Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E vendosur që të vazhdoj t’i shërbej Krijuesit

E vendosur që të vazhdoj t’i shërbej Krijuesit

Jetëshkrim

E vendosur që të vazhdoj t’i shërbej Krijuesit

TREGUAR NGA KONSTANS BENANTI

Gjithçka ndodhi kaq shpejt! Vetëm brenda gjashtë ditëve, Kamilës, vajzës sonë 22 muajshe i hipi një temperaturë e lartë dhe vdiq. Më pushtoi hidhërimi. Doja të vdisja edhe unë. Pse e lejoi Perëndia këtë gjë? Isha e pështjelluar.

PRINDËRIT e mi ishin emigrantë nga Kastelamare del Golfo, një qytet në Sicili të Italisë. Ata erdhën në qytetin e Nju-Jorkut, ku linda dhe unë më 8 dhjetor 1908. Familja jonë përbëhej nga babai, mamaja dhe tetë fëmijë, pesë djem dhe tri vajza. *

Në vitin 1927 babai, Santo Katanxaro, filloi të ndiqte mbledhjet e një grupi të vogël të Studentëve të Biblës, siç quheshin në atë kohë Dëshmitarët e Jehovait. Xhovani de Çeka, një vëlla italian që shërbente në selinë (e quajtur Bethel) në Bruklin të Nju-Jorkut, mbante mbledhjet në Nju-Xhersi, vendi fqinj ku jetonim. Pas njëfarë kohe babai filloi të predikonte dhe nisi të shërbente në kohë të plotë. Ai vazhdoi në këtë vepër derisa vdiq më 1953.

Kur mamaja ishte e re, donte të bëhej murgeshë, por prindërit nuk e lanë. Në fillim, unë u ndikova nga mamaja që nuk merrja pjesë me babanë në studimin e Biblës. Por shumë shpejt vura re ndryshime tek ai. Babai u bë më i qetë, më i butë dhe në familje kishte më tepër paqe. Më pëlqente kjo.

Ndërkohë njoha Çarlsin, një të ri në një moshë me mua, i cili kishte lindur në Bruklin. Edhe familja e tij ishte nga Sicilia. Pak kohë më vonë u fejuam dhe, kur babai u kthye nga kongresi i Dëshmitarëve të Jehovait në Kolumbus të Ohajos, në vitin 1931, u martuam. Brenda vitit lindi vajza jonë, Kamila. Kur ajo vdiq, nuk gjeja ngushëllim. Një ditë, teksa qante, Çarlsi më tha: «Kamila nuk ishte vetëm vajza jote, por edhe imja. Duhet të vazhdojmë jetën e të ngushëllojmë njëri-tjetrin.»

Pranojmë të vërtetën biblike

Çarlsi më solli ndër mend se babai kishte folur për shpresën e ringjalljes kur kishte mbajtur fjalimin te funerali i Kamilës. «A beson vërtet te ringjallja?​—e pyeta.

​—Po!​—u përgjigj ai.​—Pse të mos mësojmë më shumë çfarë thotë Bibla?»

Atë natë nuk munda të flija. Në orën gjashtë të mëngjesit, para se babai të ikte në punë, shkova tek ai dhe i thashë se unë e Çarlsi donim të studionim Biblën. Ai u gëzua dhe më përqafoi. Mamasë, e cila ishte ende në shtrat, i kishte kapur veshi bisedën tonë. Më pyeti se ç’po ndodhte. «Asgjë,​—i thashë.​—Unë dhe Çarlsi kemi vendosur të studiojmë Biblën.

​—Të gjithë duhet ta studiojmë Biblën,​—u përgjigj ajo.» Kështu, të njëmbëdhjetë ne, përfshirë vëllezërit dhe motrat, filluam të studionim bashkë si familje.

Studimi i Biblës më ngushëlloi dhe, dalëngadalë, pështjellimit mendor e hidhërimit që kisha, ua zuri vendin shpresa. Një vit më pas, më 1935-n, unë dhe Çarlsi filluam të flitnim për të vërtetat biblike me të tjerët. Në shkurt të vitit 1937, pasi dëgjuam një fjalim në selinë në Bruklin, gjatë të cilit u shpjegua domethënia biblike e pagëzimit në ujë, u pagëzuam në një hotel aty pranë bashkë me shumë të tjerë. E bëra këtë hap, jo vetëm se shpresoja të shihja përsëri vajzën time, por edhe se dëshiroja t’i shërbeja Krijuesit, të cilin kisha arritur ta njihja e ta doja.

