Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Një fjalë në kohën e duhur, oh, sa e mirë është!»

«Një fjalë në kohën e duhur, oh, sa e mirë është!»

«Një fjalë në kohën e duhur, oh, sa e mirë është!»

NË NJË asamble njëditore të Dëshmitarëve të Jehovait, Kimi bëri çmos të dëgjonte e të mbante shënime, ndërkohë që përpiqej ta mbante urtë vajzën e saj dy vjeçe e gjysmë. Në fund të programit, një motër e krishterë, që ishte ulur në të njëjtin rresht, iu drejtua Kimit dhe e lavdëroi nga zemra për mënyrën se si ajo dhe i shoqi u kujdesën për vajzën gjatë programit. Ky lavdërim ishte kaq domethënës për Kimin, saqë edhe tani, vite më vonë, thotë: «Kur ndihem shumë e lodhur në mbledhje, mendoj fjalët e asaj motre. Ato fjalë të këndshme ende më japin zemër që të vazhdoj ta stërvit vajzën.» Po, vërtet, fjalët e thëna në kohën e duhur mund t’i japin zemër njeriut. Bibla thotë: «Një fjalë në kohën e duhur, oh, sa e mirë është!»​—Proverbat 15:23.

Mirëpo, disa prej nesh e kanë të vështirë të lavdërojnë të tjerët. Disa herë, ngaqë i dimë shumë mirë mangësitë tona, mund ta kemi të vështirë t’i lavdërojmë të tjerët. Një i krishterë thotë: «Për mua është si të jem në terren të rrezikshëm. Sa më shumë ngre të tjerët, aq më shumë më duket sikur zhytem unë poshtë.» Edhe faktorë të tillë, si ndrojtja, pasiguria ose frika se mos të keqkuptojnë, mund ta bëjnë të zorshme t’u japësh lavdërime të tjerëve. Përveç këtyre, nëse ne vetë s’kemi marrë fjalë lavdëruese ndërsa rriteshim, mund ta kemi të vështirë të lavdërojmë të tjerët.

Megjithatë, kur dimë se lavdërimi ndikon për mirë tek ai që e jep dhe tek ai që e merr, kjo mund të na shtyjë të bëjmë çmos për të thënë një fjalë të mirë në kohën e duhur. (Proverbat 3:27) Atëherë, çfarë të mirash vijnë nga kjo? Le të shqyrtojmë shkurtimisht disa.

Të mirat

Lavdërimet e përshtatshme mund t’i japin siguri atij që i merr. «Kur njerëzit më lavdërojnë, e ndiej se kanë besim tek unë»,​—thotë Ilejna, një e krishterë. Po, kur lavdërojmë dikë që nuk është i sigurt në vetvete, kjo mund t’i japë guximin e duhur që të kapërcejë pengesat e, rrjedhimisht, të ndiejë gëzim. Sidomos të rinjtë nxjerrin shumë dobi nga lavdërimet e merituara. Një adoleshente, që e pranon se shkurajohet nga mendimet e saj negative, thotë: «Gjithnjë bëj çmos t’i pëlqej Jehovait, po nganjëherë më duket sikur, pavarësisht se çfarë bëj, nuk mjafton. Kur më lavdëron dikush, ndihem shumë mirë përbrenda.» Sa i vërtetë është proverbi biblik: «Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si mollët e arta në gdhendje argjendi.»​—Proverbat 25:11.

Lavdërimet mund ta motivojnë e ta inkurajojnë dikë. Një vëlla që shërben në kohë të plotë, thotë: «Lavdërimet më nxitin që të punoj më shumë e të përmirësoj cilësinë e shërbimit.» Një nënë e dy fëmijëve thotë se, kur ata marrin lavdërime nga pjesëtarët e tjerë të kongregacionit për komentet në mbledhje, duan të bëjnë edhe më shumë komente. Po, lavdërimet mund t’i motivojnë fëmijët që të ecin përpara për sa i përket jetës së krishterë. Në fakt, të gjithë kemi nevojë për sigurinë se të tjerët na vlerësojnë e na çmojnë. Kjo botë gjithë strese mund të na bëjë të ndihemi të lodhur e të rënduar. Një plak i krishterë thotë: «Në rastet kur jam i shkurajuar, lavdërimet janë si një përgjigje ndaj lutjeve të mia.» Po kështu, Ilejna thotë: «Nganjëherë më duket sikur Jehovai ma tregon miratimin e tij me anë të shprehjeve të të tjerëve.»

