Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i dytë i Kronikave

Pika kryesore nga libri i dytë i Kronikave

Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i dytë i Kronikave

LIBRI i dytë i Kronikave, në Bibël, fillon me mbretërimin e Solomonit në Izrael dhe mbaron me fjalët e mbretit pers, Kirit, drejtuar judenjve të mërguar në Babiloni: «[Jehovai] vetë më ka ngarkuar që t’i ndërtoj një shtëpi në Jerusalem të Judës. Perëndia Jehova qoftë me atë që bën pjesë në popullin e tij! Le të shkojë [në Jerusalem].» (2 Kronikave 36:23) Ky libër, që u përfundua nga prifti Ezdra në vitin 460 p.e.s., përfshin 500 vjet​—nga viti 1037 p.e.s. deri në vitin 537 p.e.s.

Dekreti i Kirit u jep mundësi judenjve të kthehen në Jerusalem e të rivendosin adhurimin e Jehovait. Megjithatë, tërë ato vite robërie në Babiloni, kanë bërë punën e tyre. Ata që janë kthyer, nuk kanë njohuri për historinë e kombit të tyre. Libri i dytë i Kronikave u jep një përmbledhje të gjallë të ngjarjeve që ndodhën gjatë mbretërimit të mbretërve të linjës së Davidit. Tregimi është me interes edhe për ne, sepse thekson bekimet që vijnë nga bindja ndaj Perëndisë së vërtetë dhe pasojat e mosbindjes.

NJË MBRET I NDËRTON NJË SHTËPI JEHOVAIT

(2 Kronikave 1:1–9:31)

Jehovai i jep mbretit Solomon ato që do me zemër, domethënë mençurinë dhe njohurinë, si edhe pasuri e nderim. Mbreti i ndërton Jehovait një shtëpi madhështore në Jerusalem, dhe njerëzit janë «të gëzuar dhe me zemër të kënaqur». (2 Kronikave 7:10) Solomoni bëhet «më i pasur dhe më i mençur se gjithë mbretërit e tjerë të tokës».​—2 Kronikave 9:22.

Pasi mbretëron në Izrael për 40 vjet, Solomoni ‘prehet me paraardhësit e vet dhe në vend të tij fillon të mbretërojë i biri, Rehoboami’. (2 Kronikave 9:31) Ezdra nuk e përfshin në tregimin e tij shmangien e Solomonit nga adhurimi i vërtetë. Të vetmet gjëra negative që përmend ai për mbretin, janë: veprimi i pamend i blerjes së shumë kuajve nga Egjipti dhe martesa me të bijën e faraonit. Kështu, Ezdra e jep tregimin nga një këndvështrim pozitiv.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

2:14—Pse linja e mjeshtrit që përshkruhet këtu, është e ndryshme nga ajo që gjejmë te 1 Mbretërve 7:14? Libri i parë i Mbretërve flet për nënën e këtij mjeshtri, duke e quajtur ‘një të ve nga fisi i Neftalit’, sepse ishte martuar me një burrë nga ai fis. Por ajo vetë ishte nga fisi i Danit. Pas vdekjes së të shoqit, ishte martuar me një burrë nga Tiri dhe ky mjeshtër kishte lindur nga martesa e dytë.

2:18; 8:10—Në këto vargje thuhet se numri i nëpunësve që shërbenin si mbikëqyrës dhe përgjegjës për forcën punëtore, ishte 3.600 plus 250, kurse, sipas 1 Mbretërve 5:16; 9:23, ishte 3.300 plus 550. Pse ky ndryshim në shifra? Nga sa duket, ndryshimi lidhet me mënyrën se si klasifikohen nëpunësit. Ndoshta libri i dytë i Kronikave bën dallimin ndërmjet 3.600 joizraelitëve dhe 250 nëpunësve izraelitë, kurse libri i parë i Mbretërve bën dallimin midis 3.300 mbikëqyrësve dhe 550 krerëve të përgjegjësve, të një rangu më të lartë. Sidoqoftë, numri i plotë i atyre që shërbenin si nëpunës, ishte 3.850.