Filloj shërbimin në kohë të plotë

T’u flitja të tjerëve për gjërat që kisha mësuar, ishte tepër emocionuese dhe e këndshme, sidomos ngaqë atëherë shumë njerëz i përgjigjeshin mesazhit të Mbretërisë dhe merrnin pjesë në shpalljen e tij. (Mateu 9:37) Më 1941-shin, unë dhe Çarlsi u bëmë pionierë, siç i quajnë Dëshmitarët e Jehovait shërbëtorët e tyre në kohë të plotë. Pak kohë më pas blemë një autokamp, dhe Çarlsi ia dha në dorëzim tim vëllai, Frankut, fabrikën e pantallonave që zotëronte familja jonë. Pas njëfarë kohe u drithëruam kur morëm një letër ku na njoftohej se ishim caktuar pionierë specialë. Fillimisht shërbyem në Nju-Xhersi, kurse më vonë na caktuan në shtetin e Nju-Jorkut.

Më 1946-n, ndërsa po ndiqnim një kongres në Baltimorë të Merilendit, na kërkuan të paraqiteshim në një mbledhje me përfaqësues të veçantë të Dëshmitarëve të Jehovait. Atje takuam Nejthën H. Norin dhe Milton G. Henshelin. Ata na folën për veprën misionare dhe, në veçanti, për veprën e predikimit në Itali. Na inkurajuan të shqyrtonim nëse mund të ndiqnim Shkollën Watch Tower të Galaadit.

«Mendohuni dhe më pas na jepni përgjigje,​—na thanë.» Pasi dolëm nga zyra, unë dhe Çarlsi u pamë në sy, u kthyem dhe u futëm drejt e brenda. «U menduam,​—iu përgjigjëm.​—Jemi gati për në Galaad.» Dhjetë ditë më pas, po ndiqnim klasën e shtatë të Galaadit.

Muajt e stërvitjes në shkollë qenë të paharrueshëm. Veçanërisht na bënë përshtypje durimi dhe dashuria e instruktorëve, të cilët na përgatitën për të përballuar vështirësitë në fushën e huaj. Pas diplomimit në korrik 1946 u caktuam të predikonim për pak kohë në qytetin e Nju-Jorkut ku kishte një popullsi të madhe me italianë. Pastaj erdhi dita e madhe! Më 25 qershor 1947 u nisëm për në Itali, caktimin tonë misionar.

Vendosemi në caktimin tonë

Udhëtuam me një anije që më parë ishte përdorur për qëllime ushtarake. Pas 14 ditësh në det, mbërritëm në portin italian të Xhenovës. Në qytet kishte shenja të Luftës së Dytë Botërore, e cila kishte përfunduar vetëm para dy vjetësh. Për shembull, për shkak të bombardimeve, në stacionin hekurudhor nuk kishte asnjë xham. Nga Xhenova udhëtuam me një tren mallrash për në Milano, ku ndodheshin një zyrë dege dhe një shtëpi misionare.

Kushtet e jetesës ishin të mjerueshme në Italinë e pasluftës. Po bëheshin përpjekje për rindërtimin e vendit, por kudo kishte pllakosur varfëria. Shumë shpejt m’u shfaq një problem i rëndë shëndeti. Sipas një mjeku, zemra ime ishte në një gjendje aq të rëndë, saqë do të ishte më mirë të kthehesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jam e lumtur që e kishte krejtësisht gabim. Pas 58 vjetësh vazhdoj ende në caktimin tim në Itali.

Kishim vetëm pak vjet në caktimin tonë, kur vëllezërit e mi në Shtetet e Bashkuara donin të na dhuronin një makinë. Çarlsi nuk pranoi dhe unë e vlerësova për këtë vendim. Nga ajo që dinim, në atë kohë asnjë Dëshmitar në Itali nuk kishte makinë dhe Çarlsi mendonte se ishte më mirë që të mbanim një nivel jetese si ai i vëllezërve të krishterë. Nuk patëm makinë deri në vitin 1961, kur morëm një të vogël.

Salla jonë e parë e Mbretërisë në Milano gjendej në një bodrum me dysheme dheu. Nuk kishte banjë, dhe vetëm kur binte shi kishte ujë, e atëherë vetëm nën këmbët tona. Kishim edhe shoqërinë e minjve të vegjël që vraponin andej-këtej. Ndriçimi në mbledhje sigurohej nga dy llamba. Me gjithë këto vështirësi, ishte inkurajuese të shihje njerëz të sinqertë që vinin në mbledhje dhe së fundi të merrnin pjesë bashkë me ne në shërbim.

