Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Njerëz «nga të gjitha gjuhët» dëgjojnë lajmin e mirë

Njerëz «nga të gjitha gjuhët» dëgjojnë lajmin e mirë

Njerëz «nga të gjitha gjuhët» dëgjojnë lajmin e mirë

«Dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të [thonë]: ‘Ne do të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.’»​—Zakaria 8:23.

1. Si e siguroi Jehovai kohën dhe rastin ideal për fillimin e veprës së predikimit te njerëz të gjuhëve dhe kombësive të ndryshme?

ISHTE koha dhe rasti ideal: viti 33 i erës sonë, festa e Ditës së Pesëdhjetë. Disa javë më parë, në Jerusalem ishin dyndur judenj e prozelitë nga të paktën 15 krahina të Perandorisë së madhe Romake, për të kremtuar Pashkën. Atë ditë, mijëra prej tyre dëgjuan (jo si njerëzit në Babelin e lashtë, ku u bë ngatërrimi i gjuhëve, por duke kuptuar) disa njerëz të thjeshtë, të mbushur me frymën e shenjtë, që ua shpallën lajmin e mirë në gjuhët e shumta që fliteshin në perandori. (Veprat 2:1-12) Ai rast shënoi lindjen e kongregacionit të krishterë dhe fillimin e një vepre arsimimi mbarëbotërore e shumëgjuhëshe, që ka vazhduar deri në ditët tona.

2. Si i «befasuan» dishepujt e Jezuit dëgjuesit e tyre me kombësi të ndryshme, në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s.?

2 Me siguri, dishepujt e Jezuit e flitnin greqishten e thjeshtë, gjuhën ndërkombëtare të asaj kohe. Flitnin edhe hebraisht, gjuhën që përdorej në tempull. Por atë ditë, në festën e Ditës së Pesëdhjetë, i «befasuan» të pranishmit duke u folur në gjuhën e tyre amtare. Cili ishte rezultati? Dëgjuesve iu prek zemra nga të vërtetat jetësore që dëgjuan në gjuhën mëmë. Në fund të ditës, grupi i vogël i dishepujve ishte rritur në mbi 3.000 veta.​—Veprat 2:37-42.

3, 4. Si u zgjerua vepra e predikimit, ndërsa dishepujt u larguan nga Jerusalemi, Judea dhe Galilea?

3 Jo shumë kohë pas asaj ngjarjeje historike, në Jerusalem shpërtheu një përndjekje e madhe, kështu që, «pasi ishin shpërndarë, dishepujt përshkuan tërë vendin, duke shpallur lajmin e mirë të fjalës». (Veprat 8:1-4) Për shembull, në kapitullin e tetë të Veprave lexojmë për Filipin, që me sa duket ishte një ungjillëzues greqishtfolës. Filipi u predikonte samaritanëve. I predikoi edhe një zyrtari etiopas që iu përgjigj mirë mesazhit për Krishtin.​—Veprat 6:1-5; 8:5-13, 26-40; 21:8, 9.

4 Ndërsa udhëtonin për të gjetur vende ku të rifillonin jetën jashtë kufijve të Jerusalemit, Judesë dhe Galilesë, të krishterët hasën pengesa të reja etnike dhe gjuhësore. Disa prej tyre ndoshta u predikonin vetëm judenjve. Por dishepulli Lukë raporton: «Kishte disa njerëz nga Qiproja dhe Kirena, që vajtën në Antioki dhe nisën t’u shpallnin lajmin e mirë për Zotërinë Jezu atyre që flitnin greqisht.»​—Veprat 11:19-21.

Një Perëndi i paanshëm ka një mesazh për të gjithë

5. Si shihet paanshmëria e Jehovait në përhapjen e lajmit të mirë?

5 Këto ngjarje janë në përputhje me mënyrën si vepron Perëndia: ai nuk njeh mbajtje me hatër. Pasi Jehovai e ndihmoi të ndreqte pikëpamjen e tij për njerëzit e kombeve, apostulli Pjetër tha me çmueshmëri: «Tani e kuptoj fare qartë se Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë, është i pranuar nga ai.» (Veprat 10:34, 35; Psalmi 145:9) Edhe apostulli Pavël​—dikur përndjekës i të krishterëve​—vërtetoi se Perëndia nuk ka paragjykime, kur shpalli se «vullneti i [Tij] është që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë». (1 Timoteut 2:4) Paanshmëria e Krijuesit duket në këtë fakt: ai ua jep shpresën e Mbretërisë njerëzve të çdo gjinie, race, kombësie e gjuhe.

