Si do ta mundë e mira të keqen?
Si do ta mundë e mira të keqen?
Mbreti David ishte njeri i mirë. E donte vërtet Perëndinë dhe drejtësinë e kishte dhembshuri për të munduarit. Por, pikërisht ky mbret i mirë kreu kurorëshkelje me gruan e njërit prej njerëzve të tij të besuar. Dhe pasi zbuloi që Betsheba kishte mbetur shtatzënë me të, Davidi komplotoi për vrasjen e burrit të saj. Pastaj, që të mbulonte keqbërjet e tij, u martua me Betshebën.—2 Samuelit 11:1-27.
SHIHET qartë se njerëzit kanë aftësinë për të bërë shumë të mira. Pse atëherë arrijnë të bëjnë kaq shumë të këqija? Bibla tregon disa nga arsyet kryesore. Ajo zbulon edhe se, me anë të Jezu Krishtit, Perëndia do ta zhdukë ligësinë njëherë e përgjithmonë.
Prirja për të bërë të keqen
Vetë mbreti David tregoi një nga shkaqet pse bëhen të këqija. Pasi krimet e tij u zbuluan, ai e pranoi të gjithë përgjegjësinë për veprimet që bëri. Ashtu i penduar shkroi: «Ja, në faj erdha në dritë mes dhembjeve të lindjes dhe në mëkat më ngjizi nëna ime.» (Psalmi 51:5) Kurrsesi nuk ishte qëllimi i Perëndisë që nënat të ngjiznin fëmijë që do të mëkatonin. Por, kur Eva dhe Adami zgjodhën të rebeloheshin kundër Perëndisë, ata e humbën aftësinë për të lindur fëmijë të përsosur. (Romakëve 5:12) Ndërsa raca e papërsosur njerëzore shtohej, u bë e qartë se «zemra e njeriut priret nga e keqja që në rini të tij».—Zanafilla 8:21.
Nëse nuk kontrollohet, prirja për të bërë të keqen çon në ‘kurvëri, armiqësi, konflikte, xhelozi, shpërthime zemërimi, grindje, përçarje, sekte, zili’ dhe sjellje të tjera të dëmshme, që Bibla i përshkruan si «veprat e mishit». Galatasve 5:19-21) Për sa i përket mbretit David, ai u mposht nga dobësitë e mishit e kreu kurvëri, dhe kjo çoi në konflikte. (2 Samuelit 12:1-12) Ai mund t’i kishte thënë jo prirjes së tij për të kryer imoralitet. Por, ngaqë vazhdoi ta ushqente dëshirën për Betshebën, me Davidin ndodhi ashtu siç e përshkruan edhe apostulli Jakov: «Secili sprovohet, i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet. Pastaj dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin, dhe mëkati, pasi kryhet, sjell vdekjen.»—Jakovi 1:14, 15.
(Vrasjet në masë, përdhunimet dhe bastisjet që u përmendën në artikullin e mëparshëm janë raste ekstreme që tregojnë se çfarë ndodh kur njerëzit lejojnë që të drejtohen nga dëshirat e gabuara.
Ligësia shtohet nga mungesa e njohurisë
Nga përvoja e apostullit Pavël del në pah një arsye e dytë përse njeriu bën të këqija. Në kohën kur vdiq, Pavli kishte bërë emër të mirë si njeri zemërbutë dhe i dhembshur. Me altruizëm, ai kishte harxhuar kohën dhe energjitë e tij në shërbim të motrave dhe vëllezërve të krishterë. (1 Selanikasve 2:7-9) Por, kohë më parë, kur njihej me emrin Saul, po këta njerëz ai «i kërcënonte . . . dhe bënte çmos t’i vriste». (Veprat 9:1, 2) Përse Pavli e miratonte përndjekjen e të krishterëve të hershëm dhe u përfshi në të? «Sepse isha në padije»,—thotë ai. (1 Timoteut 1:13) Po, më parë, Pavli kishte pasur «zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë së saktë».—Romakëve 10:2.
Ashtu si Pavli, shumë njerëz të sinqertë janë përfshirë në keqbërje nga mungesa e njohurisë së saktë për vullnetin e Perëndisë. Për shembull, Jezui i paralajmëroi ithtarët e tij: «Po vjen ora kur ata që do t’ju vrasin, do të kujtojnë se i kanë bërë shërbim të shenjtë Perëndisë.» (Gjoni 16:2) Sot, Dëshmitarët e Jehovait po shohin vërtetësinë e fjalëve të Jezuit. Në shumë vende, ata janë përndjekur, e madje janë vrarë, nga njerëz që pretendojnë se i shërbejnë Perëndisë. Është e qartë se ky lloj zelli i gabuar nuk i pëlqen Perëndisë.—1 Selanikasve 1:6.
