Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘U predikojnë çlirimin robërve’

‘U predikojnë çlirimin robërve’

‘U predikojnë çlirimin robërve’

NË FILLIM të shërbimit të tij Jezui tha se pjesë e detyrës së tij ishte që ‘t’u predikonte çlirimin robërve’. (Luka 4:18) Duke ndjekur shembullin e Zotërisë së tyre, të krishterët e vërtetë ua predikojnë lajmin e mirë të Mbretërisë ‘njerëzve të çdo lloji’ dhe kështu u sjellin çlirim nga robëria frymore e i ndihmojnë që të përmirësojnë jetën.​—1 Timoteut 2:4.

Sot kjo vepër përfshin t’u predikojmë robërve të mirëfilltë, domethënë atyre që janë burgosur për krime të ndryshme e që e vlerësojnë çlirimin frymor. Do të kënaqeni duke lexuar këtë raport inkurajues rreth veprimtarisë së predikimit të Dëshmitarëve të Jehovait në burgjet e Ukrainës dhe gjetkë në Evropë.

Nga të droguar në të krishterë

Nga 38 vitet e jetës, 20 prej tyre, Sergeji * i ka kaluar prapa hekurave. Ai madje mbaroi edhe shkollën në burg. Sergeji thotë: «Vite më parë u burgosa për vrasje dhe ende më duhet të vuaj dënimin. Në burg sillesha si një tiran dhe të burgosurit e tjerë kishin frikë prej meje.» Por, a e bënte kjo të ndihej i çliruar? Jo. Për shumë vjet Sergeji ishte skllav i drogës, i alkoolit dhe i duhanit.

Më pas, një i burgosur i foli për të vërtetën biblike. Ishte si një rreze drite në errësirë. Brenda pak muajsh ai u çlirua nga veset, u bë një predikues i lajmit të mirë dhe u pagëzua. Sergeji tani ka një jetë të mbushur plot me aktivitet në burg, duke i shërbyer Jehovait si shërbëtor në kohë të plotë. Ai ka ndihmuar shtatë kriminelë që të ndryshojnë sjellje dhe të bëhen vëllezërit e tij frymorë. Gjashtë prej tyre janë liruar, por Sergeji është ende prapa hekurave. Ai nuk është shqetësuar për këtë, sepse është i lumtur që mund të ndihmojë të tjerë të çlirohen nga robëria frymore.​—Veprat 20:35.

Një nga studentët që kishte në burg Sergeji ishte Viktori, një shpërndarës droge dhe i droguar. Pasi u lirua nga burgu, Viktori vazhdoi të bënte përparim frymor dhe së fundi u diplomua në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim në Ukrainë. Tani ai shërben si pionier special në Moldavi. Viktori thotë: «Fillova të pija duhan kur isha 8 vjeç, të abuzoja me alkoolin në moshën 12-vjeçare dhe të merrja drogë kur isha 14 vjeç. Doja ta ndryshoja jetën, por tërë përpjekjet e mia dështuan. Pastaj më 1995, pikërisht kur unë dhe gruaja ime po planifikonim të largoheshim nga shokët e këqinj, atë e vrau me thikë një maniak vrasës. Jeta ime u bë krejt e zymtë. ‘Ku është gruaja ime tani? Çfarë ndodh kur njeriu vdes?’ Vazhdoja të bëja pyetje, por nuk gjeja asnjë përgjigje. Merrja gjithnjë e më tepër drogë për të mbushur zbrazëtinë. Më arrestuan sepse shpërndaja drogë dhe më dënuan me pesë vjet burg. Aty Sergeji më ndihmoi të gjeja përgjigjet. Jam përpjekur shumë herë të çlirohem nga droga, por vetëm me ndihmën e Biblës ia dola mbanë. Fjala e Perëndisë është shumë e fuqishme!»​—Hebrenjve 4:12.

Kriminelë të regjur ndryshojnë

Vasili nuk drogohej, por edhe ai nuk i shpëtoi burgut. «Kikboksi ishte vesi im,​—thotë ai.​—U stërvita t’i rrihja njerëzit pa u lënë asnjë shenjë në trup.» Vasili i përdorte mënyrat e tij të dhunshme për të plaçkitur njerëzit. Ai thotë: «Përfundova tri herë në burg dhe për këtë arsye gruaja u divorcua. Herën e fundit, kur isha dënuar me pesë vjet, njoha literaturën e Dëshmitarëve të Jehovait. Kjo më nxiti të lexoja Biblën, por përsëri isha i përfshirë në atë që doja vërtet: të ndeshesha pa rregulla.

