Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kryeprifti që dënoi Jezuin

Kryeprifti që dënoi Jezuin

Kryeprifti që dënoi Jezuin

NË NËNTOR të vitit 1990, disa burra që bënin punime te një park dhe një rrugë afro një kilometër në jug të Qytetit të Vjetër të Jerusalemit, zbuluan diçka mjaft interesante. Pa dashje, një traktor shembi pjesën e sipërme të një shpelle varrimi të lashtë. Tërë zona përreth kishte qenë një varrezë e stërmadhe, që nga shekulli i parë p.e.s. deri në shekullin e parë të e.s. Ishte vërtet interesante ajo që zbuluan arkeologët në shpellë.

Brenda saj ndodheshin 12 eshtërore, ose kuti me eshtra, ku ishin vënë eshtrat e të vdekurve pasi ata kishin ndenjur rreth një vit në varr dhe ishin tretur. Anash një eshtëroreje të skalitur bukur​—ndër eshtëroret me punim më të bukur që janë gjetur ndonjëherë​—ishte gdhendur emri Jehozef bar Kajafa (Jozefi, bir i Kajafës).

Dëshmitë tregojnë se ky mund të jetë varri i kryepriftit që drejtoi gjyqin më të rëndësishëm të mbajtur ndonjëherë: gjyqin e Jezu Krishtit. Historiani jude, Jozefi, e identifikon këtë kryeprift si «Jozefi, që quhej Kajafa». Në Shkrime, ai quhet thjesht Kajafa. Pse duhet të na interesojë ai? Çfarë motivesh e shtynë të dënonte Jezuin?

Familja dhe arsimimi

Kajafa u martua me bijën e Hanait, një kryeprifti tjetër. (Gjoni 18:13) Ka të ngjarë që kjo martesë të ishte vendosur vite më parë, pasi të dyja familjet donin të ishin të sigurta se po lidhnin një krushqi të mirë. Kjo nënkuptonte të shqyrtoheshin fill e për pe gjenealogjitë, që të siguroheshin për pastërtinë e linjës priftërore të palës tjetër. Me sa duket, të dyja ishin familje të kamura e aristokrate, dhe pasuria ka shumë mundësi t’u vinte nga pronat e mëdha në zonën e Jerusalemit. Hanai pa dyshim donte të ishte i sigurt se dhëndri i ardhshëm do të ishte aleat i besueshëm politik. Siç duket, edhe Hanai, edhe Kajafa i përkitnin sektit të pushtetshëm të saducenjve.​—Veprat 5:17.

Meqë vinte nga një familje e shquar priftërore, Kajafa duhej të ishte arsimuar në Shkrimet Hebraike dhe interpretimin e tyre. Shërbimin në tempull duhet ta ketë filluar kur qe 20 vjeç, por nuk dihet se në ç’moshë u bë kryeprift.

Kryepriftërinjtë dhe krerët e priftërinjve

Fillimisht, caktimi si kryeprift trashëgohej dhe zgjaste gjithë jetën. Mirëpo në shekullin e dytë p.e.s., hasmonenjtë morën pa të drejtë kryepriftërinë. * Herodi i Madh emëronte dhe hiqte nga pozita kryepriftërinjtë, duke treguar haptas se autoriteti i vërtetë pas kësaj pozite ishte ai vetë. Guvernatorët romakë vepruan në mënyrë të ngjashme.

Gjithë këto çuan në formimin e një grupi që në Shkrime quhet «krerët e priftërinjve». (Mateu 26:3, 4) Përveç Kajafës, në të futeshin edhe kryepriftërinjtë e mëparshëm, si Hanai, që ishin hequr nga pozita, por e mbanin ende titullin. Te ky grup përfshiheshin edhe familjarët e kryepriftit në pozitë, si edhe të kryepriftërinjve të mëparshëm.

Administrimin e përditshëm të Judesë, romakët ia lanë në dorë aristokracisë judaike, ku bënin pjesë edhe krerët e priftërinjve. Kjo i jepte mundësi Romës ta mbante nën kontroll atë provincë dhe të vilte taksa prej saj, pa dërguar shumë ushtarë atje. Roma priste që hierarkia judaike të mbante rregullin dhe të mbronte interesat e Romës. Guvernatorët romakë s’i kishin fort qejf krerët judenj që, nga ana e tyre, s’e duronin dot sundimin e Romës. Por të dyja palëve u interesonte të bashkëpunonin, për të mbajtur një qeveri të qëndrueshme.

Në kohën e Kajafës, kryeprifti ishte edhe udhëheqësi politik i judenjve. Hanain e kishte emëruar si kryeprift Kuirini, guvernatori romak i Sirisë, në vitin 6 ose 7 të e.s. Sipas traditës rabinike, familjet aristokrate të elitës në Jude i karakterizonte lakmia, nepotizmi, shtypja dhe dhuna. Një shkrimtare është e mendimit se Hanai, si kryeprift, do të jetë përpjekur që dhëndri i tij «të ngrihej sa më shpejt në hierarkinë e tempullit; fundja, sa më e lartë të ishte pozita e Kajafës, aq më shumë do t’i hynte në punë Hanait».

