Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ia gëzuan zemrat prindërve

Ia gëzuan zemrat prindërve

Ia gëzuan zemrat prindërve

«BIRI im, nëse zemra jote bëhet e mençur, edhe zemra ime do të gëzojë.» (Proverbat 23:15) Vërtet, prindërit e krishterë gëzohen kur fëmijët e tyre fitojnë mençuri hyjnore. Të shtunën, më 10 shtator 2005, 6.859 veta nga vende të ndryshme të botës ishin të pranishëm gjatë diplomimit të klasës së 119-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Të gjithëve u gufonte zemra nga gëzimi, sidomos prindërve të 56 të diplomuarve.

David Uokeri, që prej shumë kohësh shërben në familjen Bethel në Shtetet e Bashkuara, hapi programin me një lutje të përzemërt. Pastaj drejtuesi i programit, Dejvid Splejn, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, filloi programin e diplomimit duke iu drejtuar nënave dhe baballarëve të të diplomuarve me fjalët: «Meritoni përgëzimet tona më të sinqerta. Cilësitë që u keni rrënjosur bijave dhe bijve tuaj i kanë nxitur që të synojnë shërbimin si misionarë.» Këta prindër duhet të kenë qenë në ankth, pasi fëmijët e tyre shumë shpejt do të transferoheshin në vendet e largëta ku ishin caktuar. Megjithatë, vëlla Splejni i siguroi: «Mos u shqetësoni për fëmijët. Jehovai do të kujdeset për ta më mirë seç do të kujdeseshit ju.» Pastaj ai vazhdoi: «Mendoni pak për të mirat që do të bëjnë bijat dhe bijtë tuaj! Njerëzit që vuajnë, për herë të parë në jetën e tyre do të marrin ngushëllim të vërtetë.»

Si të vazhdojmë t’u sjellim gëzim të tjerëve?

Drejtuesi i programit prezantoi katër oratorë. I pari ishte Ralf Uollsi, pjesëtar i Komitetit të Degës në Shtetet e Bashkuara, i cili mbajti fjalimin me temë: «Qëndroni syçelë.» Ai theksoi se verbëria frymore është më e keqe se ajo fizike. Kongregacioni i Laodicesë në shekullin e parë u verbua në kuptimin frymor. Të krishterët e atij kongregacioni që kishin pësuar diçka të tillë morën ndihmën e duhur, por gjithmonë më e mira është që të qëndrosh syçelë e të mos arrish deri aty. (Zbulesa 3:14-18) Oratori tha: «Qëndroni syçelë dhe shikojini njerëzit me përgjegjësi ashtu siç i sheh Jehovai.» Të diplomuarit nuk duhet të jenë më kot në ankth për problemet që mund të lindin në kongregacion. Zotëria Jezu Krisht i sheh këto gjëra. Prandaj, ai do të kujdeset që gjërat të zgjidhen në kohën e duhur.

Pas tij, Samuel Herdi, anëtar i Trupit Udhëheqës, me anë të fjalimit të tij iu përgjigj pyetjes: «A jeni gati?» Pikërisht si një udhëtar që merr me vete rrobat që i duhen, po kështu edhe të diplomuarit duhet të vishen gjithmonë me cilësitë e personalitetit të ri. Ata duhet të tregojnë dhembshuri ashtu si Jezui. Kur një i lebrosur i tha: «Po të duash, ti mund të më pastrosh», Jezui iu përgjigj: «Dua. Pastrohu.» (Marku 1:40-42) Pastaj oratori shtoi: «Nëse doni vërtet, do ta gjeni një mënyrë për t’i ndihmuar njerëzit.» Te Filipianëve 2:3 të krishterët këshillohen që t’i konsiderojnë «të tjerët si më të lartë». Vëlla Herdi tha: «Të kesh një zemër të përulur është më e rëndësishme sesa të kesh njohuri. Ata që takoni në shërbim dhe motrat e vëllezërit në kongregacion do të përfitojnë nga njohuria juaj vetëm nëse jeni të përulur.» Ai përfundoi duke thënë se nëse të diplomuarit vazhdojnë të vishen me dashurinë e krishterë, atëherë janë gati të nisen për në caktimin e tyre, duke e pasur të sigurt suksesin.​—Kolosianëve 3:14.

