Krishtlindjet: Ku përqendrohen?
Krishtlindjet: Ku përqendrohen?
PËR miliona njerëz festat e fundvitit janë një kohë për të qëndruar me familjen dhe miqtë, një kohë për të ripërtërirë marrëdhëniet e ngushta. Shumë të tjerë i shohin si një kohë për të reflektuar rreth lindjes së Jezu Krishtit dhe rolit të tij në shpëtimin e njerëzve. Ndryshe nga shumë vende të tjera, në Rusi, kremtimi i Krishtlindjeve nuk ishte gjithnjë i lejueshëm. Ndonëse prej shekujsh anëtarët e Kishës Ortodokse Ruse i kishin festuar haptas Krishtlindjet, ata nuk u lejuan që t’i festonin për pjesën më të madhe të shekullit të 20-të. Çfarë e shkaktoi këtë ndryshim?
Menjëherë pas revolucionit komunist bolshevik të 1917-s, në mbarë shtetin, autoritetet sovjetike ndoqën një politikë agresive ateiste. E gjithë periudha festive e Krishtlindjeve bashkë me gjërat fetare që lidheshin me të nuk u miratuan më. Shteti filloi të ndërmerrte një fushatë edhe kundër Krishtlindjeve, edhe kundër festimeve të Vitit të Ri. Madje dënoheshin hapur simbolet vendëse të këtyre festave—pema e Krishtlindjeve dhe Ded Morozi ose Babagjysh Ngrica, barasvlerësi rus i Plakut të Krishtlindjeve.
Në vitin 1935 ndodhi një ndryshim që e shndërroi thellësisht mënyrën se si do t’i kremtonin rusët festat e fundvitit. Sovjetikët rivendosën Babagjysh Ngricën, pemën festive dhe festimin e Vitit të Ri, por me një ndryshim domethënës. Thuhej se Babagjysh Ngrica do t’i sillte dhuratat jo për Krishtlindje, por për Vitin e Ri. Po ashtu nuk do të kishte më një pemë Krishtlindjesh. Ajo do të ishte pema e Vitit të Ri. Pra, në Bashkimin Sovjetik ndryshuan shumë gjërat lidhur me festën që do të festohej. Në fakt, festa e Vitit të Ri ia zuri vendin Krishtlindjeve.
Periudha e Krishtlindjeve u bë zyrtarisht një rast festiv me karakter tërësisht jofetar. Pema e Vitit të Ri nuk zbukurohej më me stolisje fetare, por me stolisje jofetare që paraqitnin përparimin e Bashkimit Sovjetik. Gazeta ruse Vokrug Svjeta (Përreth botës) shpjegon: «Mund të përshkruhet historia e themelimit të shoqërisë komuniste nëpërmjet zbukurimeve të pemës së Vitit të Ri gjatë viteve të epokës sovjetike. Bashkë me lepujt, hejet e akullit dhe franxhollat e rrumbullakta, prodhoheshin edhe zbukurime në formë draprinjsh, çekanësh dhe traktorësh. Këto u zëvendësuan më vonë me lodra të vogla që paraqitnin minatorë dhe kozmonautë, sonda nafte, raketa dhe pajisje që përdoren për të lëvizur në hënë.»
Ç’të themi për vetë Ditën e Krishtlindjeve? Sigurisht që nuk u njoh zyrtarisht. Përkundrazi, shteti sovjetik ia uli vlerën duke e konsideruar si një ditë të zakonshme pune. Ata që dëshironin të festonin Krishtlindjet mund ta bënin këtë vetëm fshehtas, duke rrezikuar të shiheshin me sy të keq nga shteti dhe të kishin pasoja të pakëndshme. Po, në Rusinë e shekullit të 20-të pati ndryshime në kremtimin e festave të fundvitit, duke u kthyer nga një kremtim fetar në një kremtim jofetar.
Një ndryshim i kohëve të fundit
Më 1991 Bashkimi Sovjetik u shpërbë dhe njerëzit fituan më shumë liri. Mori fund politika shtetërore ateiste. Shtete të ndryshme sovrane të sapoformuara ishin tepër jofetare, në të cilat kisha ishte e ndarë nga shteti. Shumë njerëz që kishin prirje fetare menduan se tani mund të ndiqnin bindjet e tyre. Ata arsyetuan se një mënyrë për ta bërë këtë do të ishte duke kremtuar festën fetare të Krishtlindjeve. Megjithatë, shpejt shumë prej tyre u zhgënjyen thellë. Pse?