Por, pas gjashtë muajsh që lexoja Biblën, diçka ndryshoi brenda meje. Të fitoja një ndeshje nuk më sillte të njëjtën kënaqësi si më parë. Prandaj nisa të analizoja jetën nën dritën e Isaisë 2:4 dhe kuptova që, nëse nuk e ndryshoja mënyrën e të menduarit, do ta kaloja jetën në burg. Kështu hodha të gjitha pajisjet e ndeshjeve dhe fillova të punoja me personalitetin tim. Nuk ishte e lehtë, por meditimi dhe lutja më ndihmuan t’u vija shkelmin zakoneve të mia të këqija. Disa herë i përgjërohesha me lot Jehovait që të më jepte forcën për t’u çliruar nga vesi im. Më në fund ia dola mbanë.

Pasi u lirova nga burgu, u bashkova përsëri me familjen. Tani punoj në një minierë qymyrguri. Falë kësaj kam mjaft kohë të lirë për të marrë pjesë në veprën e predikimit bashkë me gruan dhe të përmbush përgjegjësitë e mia në kongregacion.»

Mikola dhe shokët e tij vodhën disa banka në Ukrainë. Si pasojë, ai u dënua me dhjetë vjet burg. Përpara se të burgosej, Mikola kishte qenë vetëm një herë në kishë: që të përgatiste vjedhjen e kishës. Gjërat nuk shkuan sipas planit, por ajo ‘vizitë’ e bëri Mikolën të mendonte se Bibla duhej të ishte e mbushur plot histori të mërzitshme për priftërinj ortodoksë, qirinj dhe festa fetare. Ai thotë: «Nuk e di pse, por fillova të lexoja Biblën. U habita kur zbulova se nuk ishte aspak siç e kisha imagjinuar!» Ai kërkoi një studim biblik dhe u pagëzua më 1999. Kur e sheh tani, të duket e vështirë të besosh që ky shërbëtor ndihmës i përulur, dikur ishte një hajdut bankash, mizor dhe i armatosur.

Vladimiri u dënua me vdekje. Teksa priste ekzekutimin, iu lut Perëndisë dhe i premtoi që, nëse do t’i shpëtonte jetën, do t’i shërbente Atij. Ndërkohë ligji ndryshoi dhe dënimi me vdekje u shndërrua në burgim të përjetshëm. Për ta mbajtur premtimin Vladimiri filloi të kërkonte fenë e vërtetë. Ai bëri një kurs me korrespondencë dhe mori një diplomë nga një kishë adventiste, megjithatë nuk ishte i kënaqur.

Por pasi lexoi revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! në bibliotekën e burgut, Vladimiri i shkroi zyrës së degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Ukrainë dhe kërkoi që t’i bëhej një vizitë. Kur vëllezërit vendës e vizituan, tashmë ai e quante veten Dëshmitar dhe predikonte në burg. U ndihmua të kualifikohej si lajmëtar i Mbretërisë. Tani që po shkruhet ky artikull Vladimiri dhe shtatë të tjerë në atë burg po presin të pagëzohen. Por kanë një problem. Meqë të burgosurit e përjetshëm grupohen në qeli sipas bindjeve të tyre fetare, Vladimiri dhe shokët e qelisë janë të të njëjtit besim. Atëherë, kujt mund t’i predikojnë? Ata u flasin për lajmin e mirë rojave të burgut dhe u shkruajnë letra njerëzve.

Nazari shkoi nga Ukraina në Republikën Çeke, ku u bashkua me një bandë hajdutësh. Si pasojë u dënua me tre vjet e gjysmë burgim. Kur ishte në burg, ai reagoi ndaj vizitave të Dëshmitarëve të Jehovait nga qyteti i Karlovi-Varit, mësoi të vërtetën dhe u rehabilitua plotësisht. Duke parë këtë, një nga rojat e sigurisë u tha shokëve të qelisë së Nazarit: «Nëse të gjithë ju do të ishit si ai ukrainasi, në fund do ta ndryshoja profesionin.» Një tjetër tha: «Këta Dëshmitarët e Jehovait janë ekspertë të vërtetë. Një njeri hyn në burg si kriminel, por kur del, është njeri për së mbari.» Tani Nazari është kthyer në shtëpi. Ai mësoi zanatin e marangozit dhe u martua. Bashkë me të shoqen shërbejnë në kohë të plotë. Sa mirënjohës është ai për vizitat në burg të Dëshmitarëve!

Vlerësim zyrtar

Të burgosurit nuk janë të vetmit njerëz mirënjohës për shërbimin që kryejnë Dëshmitarët e Jehovait. Miroslav Kovalski, zëdhënës i një burgu në Poloni, tha: «I vlerësojmë shumë vizitat e tyre. Disa të burgosur kanë një të kaluar të trishtueshme. Ndoshta kurrë nuk janë trajtuar si qenie njerëzore. . . . Ndihma [e Dëshmitarëve] është shumë e vlefshme, sepse nuk kemi shumë personel dhe edukatorë.»

