Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Udhët e Jehovait janë të drejta»

«Udhët e Jehovait janë të drejta»

«Udhët e Jehovait janë të drejta»

«Udhët e Jehovait janë të drejta dhe në to do të ecin të drejtët.»​—HOZEA 14:9.

1, 2. Çfarë fillimi u dha Jehovai izraelitëve, por çfarë ndodhi me ta?

NË DITËT e profetit Moisi, Jehovai u dha izraelitëve një fillim të drejtë. Por, në fillim të shekullit të tetë p.e.s., gjendja e tyre ishte keqësuar kaq shumë, sa Perëndia i shpalli fajtorë për keqbërje të rënda. Kjo bëhet e qartë në kapitujt 10 deri në 14 të Hozesë.

2 Zemra e Izraelit ishte bërë hipokrite. Banorët e kësaj mbretërie të përbërë nga dhjetë fise, kishin «lëruar ligësinë» dhe korrën padrejtësi. (Hozea 10:1, 13) «Kur Izraeli ishte djalë, unë e desha,​—tha Jehovai,​—dhe nga Egjipti e thirra tim bir.» (Hozea 11:1) Edhe pse Perëndia i kishte çliruar izraelitët nga skllavëria egjiptiane, ata ia shpërblyen me gënjeshtra e mashtrime. (Hozea 11:12) Prandaj, Jehovai u dha këtë këshillë: «Kthehu, pra, te Perëndia yt, duke ruajtur dashamirësinë dhe drejtësinë.»​—Hozea 12:6.

3. Çfarë do të ndodhte me Samarinë rebele, por si mund të merrnin mëshirë izraelitët?

3 Samaria rebele dhe mbreti i saj do të pësonin një fund tragjik. (Hozea 13:11, 16) Por, kapitulli i fundit i profecisë së Hozesë fillon me këtë përgjërim: «Kthehu, o Izrael, te Jehovai, Perëndia yt.» Nëse izraelitët, të penduar, do të kërkonin falje, Perëndia do t’u tregonte mëshirë. Natyrisht, ata duhej të pranonin se «udhët e Jehovait janë të drejta» dhe të ecnin në to.​—Hozea 14:1-6, 9.

4. Cilat parime do të shqyrtojmë nga profecia e Hozesë?

4 Kjo pjesë e profecisë së Hozesë përmban shumë parime që mund të na ndihmojnë të ecim me Perëndinë. Do të shqyrtojmë këto: (1) Jehovai kërkon një adhurim pa hipokrizi, (2) Perëndia i tregon popullit të tij dashuri besnike, (3) duhet të shpresojmë gjithnjë te Jehovai, (4) udhët e Jehovait janë gjithnjë të drejta dhe (5) mëkatarët mund të kthehen te Jehovai.

Jehovai kërkon një adhurim pa hipokrizi

5. Ç’lloj shërbimi pret Perëndia prej nesh?

5 Jehovai pret që t’i bëjmë shërbim të shenjtë në mënyrë të pastër, pa hipokrizi. Por Izraeli ishte bërë «një hardhi që sa vjen e prishet» dhe nuk jep më fryt. Banorët e Izraelit i kishin «shumuar altarët» që përdornin për adhurimin e rremë. Madje, këta apostatë kishin ngritur edhe shtylla, që ndoshta ishin monumente për t’u përdorur në adhurimin e papastër. Jehovai do t‘i rrëzonte këta altarë dhe do t’i shkatërronte këto shtylla.​—Hozea 10:1, 2.

6. Për të ecur me Perëndinë, cilin tipar nuk duhet të kemi?

6 Hipokrizia s’ka vend mes shërbëtorëve të Jehovait. Por, çfarë kishte ndodhur me izraelitët? E pra, ‘zemra e tyre ishte bërë hipokrite’. Ndonëse më parë kishin lidhur një besëlidhje me Jehovain si popull që i ishte kushtuar atij, Jehovai i shpalli fajtorë për hipokrizi. Ç’mund të mësojmë nga kjo? Nëse i jemi kushtuar Perëndisë, nuk duhet të jemi hipokritë. Proverbat 3:32 paralajmëron: «Njeriu hileqar është i pështirë për Jehovain, ndërsa të drejtët gëzojnë miqësi të ngushtë me Të.» Për të ecur me Perëndinë, duhet të shfaqim dashuri «nga një zemër e pastër, nga një ndërgjegje e pastër dhe nga besimi pa hipokrizi».​—1 Timoteut 1:5.