Përvoja misionare

Një herë i lamë një burri broshurën Paqja: A mund të zgjatë? Kur po largoheshim, mbërriti e shoqja, Santina, e ngarkuar me çanta me ushqime. Ajo ishte paksa e acaruar dhe tha se duhej të kujdesej për tetë vajzat e saj dhe nuk kishte kohë për të humbur. Kur i bëra një rivizitë Santinës, i shoqi nuk ishte në shtëpi, kurse ajo po punonte me shtiza. «Nuk kam kohë të dëgjoj,​—tha ajo.​—Veç kësaj, nuk di të lexoj.»

Iu luta Jehovait në heshtje dhe më pas e pyeta nëse mund të më bënte një triko për burrin tim dhe ta paguaja. Dy javë më vonë mora trikon dhe me Santinën filluam të studionim Biblën rregullisht me ndihmën e librit «E vërteta do t’ju lirojë». Santina mësoi të lexonte dhe me gjithë kundërshtimin e të shoqit, bëri përparim e u pagëzua. Pesë nga vajzat e saj u bënë Dëshmitare dhe Santina ka ndihmuar edhe shumë të tjerë që të pranojnë të vërtetën biblike.

Në mars 1951, bashkë me dy misionare të tjera, Ruth Kanonin * dhe Lois Kalahanin, e cila më vonë u martua me Bill Uengertin, u transferuam në Breshia, ku nuk kishte Dëshmitarë. Gjetëm një apartament të mobiluar, por pas dy muajsh pronari na kërkoi të largoheshim nga shtëpia brenda 24 orëve. Meqë në atë zonë nuk kishte asnjë Dëshmitar, nuk kishim zgjidhje tjetër përveçse të shkonim në hotel, ku ndenjëm për gati dy muaj.

Ushqimi që hanim, ishte i kufizuar: kapuçino dhe kruasanë për mëngjes, fruta e bukë me djathë për drekë dhe për darkë. Pavarësisht nga këto vështirësi, patëm shumë bekime. Pas njëfarë kohe gjetëm një apartament të vogël dhe në vitin 1952, në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, ishim 35 të pranishëm në dhomën e vogël që përdornim si Sallë Mbretërie.

Përballojmë sfida

Në atë kohë kleri kishte ende pushtet të madh mbi njerëzit. Për shembull, kur po predikonim në Breshia, prifti nxiti disa djem që të na qëllonin me gurë. Gjithsesi, me kalimin e kohës 16 veta filluan të studionin Biblën me ne e për një kohë të shkurtër u bënë Dëshmitarë. Kush ishte njëri prej tyre? Një nga djemtë që kishte kërcënuar se do të na qëllonte me gurë! Tani ai shërben si plak në një nga kongregacionet e Breshias. Në vitin 1955, kur u larguam nga Breshia, në veprën e predikimit merrnin pjesë 40 lajmëtarë të Mbretërisë.

Më pas shërbyem për tre vjet në Livorno, ku shumica e Dëshmitarëve ishin gra. Kjo do të thoshte që ne motrat duhej të kujdeseshim për detyrat e kongregacionit që zakonisht u caktohen vëllezërve. Më pas u transferuam në Xhenova ku kishim qenë në fillim fare para 11 vjetësh. Tani atje kishte një kongregacion. Salla e Mbretërisë gjendej në katin e parë të një ndërtese ku ndodhej apartamenti ynë.

Sapo mbërritëm në Xhenova unë fillova një studim me një zonjë, burri i së cilës kishte qenë boksier dhe tani ishte administrues i një palestre boksi. Zonja bëri përparim frymor dhe shumë shpejt u bë një motër e krishterë. Por i shoqi e kundërshtonte dhe vazhdoi kështu për një kohë të gjatë. Më vonë filloi të shoqëronte gruan në mbledhje. Në vend që të hynte në Sallë, ai rrinte jashtë e dëgjonte. Pasi u larguam nga Xhenova, morëm vesh se kishte kërkuar një studim biblik. Pas ca kohësh u pagëzua dhe u bë një mbikëqyrës i dashur i krishterë. Mbeti besnik deri sa vdiq.

