Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kundërvijuni Satanait, e ai do të ikë!

Kundërvijuni Satanait, e ai do të ikë!

Kundërvijuni Satanait, e ai do të ikë!

«Nënshtrojuni Perëndisë dhe kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju.»​—Jakovi 4:7.

1, 2. (a) Cili tipar i Djallit pasqyrohet në deklaratën e dokumentuar në kapitullin e 14-të të Isaisë? (b) Cilat pyetje do të shqyrtojmë?

DJALLI është mishërimi i arrogancës. Krenaria e tij del në pah në fjalët që dokumentoi Isaia, një profet i Perëndisë. Më shumë se një shekull para se Babilonia të bëhej fuqia botërore mbizotëruese, populli i Jehovait u paraqit sikur thoshte këtë deklaratë kundër «mbretit të Babilonisë»: «Ti thoshe me vete: ‘Do të ngjitem në qiej. Do ta ngre fronin tim mbi yjet e Perëndisë [mbretërit e linjës së Davidit]. . . . Do të bëhem i ngjashëm me Më të Lartin.’» (Isaia 14:3, 4, 12-15; Numrat 24:17) Krenaria e «mbretit të Babilonisë» ishte e ngjashme me frymën e Satanait, ‘perëndisë së kësaj bote’. (2 Korintasve 4:4) Por arroganca do ta çojë Satanain në shkatërrim, ashtu siç mori fund me turp dinastia babilonase.

2 Por, për sa kohë që ekziston Satana Djalli, ndoshta na shqetësojnë pyetje të tilla, si: a duhet ta kemi frikë Satanain? Pse i nxit ai njerëzit që t’i përndjekin të krishterët? Si të ruhemi që të mos na e hedhë Djalli?

A duhet ta kemi frikë Djallin?

3, 4. Pse të krishterët e mirosur dhe shokët e tyre nuk kanë frikë nga Djalli?

3 Fjalët që tha Jezu Krishti u japin shumë forcë të krishterëve të mirosur: «Mos ki frikë nga ato që do të vuash pas pak kohe. Ja, Djalli do të vazhdojë të futë disa nga ju në burg, që të sprovoheni plotësisht e të keni shtrëngim për dhjetë ditë. Tregohu i besueshëm deri në vdekje, dhe unë do të të jap kurorën e jetës.» (Zbulesa 2:10) Të mirosurit dhe shokët e tyre me shpresë tokësore nuk kanë frikë nga Djalli. Por kjo mungesë frike nuk vjen ngaqë janë të guximshëm nga natyra. Janë të tillë, sepse kanë një frikë përnderuese ndaj Perëndisë dhe ‘gjejnë strehë nën hijen e krahëve të tij’.​—Psalmi 34:9; 36:7.

4 Në shekullin e parë, dishepujt guximtarë të Jezu Krishtit u treguan besnikë deri në vdekje, pavarësisht nga gjërat që vuajtën. Nuk patën frikë se çfarë mund të bënte Satana Djalli, sepse e dinin që Jehovai nuk do t’i braktiste kurrë ata që i qëndronin besnikë. Po kështu, edhe përballë përndjekjes së fortë në ditët e sotme, të krishterët e mirosur dhe shokët e tyre të kushtuar janë të vendosur të mos e shkelin integritetin ndaj Perëndisë. Megjithatë, apostulli Pavël tregoi se Djalli mund të shkaktonte vdekjen. A s’duhet të na frikësojë kjo?

5. Çfarë mësojmë nga Hebrenjve 2:14, 15?

5 Pavli tha se Jezui «u bë prej gjaku e mishi», me qëllim që «nëpërmjet vdekjes së vet të asgjësonte atë që ka mjetet për të shkaktuar vdekjen, domethënë Djallin, dhe të çlironte të gjithë ata, që nga frika e vdekjes, i ishin nënshtruar skllavërisë gjatë gjithë jetës së tyre». (Hebrenjve 2:14, 15) Meqë «ka mjetet për të shkaktuar vdekjen», Satanai e vuri nën kontroll Judë Iskariotin, e pastaj përdori udhëheqësit judenj dhe romakët për të vrarë Jezuin. (Luka 22:3; Gjoni 13:26, 27) Gjithsesi, me vdekjen e tij flijuese, Jezui e çliroi njerëzimin nga dara e Satanait dhe na dha mundësinë të kemi jetën e përhershme.​—Gjoni 3:16.

