Bibla në italisht: Një histori e mundimshme
Bibla në italisht: Një histori e mundimshme
«BIBLA është ndër librat më të shpërndarë në Itali, por ndoshta është edhe një ndër më pak të lexuarit. Megjithatë, besimtarët nuk marrin aq inkurajim dhe aq ndihmë sa duhet për ta njohur Biblën dhe për ta lexuar si Fjalën e Perëndisë. Disa duan ta njohin Biblën, por shpesh nuk ka asnjë që t’ua mësojë Fjalën.»
Ky pohim që bëri në vitin 1995 një grup i Konferencës së Peshkopëve Italianë, ngre disa pyetje. Deri në ç’masë lexohej Bibla në Itali gjatë shekujve të kaluar? Pse shpërndarja e saj mbeti prapa në krahasim me vendet e tjera? Pse është ende ndër librat më pak të lexuar në Itali? Një shqyrtim i historisë së versioneve të Biblës në italisht, do të na japë përgjigje.
U deshën shekuj që nga latinishtja të rridhnin gjuhët romane: frëngjisht, italisht, portugalisht, spanjisht, etj. Në shumë vende evropiane me prejardhje latine, gjuha amtare, pra gjuha e njerëzve të zakonshëm, dalëngadalë fitoi një vlerë të re, dhe përdorej madje edhe në veprat letrare. Zhvillimi i gjuhëve amtare pati një ndikim të drejtpërdrejtë te përkthimi i Biblës. Si? Në njëfarë pike të historisë hendeku midis latinishtes, gjuhës së shenjtë kishtare, dhe gjuhëve amtare, me dialektet dhe variantet vendëse, u bë kaq i madh, saqë latinishtja nuk kuptohej më nga të pashkolluarit.
Rreth vitit 1000, shumica e banorëve të gadishullit të Italisë e kishin të vështirë të lexonin Vulgatën latine, edhe sikur të gjenin një kopje të saj. Për shekuj të tërë, krerët e kishës e monopolizuan arsimin, duke përfshirë edhe atë që mësohej në ato pak universitete që ekzistonin. Vetëm disa të privilegjuar nxirrnin dobi prej tij. Kështu, përfundimisht, Bibla u kthye në «një libër të panjohur.» Gjithsesi, shumë njerëz dëshironin ta kishin Fjalën e Perëndisë dhe ta kuptonin në gjuhën e vet.
Në përgjithësi, kleri e kundërshtoi përkthimin e Biblës nga frika se kjo do të nxiste përhapjen e të ashtuquajturave herezi. Sipas historianit Masimo Firpo, «përdorimi i gjuhës amtare [do të nënkuptonte] heqjen e pengesës gjuhësore [përdorimin e latinishtes] që mbronte autoritetin ekskluziv të klerit mbi çështjet fetare». Prandaj, ndërthurja e faktorëve kulturorë, fetarë dhe shoqërorë
është shkaku i mungesës së përgjithshme të arsimimit biblik që ende mbizotëron në Itali.Përkthimet e para të pjesshme të Biblës
Në shekullin e 13-të u bënë përkthimet e para të librave të Biblës nga latinishtja në italisht. Këto përkthime të pjesshme ishin kopjuar me dorë dhe kushtonin shumë. Me shtimin e përkthimeve në shekullin e 14-të, pothuajse e gjithë Bibla ishte në italisht, megjithëse librat e saj ishin përkthyer nga disa njerëz, në kohë dhe vende të ndryshme. Shumicën e këtyre përkthimeve, të bëra nga përkthyes anonimë, i blenë njerëz të pasur ose të arsimuar, të cilët ishin të vetmit që kishin mundësitë për t’i shtënë në dorë. Edhe kur shtypshkrimi e uli ndjeshëm koston e librave, prapëseprapë, sipas historianes Xhiljola Franjito, Biblën mund ‘ta zotëronin vetëm disa individë’.
Për shekuj të tërë, pjesa më e madhe e popullsisë mbeti analfabete. Madje, edhe në kohën e bashkimit të Italisë në vitin 1861, 74,7 për qind e popullsisë ishte analfabete. Në lidhje me këtë argument, kur qeveria e re italiane u përgatit ta bënte arsimin publik falas dhe të detyrueshëm për të gjithë, papa Piu IX i shkroi mbretit një letër në 1870-n ku e nxiste atë të kundërshtonte ligjin, të cilin papa e përshkroi si «një plagë» që kishte si synim «të shkatërronte tërësisht shkollat katolike».
Bibla e parë në italisht
Bibla e parë e plotë në italisht u shtyp në Venecie në 1471-shin, rreth 16 vjet pasi u përdor fillimisht në Evropë shtypi me shkronja të lëvizshme. Nikolo Malerbi, një murg nga Kamaldoli, nxori përkthimin e tij brenda tetë muajve. Ai u bazua në përkthimet ekzistuese, i korrigjoi ato në bazë të Vulgatës latine dhe zëvendësoi disa fjalë me ato që ishin tipike për vendin e tij, Venecien. Përkthimi i tij qe botimi i parë i shtypur i Biblës në italisht që pati një shpërndarje të gjerë.
