilonasit në vitin 607 p.e.s. dhe la që banorët e Judës të bëheshin robër, Perëndia nuk e shfuqizoi besëlidhjen e Ligjit të Moisiut, me anë të së cilës, Izraeli i përbërë nga 12 fise kishte lidhur një martesë simbolike me të. Kjo lidhje u prish vetëm pasi krerët judenj hodhën poshtë Jezu Krishtin dhe e vranë, në vitin 33 të e.s.​—Kolosianëve 2:14.

Jehovai e këshillon Izraelin

12, 13. Cili është thelbi i Hozesë 2:6-8, dhe si u zbatuan këto fjalë për Izraelin?

12 Perëndia e këshilloi Izraelin, gruan e tij simbolike, «të flakë kurvërinë nga vetja», por ajo donte të shkonte pas atyre që e donin plot zjarr. (Hozea 2:2, 5) «Prandaj,​—tha Jehovai,​—ja, unë po e rrethoj udhën tënde me një gardh me gjemba. Kundër saj do të ngre një mur prej guri, kështu që ajo s’do t’i gjejë rrugët e veta. Ajo do të shkojë pas dashnorëve të saj të zjarrtë, por nuk do t’i arrijë; do t’i kërkojë, por nuk do t’i gjejë. Atëherë do të thotë: ‘Dua të iki, dua të kthehem te burri im, tek i pari, sepse në atë kohë isha më mirë se tani.’ Por ajo nuk e kuptoi se drithin, mushtin dhe vajin ia kisha dhënë unë, dhe se unë bëra që ajo të kishte argjend dhe ar me bollëk, i cili u përdor për Baalin [ose të cilin «ata e bënë një shëmbëlltyrë të Baalit», shënimi, BR, angl.].»​—Hozea 2:6-8.

13 Edhe pse Izraeli kërkoi ndihmën e kombeve që kishin qenë për të ‘dashnorë plot zjarr’, askush nuk mundi ta ndihmonte. Atij iu vu një gardh rreth e qark, si me gjemba të papërshkueshme, kështu që ata s’mundën ta ndihmonin. Pas rrethimit asirian që zgjati tre vjet, kryeqyteti i Izraelit, Samaria, ra në vitin 740 p.e.s., dhe mbretëria prej dhjetë fisesh nuk u rivendos më kurrë. Vetëm disa individë nga izraelitët e marrë robër do ta kuptonin sa mirë kishte qenë, kur etërit e tyre i kishin shërbyer Jehovait. Ajo mbetje do ta hidhte poshtë adhurimin e Baalit dhe do të kërkonte të ripërtërinte besëlidhjen që kishte pasur me Jehovain.

Një vështrim tjetër dramës

14. Si ndodhi që Hozea e rivendosi lidhjen martesore me Gomerën?

14 Për ta kuptuar edhe më tepër lidhjen mes gjendjes familjare të Hozesë dhe marrëdhënies së Izraelit me Jehovain, shqyrtoni këto fjalë: «Jehovai më tha akoma: ‘Shko përsëri, dashuro një grua të dashuruar nga një shok dhe që kryen kurorëshkelje.’» (Hozea 3:1) Hozea e zbatoi këtë urdhër, duke e riblerë Gomerën nga burri me të cilin ajo po jetonte. Më pas, Hozea e këshilloi me vendosmëri të shoqen: «Do të banosh me mua për shumë ditë. Nuk do të kryesh kurvëri dhe nuk do të kesh marrëdhënie seksuale me asnjë burrë tjetër.» (Hozea 3:2, 3) Gomera iu përgjigj mirë disiplinës dhe Hozea e rivendosi lidhjen martesore me të. Si zbatohej kjo për lidhjen e Perëndisë me popullin e Izraelit dhe të Judës?

15, 16. (a) Në cilat rrethana e përjetoi mëshirën e Perëndisë kombi i tij i disiplinuar? (b) Si është përmbushur Hozea 2:18?