Vit pas viti festa është bërë më me natyrë tregtare. Po, ashtu si në vendet perëndimore, periudha e Krishtlindjeve është bërë një nga mundësitë më të mira që prodhuesit, shitësit e mallrave me shumicë dhe tregtarët, të bëjnë para. Zbukurimet e Krishtlindjeve ekspozohen në mënyrë të dukshme në fasadat e dyqaneve. Nga dyqanet dëgjohen muzikë dhe këngë Krishtlindjesh të stilit perëndimor, që më parë nuk ishin të njohura në Rusi. Shitësit që mbajnë çanta të mëdha me stringla Krishtlindjesh i shesin produktet e tyre në trena dhe në mjetet e tjera të transportit publik. Pikërisht këto gjëra shihen në këtë periudhë.
Edhe ata që nuk shohin ndonjë të keqe në natyrën e theksuar tregtare të kësaj periudhe, mund të bezdisen nga një tjetër element shqetësues i saj: abuzimi me alkoolin bashkë me tërë pasojat e tij negative. Një mjek në ambulancën e një spitali në Moskë tha: «Për mjekët është e sigurt që festa e Vitit të Ri do të nënkuptojë një mori dëmtimesh, që nga shembjet dhe dërrmimet e deri te plagët e shkaktuara me thikë dhe me plumba. Pjesa më e madhe e këtyre shkaktohen nga dhuna familjare, sherret mes të dehurve dhe aksidentet me makinë.» Një shkencëtar me shumë përvojë në një degë të Akademisë Ruse të Shkencave tha: «Ka një rritje të hovshme në numrin e vdekjeve që lidhet me alkoolin. Kjo qe veçanërisht e lartë në vitin 2000. U rrit edhe numri i vetëvrasjeve dhe i vrasjeve.»
Mjerisht, në Rusi, çfarëdo lloj sjelljeje e tillë gjatë festave të fundvitit keqësohet nga një faktor tjetër. Në artikullin e gazetës Izvestije me titull «Rusët i festojnë Krishtlindjet dy herë», thuhej: «Pothuajse 1 në 10 rusë i feston Krishtlindjet dy herë. Siç u dëshmua edhe nga anketa e qendrës së monitorimeve ROMIR, 8 për qind e të anketuarve pranuan se i kremtojnë Krishtlindjet qoftë më 25 dhjetor, sipas kalendarit katolik, qoftë më 7 janar, sipas kalendarit ortodoks. . . . Për disa është e dukshme që rëndësi ka jo domethënia fetare e Krishtlindjeve, por mundësia për të festuar.» *
A e nderon vërtet Krishtin mënyra e kremtimit të festave të fundvitit?
Pa dyshim që festat e fundvitit karakterizohen nga shumë sjellje që nuk i pëlqejnë Perëndisë. Pavarësisht sa shqetësuese mund të jetë kjo, disa mund të mendojnë se duhet t’i mbajnë këto kremtime nga respekti për Perëndinë dhe Krishtin. Patjetër që të dëshirosh t’i pëlqesh Perëndisë është një gjë për t’u lavdëruar. Por, a i pëlqen në të vërtetë Perëndisë dhe Krishtit festa e Krishtlindjeve? Shqyrtoni origjinën e saj.
Për shembull, pavarësisht se me ç’sy e sheh dikush qëndrimin sovjetik ndaj Krishtlindjeve, do të ishte e vështirë të vije në diskutim faktet historike vijuese që paraqiten në një enciklopedi sovjetike (Great Soviet Encyclopedia): «Krishtlindjet . . . u huazuan nga adhurimi në kohën para krishterimit i perëndive ‘që vdisnin dhe ngriheshin nga të vdekurit’. Ky adhurim mbizotëronte sidomos te popujt që merreshin me bujqësi, të cilët gjatë periudhës së solsticit të dimrit, 21-25 dhjetor, kremtonin çdo vit ‘lindjen’ e Perëndisë-Shpëtimtar që i jepte jetë të re natyrës.»