6, 7. Deri në ç’masë i ka Satanai mjetet për të shkaktuar vdekjen?

6 Deri në ç’masë i ka Djalli mjetet për të shkaktuar vdekjen? Faktikisht, që nga fillimi i veprave të liga të Satanait, gënjeshtrat dhe udhëheqja e tij u kanë shkaktuar vdekje njerëzve. Kjo sepse Adami mëkatoi e ia kaloi mëkaetin dhe vdekjen familjes njerëzore. (Romakëve 5:12) Po ashtu, edhe shërbëtorët e Satanait në tokë i kanë përndjekur adhuruesit e Jehovait, disa herë deri në vdekje, siç bënë me Jezu Krishtin.

7 Megjithatë, s’duhet të mendojmë se Djalli mund të shkaktojë vdekjen e kujtdo që ai dëshiron të vrasë. Perëndia i mbron ata që i përkasin Atij dhe nuk do ta lejojë kurrë Satanain t’i shfarosë nga toka të gjithë adhuruesit e vërtetë. (Romakëve 14:8) Është e vërtetë se Jehovai lejon që popullin e tij ta përndjekin dhe që disa prej nesh të vdesin, si pasojë e sulmeve të Djallit. Gjithsesi, Shkrimet kanë shpresën e mrekullueshme të ringjalljes për ata që janë në ‘librin e kujtimit’ të Perëndisë, e Djalli s’mund të bëjë absolutisht asgjë për ta ndaluar këtë rikthim në jetë!​—Malakia 3:16; Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15.

Pse na përndjek Satanai?

8. Pse i përndjek Djalli shërbëtorët e Perëndisë?

8 Në qoftë se jemi shërbëtorë besnikë të Perëndisë, ka një arsye themelore pse Djalli na përndjek. Synimi i tij është të na shtyjë që të bëjmë kompromis me besimin tonë. Ne kemi një marrëdhënie të çmuar me Atin tonë qiellor dhe Satanai dëshiron ta shkatërrojë këtë. Por kjo s’duhet të na habitë. Në Eden, Jehovai paratha se do të kishte armiqësi midis «gruas» së vet simbolike dhe «gjarprit», e midis ‘farërave’ të tyre përkatëse. (Zanafilla 3:14, 15) Shkrimet e identifikojnë Djallin si ‘gjarprin e hershëm’ dhe tregojnë se tani ai ka një periudhë kohe të shkurtër dhe një zemërim të madh. (Zbulesa 12:9, 12) Meqë armiqësia midis dy ‘farërave’ vazhdon, ata që i shërbejnë me besnikëri Jehovait duhet të presin përndjekje. (2 Timoteut 3:12) A e ke parasysh arsyen që qëndron pas kësaj përndjekjeje të shkaktuar nga Satanai?

9, 10. Cilën çështje ka ngritur Djalli dhe si lidhet me këtë çështje sjellja e njerëzve?

9 Djalli ka ngritur çështjen e sovranitetit universal. Lidhur me këtë çështje, ai ka vënë në dyshim edhe integritetin e njerëzve ndaj Krijuesit të tyre. Satanai e përndoqi Jobin e drejtë. Përse? Për t’i thyer integritetin ndaj Jehovait. E shoqja e Jobit dhe tre ‘ngushëlluesit e bezdisshëm’, në atë rast u shërbyen qëllimeve të Djallit. Siç tregohet në librin e Jobit, Djalli sfidoi Perëndinë, duke pretenduar se asnjë njeri nuk do t’i qëndronte besnik, nëse Satanai do të lejohej që ta vinte në provë. Por Jobi e mbajti të pacenuar integritetin e tij, duke treguar se Satanai është gënjeshtar. (Jobi 1:8–2:9; 16:2; 27:5; 31:6) Djalli i përndjek Dëshmitarët e Jehovait sot, sepse do që t’u thyejë integritetin, për të provuar sfidën e tij.