Perëndia i tregon popullit të tij dashuri besnike

7, 8. (a) Në cilat kushte Perëndia na tregon dashuri besnike? (b) Çfarë duhet të bëjmë, nëse kemi mëkatuar rëndë?

7 Në qoftë se e adhurojmë Jehovain me drejtësi dhe pa hipokrizi, ai do të na tregojë dashamirësi ose dashuri besnike. Izraelitëve rebelë iu tha: «Mbillni farë me drejtësi. Korrni sipas dashamirësisë. Punoni arën tuaj, sa ka kohë për ta kërkuar Jehovain, derisa ai të vijë dhe t’ju japë udhëzime për drejtësinë.»​—Hozea 10:12.

8 Ah, sikur izraelitët të pendoheshin e ta kërkonin Jehovain! Atëherë, ai me kënaqësi ‘do t’u jepte udhëzime për drejtësinë’. Nëse ndonjëri prej nesh ka mëkatuar rëndë, le ta kërkojë Jehovain, t’i lutet që ta falë dhe të kërkojë ndihmë frymore nga pleqtë e krishterë. (Jakovi 5:13-16) Gjithashtu, le të kërkojmë udhëheqjen e frymës së shenjtë të Perëndisë, sepse «ai që mbjell për mishin, do të korrë nga mishi prishje, por, ai që mbjell për frymën, do të korrë nga fryma jetë të përhershme.» (Galatasve 6:8) Nëse ‘mbjellim për frymën’, Perëndia do të vazhdojë të na tregojë dashuri besnike.

9, 10. Si zbatohet për Izraelin Hozea 11:1-4?

9 Mund të jemi të sigurt se Jehovai e trajton gjithnjë me dashuri popullin e tij. Prova të kësaj i gjejmë te Hozea 11:1-4, ku lexojmë: «Kur Izraeli ishte djalë, unë e desha dhe nga Egjipti e thirra tim bir. . . . [Ata] nisën t’u bënin flijime shëmbëlltyrave të Baalit dhe t’u paraqitnin tymin e blatimit shëmbëlltyrave të skalitura. E pra, unë e mësova Efraimin [Izraelin] të ecte, duke e marrë në krahë, por ai nuk e kuptoi që e kisha shëruar unë. Me litarët e njeriut i tërhiqja, me kordonët e dashurisë. Për ta u bëra si ata që u heqin zgjedhën nga nofullat dhe me ëmbëlsi i çova ushqim gjithsecilit.»

10 Këtu Izraeli krahasohet me një fëmijë të vogël. Me dashuri, Jehovai i mësoi izraelitët të ecnin, duke i zgjatur krahët drejt tyre. Dhe i tërhiqte me «kordonët e dashurisë». Sa përshkrim prekës! Mendo sikur je prind dhe po ndihmon fëmijën tënd të bëjë hapat e parë. I mban krahët të shtrirë drejt tij. Po të kishe jetuar në kohët e lashta, me siguri do të kishe bërë si shumë prindër të tjerë në ato kohë: do të përdorje kordonë që fëmija yt të mbahej e të mos binte. Dashuria që ka Jehovai për ty është po kaq e butë. Ai, me kënaqësi, të udhëheq me «kordonët e dashurisë».

11. Në ç’mënyrë, Perëndia ‘u bë si ai që heq zgjedhën’?

11 Kur merrej me izraelitët, Jehovai ‘u bë si ata që u heqin zgjedhën nga nofullat dhe me ëmbëlsi i çoi ushqim gjithsecilit’. Perëndia veproi si ai që i heq ose ia largon zgjedhën një kafshe, që të hajë rehat. Vetëm kur nuk qëndroi nën zgjedhën e nënshtrimit ndaj Jehovait, populli i Izraelit ra nën zgjedhën shtypëse të armiqve. (Ligji i përtërirë 28:45, 48; Jeremia 28:14) Mos rënçim kurrë në kthetrat e armikut tonë më të madh, Satanait, që të vuajmë pasojat e zgjedhës së tij shtypëse! Në vend të kësaj, le të vazhdojmë me besnikëri të ecim me Perëndinë tonë të dashur!