6, 7. Cilat profeci biblike parathoshin përhapjen e lajmit të mirë te të gjitha kombet dhe në shumë gjuhë?

6 Kjo përhapje ndërkombëtare ishte parathënë shekuj më parë. Sipas profecisë së Danielit, Jezuit «iu dha sundim, lavdi dhe mbretëri, që t’i shërbenin gjithë popujt, kombet dhe gjuhët». (Danieli 7:14) Fakti që kjo revistë botohet në 151 gjuhë dhe shpërndahet në mbarë botën, duke i dhënë mundësinë kujtdo që të lexojë për Mbretërinë e Jehovait, tregon përmbushjen e kësaj profecie biblike.

7 Bibla kishte parathënë një kohë kur njerëzit që flitnin gjuhë të ndryshme, do të dëgjonin mesazhin e saj jetëdhënës. Duke treguar se si adhurimi i vërtetë do të tërhiqte shumë veta, Zakaria profetizoi: «Ato ditë, dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të kapin, po, do të mbërthejnë cepin e rrobës së një judeu [i krishteri i mirosur, pjesë e ‘Izraelit të Perëndisë’] e do të thonë: ‘Ne do të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.’» (Zakaria 8:23; Galatasve 6:16) Po ashtu, apostulli Gjon pa një vegim dhe ja çfarë tregoi: «Pashë të qëndronte para fronit dhe para Qengjit një shumicë të madhe nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte.» (Zbulesa 7:9) Ne i kemi parë të plotësohen këto profeci!

Flasin me njerëz të çdo lloji

8. Cila situatë e sotme ka kërkuar përshtatje në veprën tonë të predikimit?

8 Sot, njerëzit po lëvizin gjithnjë e më tepër. Globalizimi ka hapur një epokë të re emigrimi. Turma njerëzish nga zona lufte dhe nga vende të varfra kanë shkuar në vende më të qeta, për një jetë të sigurt nga ana materiale. Në mjaft vende, nga dyndja e emigrantëve dhe refugjatëve janë krijuar grupe etnike që flasin një gjuhë tjetër. Për shembull, në Finlandë fliten mbi 120 gjuhë; në Australi mbi 200. Vetëm në një qytet të Shteteve të Bashkuara, në San-Diego, fliten mbi 100 gjuhë!

9. Cilën pikëpamje duhet të kemi, nëse në territorin tonë ka njerëz që flasin gjuhë të tjera?

9 Neve si shërbëtorë të krishterë, a na duket një pengesë për shërbimin prania e atyre që flasin gjuhë të ndryshme? Aspak! Përkundrazi, ne kënaqemi që na zgjerohet territori për shërbim, që kemi ‘fusha të bardha për korrje’. (Gjoni 4:35) Përpiqemi të kujdesemi për ata që janë të vetëdijshëm se duhet të mësojnë për Perëndinë, pavarësisht nga kombësia a gjuha e tyre. (Mateu 5:3) Rrjedhimisht, çdo vit, gjithnjë e më shumë njerëz të ‘çdo gjuhe’ po bëhen dishepuj të Krishtit. (Zbulesa 14:6) Për shembull, në gusht 2004, vepra e predikimit në Gjermani bëhej në rreth 40 gjuhë. Në të njëjtën kohë, në Australi lajmi i mirë predikohej në afro 30 gjuhë, krahasuar me 18 gjuhë vetëm dhjetë vjet më parë. Në Greqi, Dëshmitarët e Jehovait po predikojnë në pothuajse 20 gjuhë. Në mbarë botën, rreth 80 për qind e Dëshmitarëve të Jehovait flasin gjuhë të tjera, jo anglishten që është gjuha kryesore ndërkombëtare.

10. Çfarë roli luan çdo lajmëtar për të bërë dishepuj njerëz «nga të gjitha kombet»?

10 Po, urdhri i Jezuit ‘për të bërë dishepuj njerëz nga të gjitha kombet’, po zbatohet vërtet! (Mateu 28:19) Duke e pranuar me gatishmëri këtë detyrë, Dëshmitarët e Jehovait janë aktivë në 235 vende, dhe shpërndajnë literaturë në mbi 400 gjuhë. Ndërkohë që organizata e Jehovait siguron mjetet e duhura për t’u folur të tjerëve, çdo lajmëtar i Mbretërisë duhet të marrë nismën për t’ua përcjellë mesazhin e Biblës ‘njerëzve të çdo lloji’ në gjuhën që kuptojnë më mirë. (Gjoni 1:7) Kjo përpjekje e përbashkët u jep mundësi miliona vetave nga grupe të ndryshme gjuhësore që të nxjerrin dobi nga lajmi i mirë. (Romakëve 10:14, 15) Po, secili prej nesh luan një rol jetësor!