Lavdërimet që merr, e bëjnë dikë të ndihet i pranuar. Kur i japim lavdërime dikujt, tregojmë se kemi menduar për të dhe kështu krijohet një atmosferë e ngrohtë dhe e sigurt, ku njeriu ndihet i vlerësuar. Është një provë se i duam vërtet të bashkëkrishterët dhe i çmojmë ata. Një nënë, me emrin Xhosi, thotë: «Në të kaluarën, m’u desh të mbaja qëndrimin tim për të vërtetën, në një familje të ndarë nga ana fetare. Në atë kohë, komentet pozitive nga individë të pjekur frymësisht ma forcuan vendosmërinë që të mos dorëzohesha.» Po, vërtet, «ne jemi gjymtyrë që i përkasim njëri-tjetrit».​—Efesianëve 4:25.

Dëshira për të lavdëruar të tjerët na ndihmon të shohim anët e tyre të mira. Duam të gjejmë anët e mira te të tjerët, jo dobësitë e tyre. Një plak i krishterë me emrin Dejvid thotë: «Çmueshmëria për atë që bëjnë të tjerët, do të na ndihmojë t’i lavdërojmë më shpesh.» Kur mbajmë në mend sa shpesh Jehovai dhe Biri i tij flasin mirë për njerëzit e papërsosur, do të shtyhemi për të qenë më bujarë në këtë aspekt.​—Mateu 25:21-23; 1 Korintasve 4:5.

Ata që meritojnë lavdërime

Perëndia Jehova, duke qenë Krijuesi, është i pari që meriton të lëvdohet. (Zbulesa 4:11) Jehovai s’ka nevojë për ne që të ketë siguri në vetvete ose të motivohet, po gjithsesi, kur e lëvdojmë për madhështinë e për dashamirësinë e tij, afrohet më shumë me ne dhe krijojmë një marrëdhënie të ngushtë me të. Kur lëvdojmë Perëndinë, zhvillojmë një pikëpamje modeste për arritjet tona dhe, si pasojë, ia japim Jehovait meritën për sukseset tona. (Jeremia 9:23, 24) Jehovai ua jep shpresën e jetës së përhershme të gjithë njerëzve që e meritojnë, dhe kjo është një arsye tjetër që na nxit ta lëvdojmë. (Zbulesa 21:3, 4) Mbreti i lashtë David dëshironte me gjithë shpirt ‘ta lëvdonte emrin e Perëndisë’ dhe ‘ta madhëronte me falënderime’. (Psalmi 69:30) Qoftë kjo edhe dëshira jonë!

Bashkadhuruesit tanë meritojnë lavdërime të përshtatshme. Kur japim lavdërime, po veprojmë në përputhje me urdhrin hyjnor që «të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera». (Hebrenjve 10:24) Apostulli Pavël ishte një shembull në këtë drejtim. Ai i shkroi kongregacionit në Romë: «Para së gjithash, falënderoj Perëndinë tim nëpërmjet Jezu Krishtit për të gjithë ju, sepse për besimin tuaj flitet në mbarë botën.» (Romakëve 1:8) Në mënyrë të ngjashme, apostulli Gjon e lavdëroi Gajin, një të bashkëkrishterë, për shembullin e shkëlqyer që la, duke ‘ecur në të vërtetën’.​—3 Gjonit 1-4.

Sot, kur një bashkëbesimtar e shfaq shkëlqyeshëm një cilësi të krishterë, mban një fjalim të përgatitur mirë ose bën një koment të ndier gjatë mbledhjes, kemi një mundësi shumë të mirë për t’i shprehur çmueshmërinë tonë. Ose kur një fëmijë bën përpjekje për të gjetur shkrimet gjatë mbledhjeve, mund ta lavdërojmë. Ilejna, e përmendur më sipër, komenton: «Të gjithë kemi dhunti të ndryshme. Duke vërejtur atë që bën një tjetër, tregojmë çmueshmëri për dhuntitë e shumta që ka në popullin e Perëndisë.»

Në familje

Po kur bëhet fjalë për t’ua shprehur çmueshmërinë pjesëtarëve të familjes sonë? Kërkohet shumë kohë, përpjekje dhe vëmendje e dashur që bashkëshortët të sigurojnë gjërat frymore, emocionale dhe materiale për familjen. Sigurisht, ata e meritojnë të dëgjojnë fjalë lavdërimi nga njëri-tjetri e nga fëmijët. (Efesianëve 5:33) Për shembull, Fjala e Perëndisë thotë për një grua të zonjën: «Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin të lumtur. Burri i saj çohet dhe e lëvdon.»​—Proverbat 31:10, 28.