Një njeri tjetër që botoi në Venecie një version të Biblës ishte Antonio Bruçoli. Ai ishte humanist me prirje protestante, por kurrë nuk u shkëput nga Kisha Katolike. Në 1532-shin, Bruçoli përktheu Biblën nga hebraishtja dhe greqishtja origjinale. Kjo ishte Bibla e parë që përkthehej nga tekstet origjinale, në italisht. Ndonëse nuk shprehet në një italishte letrare të shkëlqyer, bie në sy besnikëria në përkthim ndaj teksteve origjinale, po të marrim parasysh edhe njohurinë e kufizuar për gjuhët e lashta në ato ditë. Në disa vende dhe botime, Bruçoli rivendosi emrin e Perëndisë në formën «Ieova». Për pothuajse një shekull, Bibla e përkthyer prej tij ishte shumë e njohur ndër protestantët italianë dhe disidentët fetarë.
U botuan edhe përkthime të tjera në italisht, disa prej tyre nga katolikë. Këto në të vërtetë ishin rishikime të Biblës së Bruçolit. Asnjë prej tyre nuk pati ndonjë shpërndarje të konsiderueshme. Në 1607-n, Xhovani Diodati, pastor kalvinist, prindërit e të cilit kishin ikur në Zvicër për t’i shpëtuar përndjekjes fetare, botoi në Gjenevë një përkthim tjetër në italisht nga gjuhët origjinale. Versioni i tij u bë Bibla e protestantëve italianë për shekuj. Për periudhën kur u bë, konsiderohet një përkthim italian i shkëlqyer. Bibla e Diodatit i ndihmoi italianët që të kuptonin mësimet e Biblës. Por censura e klerit e pengoi shpërndarjen e këtij versioni dhe të përkthimeve të tjera.
Bibla—«Një libër i panjohur»
«Kisha e ka përmbushur gjithnjë detyrën e saj për t’i pasur librat nën mbikëqyrje, por përpara shpikjes së shtypit ajo nuk e shihte të nevojshme të përpilonte një katalog me libra të ndaluar, sepse ato shkrime që konsideroheshin të rrezikshme ishin djegur»,—thotë një enciklopedi
katolike (Enciclopedia Cattolica). Edhe pas fillimit të Reformës Protestante, kleri i shumë vendeve evropiane bëri çmos të kufizonte qarkullimin e të ashtuquajturve libra heretikë. Një pikë kthese ndodhi pas Këshillit të Trentos, në 1546-n, kur u shqyrtua çështja e përkthimeve në gjuhët amtare. Dolën në pah dy qëndrime të ndryshme. Ata që përkrahnin ndalimin e saj, pohuan se Bibla në gjuhën e zakonshme ishte «nëna dhe origjina e tërë herezive». Ata që ishin kundër ndalimit u shprehën se «armiqtë» e tyre, protestantët, do të thoshin se kisha po e ndalonte përkthimin e Biblës në gjuhët amtare, që të fshihte «mashtrimet dhe gënjeshtrat» e veta.Kjo mospërputhje mendimesh la të nënkuptohej se Këshilli nuk mbajti qëndrim të prerë për çështjen, por u kufizua në sanksionimin e autenticitetit të Vulgatës, e cila u bë teksti standard për Kishën Katolike. Megjithatë, Karlo Buxeti, mësues në Universitetin Papnor Salezian, në Romë, vëren se shpallja e Vulgatës si «autentike» «favorizoi idenë se në realitet ajo duhej të ishte e vetmja formë e ligjshme e Biblës». Zhvillimet pasuese e treguan këtë.
Në vitin 1559, papa Pali IV botoi treguesin e parë të librave të ndaluar, një listë veprash që katolikët nuk duhej t’i lexonin, t’i shitnin, t’i përkthenin ose t’i mbanin. Këto vëllime konsideroheshin të mbrapshta dhe të rrezikshme për besimin dhe integritetin moral. Treguesi ndalonte leximin e përkthimeve të Biblës në gjuhët amtare, ku përfshihej edhe Bibla e Bruçolit. Shkelësit shkishëroheshin. Treguesi i vitit 1596 ishte edhe më strikt. Nuk do të jepej më autorizimi për ta përkthyer ose për ta shtypur Biblën në gjuhët amtare. Këto Bibla duheshin eliminuar.