Marrin përsipër sfidën

11, 12. (a) Cilat sfida duhen kapërcyer dhe si na ndihmon fryma e shenjtë? (b) Përse shpesh është dobiprurëse t’u predikojmë njerëzve në gjuhën e tyre amtare?

11 Sot, shumë lajmëtarë të Mbretërisë do të donin të mësonin një gjuhë tjetër, por s’mund të presin dhuratat e mrekullueshme të frymës së Perëndisë. (1 Korintasve 13:8) Të mësosh një gjuhë të huaj nuk është gjë e vogël. Edhe atyre që e dinë një gjuhë të dytë, mund t’u duhet të përshtatin mënyrën e të menduarit dhe metodat, për t’ua bërë tërheqës mesazhin e Biblës njerëzve që flasin atë gjuhë, por kanë kulturë dhe formim tjetër. Gjithashtu, emigrantët e sapoardhur, shpesh janë të ndrojtur e të turpshëm. Për të kuptuar si mendojnë, duhen goxha përpjekje.

12 Gjithsesi, fryma e shenjtë vepron ende mes shërbëtorëve të Jehovait, që përpiqen të ndihmojnë njerëzit që flasin një gjuhë tjetër. (Luka 11:13) Nuk na jep aftësi të mbinatyrshme gjuhësore, por mund të na shtojë dëshirën për të komunikuar me ata që nuk flasin gjuhën tonë. (Psalmi 143:10) Nëse u predikojmë ose u mësojmë njerëzve mesazhin e Biblës në një gjuhë që s’e dinë mirë, në nivel mendor edhe mund të kuptojnë. Por, që t’u preket zemra, zakonisht është dobiprurëse të përdorim gjuhën e tyre amtare, pasi ajo u bën thirrje dëshirave të tyre më të thella, motiveve dhe shpresave që kanë.​—Luka 24:32.

13, 14. (a) Çfarë i motivon disa që të nisin shërbimin në një gjuhë tjetër? (b) Ku duket fryma e vetëmohimit?

13 Shumë lajmëtarë të Mbretërisë e kanë nisur shërbimin në fushën e gjuhës së huaj kur kanë parë reagimin e mirë ndaj së vërtetës biblike. Të tjerë ndihen të përtërirë kur shërbimi i tyre bëhet paksa më sfidues dhe interesant. Zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait në një vend të Evropës Jugore thotë: «Shumë nga ata që vijnë nga Evropa Lindore, janë të etur për të vërtetën biblike.» Ç’kënaqësi është t’i ndihmosh këta njerëz që e presin me kaq dëshirë të vërtetën!​—Isaia 55:1, 2.

14 Megjithatë, na duhet vendosmëri dhe vetëmohim që të kemi një pjesëmarrje domethënëse në këtë vepër. (Psalmi 110:3) Për shembull, disa familje Dëshmitarësh në Japoni kanë lënë shtëpitë e tyre të rehatshme në qytetet e mëdha dhe janë transferuar në zona të largëta për të ndihmuar grupe me emigrantë kinezë që të kuptojnë Biblën. Në bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara, lajmëtarët bëjnë rregullisht një ose dy orë me makinë për të drejtuar studime biblike me njerëz që kanë ardhur nga Filipinet. Në Norvegji, një çift studion me një familje nga Afganistani. Çifti i Dëshmitarëve përdor botimin në anglisht dhe norvegjisht të broshurës Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? * Familja që studion, i lexon paragrafët në gjuhën perse, që është shumë e përafërt me gjuhën e tyre amtare, dari. Së bashku komunikojnë në anglisht dhe norvegjisht. Kjo frymë vetëmohimi dhe përshtatjeje shpërblehet me bollëk, kur të huajt i përgjigjen pozitivisht lajmit të mirë. *

15. Si mund të marrim pjesë që të gjithë në veprën e predikimit në gjuhë të ndryshme?

15 A mund të marrësh pjesë edhe ti në këtë vepër shumëgjuhëshe? Përse të mos fillosh duke vëzhguar se cilat gjuhë fliten më tepër në territorin tënd? Kështu mund të mbash me vete disa fletushka ose broshura në ato gjuhë. Broshura Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve, që doli në vitin 2004, me mesazhin e saj të thjeshtë dhe pozitiv në shumë gjuhë, ka ndihmuar goxha për të përhapur shpresën e Mbretërisë.​—Shih artikullin «Lajmi i mirë për njerëz të të gjitha kombeve», në faqen 32.