Të shpresojmë gjithnjë te Jehovai

12. Çfarë kërkohet që të vazhdojmë të ecim me Perëndinë, sipas Hozesë 12:6?

12 Që të vazhdojmë të ecim me Perëndinë, duhet të shpresojmë gjithnjë tek ai. Izraelit iu tha: «Kthehu, pra, te Perëndia yt, duke ruajtur dashamirësinë dhe drejtësinë. Te Perëndia yt paç gjithmonë shpresë!» (Hozea 12:6) Banorët e Izraelit mund të jepnin prova se ishin penduar dhe ishin kthyer te Jehovai, po të shfaqnin dashamirësi, të vepronin me drejtësi dhe ‘të shpresonin gjithmonë te Perëndia’. Pavarësisht sa kohë kemi që ecim me Perëndinë, duhet të jemi të vendosur të shfaqim dashamirësi, të veprojmë me drejtësi dhe të shpresojmë gjithnjë te Perëndia.​—Psalmi 27:14.

13, 14. Çfarë zbatimi të Hozesë 13:14 bën Pavli, e ç’arsye na jep për të shpresuar te Jehovai?

13 Profecia e Hozesë lidhur me izraelitët, na jep një arsye të veçantë për të shpresuar te Perëndia. «Nga dora e Sheolit do t’i shpengoj,​—tha Jehovai,​—nga vdekja do t’i rimëkëmb. Ku janë thumbat e tu, o Vdekje? Ku është fuqia jote shkatërruese, o Sheol?» (Hozea 13:14) Jehovai nuk do t’i shpëtonte në atë kohë nga vdekja izraelitët, por së fundi do ta përpinte përgjithmonë vdekjen dhe do ta bënte të pavlefshme fitoren e saj.

14 Kur po u shkruante të bashkëkrishterëve të mirosur, Pavli citoi fjalët e profecisë së Hozesë: «Kur ky që është i prishshëm të veshë mosprishjen dhe ky që është i vdekshëm të veshë pavdekësinë, atëherë do të përmbushen fjalët që janë shkruar: ‘Vdekja u përpi përgjithmonë.’ ‘Ku është fitorja jote, o vdekje? Ku është thumbi yt, o vdekje?’ Thumbi që sjell vdekjen, është mëkati, por fuqia e mëkatit vjen nga Ligji. Por falënderojmë Perëndinë, sepse na jep fitoren nëpërmjet Zotërisë tonë Jezu Krisht!» (1 Korintasve 15:54-57) Jehovai e ngriti Jezuin nga vdekja, duke na dhënë kështu një garanci ngushëlluese se njerëzit që i ka në kujtesë, do t’i ringjallë. (Gjoni 5:28, 29) Sa arsye e fortë për të shpresuar te Jehovai! Megjithatë, ka edhe diçka tjetër përveç shpresës së ringjalljes, që na motivon të ecim me Perëndinë.

Udhët e Jehovait janë gjithmonë të drejta

15, 16. Çfarë ishte parathënë për Samarinë dhe si u përmbush profecia?

15 Bindja jonë se «udhët e Jehovait janë të drejta» na ndihmon të vazhdojmë të ecim me të. Banorët e Samarisë nuk ecën në rrugët e drejta të Perëndisë. Rrjedhimisht, do të vuanin pasojat për mëkatin e tyre dhe për mungesën e besimit te Jehovai. Ishte parathënë: «Samaria do të quhet fajtore, sepse është vërtet rebele kundër Perëndisë së saj. Ata do të bien nga shpata. Fëmijët do t’u bëhen copë e çikë, kurse grave shtatzëna do t’u çahet barku.» (Hozea 13:16) Dokumentet historike tregojnë se asirianët, që pushtuan Samarinë, ishin të aftë të kryenin mizori të tilla të tmerrshme.