Mund të të duket e rëndësishme ajo që thekson saktësisht enciklopedia: «Krishterimi i shekujve të parë nuk e njihte festën e Krishtlindjeve. . . . Nga mesi i shekullit të katërt krishterimi përvetësoi kremtimin e solsticit të dimrit nga adhurimi i Mitrës dhe e shndërroi atë në festën e Krishtlindjeve. Të parët që i festuan Krishtlindjet qenë bashkësitë fetare të Romës. Në shekullin e dhjetë, Krishtlindjet, si edhe krishterimi, u përhapën në Rusi ku u ndërthurën me festën dimërore të sllavëve të lashtë, të cilët nderonin frymërat e paraardhësve.»
Por mund të pyesësh: ‘Çfarë thotë Fjala e Perëndisë, Bibla, për 25 dhjetorin si datë të lindjes së Jezuit?’ Faktikisht Bibla nuk përcakton asnjë datë për lindjen e Jezuit dhe ajo nuk thotë asgjë që Jezui të ketë folur për këtë datë, aq më tepër që të urdhëronte kremtimin e saj. Megjithatë, Bibla na ndihmon të përcaktojmë periudhën e vitit kur lindi Jezui.
Sipas ungjillit të Mateut, kapitujt 26 dhe 27, Jezuin e ekzekutuan më 14 nisan, në mbarim të ditës së Pashkës Hebraike që kishte nisur më 31 mars të vitit 33 të e.s. Nga ungjilli i Lukës mësojmë që Jezui ishte rreth 30 vjeç kur u pagëzua dhe nisi shërbimin e tij. (Luka 3:21-23) Ky shërbim zgjati tre vjet e gjysmë. Prandaj, kur vdiq, Jezui ishte rreth 33 vjeç e gjysmë. Ai do të kishte mbushur 34 vjeç rreth 1 tetorit të vitit 33 të e.s. Luka thotë se në kohën kur lindi Jezui, disa barinj «jetonin jashtë dhe natën ruanin me radhë kopetë e tyre». (Luka 2:8) Barinjtë nuk do të kishin qëndruar jashtë me kopetë në të ftohtët e dhjetorit, kur në afërsi të Betlehemit mund të bjerë edhe borë. Por ata mund të qëndronin jashtë me kopetë rreth 1 tetorit, që sipas dëshmive, është koha kur lindi Jezui.
Meqë ra fjala, ç’të themi për festën e Vitit të Ri? Siç kemi parë, ajo karakterizohet nga një sjellje e korruptuar. Pavarësisht nga përpjekjet
për ta zhveshur nga natyra fetare, edhe ajo ka një origjinë të dyshimtë.Është e qartë, pra, se nën dritën e fakteve për festat e fundvitit, pohimet se këto festa përqendrohen te Jezui, tingëllojnë boshe. Nëse të bezdis natyra e theksuar tregtare dhe sjellja shqetësuese gjatë periudhës së Krishtlindjeve, si edhe origjinat e saj të pakëndshme pagane, mos u shkurajo. Ka një mënyrë të përshtatshme me anë të së cilës mund të tregojmë respektin e duhur ndaj Perëndisë dhe nderimin ndaj Krishtit, por njëkohësisht edhe të forcojmë lidhjet familjare.
Një mënyrë më e mirë për të nderuar Perëndinë dhe Krishtin
Bibla thotë se Jezu Krishti erdhi «të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz». (Mateu 20:28) Ai lejoi që ta ekzekutonin dhe pranoi të vdiste për mëkatet tona. Disa mund të kenë dëshirë të nderojnë Krishtin duke menduar se mund ta bëjnë këtë gjatë periudhës së Krishtlindjeve. Por, siç kemi parë, Krishtlindjet dhe Viti i Ri kanë fare pak lidhje me Krishtin dhe e kanë origjinën te kremtimet pagane. Gjithashtu periudha e Krishtlindjeve, sado tërheqëse të jetë për disa, karakterizohet nga natyra e saj e theksuar tregtare. Për më tepër mund të thuhet se festa e Krishtlindjeve shoqërohet nga një sjellje e turpshme që nuk i pëlqen Perëndisë dhe Krishtit.