«Duajeni të ardhurin»

16. Si mund të shfaqin një frymë altruiste vëllezërit përgjegjës, për të ndihmuar njerëzit që flasin një gjuhë tjetër?

16 Mësojmë ose jo një gjuhë tjetër, të gjithë mund të ndihmojmë për arsimimin frymor të të huajve që kemi në zonën tonë. Jehovai e udhëzoi popullin e tij: «Duajeni të ardhurin.» (Ligji i përtërirë 10:18, 19) Për shembull, në një qytet të madh të Amerikës së Veriut, pesë kongregacione mblidhen në një Sallë Mbretërie. Ashtu si në shumë salla të tjera, për oraret e mbledhjeve ka një program vjetor rotacioni. Kështu i binte që mbledhjet në gjuhën kineze të shtyheshin në një orë më të vonë ditën e diel. Mirëpo, nëse bëhej kjo, shumë emigrantë që punonin nëpër restorante, nuk do të shkonin dot. Me dashamirësi, pleqtë e kongregacioneve të tjera e rregulluan programin që mbledhjet në gjuhën kineze të mbaheshin më herët ditën e diel.

17. Si duhet të ndihemi kur dikush vendos të shkojë të ndihmojë një grup tjetër gjuhësor?

17 Me dashuri, mbikëqyrësit i lavdërojnë ata vëllezër e motra të kualifikuar dhe të aftë që duan të shkojnë të ndihmojnë grupe të tjera gjuhësore. Ndoshta në kongregacion do të ndihet mungesa e këtyre mësuesve me përvojë të Biblës, por mbikëqyrësit ndihen si pleqtë në Listër dhe Ikoni. Ata nuk e penguan Timoteun që të shkonte me Pavlin nëpër udhëtime, edhe pse ishte një mbështetje e madhe për kongregacionet e tyre. (Veprat 16:1-4) Veç kësaj, ata që marrin drejtimin në veprën e predikimit, nuk stepen ngaqë mentaliteti, zakonet ose sjellja e të huajve ndryshojnë nga të tyret. Përkundrazi, e mirëpresin këtë larmi dhe kërkojnë mënyra për të krijuar marrëdhënie të mira, për hir të lajmit të mirë.​—1 Korintasve 9:22, 23.

18. Cila derë e gjerë aktiviteti është e hapur për të gjithë?

18 Siç ishte profetizuar, lajmi i mirë po predikohet në «të gjitha gjuhët e kombeve». Ka ende shumë mundësi për rritje në fushën e gjuhës së huaj. Mijëra lajmëtarë mendjemprehtë kanë hyrë në këtë ‘derë të gjerë që çon në aktivitet’. (1 Korintasve 16:9) Megjithatë, siç do të shohim në artikullin vijues, kërkohet diçka më tepër për t’u kujdesur për këto territore.

[Shënimet]

^ par. 14 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 14 Për shembuj të tjerë, shih artikullin «Sakrifica të vogla na sollën bekime të mëdha», në Kullën e Rojës, 1 prill 2004, faqet 24-28.

A mund të shpjegoni?

• Si të imitojmë Jehovain që të tregojmë paanshmëri ndaj të gjithë njerëzve?

• Si duhet t’i konsiderojmë njerëzit në territorin tonë që flasin një gjuhë tjetër?

• Pse është dobiprurëse t’u predikojmë njerëzve në gjuhën e tyre amtare?

• Si mund të tregojmë interes për të huajt që janë mes nesh?

[Pyetjet]

[Harta dhe figura në faqen 23]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Romë

KRETË

AZI

FRIGJI

PAMFILI

PONT

KAPADOKI

MESOPOTAMI

MEDI

PARTË

ELAM

ARABI

LIBI

EGJIPT

JUDE

Jerusalem

[Masa ujore]

Deti Mesdhe

Deti i Zi

Deti i Kuq

Gjiri Persik

[Figura]

Në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., njerëz nga 15 krahina të Perandorisë Romake e dëgjuan lajmin e mirë në gjuhën amtare

[Figurat në faqen 24]

Shumë të huaj i përgjigjen pozitivisht së vërtetës biblike

[Figura në faqen 25]

Tabela e një Salle Mbretërie në pesë gjuhë