Si pasojë, me mbarimin e shekullit të 16-të, u shpeshtuan rastet e djegies së Biblave në sheshet e kishave. Në mendjet e njerëzve, në përgjithësi, Shkrimet u bënë një libër i heretikëve, dhe ky përfytyrim është ende shumë i gjallë edhe sot. Pothuajse gjithë Biblat dhe librat me komente për Biblën që gjendeshin në bibliotekat publike dhe private u eliminuan, dhe, për 200 vjet, asnjë katolik nuk e përktheu Biblën në italisht. Të vetmet Bibla që qarkulluan në gadishullin e Italisë—në fshehtësi, nga frika se mos konfiskoheshin—ishin ato të përkthyera nga dijetarët protestantë. Kështu historiani Mario Çinjoni thotë: «Në të vërtetë laikët nuk e lexuan më Biblën, për shekuj. Ajo u bë
pothuajse një libër i panjohur, dhe miliona italianë nuk lexuan as edhe një faqe të saj gjatë gjithë jetës së tyre.»Ndalimi zbutet
Më vonë, papa Benedikti XIV, në një dekret për treguesin, më datë 13 qershor 1757, e modifikoi rregullin e mëparshëm, «duke lejuar versionet në gjuhët amtare të miratuara nga Selia e Shenjtë dhe të botuara nën drejtimin e peshkopëve». Si rrjedhim, Antonio Martini, që më vonë u bë kryepeshkopi i Firences, u përgatit të përkthente Vulgatën. Pjesa e parë u botua në 1769-n, dhe përkthimi përfundoi në 1781-shin. Sipas një burimi katolik, vepra e Martinit ishte «përkthimi i parë vërtet i denjë për t’u përmendur në mënyrë të veçantë». Deri atëherë, katolikët që nuk kuptonin latinisht nuk mund të lexonin një Bibël të autorizuar nga kisha. Për 150 vitet më pas, versioni i Martinit ishte i vetmi version i miratuar për katolikët italianë.
Një pikë kthese u arrit në këshillin ekumenik, Vatikani II. Në vitin 1965, dokumenti Dei Verbum ishte i pari që nxiti bërjen e «përkthimeve të përshtatshme dhe të sakta . . . në gjuhë të ndryshme, sidomos nga tekstet origjinale të librave të shenjtë». Pak kohë më parë, në 1958-n, Pontificio istituto biblico (Instituti Biblik Papnor) botoi «përkthimin e parë të plotë katolik nga tekstet origjinale». Në këtë version u rivendos në disa raste emri i Perëndisë në formën «Jahve».
Kundërshtimi ndaj Biblës në gjuhën amtare ka qenë shkatërrimtar, dhe pasojat ndihen ende. Siç thotë Xhiljola Franjito, njëra pasojë ka qenë që «në mendjen e besimtarëve u rrënjos dyshimi se nuk janë të aftë të mendojnë e të mbështeten te ndërgjegjja e tyre». Gjithashtu, njerëzve u janë imponuar traditat fetare, dhe shumë katolikë i shohin ato si më të rëndësishme se Bibla. E gjithë kjo ka bërë që njerëzit t’u rrinë larg Shkrimeve, ndonëse analfabetizmi pothuajse është zhdukur.
Megjithatë, vepra ungjillëzuese e Dëshmitarëve të Jehovait ka ngjallur interes të ri për Biblën në italisht. Në 1963-shin, Dëshmitarët botuan Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re në italisht. Në 1967-n u përkthye e gjithë Bibla. Vetëm në Itali janë shpërndarë më tepër se 4.000.000 kopje të këtij versioni. Përkthimi Bota e Re, i cili ka rivendosur emrin e Perëndisë, Jehova, në tekstin e tij, dallohet pasi i përmbahet rreptësisht kuptimit të teksteve origjinale.
Dëshmitarët e Jehovait shkojnë shtëpi më shtëpi dhe u lexojnë e u shpjegojnë mesazhin biblik të shpresës të gjithë atyre që dëgjojnë. (Veprat 20:20) Herën tjetër që të takoni Dëshmitarët e Jehovait, pse të mos u kërkoni t’ju tregojnë se ç’thotë Bibla juaj për premtimin e mrekullueshëm të Perëndisë, se së shpejti Ai do të vendosë «një tokë të re» në të cilën «do të banojë drejtësia»?—2 Pjetrit 3:13.
[Harta në faqen 13]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Venecie
ROMË
[Figura në faqen 15]
Në përkthimin e Bruçolit përdorej në tekst emri i Perëndisë, Ieova
[Figura në faqen 15]
Në Treguesin e librave të ndaluar, përkthimet e Biblës në italisht konsideroheshin të rrezikshme
[Burimi i figurës në faqen 13]
Faqja me titullin e Biblës: Biblioteka Kombëtare Qendrore e Romës
[Burimet e figurave në faqen 15]
Përkthimi i Bruçolit: Biblioteka Kombëtare Qendrore e Romës; Treguesi: Me lejen e Ministrisë për të Mirat dhe Aktivitetet Kulturore