4:2-4—Pse u përdorën figurat e demave në ndërtimin e bazës së detit prej metali të derdhur? Në Shkrime, demat përdoren si simbol i forcës. (Ezekieli 1:10; Zbulesa 4:6, 7) Zgjedhja e demave ishte e përshtatshme, sepse 12 demat prej bakri mbanin «detin» e madh, që peshonte rreth 30 tonë. Përdorimi i demave për këtë qëllim nuk e shkelte aspak urdhërimin e dytë, që ndalonte bërjen e objekteve për adhurim.​—Dalja 20:4, 5.

4:5—Sa ishte kapaciteti i plotë i detit prej metali të derdhur? Kur ishte plot, deti mund të mbante tre mijë bato ujë ose rreth 66.000 litra. Por niveli normal i ujit ishte rreth dy të tretat e kapacitetit të tij. Te 1 Mbretërve 7:26 thuhet: «Deti mbante dy mijë bato [rreth 44.000 litra] ujë.»

5:4, 5, 10—Cilat pajisje nga tabernakulli origjinal u bënë pjesë e tempullit të Solomonit? E vetmja gjë nga tenda origjinale e takimit, që u mbajt në tempullin e Solomonit, ishte Arka. Pas ndërtimit të tempullit, tabernakulli u çua nga Gibeoni në Jerusalem dhe, me sa duket, u ruajt atje.​—2 Kronikave 1:3, 4.

Mësime për ne:

1:11, 12. Kërkesa e Solomonit i tregoi Jehovait se ai mbret kishte për zemër mençurinë dhe njohurinë. Lutjet që i bëjmë Perëndisë, tregojnë në të vërtetë se çfarë kemi më shumë për zemër. Është e mençur të analizojmë përmbajtjen e tyre.

6:4. Çmueshmëria e sinqertë për dashamirësinë e për mirësinë e Jehovait duhet të na shtyjë ta bekojmë Atë, domethënë t’i thurim lavde me dashuri dhe mirënjohje.

6:18-21. Ndonëse Perëndinë nuk e mban dot asnjë ndërtesë, tempulli do të shërbente si qendra e adhurimit të Jehovait. Sot, Sallat e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait janë qendra të adhurimit të vërtetë në zonën e tyre.

6:19, 22, 32. Jehovai i pranonte të gjithë, që nga mbreti e deri te më të vegjlit në komb, e madje edhe të huajin që i lutej atij me zell. *​—Psalmi 65:2.

RENDITJA E NJËPASNJËSHME E MBRETËRVE TË LINJËS SË DAVIDIT

(2 Kronikave 10:1–36:23)

Mbretëria e bashkuar e Izraelit ndahet në dy pjesë: mbretëria veriore me dhjetë fise dhe mbretëria jugore me dy fiset e Judës dhe të Beniaminit. Priftërinjtë dhe levitët në gjithë Izraelin, e vënë besnikërinë ndaj besëlidhjes për Mbretërinë para nacionalizmit, dhe rreshtohen në anën e Rehoboamit, birit të Solomonit. Vetëm pak më shumë se 30 vjet pas përfundimit, tempullin e grabitin dhe, ndër të tjera, i marrin edhe thesaret.

Nga 19 mbretërit që vijnë pas Rehoboamit, 5 janë besnikë, 3 fillojnë mirë por pastaj bëhen jobesnikë, dhe njëri kthehet nga rruga e tij e gabuar. Pjesa tjetër e mbretërve bëjnë atë që është e keqe në sytë e Jehovait. * Në libër theksohen aktivitetet e pesë mbretërve që tregojnë besim te Jehovai. Tregimet për Hezekinë që ripërtëriu shërbimet në tempull dhe për Josinë që mori masa për një Pashkë të madhe, duhet t’i kenë inkurajuar shumë judenjtë e interesuar për rivendosjen e adhurimit të Jehovait në Jerusalem.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

13:5—Çfarë do të thotë shprehja ‘besëlidhje kripe’? Falë vetive ruajtëse, kripa u bë simbol i vazhdimësisë dhe i pandryshueshmërisë. Pra, ‘besëlidhja e kripës’ nënkupton një marrëveshje të përhershme.