16 Samaria ishte kryeqyteti i mbretërisë prej dhjetë fisesh të Izraelit. Por, këtu emri Samari mund të zbatohet për gjithë territorin e asaj mbretërie. (1 Mbretërve 21:1) Mbreti asirian Shalmaneseri V e rrethoi qytetin e Samarisë në vitin 742 p.e.s. Kur ra Samaria, në vitin 740 p.e.s., shumë banorë të shquar të saj i çuan robër në Mesopotami e Medi. Mbetet ende e pasigurt nëse Samarinë e pushtoi Shalmaneseri V apo pasardhësi i tij në fron, Sargoni II. (2 Mbretërve 17:1-6, 22, 23; 18:9-12) Megjithatë, në dokumentet e Sargonit kemi të shënuar shpërnguljen e 27.290 izraelitëve nëpër krahina të Eufratit të Sipërm e të Medisë.

17. Çfarë duhet të bëjmë, në vend që t’i shohim me përbuzje normat e Perëndisë?

17 Banorët e Samarisë e paguan shtrenjtë që s’donin të ecnin në udhët e drejta të Jehovait. Edhe të krishterët e kushtuar do të kenë pasoja tragjike, po të praktikojnë mëkatin, duke i parë me përbuzje normat e drejta të Perëndisë. Kurrë mos ndjekshim këtë rrugë të ligë! Përkundrazi, secili le të zbatojë këshillën e apostullit Pjetër: «Askush nga ju të mos vuajë si vrasës, a hajdut, a keqbërës, a si dikush që fut hundët në punët e të tjerëve. Por nëse vuan si i krishterë, le të mos e ketë për turp, por të vazhdojë t’i japë lavdi Perëndisë, duke mbajtur këtë emër.»​—1 Pjetrit 4:15, 16.

18. Si mund ‘të vazhdojmë t’i japim lavdi Perëndisë’?

18 ‘Vazhdojmë t’i japim lavdi Perëndisë’ duke ecur në rrugët e tij të drejta, në vend që t’i bëjmë gjërat sipas mënyrës sonë. Kaini u bë vrasës, sepse veproi me kokën e tij dhe nuk ia vuri veshin paralajmërimit të Jehovait, se mëkati po e gjurmonte. (Zanafilla 4:1-8) Balaami pranoi ryshfet nga mbreti i Moabit, por më kot u përpoq ta mallkonte Izraelin. (Numrat 24:10) Kurse levitin Korah dhe të tjerë, Perëndia i bëri të vdisnin, sepse u rebeluan kundër autoritetit të Moisiut dhe Aaronit. (Numrat 16:1-3, 31-33) Sigurisht, ne nuk duam të shkojmë në «shtegun e Kainit» vrasës, të turremi në «rrugën e gabuar të Balaamit» apo të marrim fund në «të folurit rebel të Korahut». (Juda 11) Por, nëse ndodh që të gabojmë, profecia e Hozesë na ngushëllon.

Mëkatarët mund të kthehen te Jehovai

19, 20. Çfarë flijimesh mund të paraqitnin izraelitët e penduar?

19 Edhe ata që janë penguar dhe kanë kryer një mëkat të rëndë, mund të kthehen te Jehovai. Te Hozea 14:1, 2, gjejmë këtë përgjërim: «Kthehu, o Izrael, te Jehovai, Perëndia yt, sepse ti je penguar te faji yt. Merrni me vete fjalë pendimi dhe kthehuni te Jehovai. I thoni të gjithë: ‘Fale fajin. Prano atë që është e mirë dhe ne do të të japim demat e rinj të buzëve tona.’»

20 Izraelitët e penduar mund t’i paraqitnin Perëndisë ‘demat e rinj të buzëve të tyre’. Këto ishin lëvdime të sinqerta që i paraqitnin si flijime. Pavli e kishte fjalën për këtë profeci, kur i nxiti të krishterët që ‘t’i paraqitin Perëndisë një flijim lëvdimi, domethënë frytin e buzëve që shpallin publikisht emrin e tij’. (Hebrenjve 13:15) Sa privilegj i madh është të ecim me Perëndinë dhe të paraqitim flijime të tilla sot!

21, 22. Cilën rivendosje do të përjetonin izraelitët e penduar?

