Krijesat në botën e kafshëve lartësojnë Jehovain
Krijesat në botën e kafshëve lartësojnë Jehovain
MADHËSHTIA e Jehovait duket qartë në botën e kafshëve. Perëndia kujdeset për kafshët, po ashtu siç u siguron njerëzve gjërat e nevojshme. (Psalmi 145:16) Sa e gabuar do të ishte të kritikonim Krijuesin tonë dhe të tyre! Ndonëse Jobi ishte njeri i drejtë, ai faktikisht e shpalli «veten më të drejtë se Perëndia». Pra, Jobi duhej të mësonte disa gjëra!—Jobi 32:2; 33:8-12; 34:5.
Shembujt me krijesat e ndryshme në botën e kafshëve i treguan Jobit se njerëzit s’janë në pozitën e duhur për të vënë në dyshim udhët e Perëndisë. Sa e qartë bëhet kjo, kur shqyrtojmë fjalët që i tha Jehovai shërbëtorit të tij Job!
S’kanë nevojë për ndihmën e njerëzve
Jobi nuk u përgjigjej dot pyetjeve që i bëri Perëndia për kafshët. (Jobi 38:39-41) Qartë, Jehovai nuk u kërkon ndihmë njerëzve për të ushqyer luanin e korbin. Ndonëse korbat fluturojnë në kërkim të ushqimit, në të vërtetë ushqimin ua siguron Perëndia.—Luka 12:24.
Kur Perëndia e pyeti për kafshët e egra, Jobi mbeti pa fjalë. (Jobi 39:1-8) Asnjë njeri s’mund t’i mbrojë dhitë e malit dhe drenushat. Madje njerëzit e kanë të vështirë edhe t’u afrohen dhive të malit! (Psalmi 104:18) Drenusha veçohet në pyll për të pjellë të vegjlit e saj, sipas instinktit që i ka dhënë Perëndia. Ajo kujdeset siç duhet për të vegjlit, po kur «bëhen të fortë» ata «largohen e nuk kthehen më». Tani duhet të bëhen zotër të vetes.
Zebra vrapon e lirë dhe gomarët e egër kanë si shtëpi rrafshinën e shkretë. Jobi nuk e përdorte dot gomarin e egër si kafshë barre. Gomari i egër «kërkon çdo bimë të gjelbër», duke bredhur maleve për të kullotur. Kjo kafshë nuk e këmben lirinë e vet me ushqimet që mund të gjenden më kollaj në qytet. ‘As i dëgjon zhurmat e ndjekësve’, sepse gomari i egër largohet, në qoftë se njeriu pushton territorin e tij.
Më tej, Perëndia përmendi demin e egër. (Jobi 39:9-12) Për këtë kafshë, arkeologu anglez Ostin Lajard shkroi: «Demi i egër, i përdorur shpesh nëpër basorelieve, duket se është konsideruar jo më pak i frikshëm dhe fisnik se luani. Shpeshherë, mbreti paraqitet duke u ndeshur me të, dhe luftëtarët e ndjekin qoftë me kuaj, qoftë në këmbë.» (Ninevia dhe rrënojat e saj, 1849, vëllimi 2, faqja 326, anglisht) E megjithatë, asnjë njeri me mend nuk përpiqet të mbrehë demin e egër që s’kontrollohet.—Psalmi 22:21.
Krijesat me krahë lartësojnë Jehovain
Pastaj Perëndia e pyeti Jobin për krijesat me krahë. (Jobi 39:13-18) Lejleku fluturon shumë lart me krahët e tij të fuqishëm. (Jeremia 8:7) Kurse struci, edhe pse i rreh krahët, nuk fluturon dot. Ndryshe nga lejleku, struci nuk i vendos vezët në ndonjë fole të ndërtuar në pemë. (Psalmi 104:17) Ai hap një gropë në rërë dhe i vë vezët atje. Por ky zog nuk i braktis vezët. I mbulon me rërë për t’i mbajtur në temperaturën e duhur, ndërkohë që si mashkulli, edhe femra kujdesen për to.
Kur struci dikton një grabitqar, duket sikur ‘i ka ikur nga mendja mençuria’, pasi të lë përshtypjen sikur ikën. Por një enciklopedi thotë: «Kjo është një metodë për të shpërqendruar armikun: [strucët] vënë në dukje veten dhe rrahin krahët për të tërhequr vëmendjen e kafshëve ose të njerëzve që i kërcënojnë, duke i larguar nga vezët.»—An Encyclopedia of Bible Animals.