15 Kur banorët e Izraelit e të Judës ishin ende robër në Babiloni, Perëndia përdori profetët e tij që ‘t’u fliste zemrës së tyre’. Që Perëndia t’i tregonte mëshirë, populli duhej të tregonte se ishte penduar dhe të kthehej përsëri te pronari i tij, ashtu siç ishte kthyer Gomera tek i shoqi. Atëherë Jehovai do ta nxirrte nga ‘shkretëtira’ babilonase kombin e disiplinuar, të krahasuar me një grua, dhe do ta sillte prapë në Judë e në Jerusalem. (Hozea 2:14, 15) Ai e përmbushi këtë premtim në vitin 537 p.e.s.

16 Perëndia përmbushi edhe këtë premtim tjetër: «Atë ditë do të bëj për ta një besëlidhje lidhur me bishat e fushës, me zogjtë e qiellit dhe me rrëshqanorët e tokës. Unë do të shkatërroj e do të zhduk nga vendi harkun, shpatën dhe luftën. Do të bëj që ata të shtrihen në siguri.» (Hozea 2:18) Mbetja e judenjve që u kthye në atdhe, jetoi e sigurt, pa pasur frikë nga kafshët. Kjo profeci pati edhe një përmbushje në vitin 1919 të e.s., kur mbetja e Izraelit frymor u çlirua nga «Babilonia e Madhe», perandoria botërore e fesë së rreme. Tani janë të sigurt dhe gëzojnë jetën në një parajsë frymore, bashkë me shokët e tyre, që shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në tokë. Mes këtyre të krishterëve të vërtetë nuk ekzistojnë karakteristika shtazarake.​—Zbulesa 14:8; Isaia 11:6-9; Galatasve 6:16.

T’u vëmë veshin mësimeve

17-19. (a) Cilat cilësi të Perëndisë nxitemi që të imitojmë? (b) Si duhet të ndikohemi nga mëshira dhe dhembshuria e Jehovait?

17 Perëndia është i mëshirshëm dhe i dhembshur, e kështu duhet të jemi edhe ne. Ky është një mësim që nxjerrim nga kapitujt e parë të librit të Hozesë. (Hozea 1:6, 7; 2:23) Gatishmëria e Perëndisë për t’u treguar mëshirë izraelitëve të penduar, është në përputhje me proverbin e frymëzuar: «Kush i mbulon shkeljet, nuk do t’ia dalë mbanë, por atij që i rrëfen dhe i lë ato, do t’i tregohet mëshirë.» (Proverbat 28:13) Po kaq ngushëlluese për keqbërësit e penduar janë edhe fjalët e psalmistit: «Flijim për Perëndinë është fryma e vrarë; zemrën e vrarë dhe të dërrmuar ti nuk do ta përbuzësh, o Perëndi.»​—Psalmi 51:17.

18 Profecia e Hozesë nxjerr në pah dhembshurinë dhe mëshirën e Perëndisë që adhurojmë. Edhe po të ndodhë që dikush shmanget nga udhët e Tij të drejta, mund të pendohet e të kthejë rrugë. Nëse ai vepron kështu, Jehovai e mirëpret. Ai u tregoi mëshirë banorëve të penduar të kombit të Izraelit, me të cilin kishte lidhur një martesë simbolike. Ndonëse ata nuk iu bindën Jehovait dhe ‘i shkaktuan dhembje të Shenjtit të Izraelit, ai ishte i mëshirshëm dhe kujtonte gjithmonë që ata ishin mish’. (Psalmi 78:38-41) Kjo mëshirë duhet të na shtyjë të vazhdojmë të ecim me Perëndinë tonë të dhembshur, Jehovain.

19 Edhe pse mëkate të tilla, si vrasja, vjedhja e kurorëshkelja ishin shumë të përhapura në Izrael, Jehovai ‘i foli zemrës së tij.’ (Hozea 2:14; 4:2) Kur meditojmë për mëshirën e për dhembshurinë e Jehovait, edhe neve duhet të na preket zemra dhe të na forcohet lidhja që kemi me të. Atëherë, le të pyesim veten: ‘Si ta imitoj më shumë mëshirën e dhembshurinë e Jehovait në marrëdhëniet e mia me të tjerët? Nëse një i krishterë që më ka fyer, më kërkon falje, a jam po aq i gatshëm sa Perëndia, për ta falur?’​—Psalmi 86:5.