10 Kjo njohuri, pra që Djalli na përndjek se dëshiron me çdo kusht të na thyejë integritetin ndaj Perëndisë, mund të na ndihmojë të jemi të guximshëm e të fortë. (Ligji i përtërirë 31:6) Perëndia ynë është Sovrani Universal dhe do të na ndihmojë të mbajmë integritetin. Le të kërkojmë gjithnjë që t’ia gëzojmë zemrën Jehovait duke mbajtur integritetin, duke i dhënë Atij një përgjigje për sfiduesin e madh, Satana Djallin.​—Proverbat 27:11.

«Na çliro nga i ligu»

11. Ç’kuptim ka kërkesa «mos na ço në tundim»?

11 Të mbash integritetin s’është e lehtë; kërkon lutje të zjarrta. Të dobishme janë sidomos fjalët e lutjes model. Pjesërisht, Jezui tha: «Mos na ço në tundim, por na çliro nga i ligu.» (Mateu 6:13) Jehovai nuk na tundon që të kryejmë ndonjë mëkat. (Jakovi 1:13) Megjithatë, Shkrimet nganjëherë thonë se ai bën ose shkakton gjëra, ndërkohë që, në fakt, vetëm sa i lejon. (Rutha 1:20, 21) Duke u lutur siç tregoi Jezui, po i kërkojmë Jehovait të mos na braktisë që të biem pre e tundimit. E ai do të na dëgjojë, sepse Shkrimet na japin këtë siguri: «Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që të jeni në gjendje t’i qëndroni.»​—1 Korintasve 10:13.

12. Pse lutemi «na çliro nga i ligu»?

12 Në lutjen model, pasi përmendi tundimin, Jezui tha në mënyrë të përshtatshme: «Na çliro nga i ligu.» Në disa përkthime të Biblës lexohet: «Na çliro nga e keqja» (King James Version; Revised Standard Version) ose «Na mbro nga e liga». (Contemporary English Version) Mirëpo, në Shkrime, shprehja ‘çliroj nga’ përdoret kryesisht në lidhje me njerëzit, dhe në Ungjillin sipas Mateut, Djalli quhet «Tunduesi», pra një person. (Mateu 4:3, 11) Pra, është e rëndësishme të lutemi për çlirim nga «i ligu», Satana Djalli. Ai përpiqet të na manipulojë që të mëkatojmë kundër Perëndisë. (1 Selanikasve 3:5) Kur lutemi: «Na çliro nga i ligu», po i kërkojmë Atit tonë qiellor të na udhëheqë e të na ndihmojë, në mënyrë që të mos na e hedhë Djalli.

Të mos na e hedhë Djalli

13, 14. Pse korintasit duhej të ndryshonin mënyrën si vepronin me një pjesëtar të kongregacionit që kishte qenë imoral?

13 Kur i nxiti të krishterët në Korint që të falnin njëri-tjetrin, Pavli shkroi: «Çdo gabim që i falni me dashamirësi dikujt, ia fal edhe unë. Në të vërtetë, çdo gabim që unë e kam falur me dashamirësi, nëse kam falur me dashamirësi ndonjë gjë, e kam bërë për hirin tuaj, dhe Krishti është dëshmitar për mua, që të mos na e hedhë Satanai, sepse nuk jemi në padije të intrigave të tij.» (2 Korintasve 2:10, 11) Ka shumë mënyra se si përpiqet të na e hedhë Djalli, por pse i tha Pavli fjalët e mësipërme?