Studiova edhe me një vajzë që ishte fejuar me një polic. Fillimisht ai tregoi njëfarë interesi, por pas martesës ndryshoi qëndrim. E kundërshtonte të shoqen dhe prandaj ajo e ndërpreu studimin. Kur më vonë e rifilluam studimin, i shoqi e kërcënoi, duke i thënë se, po të na gjente duke studiuar bashkë, do të na vriste të dyjave. Gjithsesi gruaja bëri përparim frymor dhe u bë një Dëshmitare e pagëzuar. Nuk ka nevojë ta themi se ai nuk na vrau. Në të vërtetë, disa vjet më vonë, kur po ndiqja një asamble në Xhenova, dikush më erdhi nga pas, më mbuloi sytë me duar dhe më pyeti nëse e gjeja kush ishte. S’i përmbajta lotët kur pashë burrin e asaj gruaje! Pasi më përqafoi, më tha se kishte simbolizuar kushtimin ndaj Jehovait duke u pagëzuar pikërisht atë ditë!

Nga viti 1964 deri në vitin 1972 pata privilegjin të shoqëroja Çarlsin kur vizitonte kongregacionet për t’i forcuar frymësisht. Shërbyem në pothuajse gjithë Italinë e Veriut: në Piemonte, Lombardi dhe Liguria. Më pas u rikthyem në shërbimin e pionierit pranë Firences dhe më vonë në Verçeli. Më 1977 në Verçeli kishte vetëm një kongregacion, por, kur ikëm që andej më 1999, kishte tri. Atë vit mbusha 91 vjeç dhe na inkurajuan të transferoheshim në shtëpinë misionare në Romë, një ndërtesë e vogël dhe e bukur në një zonë paksa të qetë.

Një tjetër ngjarje e trishtueshme

Në mars të vitit 2002, Çarlsi, i cili kishte qenë gjithnjë mirë me shëndet, u sëmur papritur. Gjendja e tij u keqësua derisa vdiq më 11 maj 2002. Për 71 vjet kishim qarë bashkë gjatë kohëve të vështira dhe kishim gëzuar bashkë për bekimet. Vdekja e tij qe për mua një humbje tejet e madhe dhe e rëndë.

Shpesh e sjell ndër mend Çarlsin me kostumin e tij dopiopet dhe me një kapelë të viteve 30. Përfytyroj buzëqeshjen e tij dhe më duket sikur i dëgjoj të qeshurën. Me ndihmën e Jehovait dhe falë dashurisë së shumë vëllezërve e motrave të dashura të krishtere kam mundur ta përballoj këtë periudhë të trishtueshme. Pres me padurim kohën kur do ta shoh përsëri Çarlsin.

Vazhdoj shërbimin

T’i shërbeja Krijuesit ka qenë gjëja më e mrekullueshme në jetë. Gjatë viteve ‘kam provuar dhe shijuar se sa i mirë është Jehovai’. (Psalmi 34:8) Kam ndier dashurinë e tij dhe kam përjetuar kujdesin e tij. Ndonëse humba fëmijën, Jehovai më ka dhënë shumë bij e bija frymore, që janë në gjithë Italinë, të cilët më kanë sjellë gëzim në zemër mua dhe atij.

T’u flitja të tjerëve për Krijuesin ka qenë gjëja që gjithmonë kam dashur të bëj më shumë. Ja pse vazhdoj të predikoj dhe të drejtoj studime biblike. Ndonjëherë më vjen keq që nuk mund të bëj më tepër për shkak të shëndetit. Por e di se Jehovai i njeh kufizimet e mia e më do dhe vlerëson atë që jam në gjendje të bëj. (Marku 12:42) Përpiqem të jetoj në lartësinë e fjalëve të Psalmit 146:2: «Do ta lëvdoj Jehovain sa të kem jetë. Do të këndoj për Perëndinë tim sa të jem.» *

[Shënimet]

^ par. 5 Përvoja e vëllait tim Anxhelo Katanxaro u botua në Kullën e Rojës 1 prill 1975, faqet 205-207 (anglisht).

^ par. 28 Për jetëshkrimin e saj shih Kullën e Rojës, 1 maj 1971, faqet 277-280 (anglisht).

^ par. 41 Motër Benanti vdiq më 16 korrik 2005, ndërsa po përgatitej ky artikull. Ajo vdiq në moshën 96-vjeçare.

[Figura në faqen 13]

Kamila

[Figura në faqen 14]

Ditën e dasmës, më 1931

[Figura në faqen 14]

Mamaja që në fillim nuk ishte e interesuar, tha se të gjithë duhet ta studionim Biblën

[Figura në faqen 15]

Me vëlla Norin ditën e diplomimit në Galaad, më 1946

[Figura në faqen 17]

Me Çarlsin vetëm pak kohë para vdekjes