Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të dëgjosh me dashuri është art

Të dëgjosh me dashuri është art

Të dëgjosh me dashuri është art

«FALEMINDERIT që më dëgjove!» A t’i ka thënë dikush këto fjalë kohët e fundit? Sa kompliment i bukur që është! Të gjithë e vlerësojnë dikë që di të dëgjojë. Duke dëgjuar me vëmendje, mund t’i çlodhim njerëzit që janë të shqetësuar ose të rënduar nga hallet. Veç kësaj, a nuk na ndihmon kjo aftësi, pra të dimë të dëgjojmë, që t’i vlerësojmë më shumë njerëzit? Në kongregacionin e krishterë, të dëgjojmë me dashuri është pjesë thelbësore e ‘interesimit për njëri-tjetrin dhe e nxitjes për dashuri dhe vepra të shkëlqyera’.​—Hebrenjve 10:24.

Por shumë njerëz nuk dinë të dëgjojnë. U pëlqen të japin këshilla, të tregojnë çfarë u ka ndodhur atyre ose të japin ndonjë mendim, por nuk dëgjojnë se çfarë duan të thonë të tjerët. Në të vërtetë, të dish të dëgjosh është art. Si mund të mësojmë t’i dëgjojmë të tjerët me dashuri?

Një faktor kryesor

Jehovai është «Mësuesi [ynë] i Madh». (Isaia 30:20) Ai mund të na mësojë shumë për sa i përket mënyrës se si dëgjojmë. Shiko se si e ndihmoi ai profetin Elija. I frikësuar nga kërcënimet e mbretëreshës Jezebelë, Elija u arratis në shkretëtirë dhe tha se donte të vdiste. Atje i foli një engjëll i Jehovait. Ndërsa profeti i shpjegonte frikën e tij, Jehovai e dëgjoi dhe pastaj i tregoi fuqinë e Tij madhështore. Cili ishte rezultati? Tashmë i çliruar nga frika, Elija u rikthye në caktimin e vet. (1 Mbretërve 19:2-15) Pse Jehovai u kushton kohë shërbëtorëve të tij, duke dëgjuar shqetësimet e tyre? Sepse interesohet për ta. (1 Pjetrit 5:7) Ja një faktor kryesor për t’u bërë dëgjues të efektshëm: të merakosemi për të tjerët e të tregojmë interes të sinqertë për ta.

Pasi kreu një mëkat të rëndë, një burrë në Bolivi e vlerësoi shumë që një bashkëbesimtar i tregoi këtë lloj interesimi. Ai shpjegon: «Ajo ishte një nga periudhat më të errëta të jetës sime. Ndoshta nuk do të kisha vazhduar t’i shërbeja Jehovait, po të mos kishte qenë një vëlla që më kushtoi kohë e më dëgjoi. Nuk tha shumë, por, dijenia se ai interesohej për mua aq sa të më dëgjonte, më dha vërtet forcë. Nuk më duheshin zgjidhje, pasi e dija se çfarë duhej të bëja. Thjesht kisha nevojë të dija se dikujt i interesonin ndjenjat e mia. Ai më dëgjoi, dhe kjo më ndihmoi që të mos më përpinte dëshpërimi.»

Një Shembull i shkëlqyer në artin e të dëgjuarit me dashuri është Jezu Krishti. Pak kohë pas vdekjes së Jezuit, dy dishepuj të tij ishin nisur nga Jerusalemi e po shkonin në një fshat rreth 11 kilometra larg. Me siguri që ishin të shkurajuar. Prandaj Jezu Krishti i ringjallur filloi të ecte bashkë me ta. Ai u bëri disa pyetje të formuluara me kujdes, që t’i nxiste të shpreheshin, dhe dishepujt iu hapën. I treguan për shpresat që kishin pasur dhe zhgënjimin e pështjellimin që ndienin tani. Jezui interesohej për ta dhe, ngaqë i dëgjoi me dashuri, dy dishepujt ishin gati ta dëgjonin. Atëherë Jezui «u shpjegoi në të gjitha Shkrimet gjërat që kishin të bënin me të».​—Luka 24:13-27.