Drejtori i një burgu tjetër në Poloni i shkroi zyrës së degës, duke u kërkuar Dëshmitarëve që ta shtonin veprimtarinë e tyre në atë burg. Pse? Ai shpjegoi: «Vizita më të shpeshta nga përfaqësues të shoqatës Watchtower mund t’i ndihmojnë të burgosurit që të zhvillojnë cilësi të dëshirueshme në shoqëri dhe të zbutin sjelljen agresive.»

Një gazetë ukrainase shkroi për një të burgosur depresiv që u përpoq të kryente vetëvrasje, por që më pas Dëshmitarët e Jehovait e ndihmuan. Gazeta thotë: «Aktualisht ky njeri po e merr veten emocionalisht. Ai i nënshtrohet rutinës së burgut dhe është një shembull për të burgosurit e tjerë.»

Dobitë vazhdojnë përtej dyerve të burgjeve

Dobitë e veprës së Dëshmitarëve të Jehovait nuk kufizohen vetëm brenda dyerve të burgjeve. Ato vazhdojnë edhe pasi të burgosurit lirohen. Dy të krishtere, Brigita dhe Renata, kanë ndihmuar disa individë në këtë mënyrë, për disa vjet. Një gazetë gjermane (Main-Echo Aschaffenburg), thotë për to: «Ato kujdesen për të burgosurat tre deri pesë muaj pasi lirohen, duke i ndihmuar që të gjejnë një qëllim në jetë. . . . Janë njohur zyrtarisht si mbikëqyrëse vullnetare të të liruarave me kusht. . . . Gjithashtu është ndërtuese dhe pozitive marrëdhënia që kanë me personelin e burgjeve.» Shumë individë ia kanë kushtuar jetën Jehovait si pasojë e kësaj ndihme.

Edhe zyrtarët e burgut nxjerrin dobi nga vepra e arsimimit biblik të Dëshmitarëve të Jehovait. Për shembull, Romani ishte major dhe psikolog në një burg në Ukrainë. Kur Dëshmitarët e vizituan në shtëpi, ai pranoi një studim biblik. Më pas mësoi që Dëshmitarët nuk lejoheshin të kontaktonin të burgosurit e burgut ku punonte ai. Atëherë i kërkoi leje drejtorit të burgut që të përdorte Biblën në punën e tij me të burgosurit. Kërkesa e tij u pranua dhe rreth dhjetë të burgosur treguan interes. Romani u fliste rregullisht këtyre të burgosurve për gjërat që po mësonte gjithnjë e më shumë nga Bibla, dhe përpjekjet e tij sollën rezultate të shkëlqyera. Pasi u liruan, disa vazhduan të bënin përparim dhe u bënë të krishterë të pagëzuar. Duke parë fuqinë e Fjalës së Perëndisë, Romani e mori më seriozisht studimin. E la detyrën si major dhe vazhdoi me aktivitetet e arsimimit biblik. Tani merr pjesë në veprën e predikimit bashkë me një ish-të burgosur.

«Këtu ne mbahemi gjallë me Biblën, botimet biblike dhe me studimin biblik»,​—shkroi një i burgosur. Këto fjalë përshkruajnë siç duhet se sa nevojë ka për literaturë biblike në disa burgje. Një kongregacion në Ukrainë raporton për veprën e arsimimit biblik në një burg vendës: «Administrata është mirënjohëse për literaturën që u japim. U sigurojmë 60 kopje të çdo numri të Kullës së Rojës dhe të Zgjohuni!» Një kongregacion tjetër shkruan: «Kujdesemi për një burg që ka 20 biblioteka të vogla. Furnizuam çdo bibliotekë me botimet tona kryesore. Gjithsej sollëm 20 kuti literaturë.» Në një burg, rojat mbajnë një arkiv me revistat tona në bibliotekë, në mënyrë që të burgosurit të nxjerrin dobi nga çdo numër.

Në vitin 2002, zyra e degës në Ukrainë formoi një Repart për Burgjet. Deri tani ky repart është lidhur me rreth 120 burgje dhe ua ka caktuar kongregacioneve që të kujdesen për to. Çdo muaj merren rreth 50 letra nga të burgosurit dhe shumica e tyre kërkojnë literaturë ose studim biblik. Zyra u dërgon atyre libra, revista dhe broshura derisa vëllezërit vendës mund të lidhen me ta.

«Kujtoni ata që janë në vargonj»,​—u shkroi apostulli Pavël të bashkëkrishterëve. (Hebrenjve 13:3) Ai e kishte fjalën për ata që ishin burgosur për besimin e tyre. Sot Dëshmitarët e Jehovait kujtojnë ata që janë të burgosur, vizitojnë burgjet dhe ‘u predikojnë çlirimin robërve’.​—Luka 4:18.

[Shënimi]

^ par. 5 Disa emra janë ndryshuar.

[Figura në faqen 9]

Mur burgu, Lviv, Ukrainë

[Figura në faqen 10]

Mikola

[Figura në faqen 10]

Vasili me të shoqen, Irinën

[Figura në faqen 10]

Viktori