Pyetje nga lexuesit
Pyetje nga lexuesit
Psalmi 102:26 thotë se toka dhe qiejt «do të zhduken». A do të thotë kjo se planeti Tokë do të shkatërrohet?
Në një lutje që i bëri Jehovait, psalmisti tha: «Shumë kohë më parë, ti hodhe themelet e tokës, dhe qiejt janë vepër e duarve të tua. Ata do të zhduken, por ti do të mbetesh; dhe ashtu si një rrobë, ata do të treten të tërë. Si një rrobë do t’i zëvendësosh e radha do t’u kalojë.» (Psalmi 102:25, 26) Konteksti i këtyre vargjeve bën të qartë se nuk flitet për shkatërrimin e tokës, po për përjetësinë e Perëndisë. Gjithashtu, konteksti tregon se pse kjo e vërtetë themelore i ngushëllon shërbëtorët e Perëndisë.
Psalmisti, ndoshta i mërguar në Babiloni, fillon duke përshkruar mundimet e veta. Ai ankohet se jeta e tij është shumë kalimtare, «porsi tymi». Ankthi i fortë ia dërrmon trupin dhe kockat i ndien «si prushi në mangall». Ai është i sfilitur, «porsi bari i zhuritur nga dielli», dhe ndihet vetëm, «si zogu i vetmuar mbi çati». Sprovat ia kanë hequr oreksin dhe ditët e tij janë mbushur me vajtime. (Psalmi 102:3-11) Gjithsesi, psalmisti nuk i ka humbur të gjitha shpresat. Po përse jo? Për shkak të asaj që Jehovai ka premtuar se do të bëjë për Sionin ose ndryshe Jerusalemin.
Edhe pse Sioni është shkatërruar, Jehovai ka premtuar se do të rivendoset. (Isaia 66:8) Prandaj, i sigurt, psalmisti i thotë Jehovait: «[Ti] do të kesh mëshirë për Sionin, se ka ardhur koha t’i japësh hir, po, ka ardhur koha e caktuar. Sepse Jehovai do ta ndërtojë Sionin.» (Psalmi 102:13, 16) Pastaj psalmisti i rikthehet temës së vuajtjeve të veta. Ai arsyeton se, nëse Jerusalemi i shkretuar mund të rivendoset me fuqinë e Perëndisë Jehova, me siguri që Ai është i aftë ta shpëtojë psalmistin nga gjendja e tij e mjeruar. (Psalmi 102:17, 20, 23) Por ka edhe diçka tjetër që e shtyn psalmistin të ketë besim të plotë te Jehovai. Çfarë? Fakti që Perëndia është i përjetshëm.
Ekzistenca e përjetshme e Jehovait është në kontrast të plotë me shkurtësinë e jetës së psalmistit. «Vitet e tua zgjatin brez pas brezi»,—i thotë ai Jehovait. (Psalmi 102:24) Psalmisti shprehet më tej: «Shumë kohë më parë, ti hodhe themelet e tokës, dhe qiejt janë vepër e duarve të tua.»—Psalmi 102:25.
E megjithatë, as mosha e madhe e tokës dhe e qiejve s’mund të krahasohet me ekzistencën e përjetshme të Jehovait. Psalmisti shton: «Ata [toka dhe qiejt] do të zhduken, por ti do të mbetesh.» (Psalmi 102:26) Toka dhe qiejt fizikë janë të prishshëm. Është e vërtetë se, në një vend tjetër, Jehovai ka thënë se ata do të mbeten përgjithnjë. (Psalmi 119:90; Eklisiastiu 1:4) Por, ama, është e mundur të shkatërrohen, nëse ky do të ishte qëllimi i Perëndisë. Krejt ndryshe nga ata, Perëndia nuk vdes kurrë. Veprat fizike të krijimit ‘mbahen në vendin e tyre përjetë’, vetëm sepse i mban Perëndia. (Psalmi 148:6) Nëse ndodh që Jehovai nuk vazhdon t’i ripërtërijë këto vepra krijimi, atëherë, «ashtu si një rrobë, ata do të treten të tërë». (Psalmi 102:26) Sikurse një njeri jeton më gjatë se rrobat e veta, po ashtu Jehovai do të mund të jetonte më gjatë se krijimi i tij, po të vendoste ta bënte këtë. Megjithatë, shkrime të tjera na tregojnë se ky nuk është vullneti i Perëndisë. Fjala e Perëndisë na siguron se ai ka vendosur që toka dhe qiejt fizikë të mbeten përgjithnjë.—Psalmi 104:5.
Është ngushëlluese të dimë se Jehovai është i përjetshëm, prandaj gjithnjë do t’i përmbushë premtimet e tij. Çfarëdo sprove që të na bjerë, po t’i thërrasim për ndihmë, mund të jemi të sigurt se «ai do ta dëgjojë lutjen e skamësit, po, nuk do ta përbuzë lutjen e tij». (Psalmi 102:17) Po, siguria që jep Jehovai se do të na mbështetë, siç lexojmë te Psalmi 102, është edhe më e patundshme se toka në të cilën qëndrojmë.