Po si ka mundësi që struci «qesh me kalin dhe kalorësin»? Një enciklopedi tjetër thotë: «Struci nuk fluturon, por njihet për shpejtësinë e madhe me të cilën vrapon. Me këmbët e gjata mund të bëjë hapa 4,6 metra të gjatë, me shpejtësi deri në 64 kilometra në orë.»—The World Book Encyclopedia.
Perëndia ia jep fuqinë kalit
Pastaj Perëndia e pyeti Jobin për kalin. (Jobi 39:19-25) Në kohët e lashta, luftëtarët luftonin majë kalit, dhe përdornin karroca me kuaj, që kishin një drejtues e ndoshta dy ushtarë. I paduruar për betejë, kali i luftës turfullon dhe rreh tokën me thundra. Nuk tmerrohet dhe nuk kthehet pas nga shpata. Sapo dëgjon tingullin e bririt, kali i luftës vepron si të thoshte: «Ah, sa mirë!» Turret përpara ‘duke përpirë dheun’. Megjithatë, kali i luftës i bindet kalorësit.
Duke bërë një përshkrim të ngjashëm, arkeologu Lajard shkroi: «Edhe pse pela arabe është e butë si qengj dhe, për ta drejtuar nuk do gjë tjetër përveç kapistallit, kur dëgjon britmën e luftës së fisit dhe sheh heshtën e kalorësit që tundet, asaj i ndizen sytë zjarr, i hapen tej mase flegrat e kuqe gjak, qafa i harkohet në mënyrë fisnike dhe bishti e krifa i ngrihen dhe valëviten në ajër.»—Zbulime në rrënojat e Ninevisë dhe të Babilonisë, 1853, faqja 330, anglisht.
Fajkoi dhe shqiponja
Jehovai ia drejtoi vëmendjen Jobit te disa zogj të tjerë. (Jobi 39:26-30) Fajkonjtë ‘ngrihen lart dhe i shtrijnë krahët drejt jugës’. Libri i rekordeve Gines e përcakton fajkoin pelegrin si zogun më të shpejtë në fluturim dhe thotë se ky zog «arrin shpejtësi rekord kur zbret vrik nga lartësitë e mëdha gjatë shfaqjeve për të përcaktuar territorin e vet ose kur kap prenë në ajër». Ky zog ka arritur shpejtësinë 349 kilometra në orë, me një kënd zbritjeje 45 gradë!
Shqiponjat kanë arritur të fluturojnë me shpejtësi 130 kilometra në orë. Jobi e krahasoi kalimin e shpejtë të jetës me shpejtësinë e një shqiponje që sulet mbi prenë. (Jobi 9:25, 26) Perëndia na jep forcën për të vazhduar, si të kishim krahët në dukje të palodhur të shqiponjës që ngrihet lart. (Isaia 40:31) Në fluturim, shqiponja shfrytëzon rrymat e ajrit të ngrohtë që ngrihen lart, të cilat quhen rryma termale. Ajo vjen rrotull brenda kësaj rryme të ngrohtë, që e ngre lart e më lart. Kur shqiponja arrin njëfarë lartësie, kalon në rrymën tjetër termale dhe mund të qëndrojë në ajër për orë të tëra, duke harxhuar shumë pak energji.
Shqiponja ‘e bën folenë në vende të larta’ të paarritshme, për t’i mbajtur të vegjlit larg rrezikut. Jehovai e ka krijuar shqiponjën që ta bëjë instinktivisht këtë gjë. Dhe, me shikimin që i ka dhënë Perëndia, «sytë e [shqiponjës] vrojtojnë prej së largu». Aftësia për të ndryshuar me të shpejtë objektin ku përqendron sytë, i jep mundësi shqiponjës ta mbajë para syve prenë ose kufomën që ka pikasur, ndërkohë që bën një zbritje të gjatë. Shqiponja ha edhe kërma, prandaj «ajo është atje ku ka të vrarë». Ky zog kap kafshë të vogla dhe i çon te të vegjlit e saj.
Jehovai e disiplinon Jobin
Para se t’i bënte pyetje të tjera për kafshët, Perëndia e disiplinoi Jobin. Si reagoi ai? U përul dhe pranoi me gatishmëri të merrte këshilla të mëtejshme.—Jobi 40:1-14.