14:2-5; 15:17—A i hoqi mbreti Asa të gjitha «vendet e larta»? Me sa duket, jo. Ndoshta Asa hoqi vetëm ato vende të larta që përdoreshin për adhurimin e perëndive të rreme, por jo ato ku njerëzit adhuronin Jehovain. Ose ndoshta vendet e larta u ndërtuan përsëri, në pjesën e fundit të mbretërimit të Asës. Ato i hoqi i biri, Jehozafati. Faktikisht, vendet e larta nuk u zhdukën plotësisht as gjatë mbretërimit të Jehozafatit.​—2 Kronikave 17:5, 6; 20:31-33.

15:9; 34:6—Ç’vend zinte fisi i Simeonit në ndarjen e mbretërisë së Izraelit? Meqë kishte marrë si trashëgimi disa enklava në Judë, në kuptimin gjeografik, fisi i Simeonit ishte brenda mbretërisë së Judës e të Beniaminit. (Josiu 19:1) Por, nga ana fetare e politike, fisi ishte radhitur me mbretërinë veriore. (1 Mbretërve 11:30-33; 12:20-24) Prandaj, Simeoni llogaritej në mbretërinë prej dhjetë fisesh.

16:13, 14—A u kremua Asa? Jo, siç e tregon vetë vargu, ‘djegia e një sasie të madhe aromash’ nuk i referohet kremimit të Asës, por djegies së aromave.

35:3—Nga e mori Josia Arkën e shenjtë që e solli në tempull? Bibla nuk thotë nëse Arka ishte hequr më parë nga një mbret i lig ose nëse ishte vendosur diku tjetër për ta ruajtur, me urdhër të Josisë, gjatë meremetimit të përgjithshëm të tempullit. I vetmi referim historik për Arkën, pas kohës së Solomonit, ishte rasti kur Josia e çoi në tempull.

Mësime për ne:

13:13-18; 14:11, 12; 32:9-23. Sa shumë mësojmë nga këto vargje për rëndësinë që të mbështetemi te Jehovai!

16:1-5, 7; 18:1-3, 28-32; 21:4-6; 22:10-12; 28:16-22. Aleancat me të huaj ose jobesimtarë kanë pasoja tragjike. Me mençuri, duhet të shmangim çdo përfshirje të panevojshme në botë.​—Gjoni 17:14, 16; Jakovi 4:4.

16:7-12; 26:16-21; 32:25, 26. Për shkak të fodullëkut, mbreti Asa u soll keq gjatë viteve të fundit të jetës. Fryma fodulle e çoi Uziahun në rrënim. Hezekia veproi në mënyrë të pamend e ndoshta me krenari, kur u tregoi thesarin e tij ambasadorëve babilonas. (Isaia 39:1-7) Bibla paralajmëron: «Krenaria vjen para rrëzimit dhe fryma e fodullëkut para pengimit.»​—Proverbat 16:18.

16:9. Jehovai i ndihmon ata që i janë kushtuar me gjithë zemër dhe është i gatshëm të përdorë fuqinë e tij në dobi të tyre.

18:12, 13, 23, 24, 27. Si Mikajahu, edhe ne duhet të jemi të guximshëm e të flasim për Jehovain dhe për qëllimet e tij.

19:1-3. Jehovai kërkon të gjejë gjëra të mira te ne, edhe kur i japim arsye për të qenë i zemëruar me ne.

20:1-28. Mund të jemi të sigurt se Jehovai do të na lërë ta gjejmë, nëse, me përulësi, i drejtohemi atij për udhëheqje.​—Proverbat 15:29.

20:17. Që ‘të shohim se si do të na shpëtojë Jehovai’, duhet ‘të zëmë vendin tonë’ duke mbështetur aktivisht Mbretërinë e Perëndisë. Në vend që t’i zgjidhim vetë gjërat, duhet ‘të rrimë pa lëvizur’, duke treguar besim të plotë te Jehovai.