Nëse ne jemi të parët që dëgjojmë, kjo është një mënyrë e dashur për t’i bërë të tjerët të na dëgjojnë. «Prindërit e mi dhe të burrit filluan të më kundërshtonin për mënyrën se si po i rritja fëmijët,​—thotë një grua nga Bolivia.​—Nuk më pëlqenin komentet e tyre, por, si prind, ndihesha e pasigurt. Rreth asaj kohe, më erdhi në shtëpi një Dëshmitare e Jehovait. Ajo më foli për premtimet e Perëndisë. Po gjithsesi, nga mënyra se si më pyeti për të ditur mendimin tim, e kuptova se kjo grua ishte e gatshme të më dëgjonte. E ftova brenda dhe, s’kaloi shumë, e po i shpjegoja problemin që kisha. Ajo më dëgjoi me durim, më pyeti se çfarë dëshiroja unë për fëmijët e mi dhe si mendonte im shoq për këtë. Çfarë lehtësimi të rrija me dikë që ishte e gatshme të më kuptonte! Kur filloi të më tregonte se çfarë thotë Bibla për jetën familjare, e dija se po flitja me një njeri që donte t’ia dinte për situatën time.»

«Dashuria . . . nuk kërkon interesat e veta»,​—thotë Bibla. (1 Korintasve 13:4, 5) Kështu, të dëgjojmë me dashuri do të thotë t’i lëmë mënjanë interesat tona. Pra, kur të tjerët po na flasin për ndonjë çështje serioze, mund të na duhet të fikim televizorin, të mbyllim gazetën ose të fikim celularin. Të dëgjojmë me dashuri do të thotë të jemi vërtet të interesuar për mendimet e tjetrit. Do të thotë të mos fillojmë të flasim për veten, duke nisur me ndonjë shprehje, si: «Kështu më ndodhi edhe mua ca kohë më parë.» Edhe pse ky shkëmbim përvojash është normal në një bisedë mes miqsh, duhet t’i lëmë mënjanë interesat tona kur dikush po na flet për një problem serioz. Por interesi i sinqertë për të tjerët mund të shfaqet edhe në një mënyrë tjetër.

Të dëgjojmë për të kuptuar ndjenjat

Shokët e Jobit dëgjuan jo pak, po dhjetë fjalime të tij. E megjithatë, Jobi thirri: «Ah, sikur të më dëgjonte dikush!» (Jobi 31:35) Po pse e tha këtë? Sepse nuk i solli asnjë ngushëllim fakti që ata po e dëgjonin. Ata as që donin t’ia dinin për Jobin dhe as donin të kuptonin ndjenjat e tij. Sigurisht që nuk po shfaqnin empati si dëgjues. Por, apostulli Pjetër jep këtë këshillë: «Jini të gjithë të një mendjeje, tregoni ndjenja të përbashkëta, kini përzemërsi vëllazërore, jini zemërdhembshur, me mendje të përulur.» (1 Pjetrit 3:8) Si të tregojmë ndjenja të përbashkëta? Duke shfaqur interesim për ndjenjat e tjetrit e duke u përpjekur për t’i kuptuar ato. Gjithashtu, me komente të tilla të ndjera, si: «Kjo duhet të të ketë mërzitur shumë» ose «duhet të jesh ndier i keqkuptuar», tregojmë se interesohemi për atë që po na flet. Një mënyrë tjetër është ta shprehim me fjalët tona atë që po na thotë tjetri, duke treguar se e kuptojmë çfarë tha. Të dëgjojmë me dashuri nënkupton t’u kushtojmë vëmendje jo vetëm fjalëve, por edhe ndjenjave që nuk shprehen hapur.