Nismëtari i së keqes
Jezui tregoi arsyen kryesore të ekzistencës së ligësisë. Duke iu drejtuar udhëheqësve fetarë që kishin për qëllim ta vrisnin, ai tha: «Ju jeni nga ati juaj, Djalli, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj. Ai ishte vrasës që nga fillimi.» (Gjoni 8:44) Ishte Satanai ai që, për arsye egoiste, e joshi Adamin dhe Evën që të rebeloheshin kundër Perëndisë. Ky rebelim solli mëkatin dhe, si rrjedhojë, vdekjen për gjithë njerëzimin.
Prirja vrastare e Satanait u bë më e qartë në mënyrën se si reagoi në rastin e Jobit. Kur Jehovai e lejoi që të vinte në provë besnikërinë e Jobit, Satanai nuk u kënaq vetëm duke ia hequr gjithë zotërimet që kishte. Madje ai bëri që t’i vdisnin të dhjetë fëmijët. (Jobi 1:9-19) Gjatë këtyre dekadave të fundit, njerëzimi ka përjetuar një rritje të ligësisë për shkak të papërsosmërisë, të mungesës së njohurisë së njerëzve dhe për shkak të përfshirjes gjithnjë e më të madhe të Satanait në çështjet njerëzore. Bibla zbulon se Djalli «u hodh poshtë në tokë . . . bashkë me engjëjt e tij». E njëjta profeci kishte parashikuar me saktësi se ky kufizim i Satanait në tokë do të sillte një ‘mjerim’ të paparë për tokën. Ndonëse nuk mund t’i detyrojë njerëzit të bëjnë të këqija, Satanai është mjeshtër për të ‘mashtruar gjithë tokën e banuar’.—Zbulesa 12:9, 12.
Çrrënjosja e prirjes për të bërë të keqen
Që ligësia të zhduket një herë e mirë nga shoqëria njerëzore, duhet të çrrënjoset prirja e lindur e njeriut për të bërë të keqen, mungesa e njohurisë së saktë dhe ndikimi i Satanait. Së pari, si mund të çrrënjoset nga zemra e njeriut prirja e lindur për të mëkatuar?
Asnjë kirurg apo ilaç nuk mund ta bëjë këtë. Por, për të gjithë ata që janë gati ta pranojnë, Perëndia Jehova ka dhënë një kurë për mëkatin dhe papërsosmërinë e trashëguar. Apostulli Gjon shkroi: «Gjaku i Jezuit, . . . na pastron nga çdo mëkat.» (1 Gjonit 1:7) Kur Jezui, njeriu i përsosur, me vullnet të lirë ofroi jetën e tij, «mbarti mëkatet tona në trupin e tij në shtyllë, që ne të mos kishim të bënim më me mëkatet dhe të jetonim për drejtësinë». (1 Pjetrit 2:24) Vdekja flijuese e Jezuit do të zhdukte pasojat e veprimit të lig të Adamit. Pavli tha se Krishti Jezu u bë «një shpërblesë përkatëse për të gjithë». (1 Timoteut 2:6) Po, vdekja e Krishtit i dha mundësinë njerëzimit që të rifitonte përsosmërinë që humbi Adami.
Por, ju mund të pyesni: ‘Nëse vdekja e Jezuit, gati 2.000 vjet më parë, bëri të mundur që njeriu të rifitonte përsosmërinë, pse ekziston ende ligësia dhe vdekja?’ Gjetja e kësaj përgjigjeje do të na ndihmojë të çrrënjosim arsyen e dytë pse bëhen të këqija, domethënë mungesën e njohurisë së njeriut për qëllimin e Perëndisë.
Mirësia shtohet kur ka njohuri të saktë
Nëse një person i sinqertë merr njohuri të saktë rreth asaj që po bëjnë tani Jehovai dhe Jezui për të zhdukur ligësinë, kjo mund ta ndihmojë që të mos bëjë të keqen pa dashje, ose, më keq akoma, të mos luftojë «kundër Perëndisë». (Veprat 5:38, 39) Perëndia Jehova është gati të na i falë gabimet që kemi bërë në të shkuarën nga mungesa e njohurisë. Në Athinë, apostulli Pavël tha: «Perëndia i mbylli sytë para kohëve të një padijeje të tillë, por tani po i thotë njerëzisë që të pendohen të gjithë kudo qofshin. Sepse ai ka caktuar një ditë, kur ka si qëllim të gjykojë me drejtësi tokën e banuar nëpërmjet një njeriu që ka emëruar, dhe u dha garanci të gjithëve, duke e ringjallur atë nga të vdekurit.»—Veprat 17:30, 31.