24:17-19; 25:14. Idhujtaria u bë një lak për Jehoasin e për djalin e tij, Amaziahun. Edhe sot idhujtaria mund të jetë po kaq joshëse, sidomos kur shfaqet në formën tinëzare të lakmisë ose të nacionalizmit.​—Kolosianëve 3:5; Zbulesa 13:4.

32:6, 7. Edhe ne duhet të jemi të guximshëm e të fortë, ndërsa ‘veshim armaturën e plotë të Perëndisë’ dhe zhvillojmë luftën frymore.​—Efesianëve 6:11-18.

33:2-9, 12, 13, 15, 16. Një njeri tregon se është penduar vërtet kur e braktis rrugën e gabuar dhe bën përpjekje këmbëngulëse për të vepruar drejt. Në bazë të pendimit të sinqertë, Jehovai mund t’i tregojë mëshirë edhe një njeriu që ka vepruar po me atë ligësi sa mbreti Manase.

34:1-3. Nëse kemi pasur përvoja të këqija në fëmijëri, ato s’duhet të na pengojnë që të njohim Perëndinë dhe t’i shërbejmë atij. Një ndikim i mirë gjatë viteve të fëmijërisë së Josisë mund të ketë qenë gjyshi i tij i penduar, Manaseu. Po, cilatdo ndikime pozitive që pati Josia, së fundi sollën rezultate shumë të mira. Mund të jetë kështu edhe me ne.

36:15-17. Jehovai është i dhembshur e i duruar. Megjithatë, kjo dhembshuri e ky durim nuk janë pa kufi. Njerëzit duhet t’i përgjigjen mirë veprës së predikimit për Mbretërinë, nëse duan të mbijetojnë kur Jehovai të sjellë fundin e këtij sistemi të lig.

36:17, 22, 23. Fjala e Jehovait del gjithnjë e vërtetë.​—1 Mbretërve 9:7, 8; Jeremia 25:9-11.

Një libër që të shtyn të veprosh

Te 2 Kronikave 34:33 thuhet: «Josia hoqi gjithë gjërat e pështira nga tërë vendet që u përkitnin bijve të Izraelit dhe të gjithë ata që gjendeshin në Izrael i vuri t’i shërbenin Jehovait, Perëndisë së tyre.» Çfarë e shtyu Josinë të vepronte kështu? Kur sekretari Shafan i solli mbretit Josia librin e Ligjit të Jehovait, të sapogjetur, mbreti urdhëroi t’ia lexonin me zë. Ai u prek kaq shumë nga ajo që dëgjoi, saqë me zell mbështeti adhurimin e pastër gjatë gjithë jetës.

Leximi i Fjalës së Perëndisë dhe meditimi për atë që lexojmë, mund të na prekë thellë. Kur lexojmë tregimin për mbretërit e linjës së Davidit, a nuk inkurajohemi që të imitojmë shembullin e atyre që e vunë sigurinë e tyre te Jehovai dhe të shmangim sjelljen e atyre që nuk vepruan kështu? Libri i dytë i Kronikave na nxit t’i përkushtohemi vetëm Perëndisë së vërtetë dhe t’i qëndrojmë besnikë atij. Mesazhi i këtij libri me siguri që është i gjallë dhe ushtron fuqi.​—Hebrenjve 4:12.

[Shënimet]

^ par. 19 Për pyetje që kanë të bëjnë me përurimin e tempullit dhe për mësime të tjera që nxjerrim nga lutja e Solomonit në atë rast, shih Kullën e Rojës, 1 korrik 2005, faqet 28-31.

^ par. 23 Për një listë kronologjike të mbretërve të Judës, shih Kullën e Rojës, 1 gusht 2005, faqja 12.

[Figura në faqen 18]

A e di pse demat ishin të përshtatshëm për t’u përdorur në bazën e detit prej metali të derdhur?

[Figurat në faqen 21]

Ndonëse kur ishte fëmijë s’pati shumë ndihmë, kur u rrit, Josia i qëndroi besnik Jehovait