14 Pavli i kishte qortuar korintasit sepse kishin lejuar një njeri imoral që të vazhdonte të ishte pjesë e kongregacionit. Kjo duhet ta ketë kënaqur Satanain, pasi i gjithë kongregacioni u qortua që kishte toleruar «një kurvëri të tillë që nuk ka as mes kombeve». Pastaj, ai keqbërës u përjashtua. (1 Korintasve 5:1-5, 11-13) Por më vonë, ai njeri u pendua. Nëse korintasit nuk e falnin dhe nuk e rivendosnin, Djalli do t’ua hidhte në një mënyrë tjetër. Po si? Do të tregoheshin të ashpër e të pamëshirshëm, si vetë Satanai. Në qoftë se ai njeri i penduar ‘përpihej nga trishtimi i tepërt’ dhe dorëzohej plotësisht, sidomos pleqtë, do të mbanin njëfarë përgjegjësie për këtë para Jehovait, Perëndisë së mëshirshëm. (2 Korintasve 2:7; Jakovi 2:13; 3:1) Natyrisht, asnjë i krishterë i vërtetë nuk do të donte të imitonte Satanain duke qenë mizor, i ashpër e i pamëshirshëm.

Të mbrojtur me armaturën e Perëndisë

15. Cilën luftë zhvillojmë dhe nga se varet fitorja?

15 Nëse duam të çlirohemi nga Djalli, duhet të bëjmë luftë frymore kundër forcave të liga frymore. Fitorja në këtë luftë të vështirë varet nga veshja e ‘armaturës së plotë të Perëndisë’. (Efesianëve 6:11-18) Kjo armaturë përfshin edhe «parzmoren e drejtësisë». (Efesianëve 6:14) Mbreti Saul në Izraelin e lashtë nuk iu bind Perëndisë dhe, si pasojë, humbi frymën e shenjtë. (1 Samuelit 15:22, 23) Por, nëse veprojmë gjithnjë me drejtësi dhe mbajmë të veshur armaturën e plotë frymore, do të kemi frymën e tij të shenjtë dhe mbrojtjen e nevojshme kundër Satanait dhe engjëjve të tij të ligj, demonëve.​—Proverbat 18:10.

16. Si mund të jemi vazhdimisht të mbrojtur ndaj forcave të liga frymore?

16 Që të jemi vazhdimisht të mbrojtur nga forcat e liga frymore, ndër të tjera duhet të lexojmë dhe të studiojmë rregullisht Fjalën e Perëndisë, duke përdorur siç duhet botimet që janë siguruar me anë të ‘kujdestarit të besueshëm’. (Luka 12:42) Kështu do ta mbushim mendjen me gjëra të shëndetshme frymore, siç këshilloi edhe Pavli: «Vëllezër, vazhdoni të mendoni për çdo gjë të vërtetë, çdo gjë që vlerësohet si serioze, çdo gjë të drejtë, çdo gjë të dëlirë, çdo gjë të dashur, çdo gjë për të cilën flitet mirë, çfarëdo virtyti dhe çfarëdo gjëje të denjë për t’u lëvduar.»​—Filipianëve 4:8.

17. Çfarë do të na ndihmojë që të jemi predikues të efektshëm të lajmit të mirë?

17 Jehovai na jep mundësi t’i kemi «këmbët të mbathura me pajimet e lajmit të mirë të paqes». (Efesianëve 6:15) Pjesëmarrja e rregullt në mbledhjet e krishtere na përgatit që të shpallim lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Sa gëzim ndiejmë kur ndihmojmë të tjerët që të mësojnë të vërtetën e Perëndisë dhe të kenë liri frymore! (Gjoni 8:32) ‘Shpata e frymës, që është fjala e Perëndisë’ është e domosdoshme për të luftuar mësimet e rreme dhe ‘për të përmbysur gjëra të fortifikuara mirë’. (Efesianëve 6:17; 2 Korintasve 10:4, 5) Përdorimi me mjeshtëri i Fjalës së shkruar të Perëndisë, Biblës, na ndihmon t’u mësojmë të tjerëve të vërtetën dhe na ruan që të mos biem pre e taktikave të Djallit.