Mark Numari, një nga instruktorët e Galaadit, ngjalli kureshtjen e auditorit me pyetjen që ngrinte tema e fjalimit të tij: «A do ta mbani atë?» Fjala «atë» i referohej mirënjohjes për mirësinë e Jehovait. Psalmi 103:2 thotë: «Beko Jehovain, o shpirti im, e mos i harro të gjitha ato që ka bërë.» izraelitët u treguan mosmirënjohës për manën që i ndihmoi të mbijetonin, duke e quajtur «bukë e shpifur». (Numrat 21:5) Vlera e manës nuk ndryshoi me kalimin e kohës, por vlerësimi i tyre po. Instruktori tha: «Nëse harroni ato që ka bërë Jehovai dhe nëse lejoni që shërbimi në vendin e huaj të bëhet për ju diçka e zakonshme, kjo do të ndikojë në pikëpamjen tuaj për punën që ju ka caktuar Jehovai.» Psalmi 103:4 thotë se Jehovai ‘na vë si kurorë dashamirësinë’. Të diplomuarit do ta shikojnë dashamirësinë e Perëndisë në kongregacionin e tyre të ri.

Një instruktor tjetër i Galaadit, Lorenc Boueni, foli për temën: «A do të të zënë të gjitha këto bekime?» Ai tha se anëtarët e klasës së 119-të të Galaadit janë stërvitur fort për të pasur sukses në veprën misionare. Por tani ata duhet të përqendrohen te Jehovai dhe te caktimi që ai u ka dhënë. Te Zbulesa 14:1-4, 144.000 të mirosurit përshkruhen si ata që «vazhdojnë të ndjekin Qengjin, kudo që të shkojë». Të gjithë ata i qëndrojnë besnikë Jehovait e Birit të tij, pavarësisht nga sprovat, dhe e arrijnë synimin e tyre. «Të ndodhë ç’të ndodhë, edhe ne i qëndrojmë besnikë Jehovait dhe caktimit që na ka dhënë»,​—vazhdoi oratori. Duke vepruar kështu, të diplomuarit do të shikojnë se ‘do t’i zënë’ bekimet e Jehovait.​—Ligji i përtërirë 28:2.

Të frytshëm në shërbim

Gjatë shkollës, çdo fundjavë studentët dilnin në shërbim. Ndërsa Uollas Livërënsi, sekretari administrativ i shkollës, bisedonte me ta gjatë programit, u duk qartë që kishin qenë të suksesshëm. Ata predikuan lajmin e mirë në të paktën dhjetë gjuhë dhe filluan një sërë studimesh biblike. Një çift që po ndiqte shkollën filloi një studim biblik me një kinez. Pas vizitës së dytë, ata e pyetën se si ndihej që po njihte Jehovain. Ai hapi kopjen e tij të Biblës dhe u kërkoi atyre të lexonin Gjonin 17:3. Ai mendonte se ishte në rrugën që të çon në jetë.

Pastaj Entoni Morisi, anëtar i Trupit Udhëheqës, intervistoi tre vëllezër që shërbejnë në Komitetin e Degës në Bregun e Fildishtë, në Republikën Domenikane dhe në Ekuador. Këta tre vëllezër i siguruan të diplomuarit se Komiteti i Degës në ato vende po e pret me padurim ardhjen e tyre dhe se do t’i ndihmojnë që të sistemohen në caktimin e tyre.