Rreth vitit 15 të e.s., Valer Grati, guvernator i Judesë, e hoqi Hanain nga posti. Për një kohë të shkurtër, vendin e kryepriftit e zunë me radhë tre të tjerë, njëri nga të cilët bir i Hanait. Kajafa u bë kryeprift aty nga viti 18 i e.s. Ponc Pilati, që u emërua guvernator i Judesë në vitin 26 të e.s., nuk e hoqi nga posti gjatë dhjetë vjetëve që ishte guvernator. Koha kur Kajafa ishte kryeprift përfshinte periudhën e shërbimit të Jezuit dhe vitet e para të predikimit të dishepujve të tij. Mirëpo, Kajafa nuk e duronte dot mesazhin e krishterë.

Frikë nga Jezui, frikë nga Roma

Kajafa e shihte Jezuin si nxitës të rrezikshëm trazirash. Jezui vuri në pikëpyetje interpretimin që i bënte hierarkia ligjeve të sabatit dhe dëboi nga tempulli tregtarët dhe këmbyesit e parave, duke thënë se e kishin bërë tempullin «shpellë kusarësh». (Luka 19:45, 46) Disa historianë mendojnë se tregjet në tempull i zotëronte familja e Hanait. Ndoshta kjo ishte një arsye tjetër pse Kajafa u përpoq t’ia mbyllte gojën Jezuit. Kur krerët e priftërinjve dërguan roja që të arrestonin Jezuin, rojat mbetën aq të mahnitur nga fjalët e tij, sa u kthyen duarbosh.​—Gjoni 2:13-17; 5:1-16; 7:14-49.

Mendoni për atë që ndodhi kur hierarkia judaike mori vesh se Jezui kishte ringjallur Lazarin. Në ungjillin sipas Gjonit thuhet: «Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë mblodhën Sinedrin dhe nisën të thoshin: ‘Ç’të bëjmë? Se ky njeri po kryen shumë shenja. Po ta lëmë kështu, të gjithë do të tregojnë besim tek ai. Atëherë romakët do të vijnë e do të na heqin vendin tonë të adhurimit dhe kombin tonë.’» (Gjoni 11:47, 48) Sinedri e shihte Jezuin si një kërcënim ndaj autoritetit të sistemit fetar e ndaj rendit publik, për të cilin Pilati i kërkonte llogari. Nëse romakët e interpretonin si kryengritje ndonjë lëvizje popullore, kjo mund t’i shtynte të ndërhynin në çështjet e judenjve, dhe Sinedri donte ta shmangte me çdo kusht këtë.

Edhe pse nuk e mohonte dot që Jezui kryente vepra të fuqishme, Kajafa nuk tregoi besim tek ai, por u përpoq të ruante pozitën dhe autoritetin e vet. E si mund ta pranonte ai që Lazari u ringjall?! Si saduce që ishte, Kajafa as që besonte në ringjallje!​—Veprat 23:8.

Ligësia e Kajafës u duk sheshit kur u tha krerëve të tjerë: «Ju . . . nuk arsyetoni se është në dobinë tuaj që të vdesë një njeri për popullin e të mos shkatërrohet i gjithë kombi.» Tregimi vazhdon: «Megjithatë, ai nuk e tha këtë nga vetja, por meqë atë vit ishte kryeprift, ai profetizoi se Jezui do të vdiste për kombin. Madje jo vetëm për kombin, por edhe që t’i mblidhte e t’i bënte një fëmijët e Perëndisë, që ishin hallakatur andej-këtej. Prandaj, që nga ajo ditë, ata u këshilluan që ta vritnin [Jezuin].»​—Gjoni 11:49-53.

Kajafa nuk e dinte domethënien e plotë të fjalëve që tha. Ngaqë shërbente si kryeprift, ai në fakt profetizoi. * Vdekja e Jezuit do të sillte vërtet dobi, por jo veç për judenjtë. Flijimi i tij shpërblyes do të ishte mjeti për të çliruar krejt njerëzimin nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes.

Komplot për vrasje

Krerët e priftërinjve dhe pleqtë e Judesë u mblodhën në shtëpinë e Kajafës, për t’u këshilluar se si ta kapnin e ta vritnin Jezuin. Kryeprifti duhet të ketë pasur gisht në ujdinë me Judë Iskariotin se sa para do t’i jepnin për tradhtimin e Jezuit. (Mateu 26:3, 4, 14, 15) Por Kajafës nuk i mjaftonte vetëm një vrasje që të arrinte synimet e veta të liga. «Krerët e priftërinjve u këshilluan që të vritnin edhe Lazarin, sepse për shkak të tij . . . shumë judenj . . . po tregonin besim te Jezui.»​—Gjoni 12:10, 11.