Roberti * është një Dëshmitar i Jehovait me përvojë, që shërben në kohë të plotë. Ai tregon: «Pati një moment që u shkurajova në shërbim. Prandaj kërkova të flisja me mbikëqyrësin udhëtues. Ai më dëgjoi me të vërtetë dhe u përpoq t’i kuptonte ndjenjat e mia. Madje, m’u duk se e kuptoi edhe frikën time se mos më kritikonte për këtë qëndrim që kisha. Vëllai më siguroi se ndjenjat e mia ishin normale, sepse edhe ai kishte provuar ndjenja të ngjashme. Kjo më ndihmoi vërtet për të vazhduar.»

A mund të dëgjojmë dikë, edhe pse nuk jemi dakord me atë që po thotë? A mund t’i themi dikujt se e vlerësojmë që po na thotë se si ndihet? Po. Për shembull, ç’duhet të bëjë një prind, kur i biri zihet në shkollë ose kur e bija adoleshente vjen në shtëpi dhe thotë se është e dashuruar? A nuk është më mirë që prindi të dëgjojë dhe të përpiqet të kuptojë se ç’po ndodh në mendjen e fëmijës, para se të shpjegojë sjelljen e përshtatshme e të papërshtatshme?

Te Proverbat 20:5 thuhet: «Qëllimet në zemrën e njeriut janë si ujëra të thella, por njeriu me aftësi dalluese i nxjerr në sipërfaqe.» Në qoftë se një njeri i mençur e me përvojë nuk ka prirjen të japë këshilla pa ia kërkuar, ndoshta do të na duhet ta nxitim të shprehet që të marrim këshilla prej tij. E njëjta gjë është kur dëgjojmë me dashuri. Duhet aftësi dalluese për ta bërë dikë që të flasë e të na hapet. Nuk është gabim të bëjmë pyetje, por duhet të jemi të kujdesshëm që me pyetjet tona të mos futim hundët në çështje private. Ndoshta është mirë t’i themi atij që po flet, që të fillojë nga ato gjëra për të cilat ndihet rehat të flasë. Për shembull, një grua që dëshiron të flasë për problemet e saj martesore, mund ta ketë më të lehtë të tregojë për kohën kur u njoh me të shoqin dhe u martuan. Një njeri që është bërë joaktiv në shërbimin e krishterë, mund ta ketë më të lehtë të fillojë të shpjegojë si e mori të vërtetën.

Të dëgjojmë me dashuri​—Një sfidë

Mund të jetë një sfidë ta dëgjojmë dikë që është mërzitur me ne, sepse prirja e natyrshme është të vetëmbrohemi. Si ta përballojmë këtë sfidë? «Përgjigjja e butë e largon tërbimin»,​—thuhet te Proverbat 15:1. Një mënyrë për t’u përgjigjur butë është nëse me mirësjellje e ftojmë tjetrin të flasë, e pastaj e dëgjojmë me durim, kur shpreh arsyen pse është mërzitur.

Shpesh, debatet e ashpra lindin kur dy njerëz thjesht përsëritin atë që sapo kanë thënë. Secili mendon se tjetri nuk po e dëgjon. Sa mirë do të ishte sikur njëri prej tyre të ndalej e të dëgjonte me të vërtetë! Sigurisht, është e rëndësishme të tregojmë vetëkontroll dhe të shprehemi me maturi e me dashuri. Bibla na thotë: «Kush u vë fre buzëve, vepron me maturi.»​—Proverbat 10:19.

Aftësia për të dëgjuar me dashuri nuk vjen vetvetiu. Megjithatë, është një art që mund të mësohet, me përpjekje e me disiplinë. Patjetër që është një aftësi që ia vlen ta fitosh. Të dëgjojmë me të vërtetë kur flasin të tjerët, është shprehje e dashurisë për ta. Gjithashtu, na bën më të lumtur. Pra, sa e mençur është të zhvillojmë artin e të dëgjuarit me dashuri!

[Shënimi]

^ par. 12 Emri është ndryshuar.

[Figura në faqen 11]

Kur dëgjojmë dikë, duhet t’i lëmë mënjanë interesat tona

[Figura në faqen 12]

Mund të jetë një sfidë të dëgjojmë dikë që është i mërzitur