Pas kësaj, Leonard Piërsëni, anëtar i familjes Bethel në Shtetet e Bashkuara, foli me tre vëllezër që shërbejnë në Komitetin e Degës në Republikën Demokratike të Kongos, në Papua Guinenë e Re dhe në Ugandë. Këta vëllezër i inkurajuan të diplomuarit që të përfshiheshin tërësisht në shërbim. Një çift misionarësh, që ka shërbyer për 21 vjet në Kongo, ka ndihmuar 60 veta deri në kushtim dhe pagëzim. I njëjti çift tani drejton 30 studime biblike dhe 22 prej tyre ndjekin mbledhjet në kongregacion. Duke parë këtë korrje kaq të bollshme, tani është një kohë e mrekullueshme për të shërbyer si misionar.

Japin dëshmi me një frymë urgjence

Gerrit Lëshi, anëtar i Trupit Udhëheqës, mbajti fjalimin e fundit. Tema e fjalimit ishte: «Flasim për Perëndinë dhe japim dëshmi për Jezuin në ditën e Zotërisë.» Fjalët «dëshmi», «dëshmitar» dhe «jap dëshmi» dalin 19 herë në librin e Zbulesës. Pra, Jehovai e tregon qartë punën që i ka caktuar popullit të tij. Por, kur duhet ta japim këtë dëshmi? Ajo do të jepet «në ditën e Zotërisë». (Zbulesa 1:9, 10) Ajo ditë ka filluar në vitin 1914, vazhdon në kohën tonë e deri në të ardhmen. Sipas Zbulesës 14:6, 7, vepra e predikimit për Perëndinë ka mbështetjen e engjëjve. Zbulesa 22:17 tregon se përgjegjësia e drejtimit të veprës së dëshmisë për Jezuin i është besuar mbetjes së të krishterëve të mirosur. Por të gjithë ne duhet të përfitojmë tani nga ky privilegj. Në vargun 20, janë dokumentuar fjalët e Jezuit, i cili thotë: «Unë po vij me të shpejtë.» Vëlla Lëshi i nxiti të gjithë të pranishmit: «Të gjithë njerëzve bëjuni thirrjen: ‘Ejani e merrni falas ujin e jetës.’ Jezui po afron me të shpejtë. A jemi gati?»

Fred Raski, që ka shërbyer si instruktor në Shkollën e Galaadit për 11 vjet, mbylli programin duke i drejtuar Jehovait një lutje falënderimi që i preku të gjithë të pranishmit. Ishte një mbyllje e bukur për këtë ditë, për këtë rast gëzimi të vërtetë.

[Kutia në faqen 13]

STATISTIKAT E KLASËS

Numri i vendeve të përfaqësuara: 10

Numri i vendeve ku u caktuan: 25

Numri i studentëve: 56

Mosha mesatare: 32,5

Mesatarja e viteve në të vërtetën: 16,4

Mesatarja e viteve në shërbim të plotkohor: 12,1

[Figura në faqen 15]

Diplomimi i klasës së 119-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.

(1) Helgesen, S.; Daugaard, H.; Pierluissi, A.; Joseph, I.; Racanelli, C. (2) Byrge, T.; Butler, D.; Freedlun, J.; Nuñez, K.; Pavageau, C.; Doumen, T. (3) Camacho, O.; Lindqvist, L.; Broomer, A.; Wessels, E.; Burton, J.; Woodhouse, O.; Doumen, A. (4) Tirion, A.; Connally, L.; Fournier, C.; Gil, A.; Johnsson, K.; Hamilton, L. (5) Byrd, D.; Scribner, I.; Camacho, B.; Laschinski, H.; Hallahan, M.; Libuda, O. (6) Joseph, A.; Lindqvist, M.; Helgesen, C.; Nuñez, D.; Scribner, S.; Fournier, J. (7) Pierluissi, F.; Pavageau, T.; Broomer, C.; Racanelli, P.; Butler, T.; Woodhouse, M.; Libuda, J. (8) Laschinski, M.; Freedlun, S.; Burton, I.; Tirion, M.; Byrd, M.; Byrge, J. (9) Wessels, T.; Hallahan, D.; Connally, S.; Gil, D.; Daugaard, P.; Hamilton, S.; Johnsson, T.