Malku, skllav i Kajafës, ishte në turmën që u dërgua të arrestonte Jezuin. Të arrestuarin e çuan në fillim te Hanai, për ta marrë në pyetje, e pastaj te Kajafa, që kishte mbledhur ndërkaq pleqtë e Judesë për të bërë një gjyq të paligjshëm natën.​—Mateu 26:57; Gjoni 18:10, 13, 19-24.

Ndonëse ato që thanë dëshmitarët e rremë kundër Jezuit nuk u përputhën, Kajafa s’u dorëzua. Kryeprifti e dinte ç’mendim kishin komplotistët e tjerë për ndokënd që e shpallte veten Mesi. Prandaj, i kërkoi Jezuit të pohonte në e kishte atë titull apo jo. Jezui u përgjigj se akuzuesit e tij do ta shihnin ‘të ulur në të djathtën e të Fuqishmit dhe të vinte në retë e qiellit’. Duke u hequr si i përshpirtshëm, «kryeprifti shqeu rrobat dhe tha: ‘Ai blasfemoi! Ç’na duhen më dëshmitarët?!’» Sinedri ra dakord që Jezui meritonte vdekjen.​—Mateu 26:64-66.

Ekzekutimet me vdekje duheshin miratuar nga Roma. Si ndërmjetës mes saj dhe judenjve, ka shumë të ngjarë që Pilatit t’ia ketë parashtruar Kajafa këtë çështje. Kur Pilati u përpoq ta lironte Jezuin, Kajafa duhet të ketë qenë mes krerëve të priftërinjve që bërtitën: «Vëre në shtyllë! Vëre në shtyllë!» (Gjoni 19:4-6) Edhe Kajafa do ta ketë nxitur turmën që të kërkonte lirimin e një vrasësi në vend të Jezuit dhe duhet të ketë qenë mes krerëve të priftërinjve që deklaruan me hipokrizi: «Ne s’kemi mbret tjetër, përveç Cezarit.»​—Gjoni 19:15; Marku 15:7-11.

Kajafa i hodhi poshtë dëshmitë e ringjalljes së Jezuit. Iu kundërvu Pjetrit dhe Gjonit, e më pas edhe Stefanit. Gjithashtu, autorizoi Saulin që të arrestonte çdo të krishterë që gjente në Damask. (Mateu 28:11-13; Veprat 4:1-17; 6:8–7:60; 9:1, 2) Megjithatë, aty nga viti 36 i e.s., Viteli, guvernatori romak i Sirisë, e hoqi Kajafën nga posti.

Shkrimet judaike e paraqitin familjen e Kajafës në mënyrë negative. Në Talmudin babilonas, për shembull, gjendet vajtimi: «Mjerë unë, për shkak të shtëpisë së Haninit [Hanait], mjerë unë, për shkak të thashethemeve të tyre», ose «shpifjeve». Kjo mendohet se ishte një ankesë për «mbledhjet e fshehta, në të cilat shpikeshin masa shtypëse».

Një mësim që nxjerrim nga Kajafa

Një studiues i përshkroi kryepriftërinjtë me këto karakteristika: «të sertë, dinakë, kompetentë​—e ka shumë të ngjarë edhe arrogantë». Arroganca e pengoi Kajafën të pranonte Mesinë. Ndaj, edhe sot, nuk ka pse të na lëshojë zemra, kur disa njerëz e hedhin poshtë mesazhin e Biblës. Disa nuk janë aq të interesuar për të vërtetën biblike, sa të heqin dorë nga ca bindje që i kanë për zemër. Të tjerë mund të mendojnë se nuk i shkon për shtat dinjitetit të tyre të bëhen predikues të përulur të lajmit të mirë. Gjithashtu, të pandershmit e lakmitarët i kanë neveri normat e krishtere.

Si kryeprift, Kajafa mund t’i kishte ndihmuar judenjtë të pranonin Mesinë, por etja për pushtet e shtyu të dënonte Jezuin. Kajafa duhet ta ketë vazhduar kundërshtimin deri në varr. Dokumentimi i sjelljes së tij tregon se eshtrat nuk janë gjithçka që mbetet pas vdekjes. Me veprimet tona, bëjmë një emër para Perëndisë përgjithmonë, qoftë për keq, qoftë për mirë.

[Shënimet]

^ par. 9 Për historinë e hasmonenjve, të lutemi shih Kullën e Rojës, 15 qershor 2001, faqet 27-30.

^ par. 19 Kohë më parë, Jehovai kishte përdorur Balaamin e lig, për të thënë profeci të vërteta rreth izraelitëve.​—Numrat 23:1–24:24.

[Figura në faqen 10]

Jozefi, bir i Kajafës

[Figura në faqen 10]

Eshtërorja e zbuluar kohët e fundit

[Burimet e figurave në faqen 10]

Eshtërorja, mbishkrimi dhe shpella në sfond: Me mirësjelljen e Israel Antiquities Authority