«Citatet më të hershme të shkrimeve biblike, të njohura deri tani»
«Citatet më të hershme të shkrimeve biblike, të njohura deri tani»
NJËZET E PESË vjet më parë, arkeologët izraelitë bënë një zbulim mahnitës. Në një shpellë që përdorej si varr, në shpatet e luginës së Hinomit, në Jerusalem, ata gjetën dy rrotulla të vogla me fletë argjendi, ku ishin gdhendur disa shkrime biblike. Rrotullat i përkitnin periudhës para shkatërrimit të Jerusalemit nga babilonasit, në vitin 607 p.e.s. Shkrimet përmbanin pjesë të bekimeve që gjenden te Numrat 6:24-26. Emri i përveçëm i Perëndisë, Jehova, dilte disa herë në të dyja rrotullat. Këto mbishkrime janë përshkruar si «gjetjet më të hershme nga bota e lashtë, të njohura deri tani, që dokumentojnë shkrime nga Bibla Hebraike».
Por, disa studiues e vunë në dyshim datimin e këtyre rrotullave dhe argumentuan se ato ishin shkruar në shekullin e dytë p.e.s. Një arsye për këtë mosmarrëveshje ishte se cilësia e fotografive të para, që iu bënë këtyre dy rrotullave shumë të vogla, nuk të lejonte t’i bëje një shqyrtim nga afër hollësive të tyre. Për të zgjidhur problemin e datimit, një skuadër studiuesish bënë një analizë tjetër. Përdorën teknologjinë më të fundit fotografike dhe të imazheve në kompjuter, për të nxjerrë imazhe shumë të sakta dixhitale të këtyre rrotullave. Rezultatet e analizave të reja u botuan kohët e fundit. Në cilat përfundime arriti skuadra e studiuesve?
Para së gjithash, studiuesit theksojnë se të dhënat arkeologjike mbështetin datën para mërgimit në Babiloni. Vëzhgimet paleografike—pra, datimi i rrotullave duke u nisur nga trajta, forma, pozicioni, mënyra si është shkruar çdo shkronjë dhe drejtimi i shkrimit—tregojnë të njëjtën periudhë kohe, domethënë fundin e shekullit të shtatë p.e.s. E, së fundi, pasi shqyrtoi ortografinë, pra sistemin e rregullave për të shkruar fjalët, kjo skuadër nxori përfundimin: «Të dhënat ortografike në këto pllaka [rrotulla] janë në përputhje me provat arkeologjike dhe paleografike, për sa i përket datimit të mbishkrimeve.»
Revista Bulletin of the American Schools of Oriental Research e përmbledh në këtë mënyrë studimin që iu bë rrotullave prej argjendi, të njohura edhe si mbishkrimet e Ketef Hinomit: «Pra, mund ta ripohojmë përfundimin që kanë arritur shumica e studiuesve, se mbishkrimet e gjetura në këto rrotulla kanë citatet më të hershme të shkrimeve biblike, të njohura deri tani.»
[Burimet e figurave në faqen 32]
Shpella: Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.; mbishkrimet: Photograph © Israel Museum, Jerusalem; me mirësjelljen e Israel Antiquities Authority