Pavli e dinte nga përvoja se Jezui ishte ngritur nga të vdekurit, sepse, pasi u ringjall, Jezui vetë foli me Pavlin dhe bëri që të mos i përndiqte më të krishterët e hershëm. (Veprat 9:3-7) Sapo mësoi me saktësi qëllimet e Perëndisë, Pavli ndryshoi dhe, duke imituar Krishtin, u bë njeri vërtet i mirë. (1 Korintasve 11:1; Kolosianëve 3:9, 10) Përveç kësaj, Pavli e predikoi me zell ‘lajmin e mirë për mbretërinë’. (Mateu 24:14) Për afro 2.000 vjet që kur vdiq dhe u ringjall, Krishti ka zgjedhur nga toka ata njerëz që, ashtu si Pavli, do të sundojnë me të në Mbretërinë e tij.—Zbulesa 5:9, 10.
Gjatë gjithë shekullit të kaluar e deri tani, Dëshmitarët e Jehovait e kanë përmbushur me zell detyrën që u la Jezui: «Prandaj, shkoni dhe bëni dishepuj njerëz nga të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, dhe mësojuni të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.» (Mateu 28:19, 20) Ata që e pranojnë këtë mesazh, kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë nën sundimin e qeverisë qiellore të Krishtit. Jezui tha: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Të ndihmojmë dikë për të marrë këtë lloj njohurie është e mira më e madhe që mund t’i bëjmë.
Ata që përqafojnë këtë lajm të mirë për Mbretërinë, pavarësisht nga e gjithë ligësia që i rrethon, shfaqin cilësi të tilla, si: «Dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli.» (Galatasve 5:22, 23) Duke imituar Jezuin, ata ‘nuk ia kthejnë askujt të keqen me të keqe’. (Romakëve 12:17) Personalisht, përpiqen ‘ta mundin të keqen me të mirën’.—Romakëve 12:21; Mateu 5:44.
Mposhtja përfundimtare e së keqes
Njerëzit nuk do të jenë kurrë në gjendje ta mposhtin me forcat e tyre burimin kryesor të ligësisë, që është Satana Djalli. Por, shumë shpejt, Jehovai do të përdorë Jezuin për t’i shtypur kokën Satanait. (Zanafilla 3:15; Romakëve 16:20) Gjithashtu, Jehovai do ta drejtojë Krishtin Jezu që ‘të thërrmojë dhe t’u japë fund’ të gjitha sistemeve politike, shumë prej të cilave kanë shkaktuar tërë ato të këqija gjatë gjithë historisë. (Danieli 2:44; Eklisiastiu 8:9) Gjatë kësaj dite gjykimi që po afron, të gjithë ata që «nuk i binden lajmit të mirë lidhur me Zotërinë tonë Jezu . . . do të ndëshkohen me shkatërrim të përhershëm».—2 Selanikasve 1:8, 9; Sofonia 1:14-18.
Sapo të zhduket Satanai bashkë me ata që e përkrahin, Jezui, që nga qielli, do t’i ndihmojë të mbijetuarit që ta kthejnë tokën në gjendjen e saj fillestare. Krishti do të ringjallë edhe ata që e meritojnë mundësinë për të jetuar në parajsën e rivendosur në tokë. (Luka 23:32, 39-43; Gjoni 5:26-29) Kështu, ai do të fshijë disa nga pasojat e ligësisë që vuan njerëzimi.
Jehovai nuk do t’i detyrojë njerëzit që t’i binden lajmit të mirë për Jezuin. Megjithatë, ai po u jep atyre mundësinë të marrin njohurinë që të çon në jetë. Është jetësore që të përfitoni tani nga kjo mundësi! (Sofonia 2:2, 3) Nëse po, do të mësoni se si të përballoni çdo të keqe që mund të sjellë jeta. Madje do të shihni se si Krishti do ta mundë të keqen njëherë e përgjithmonë.—Zbulesa 19:11-16; 20:1-3, 10; 21:3, 4.
[Figura në faqen 5]
Sauli i miratonte veprat e këqija sepse i mungonte njohuria e saktë
[Figura në faqen 7]
Të ndihmojmë dikë të marrë njohuri të saktë për Perëndinë është e mira më e madhe që mund t’i bëjmë