Edhe fëmijët meritojnë lavdërime. Është për të ardhur keq që disa prindër s’përtojnë t’u thonë fëmijëve çfarë presin prej tyre, por rrallëherë i lavdërojnë për përpjekjet që bëjnë për t’u bindur ose për të respektuar prindërit. (Luka 3:22) Kur jepen që në vitet e para të zhvillimit të fëmijës, lavdërimet shpesh e bëjnë të ndihet i dëshiruar në familje dhe më i sigurt.

Qartë, kërkohen përpjekje për të lavdëruar të tjerët, por kemi shumë bekime kur veprojmë kështu. Në fakt, sa më të zellshëm të jemi për të lavdëruar ata që e meritojnë, aq më e madhe do të jetë lumturia që ndiejmë.​—Veprat 20:35.

Pranoji dhe jepi lavdërimet me frymën e duhur

Po, gjithsesi, për disa veta lavdërimet mund të jenë një sprovë. (Proverbat 27:21) Për shembull, tek individët që kanë prirjen të jenë krenarë, mund të nxitë ndjenjat e epërsisë. (Proverbat 16:18) Prandaj, duhet pasur kujdes. Apostulli Pavël dha këtë këshillë praktike: «I them gjithsecilit mes jush të mos mendojë për veten më shumë nga sa duhet të mendojë, por të mendojë në atë mënyrë që të ketë një mendje të shëndoshë, secili sipas masës së besimit që i ka ndarë Perëndia.» (Romakëve 12:3) Për t’i ndihmuar të tjerët që të mos bien në kurth e të mendojnë tepër për veten, mund të jetë e mençur të mos përqendrohemi në tipare të tilla, si mendjemprehtësia ose bukuria fizike. Në vend të këtyre, duhet t’i lavdërojmë të tjerët për veprat e mira.

Kur jepen dhe pranohen me frymën e duhur, fjalët e lavdërimit mund të ndikojnë për mirë te ne. Mund të na shtyjnë të pranojmë se i jemi borxhlinj Jehovait për çdo gjë të mirë që kemi bërë. Gjithashtu, lavdërimi mund të na nxitë që të vazhdojmë të sillemi në mënyrë të shkëlqyer.

Lavdërimet e sinqerta dhe të merituara janë një dhuratë që të gjithë mund ta japim. Kur mendojmë për dikë dhe e lavdërojmë, kjo mund të ndikojë tek ai që merr lavdërimin më tepër nga sa mund ta imagjinojmë.

[Kutia dhe figura në faqen 18]

Një letër që i preku zemrën

Një mbikëqyrës qarkor e kujton mirë një rast, kur ai dhe e shoqja u kthyen në banesën ku po qëndronin, pas një dite të akullt dimri që kishin kaluar në shërbim. Ai thotë: «Ime shoqe kishte ftohtë dhe ishte e shkurajuar. Më tha se e ndiente që s’mund të vazhdonte më. ‘Ah, sa mirë do të ishte sikur të shërbenim në kohë të plotë në një kongregacion, të rrinim në një vend dhe të kishim studimet tona biblike’,​—më tha. Nuk mora asnjë vendim, por i thashë që do të vazhdonim atë javë dhe pastaj, në fund të javës, do të shihnim si do të ndihej. Në qoftë se akoma mendonte që ta ndërpritnim këtë shërbim, do t’i respektoja ndjenjat e saj. Po atë ditë, kaluam nga posta dhe gjetëm një letër nga zyra e degës, drejtuar asaj personalisht. Në letër shpreheshin lavdërime të përzemërta për përpjekjet e saj në shërbim dhe për qëndrueshmërinë e saj, duke pranuar sa e vështirë mund të jetë të flesh çdo javë në një shtrat të ndryshëm. E prekën kaq shumë ato lavdërime, saqë kurrë më nuk tha një fjalë të vetme për të lënë veprën udhëtuese. Madje, disa herë më ka inkurajuar mua për të vazhduar, kur mendoja ta linim këtë vepër.» Ky çift qëndroi në veprën udhëtuese për pothuajse 40 vjet.

[Figura në faqen 17]

Kush meriton lavdërime në kongregacionin tënd?

[Figura në faqen 19]

Fëmijët rriten mirë kur i kushtojnë vëmendje e i lavdërojnë