‘Jah është shpëtimi im’
«Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve»
‘Jah është shpëtimi im’
POPULLI i Jehovait ndodhej para një zgjedhjeje. A do t’i bindeshin sundimtarit të lig të Egjiptit të lashtë? Apo do t’i bindeshin Perëndisë Jehova, do të iknin nga ai vend skllavërie e do të vendoseshin në Tokën e Premtuar?
Meqë faraoni kryeneç i Egjiptit nuk pranoi ta linte të lirë popullin e Jehovait, Perëndia dërgoi në atë vend Dhjetë Plagët. Çfarë shfaqje madhështore e fuqisë së Tij! Hyjnitë e Egjiptit nuk bënin dot asgjë për t’i ndalur ato plagë.
Kur iu kërkua që ta linte popullin e Perëndisë të shkonte, faraoni u përgjigj me shpoti: «Kush është Jehovai, që u dashka t’i bindem zërit të tij, dhe ta lë Izraelin të shkojë?! Unë s’e njoh fare Jehovain, dhe s’kam për ta lënë Izraelin të shkojë!» (Dalja 5:2) Si rrjedhojë, Egjipti vuajti nga këto plagë: (1) ujë i kthyer në gjak, (2) bretkosa, (3) harrje, (4) zektha, (5) murtajë mbi bagëtinë, (6) çibanë mbi njerëzit e kafshët, (7) breshër, (8) karkaleca, (9) errësirë dhe (10) vdekja e të parëlindurve të Egjiptit, përfshirë edhe birin e faraonit. Më në fund, faraoni i la hebrenjtë të shkonin. Madje, i nxiti të iknin!—Dalja 12:31, 32.
Rreth tre milionë veta—burra, gra, fëmijë izraelitë, si dhe një turmë e madhe e përzier—u nisën me të shpejtë. (Dalja 12:37, 38) Veçse, pas pak, faraoni iu vu pas me ushtrinë e tij të madhe. Dukej sikur izraelitët ishin zënë në kurth mes Detit të Kuq, shkretëtirës së egër dhe forcave ushtarake të faraonit. Megjithatë, Moisiu i tha popullit: «Mos kini frikë! Qëndroni të patundur dhe shihni shpëtimin që do t’ju sjellë sot Jehovai.»—Dalja 14:8-14.
Me një mrekulli, Jehovai ndau ujërat e Detit të Kuq, që Izraeli të ikte. Por, kur egjiptianët i ndoqën, Perëndia bëri që ujërat të ktheheshin në vend. ‘Karrocat e faraonit dhe forcat e tij ushtarake, Jehovai i plandosi në det.’ (Dalja 14:26-28; 15:4) Ngaqë nuk pranoi ta nderonte Jehovain, së fundi faraoni fodull u shkatërrua.
Në Detin e Kuq, Jehovai u tregua «një luftëtar burrëror». (Dalja 15:3) «Izraeli pa edhe dorën e fuqishme, me të cilën Jehovai veproi kundër egjiptianëve,—thotë tregimi i frymëzuar.—Kështu populli nisi t’i frikësohej Jehovait e të tregonte besim te Jehovai.» (Dalja 14:31; Psalmi 136:10-15) Ata i shprehën Perëndisë mirënjohjen nga zemra, kur burrat u bashkuan me Moisiun e ia morën një kënge fitoreje, ndërsa motra e tij, Miriami, u priu grave në valle. *
Jehovai ende është një Çlirimtar
Nga ajo vepër çliruese e pashoqe që kreu Jehovai, shërbëtorët e tij sot mund të nxjerrin mësime që u forcojnë besimin. Një mësim është se Jehovai ka fuqi të pakufishme dhe mund ta mbështetë plotësisht popullin e tij. Në këngën e fitores, Moisiu dhe izraelitët kënduan me ngadhënjim: «Fuqinë e së djathtës sate, o Jehova, e madhërove, me të djathtën tënde, o Jehova, armikun e dërrmove.»—Dalja 15:6.
Një mësim tjetër është se i Plotfuqishmi dëshiron me gjithë zemër ta mbrojë popullin e vet. Izraelitët kënduan: «Forca dhe fuqia ime është Jah, sepse ai është shpëtimi im. Ky është Perëndia im dhe unë do ta përlëvdoj.» Akoma një tjetër mësim është se askush nuk i kundërvihet dot me sukses vullnetit të Perëndisë Jehova. Dalja 15:2, 11.
Në këngën ngadhënjimtare, populli i çliruar i Perëndisë këndoi: «Kush mes perëndive, o Jehova, është porsi ti?! Kush është si ti, që je i fuqishëm në shenjtëri?! Nga ti duhet pasur frikë me këngë lëvdimi, Ti që bën mrekulli.»—Ashtu si faraoni i Egjiptit të lashtë, disa sundimtarë të sotëm përndjekin popullin e Jehovait. Madje, me arrogancë, disa mund ‘të thonë fjalë edhe kundër Më të Lartit dhe t’u bien vazhdimisht në qafë të shenjtëve të Tejet të Lartit’. (Danieli 7:25; 11:36) Por Jehovai e siguron popullin e vet: «Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses dhe çdo gjuhë që ngrihet kundër teje për të të gjykuar, ti do ta dënosh. Kjo është trashëgimia e shërbëtorëve të Jehovait.»—Isaia 54:17.
Kundërshtarët e Perëndisë nuk do t’ia dalin mbanë, siç nuk ia doli edhe faraoni me ushtrinë e tij. Veprat çliruese që kreu Jehovai, si Dalja nga Egjipti, janë prova se është me vend të ndiqet parimi që thanë apostujt e Jezuit: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve.»—Veprat 5:29.
[Shënimi]
^ par. 8 Shih Kalendarin e Dëshmitarëve të Jehovait 2006, janar-shkurt.
[Kutia dhe figura në faqen 9]
A E DINIT?
• Jehovai bëri të frynte një erë e fortë tërë natën, kështu që Izraeli të kalonte përmes Detit të Kuq në tokë të thatë.—Dalja 14:21, 22.
• Për të kaluar ata miliona izraelitë përmes Detit të Kuq brenda një kohe aq të shkurtër, do të jetë dashur një udhë kalimi 1,5 kilometra e gjerë a më shumë.
[Figurat në faqen 9]
Hyjnitë e rreme të Egjiptit nuk i ndalën dot Dhjetë Plagët që dërgoi Jehovai
[Burimi]
Të tria statujëzat: fotografuar me mirësjelljen e Muzeut Britanik