Festat e fundvitit: A do të jenë siç i prisni?
Festat e fundvitit: A do të jenë siç i prisni?
«Pjetri [i Madh] urdhëroi që më 1 janar, në të gjitha kishat, të mbaheshin mesha të veçanta për Vitin e Ri. Gjithashtu ai urdhëroi që me rastin e festës, të zbukuroheshin me degë të gjelbërta shtalkat e brendshme të shtëpive dhe që të gjithë qytetarët e Moskës ‘ta tregonin lumturinë e tyre duke uruar me zë të lartë’ njëri-tjetrin për Vitin e Ri.»—Pjetri i Madh: Jeta dhe bota e tij (anglisht).
Ç’GJË prisni me padurim gjatë periudhës që shumë e quajnë festat e fundvitit? Njerëz anembanë botës thonë se kjo periudhë përqendrohet te Krishtlindjet, dita tradicionale e lindjes së Krishtit, por ajo përfshin edhe festën e Vitit të Ri. Prandaj është një periudhë e gjatë festive. Qoftë prindërit, qoftë fëmijët, mund të jenë me pushime gjatë kësaj kohe, prandaj duket sikur është një rast ideal për familjet që të kalojnë kohë së bashku. Megjithatë disa të tjerë e quajnë këtë kohë «periudha e Krishtlindjeve», meqë duan të nderojnë Krishtin gjatë kësaj kohe të vitit. Ndoshta edhe ti mendon se kjo është veçoria më e rëndësishme e kësaj periudhe.
Pavarësisht nëse e bëjnë për të nderuar Krishtin, për të kaluar çaste të këndshme me familjen ose për të dyja gjërat, miliona burra, gra dhe fëmijë në mbarë botën e presin me padurim këtë periudhë. Ç’të themi për sivjet? A do të jetë një kohë e veçantë për familjen dhe a është e veçantë për Perëndinë? Në qoftë se do të mblidheni si familje, a do të jetë siç e prisni apo do të mbeteni të zhgënjyer?
Shumë njerëz që mezi e presin këtë periudhë, për natyrën e saj fetare, vërejnë se festimi i Krishtlindjeve dhe i Vitit të Ri s’ka të bëjë fare me frymën e Krishtit. Festat e fundvitit bëhen vetëm një rast për të marrë dhurata, një pretekst për të bërë një festë që mund të përfshijë sjellje që nuk e nderon Krishtin ose kryesisht një shkak për t’u mbledhur bashkë si familje. Mjaft herë, këto raste prishen ngaqë një ose disa veta e teprojnë me ushqimin dhe pijet alkoolike, dhe hapin debate që shumë shpesh sjellin dhunë në familje. Ndoshta e ke vënë re këtë ose mund ta kesh përjetuar vetë.
Po të jetë kështu, atëherë mund të të duket se gjërat kanë ndryshuar shumë pak që nga koha e carit rus, Pjetrit të Madh, që u përshkrua në hyrje. Të shqetësuar nga prirja e tanishme, shumë njerëz dëshirojnë që festat e fundvitit të jenë një kohë për reflektim të thellë fetar dhe për shoqëri të shëndoshë me familjen. Disa madje përpiqen fort t’i ndryshojnë gjërat duke përdorur slogane të tilla, si «Jezui është thelbi i festave». Por, a mund të ndryshohen gjërat? Dhe, një ndryshim i tillë, a do ta nderonte vërtet Krishtin? A ka arsye për t’i parë me sy tjetër festat e fundvitit?
Për të marrë përgjigje të kënaqshme, le ta shohim këtë situatë me sytë e një populli që duhej të kishte arsye të veçantë për ta vlerësuar këtë periudhë të vitit.