20. Jepni një shembull për të treguar se duhet të jemi të sigurt për shpresën që na ka dhënë Perëndia.

20 Perëndia jep shpresë të vërtetë. Për shembull, ai premtoi: «Do t’i jap . . . ultësirën e Akorit si portë të shpresës.» (Hozea 2:15) Organizata e lashtë e Jehovait, e krahasuar me një grua, kishte shpresën e sigurt se do të kthehej në atdhe, ku ndodhej ‘ultësira e Akorit’. Përmbushja e atij premtimi në vitin 537 p.e.s., na jep arsye të forta për t’u gëzuar me shpresën e sigurt që na jep neve Jehovai.

21. Çfarë roli luan njohuria për ne që duam të ecim me Perëndinë?

21 Që të vazhdojmë të ecim me Perëndinë, duhet të vazhdojmë të marrim njohuri për të dhe ta vëmë në jetë këtë njohuri. Në Izrael kishte mungesë të theksuar njohurie për Jehovain. (Hozea 4:1, 6) Megjithatë, disa veta e çmuan shumë mësimin hyjnor, vepruan në përputhje me të dhe, si rrjedhojë, u bekuan shumë. Hozea ishte një prej tyre. Po ashtu edhe ata 7.000 veta në kohën e Elijas, që nuk ishin përkulur para Baalit. (1 Mbretërve 19:18; Romakëve 11:1-4) Edhe neve, mirënjohja për mësimin hyjnor do të na ndihmojë të vazhdojmë të ecim me Perëndinë.​—Psalmi 119:66; Isaia 30:20, 21.

22. Si duhet konsideruar apostazia?

22 Jehovai pret nga burrat që marrin drejtimin në popullin e tij, që të hedhin poshtë apostazinë. Por shikoni çfarë thuhet te Hozea 5:1: «Dëgjoni këtë, o priftërinj, kushto vëmendje, o shtëpi e Izraelit, mba vesh, o shtëpi e mbretit, sepse me ju ka të bëjë gjykimi. Ju jeni bërë një grackë në Mizpah dhe si një rrjetë e shtrirë mbi Tabor.» Udhëheqësit apostatë ishin si një grackë e si një rrjetë për izraelitët, duke i nxitur të praktikonin idhujtarinë. Me sa duket, mali Tabor dhe një vend i quajtur Mizpah ishin qendra të këtij adhurimi të rremë.

23. Çfarë dobie keni nxjerrë nga studimi i kapitujve 1 deri 5 të Hozesë?

23 Deri tani, profecia e Hozesë na ka treguar se Jehovai është një Perëndi i mëshirshëm, i cili jep shpresë dhe i bekon ata që zbatojnë mësimet e tij dhe hedhin poshtë apostazinë. Prandaj, ashtu si izraelitët e penduar të kohëve të lashta, le të kërkojmë Jehovain dhe të përpiqemi gjithnjë t’i pëlqejmë atij. (Hozea 5:15) Duke vepruar kështu, do të korrim të mira dhe do të kemi gëzimin dhe paqen e pakrahasueshme që kanë të gjithë ata që ecin besnikërisht me Perëndinë.​—Psalmi 100:2; Filipianëve 4:6, 7.

[Shënimi]

^ par. 1 Një dramë simbolike paraqitet edhe te Galatasve 4:21-26. Lidhur me të, shih Mendjehollësi mbi Shkrimet, vëllimi 2, faqet 693, 694, anglisht, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

Si do të përgjigjeshit?

• Çfarë simbolizonte martesa e Hozesë me Gomerën?

• Pse Jehovai kishte një çështje ligjore kundër Izraelit?

• Cili prej mësimeve që nxjerrim nga kapitujt 1 deri në 5 të Hozesë ju bëri përshtypje?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 18]

A e dini kë përfaqëson gruaja e Hozesë?

[Figura në faqen 19]

Banorët e Samarisë u mundën nga asirianët në vitin 740 p.e.s.

[Figura në faqen 20]

Një popull i gëzuar kthehet në atdhe