E mira rrethuar nga e keqja
E mira rrethuar nga e keqja
NË BOTËN e sotme duket sikur janë të paktë njerëzit që tregohen të gatshëm për të ndihmuar të tjerët. Megjithatë, ka ende nga ata që dëshirojnë të ndryshojnë diçka, domethënë të gjejnë mënyrën për t’u bërë mirë të tjerëve. Çdo vit, një numër i madh njerëzish japin për bamirësi miliarda dollarë, për çështje që mendojnë se ia vlejnë. Për shembull, në vitin 2002, në Britani u dha për bamirësi një shifër rekord prej 13 miliardë dollarësh. Që nga viti 1999, dhjetë bamirës bujarë kanë dhënë ose janë zotuar se do të japin më shumë se 38 miliardë dollarë si ndihmë për nevojtarët.
Disa nga veprat që kryejnë punonjësit e bamirësisë janë: pagesa e shpenzimeve mjekësore për familjet me të ardhura të pakta, kujdesi për arsimimin e fëmijëve me një prind, dhënia e fondeve për programet e vaksinimit në vendet në zhvillim, dhënia e librit të parë fëmijëve, sigurimi i kafshëve për mbarështim bujqve në vendet e varfra dhe shpërndarja e ndihmave për viktimat e katastrofave natyrore.
Faktet e mësipërme tregojnë se njerëzit e kanë aftësinë për t’u bërë mirë të tjerëve. Por është për të ardhur keq se ka edhe nga ata që bëjnë të këqija të paimagjinueshme.
E keqja shtohet
Që kur përfundoi Lufta II Botërore janë dokumentuar afërsisht 50 raste gjenocidesh dhe vrasjesh në masë për arsye politike. «Këto episode,—shkruhet në gazetën American Political Science Review,—u kanë marrë jetën së paku 12 milionë ushtarëve dhe gati 22 milionë civilëve, të gjithë viktima të luftërave civile dhe ndërkombëtare, që nga viti 1945.»
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, në Kamboxhia u vranë për arsye politike gati 2,2 milionë veta. Urrejtja etnike në Ruandë shkaktoi vdekjen e më shumë se 800.000 burrave, grave dhe fëmijëve. Në Bosnjë, vrasjet për arsye fetare dhe politike sollën si pasojë 200.000 të vdekur.
Në vitin 2004, duke përmendur rastet më të fundit të keqbërjeve, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara tha: «Në Irak shohim civilë që masakrohen me gjakftohtësi, dhe anëtarë të organizatave humanitare, gazetarë e civilë të tjerë që merren peng e vriten në mënyra nga më barbaret. Në të njëjtën kohë, të burgosurit irakianë keqtrajtohen në mënyrë të paturpshme. Në Darfur [Sudan],
shohim popullata të tëra që nxirren nga shtëpitë, të cilat më pas ua shkatërrojnë, ndërsa përdhunimi përdoret si taktikë e qëllimshme. Në veri të Ugandës, fëmijët gjymtohen dhe detyrohen të marrin pjesë në mizori të papara. Në Beslan [Osetia veriore], kemi parë fëmijë që merren peng dhe masakrohen në mënyrë brutale.»Edhe në vendet që konsiderohen si të zhvilluara, krimet nga urrejtja etnike duket se janë në rritje. Për shembull, në vitin 2004, gazeta Independent News shkruante se në Britani «gjatë dekadës së fundit është rritur 11-fish numri i viktimave të sulmeve dhe keqtrajtimit për arsye racore».
Nëse kanë aftësinë për të bërë mirë, pse njerëzit bëjnë kaq shumë të këqija? A do të çlirohemi ndonjëherë nga e keqja? Siç tregohet edhe në artikullin e mëposhtëm, Bibla u jep përgjigje të kënaqshme këtyre pyetjeve të vështira.
[Burimi i figurës në faqen 2]
KOPERTINA: Mark Edwards/Still Pictures/Peter Arnold, Inc.