Ndihmohet popullsia kineze në Meksikë
Ndihmohet popullsia kineze në Meksikë
«DHJETË burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të kapin, po, do të mbërthejnë cepin e rrobës së një judeu e do të thonë: ‘Ne do të vijmë me ju, sepse kemi dëgjuar që Perëndia është me ju.’» (Zakaria 8:23) Sot, kjo profeci e mrekullueshme po përmbushet anekënd botës. Njerëz «nga të gjitha gjuhët e kombeve» janë kapur pas izraelitëve frymorë që të adhurojnë Perëndinë Jehova. Dëshmitarët e Jehovait janë thellësisht të interesuar për përmbushjen e kësaj profecie. Shumë prej tyre po mësojnë një gjuhë të huaj që të marrin pjesë në veprën mbarëbotërore të predikimit.
Dëshmitarët e Jehovait në Meksikë nuk bëjnë përjashtim. Në këtë vend, sipas llogaritjeve, numri i atyre që flasin gjuhën kineze arrin rreth 30.000 vetë. Në vitin 2003, 15 prej tyre morën pjesë në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit, në qytetin e Meksikos. Kjo bëri që Dëshmitarët në Meksikë të ishin të vetëdijshëm për mundësinë e rritjes frymore në fushën kineze. Me qëllim që të kishte më shumë predikues për të ndihmuar këta njerëz që flasin gjuhën kineze, u organizua një kurs tremujor që t’u mësonte Dëshmitarëve meksikanë prezantime të thjeshta në gjuhën kineze mandarin. Në këtë kurs morën pjesë 25 Dëshmitarë. Në përfundim të tij, një zyrtar nga komuniteti i gjuhës kineze mandarin, në qytetin e Meksikos, mori pjesë në diplomimin e tyre, gjë që tregoi ndikimin e kësaj klase mbi popullsinë që flet këtë gjuhë. Një institut vendës i gjuhës kineze u ofroi tre kursantëve bursa që të shkonin jashtë vendit për të përmirësuar këtë gjuhë të huaj.
Kursi i gjuhës përfshinte edhe praktikën. Pasi mësuan disa shprehje bazë, ata filluan menjëherë të predikonin në gjuhën kineze përgjatë zonës tregtare të qytetit të Meksikos. Studentët e zellshëm nisën 21 studime biblike. Një ndihmë të madhe u dha broshura Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? në gjuhën kineze, që e shkruar me germa latine quhet Pin-jin.
Si i drejtonin studimet biblike Dëshmitarët që sapo kishin filluar kursin për gjuhën kineze? Në fillim ata mund të thoshin vetëm «Çing du [të lutem, lexo]» dhe tregonin me gisht një paragraf e pastaj pyetjen. Pasi personi lexonte dhe përgjigjej në gjuhën e vet, ata thoshin «She she [faleminderit]» dhe «Hën hau [shumë mirë]».
Në këtë mënyrë u fillua një studim biblik me një grua që e mbante veten si e krishtere. Pasi e kishin bërë tri herë studimin, Dëshmitarja donte të dinte nëse gruaja e kishte
kuptuar vërtet atë që po studionte. Kështu që mori me vete një vëlla që këtë gjuhë e kishte gjuhën e vet. Kur ai i tha nëse kishte ndonjë pyetje, gruaja ia ktheu: «A duhet të di not, që të pagëzohem?»S’kaloi shumë kohë, dhe u formua një Studim Libri, ku merrnin pjesë rreth 9 persona që flitnin gjuhën kineze dhe 23 Dëshmitarë meksikanë vendas. Mes tyre ishte edhe një mjek kinez, që kishte marrë revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! në spanjisht nga një paciente e tij. Meqë nuk lexonte spanjisht, i kërkoi dikujt që t’i përkthente disa rreshta. Kur e kuptoi se revistat kishin të bënin me Biblën, i kërkoi pacientes që, nëse mundej, t’i merrte revistat edhe në gjuhën kineze. Ajo i mori dhe, nëpërmjet zyrës së degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Meksikë, u morën masa që ta vizitonte një Dëshmitar që fliste gjuhën kineze. Në Kinë, e ëma kishte një Bibël, dhe mjekut i pëlqente ta lexonte. Kur kishte vendosur të shkonte në Meksikë, e ëma i kishte thënë të mos e linte leximin e Biblës. Ndaj ai ishte lutur që t’i shkonte dikush për ta ndihmuar të mësonte më shumë për Perëndinë e Biblës. Kështu ai tha me entuziazëm: «Perëndia i dëgjoi lutjet e mia!»
Studimin e librit e ndiqte edhe një familje kineze që kishte marrë disa dhoma me qira nga një meksikane, e cila po studionte Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Ndonëse familja kineze kuptonte shumë pak spanjisht, ata uleshin dhe merrnin pjesë në diskutimet rreth Biblës. Pas ca kohësh, familja i kërkoi Dëshmitares që drejtonte studimin ndonjë botim në gjuhën kineze. Shpejt, me ta u fillua një studim biblik në gjuhën e tyre. Jo shumë kohë më pas, kjo familje shprehu dëshirën që t’u predikonte bashkatdhetarëve, dhe t’ia kushtonte jetën Jehovait.
Vërtet, gjuha kineze është e vështirë. Megjithatë, siç shihet edhe nga këto përvoja në Meksikë, falë ndihmës së Jehovait, njerëz nga shumë gjuhë, si edhe në gjuhën kineze, po mësojnë vullnetin e Perëndisë, siç po ndodh edhe në vende të tjera të tokës.
[Figura në faqen 17]
Një klasë për gjuhën kineze në qytetin e Meksikos
[Figura në faqen 18]
Dëshmitare meksikane duke drejtuar një studim biblik në gjuhën kineze
[Figura në faqen 18]
Shërbimi shtëpi më shtëpi në gjuhën kineze, në qytetin e Meksikos