18. Si mund ‘të qëndrojmë të patundur kundër intrigave të Djallit’?

18 Pavli e nisi me këto fjalë shqyrtimin e armaturës sonë frymore: «Vazhdoni të merrni fuqi në Zotërinë dhe në madhështinë e forcës së tij. Vishni armaturën e plotë të Perëndisë, që të jeni në gjendje të qëndroni të patundur kundër intrigave të Djallit.» (Efesianëve 6:10, 11) Fjala greke që është përkthyer «qëndroni të patundur» ka të bëjë me një ushtar që qëndron në pozicionin e tij. Në luftën tonë frymore ne qëndrojmë të palëkundur, edhe pse Satanai përdor intriga të ndryshme për të na përçarë unitetin, për të ndotur mësimet tona ose për të na thyer integritetin ndaj Perëndisë. Por, deri tani sulmet e Djallit nuk kanë pasur sukses, dhe as kanë për të pasur! *

Kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë!

19. Cila është një mënyrë për të kundërsulmuar Djallin?

19 Mund t’ia dalim mbanë në luftën frymore kundër Djallit dhe forcave të liga frymore që janë nën drejtimin e tij. S’ka pse të dridhemi nga frika e Satanait, sepse dishepulli Jakov shkroi: «Nënshtrojuni Perëndisë dhe kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju.» (Jakovi 4:7) Në luftën kundër Satanait dhe krijesave të liga frymore që bashkëpunojnë me të, një mënyrë për të kundërsulmuar është të mos kemi të bëjmë fare me okultizmin ose me magjinë, e as me ata që merren me to. Shkrimet e tregojnë qartë se shërbëtorët e Jehovait nuk duhet të pranojnë që të kërkojnë ogure, të merren me astrologji, yshtje dhe spiritizëm. Nëse jemi aktivë dhe të fortë frymësisht, s’ka pse të kemi frikë se mos dikush na bën magji.​—Numrat 23:23; Ligji i përtërirë 18:10-12; Isaia 47:12-15; Veprat 19:18-20.

20. Si t’i kundërvihemi Djallit?

20 Ne ‘i kundërvihemi Djallit’ duke u mbajtur fort pas normave dhe të vërtetave biblike e duke qëndruar të patundur kundër tij. Bota i shkon pas avazit Satanait, sepse ai është perëndia i saj. (2 Korintasve 4:4) Prandaj, ne u qëndrojmë larg tipareve të botës, si: krenaria, egoizmi, imoraliteti, dhuna dhe materializmi. E dimë se Djalli iku nga Jezui, kur ky iu kundërvu sulmit të tij duke përdorur Shkrimet gjatë tundimit në shkretëtirë. (Mateu 4:4, 7, 10, 11) Po kështu, Satanai ‘do të ikë nga ne’ i mundur, nëse i nënshtrohemi plotësisht Jehovait dhe mbështetemi tek Ai me anë të lutjes. (Efesianëve 6:18) Me mbështetjen e Perëndisë Jehova dhe të Birit të tij të dashur, askush s’mund të na shkaktojë dëme të përhershme​—jo, as edhe Djalli!​—Psalmi 91:9-11.

[Shënimet]

^ par. 18 Për informacione të tjera rreth armaturës frymore të Perëndisë, shih Kullën e Rojës, 15 shtator 2004, faqet 15-20, si edhe 15 maj 1992, faqet 21-23, anglisht.

Si do të përgjigjeshit?

• A duhet ta kemi frikë Satana Djallin?

• Pse i përndjek Satanai të krishterët?

• Pse lutemi që të çlirohemi nga «i ligu»?

• Si të kemi sukses në luftën frymore që zhvillojmë?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 26]

Ithtarët guximtarë të Krishtit në shekullin e parë, u treguan besnikë deri në vdekje

[Figura në faqen 27]

Djalli s’e pengon dot ringjalljen e atyre që janë në kujtesën e Jehovait

[Figura në faqen 28]

A lutesh për çlirim nga «i ligu»?

[Figura në faqen 29]

A po e vesh «armaturën e plotë të Perëndisë»?