Në këtë pikë të tregimit të frymëzuar të përvojave të Jobit, mësojmë një gjë shumë të rëndësishme. Asnjë njeri nuk ka baza për të kritikuar të Plotfuqishmin. Duhet të flasim e të veprojmë
në mënyra që e kënaqin Atin tonë qiellor. Për më tepër, shqetësimi ynë kryesor duhet të jetë shenjtërimi i emrit të shenjtë të Jehovait dhe shfajësimi i sovranitetit të tij.Behemothi i jep lavdi Perëndisë
Duke e kthyer përsëri vëmendjen te kafshët, Perëndia e pyeti Jobin për behemothin, që zakonisht e identifikojnë me hipopotamin. (Jobi 40:15-24) Një hipopotam i rritur mund të jetë 4 deri në 5 metra i gjatë dhe të peshojë deri në 3.600 kilogramë. Fuqia e behemothit qëndron «tek ijët», domethënë te muskujt e pjesës së pasme. Lëkura e trashë e barkut është vërtet ndihmë për behemothin me këmbë të shkurtra, ndërsa tërheq trupin nëpër gurët e shtratit të lumit. Me siguri që njeriu nuk matet dot me behemothin, që ka trup të stërmadh, gojë gjigante e nofulla të fuqishme.
Behemothi del nga lumi për t’u ushqyer me «bar të gjelbër». Duket sikur duhet një mal i tërë me bar të gjelbër për ta ushqyer atë! Çdo ditë, ai fut në stomak 90 deri në 180 kilogramë bar. Pasi shuan urinë, behemothi shtrihet nën xinxife ose nën hijen e plepave. Nëse lumi ku jeton hipopotami del nga shtrati, ai mund ta mbajë kokën mbi ujë dhe të notojë në drejtimin e kundërt të vërshimit. Po qe se Jobit do t’i dilte përpara behemothi me gojën e vet të gjerë e me dhëmbët e frikshëm, ai s’do të kishte guxim t’ia shponte hundën me grremç.
Leviathani i sjell lavdi Perëndisë
Më tej Jobi dëgjoi për leviathanin. (Jobi 41:1-34) Fjala hebraike tregon «një kafshë të rrudhosur», dhe me sa duket bëhet fjalë për krokodilin. A mund ta përdorte Jobi leviathanin si lodër për fëmijët? As që bëhet fjalë! Përvojat me këtë krijesë kanë provuar se është një kafshë e rrezikshme. Në fakt, nëse një njeri do të provonte ta bënte zap leviathanin, me siguri beteja do të ishte kaq e madhe, saqë nuk do ta përsëriste kurrë më!
Kur leviathani e ngre kokën mbi ujë, në agim, sytë i shkëlqejnë «si rreze agimi». Luspat e leviathanit janë të puthitura fort, e në bark ka disa pllaka kockore që nuk i shpon as plumbi, jo më shpata e heshta. Disa luspa të mprehta në barkun e krokodilit lënë gjurmën e ‘trinës shirëse’ në brigjet me baltë të lumenjve. Furia e tij në ujë bën që uji të shkumëzojë si të ishte një kusi ku vlon pomada. E për shkak të përmasave të tij, të lëkurës së fortë dhe të armëve që ka, domethënë goja kërcënuese dhe bishti i fuqishëm, leviathani nuk njeh frikë.
Jobi i tërheq fjalët
Jobi e pranoi se ‘kishte folur, por pa i kuptuar gjërat që ishin tepër të mrekullueshme për të’. (Jobi 42:1-3) Ai e pranoi ndreqjen nga Perëndia, i tërhoqi fjalët që kishte thënë dhe u pendua. Shokët e tij morën qortim, kurse ai vetë u bekua shumë.—Jobi 42:4-17.
Është vërtet gjë e mençur ta mbajmë në mendje përvojën e Jobit. As ne nuk u përgjigjemi dot të gjitha pyetjeve që i bëri atij Perëndia. Po gjithsesi, mundemi dhe duhet të tregojmë çmueshmëri për mrekullitë e shumta e të larmishme të krijimit, të cilat lartësojnë Jehovain.
[Figura në faqen 13]
Dhi mali
[Figura në faqen 13]
Korb
[Figura në faqen 13]
Luaneshë
[Figura në faqen 14]
Zebër
[Figura në faqen 14]
Struci largohet nga vezët e veta, por nuk i braktis
[Figura në faqen 14]
Vezë struci
[Figura në faqet 14, 15]
Fajkua pelegrin
[Burimi]
Fajkoi: © Joe McDonald/Visuals Unlimited
[Figura në faqen 15]
Pelë arabe
[Figura në faqen 15]
Shqiponjë mali
[Figura në faqen 16]
Zakonisht behemothin e identifikojnë si hipopotami
[Figura në faqen 16]
Mendohet se leviathani është krokodili i fuqishëm