Si duhet të reagojë dikush që përpiqet t’i pëlqejë Perëndisë? Në vend që t’u përmbahet traditave njerëzore të cilat mund të qetësojnë ndjenjat fetare, por janë në kundërshtim me Shkrimet, një njeri i sinqertë do të kërkojë mënyrën e vërtetë për të nderuar Perëndinë dhe Krishtin. Cila është kjo mënyrë e vërtetë dhe çfarë duhet të bëjmë?
Vetë Krishti na thotë: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Po, njeriu vërtet i sinqertë përpiqet të marrë njohuri të saktë se si të nderojë Perëndinë dhe Krishtin. Më pas ai e zbaton këtë njohuri, jo vetëm gjatë një periudhe të vitit, por në jetën e përditshme. Perëndia kënaqet me këto përpjekje të sinqerta që mund të çojnë në jetën e përhershme.
A do të të pëlqente që familja jote të ishte mes atyre që vërtet e nderojnë Perëndinë dhe Krishtin në përputhje me Shkrimet? Dëshmitarët e Jehovait kanë ndihmuar miliona familje në mbarë botën që të marrin njohurinë jetësore të Biblës. Të ftojmë ngrohtësisht që të kontaktosh Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde ose t’u shkruash atyre në një nga adresat e përshtatshme që gjenden në faqen 2 të kësaj reviste.
[Shënimi]
^ par. 11 Para revolucionit të tetorit 1917, Rusia përdorte kalendarin më të vjetër julian, por shumica e vendeve kanë pranuar kalendarin gregorian. Më 1917 kalendari julian ishte 13 ditë pas kalendarit gregorian. Pas revolucionit, sovjetikët pranuan kalendarin gregorian, dhe kështu Rusia përdorte të njëjtin kalendar si pjesa tjetër e botës. Megjithatë Kisha Ortodokse mbajti kalendarin julian për kremtimet e saj, duke e quajtur atë kalendari i «stilit të vjetër». Mund të dëgjosh që Krishtlindjet në Rusi të festohen më 7 janar. Mbaj parasysh gjithsesi që 7 janari i kalendarit gregorian është 25 dhjetori i kalendarit julian. Kështu shumë rusë i kremtojnë këto festa të fundvitit: më 25 dhjetor, Krishtlindjet perëndimore; më 1 janar, Viti i Ri; më 7 janar, Krishtlindjet ortodokse; më 14 janar, Viti i Ri sipas stilit të vjetër.
[Kutia dhe figura në faqen 7]
Origjina e festës së Vitit të Ri
Një murg ortodoks gjeorgjian flet hapur
«Festa e Vitit të Ri e ka origjinën nga shumë festa pagane të Romës së lashtë. 1 janari ishte një festë kushtuar perëndisë pagan Janusit, prej të cilit mori edhe emrin ky muaj. Shëmbëlltyrat e Janusit kishin dy fytyra, njëra nga para dhe tjetra nga pas, gjë që do të thoshte se ai shihte qoftë të kaluarën, qoftë të tashmen. Kishte një thënie sipas së cilës ai që e priste 1 janarin me argëtim, të qeshura dhe bollëk ushqimesh e pijesh, do ta kalonte krejt vitin në lumturi dhe mirëqenie. Po e njëjta besëtytni shoqëron edhe festimin e vitit të ri për shumë nga bashkatdhetarët tanë. . . . Gjatë disa festave pagane, njerëzit u sillnin drejtpërdrejt flijime një idhulli. Disa festa ishin të njohura për orgjitë, kurorëshkeljet dhe kurvërinë. Në raste të tjera, për shembull gjatë festës së Janusit, kishte teprime në të ngrënë dhe në të pirë, dehje dhe çdo lloj papastërtie që i shoqëron ato. Nëse kujtojmë se si ne vetë në kohët e kaluara kemi festuar Vitin e Ri, atëherë duhet ta pranojmë se të gjithë kemi marrë pjesë në këtë festë pagane.»—Një gazetë gjeorgjiane.
[Figura në faqen 6]
I ashtuquajturi krishterim përvetësoi adhurimin e Mitrës
[Burimi]
Muzeu Wiesbaden
[Figura në faqen 7]
Barinjtë nuk mund të ishin jashtë me kopetë e tyre në mes të ftohtit të dhjetorit