A ju kujtohet?
A ju kujtohet?
A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
• Pse mëkati i parë, mosbindja e Adamit, mund të krahasohet me një sëmundje të trashëgueshme?
Është si një sëmundje, sepse Adami ua kaloi mëkatin pasardhësve të tij. Kështu ne kemi trashëguar mangësinë e mëkatit, njësoj si disa fëmijë trashëgojnë një sëmundje nga prindërit e tyre.—15/8, faqe 5.
• Cilat janë sot shkaqet kryesore të dhunës në rritje?
Satanai po orvatet t’i largojë njerëzit nga Jehovai, duke mbjellë frymën e dhunës në zemrën e tyre nëpërmjet filmave, muzikës dhe lojërave me kompjuter, që e nxitin dikë që luan me këto, të veprojë shtazërisht ose të bëjë masakra edhe pse vetëm me imagjinatë. Dhuna e treguar nga media ka kontribuar në shumë akte dhune.—1/9, faqe 29.
• Kush ishte Ponc Pilati?
Ai ishte një romak me prejardhje nga fisnikëria e ulët, që ka të ngjarë të ketë bërë pjesë në radhët e ushtarëve. Perandori romak, Tiberi, e caktoi Pilatin guvernator të provincës së Judesë në vitin 26 të e.s. Në gjyqin kundër Jezuit, Pilati dëgjoi akuzat që hodhën kundër tij krerët fetarë judenj. Për të mos humbur pëlqimin e turmës, ai miratoi ekzekutimin e Jezuit.—15/9, faqet 10-12.
• Çfarë është «shenja» e përmendur te Mateu 24:3?
Kjo shenjë përbëhet nga disa aspekte, të cilat përbëjnë një shenjë të përbërë dalluese. Shenja përfshin luftëra, zi buke, murtajë dhe tërmete, si dhe u jepte mundësi ithtarëve të Jezuit të dallonin kohën e «pranisë» së tij dhe «përfundimin e sistemit».—1/10, faqet 4, 5.
• Çfarë ishte diaspora dhe cilat vende përfshiheshin?
Ky term ka të bëjë me judenjtë që jetonin jashtë Palestinës. Në shekullin e parë, qendrat kryesore judeje ishin në Siri, në Azinë e Vogël, në Babiloni dhe në Egjipt. Në pjesën Evropiane të Perandorisë Romake ndodheshin disa komunitete më të vogla.—15/10, faqja 12.
• A mund të ketë ndërgjegje të pastër një i krishterë, nëse pranon një punë ku duhet të mbajë armë?
Të bësh një punë ku kërkohet të mbash armë zjarri ose ndonjë lloj tjetër arme, është vendim personal. Megjithatë, nëse dikush pranon një punë ku duhet të mbajë armë, e vë veten në rrezik që të bëhet fajtor gjaku, nëse do t’i duhet ta përdorë armën. Përveç kësaj, ka rrezik edhe të plagoset ose të vritet, nëse bëhet ndonjë sulm ose shkëmbim zjarri. Një i krishterë që mban armë, nuk kualifikohet për privilegje të veçanta në kongregacion. (1 Timoteut 3:3, 10)—1/11, faqe 31.
• Përderisa fjala «Harmagedon» vjen nga shprehja «mali i Megidos», a do të bëhet lufta e Harmagedonit në ndonjë mal në Lindjen e Mesme?
Jo. Mali i Megidos nuk ekziston. Ai është veç një kodrinë që ngrihet mbi një luginë aty afër në Izrael. Ajo zonë nuk mund të mbajë të gjithë «mbretërit e tokës dhe ushtritë e tyre». Lufta e madhe e Perëndisë do të bëhet në mbarë tokën dhe do t’u japë fund të gjitha luftërave. (Zbulesa 16:14, 16; 19:19; Psalmi 46:8, 9)—1/12, faqet 4-7.