21 Izraelitët që e lanë rrugën e tyre rebele dhe u kthyen te Perëndia, i paraqitën ‘demat e rinj të buzëve të tyre’. Si rrjedhim, përjetuan rivendosjen frymore, pikërisht siç kishte premtuar Perëndia. Te Hozea 14:4-7 thuhet: «Unë [Jehovai] do t’ua shëroj pabesinë. Do t’i dua me vullnetin tim të lirë, sepse zemërimi im është larguar prej tyre. Unë do të bëhem si vesa për Izraelin. Ai do të lulëzojë si zambaku dhe do t’i lëshojë rrënjët si pema e Libanit. Do t’i dalin filiza dhe lavdia e tij do të jetë si lavdia e pemës së ullirit, ndërsa aroma si ajo e pemës së Libanit. Ata do të jenë sërish banorë të hijes së tij. Do të kultivojnë drithë dhe do të lëshojnë sythe si hardhia. Për të do të flitet ashtu si flitet për verën e Libanit.»

22 Izraelitët e penduar do të shëroheshin frymësisht dhe do të gëzonin përsëri dashurinë e Perëndisë. Jehovai do të bëhej për ta si vesë freskuese, në kuptimin që do t’i bekonte shumë. Populli i tij i rivendosur do të kishte një lavdi «si lavdia e pemës së ullirit» dhe do të ecte në rrugët e Perëndisë. Meqenëse ne jemi të vendosur të ecim me Perëndinë Jehova, çfarë kërkohet prej nesh?

Të vazhdojmë të ecim në udhët e drejta të Jehovait

23, 24. Me cilën profeci inkurajuese mbyllet libri i Hozesë dhe si ndikon te ne?

23 Në qoftë se duam të vazhdojmë të ecim me Perëndinë, duhet të përdorim ‘mençurinë nga lart’ dhe të veprojmë gjithnjë në përputhje me udhët e tij të drejta. (Jakovi 3:17, 18) Në vargun e fundit të profecisë së Hozesë, lexojmë: «Kush është i mençur, që t’i kuptojë këto gjëra? I matur, që t’i dijë? Sepse udhët e Jehovait janë të drejta dhe në to do të ecin të drejtët, kurse shkelësit do të pengohen.»​—Hozea 14:9.

24 Në vend që të lëmë të na drejtojë mençuria dhe normat e kësaj bote, le të jemi të vendosur të ecim në udhët e drejta të Perëndisë! (Ligji i përtërirë 32:4) Hozea veproi kështu për 59 vjet a mos më shumë. Me besnikëri, ai shpalli mesazhet e Perëndisë, duke e ditur se ata që ishin të mençur e të matur do t’i kuptonin ato fjalë. Po ne? Për sa kohë që Jehovai të na lejojë të japim dëshmi, do të vazhdojmë të kërkojmë ata që me mençuri do ta pranojnë dashamirësinë e tij të pamerituar. Jemi të kënaqur që këtë e bëjmë në bashkëpunim të plotë me ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’.​—Mateu 24:45-47.

25. Për çfarë duhet të na ndihmojë shqyrtimi i profecisë së Hozesë?

25 Shqyrtimi i profecisë së Hozesë duhet të na ndihmojë që të vazhdojmë të ecim me Perëndinë, duke i mbajtur sytë nga jeta e përhershme në botën e re që ai ka premtuar. (2 Pjetrit 3:13; Juda 20, 21) Sa shpresë e mrekullueshme! Kjo shpresë do të bëhet realitet për secilin prej nesh, nëse, me fjalë e me vepra, tregojmë se e kemi me të vërtetë kur themi: «Udhët e Jehovait janë të drejta.»

Si do të përgjigjeshit?

• Si do të veprojë Perëndia me ne, në qoftë se e adhurojmë në mënyrë të pastër?

• Pse duhet të shpresojmë gjithmonë te Jehovai?

• Përse jeni të bindur se udhët e Jehovait janë të drejta?

• Si mund të vazhdojmë të ecim në udhët e drejta të Jehovait?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 28]

Pranoje ndihmën frymore që të japin pleqtë e krishterë

[Figura në faqen 29]

Profecia e Hozesë na jep arsye për të shpresuar në premtimet e Jehovait për ringjalljen

[Figurat në faqen 31]

Vazhdo të ecësh me Perëndinë, duke i mbajtur sytë nga jeta e përhershme