Engjëjt—Cilët janë?
Engjëjt—Cilët janë?
MBRETI i një perandorie të fuqishme nuk mund t’u besojë syve. Tre djem të dënuar me vdekje në furrën e zjarrtë shpëtojnë nga kthetrat e vdekjes. Kush i shpëtoi? Vetë mbreti u thotë këtyre tre djemve: «Bekuar qoftë [Perëndia juaj], i cili dërgoi engjëllin e vet dhe i çliroi shërbëtorët e tij që patën besim tek ai.» (Danieli 3:28) Ky sundimtar babilonas që jetoi mbi dy mijë vjet më parë ishte dëshmitar i një çlirimi engjëllor. Miliona njerëz në të shkuarën besonin tek engjëjt. Shumë të tjerë sot, jo vetëm që besojnë se engjëjt ekzistojnë, por mendojnë edhe se engjëjt në njëfarë mënyre ndikojnë në jetën e tyre. Cilët janë engjëjt dhe nga e patën zanafillën?
Sipas Biblës, engjëjt janë frymëra, ashtu si vetë Perëndia është Frymë. (Psalmi 104:4; Gjoni 4:24) Familja engjëllore përbëhet nga miliona e miliona pjesëtarë. (Zbulesa 5:11) Dhe të gjithë janë «shumë të fuqishëm». (Psalmi 103:20) Edhe pse engjëjt janë si njerëzit, në kuptimin që kanë personalitet dhe vullnet të lirë, ata nuk e kanë filluar jetën si njerëz. Në të vërtetë, Perëndia i krijoi engjëjt shumë kohë para se të krijonte njerëzit, madje para se të krijonte edhe Tokën si planet. Bibla thotë se kur Perëndia ‘i vuri themelet tokës, yjet e mëngjesit lëshonin tok britma hareje, dhe gjithë bijtë e Perëndisë brohoritnin tërë ngazëllim’. (Jobi 38:4, 7) Meqenëse engjëjt janë krijuar nga Perëndia, ata quhen bij të Perëndisë.
Po përse i krijoi Perëndia engjëjt? Nëse kanë pasur një rol në historinë njerëzore, cili ka qenë roli i tyre? A ndikojnë në jetën tonë sot? Meqenëse janë me vullnet të lirë, a është bashkuar ndonjë engjëll me Satana Djallin në qëllimet e tij, duke u kthyer kështu në armik të Perëndisë? Bibla u jep përgjigje të sakta këtyre pyetjeve.