Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mos i lini vend Djallit!

Mos i lini vend Djallit!

Mos i lini vend Djallit!

«Mos i lini asnjë anë [nga] t’ju kapë Djalli.»​—EFESIANËVE 4:27, Simon Filipaj.

1. Pse shumë veta dyshojnë për ekzistencën e Djallit?

PËR shekuj me radhë, njerëzit e kanë përfytyruar Djallin si një krijesë me brirë e me thundra, të veshur me të kuqe dhe me një sfurk që e përdor për t’i hedhur njerëzit e ligj në ferrin e zjarrtë. Bibla nuk e mbështet këtë ide. Por, me siguri, koncepte të tilla të gabuara kanë bërë që miliona veta të dyshojnë për ekzistencën e Djallit ose të mendojnë se kjo fjalë përdoret vetëm për të keqen si koncept.

2. Çfarë faktesh përmendin Shkrimet për Djallin?

2 Bibla jep fakte nga dëshmitarë okularë dhe prova të qarta se Djalli ekziston vërtet. Jezu Krishti e kishte parë atë kur ishte krijesë frymore në qiell dhe foli me të kur ishte në tokë. (Jobi 1:6; Mateu 4:4-11) Shkrimet nuk e tregojnë emrin që kishte në fillim kjo krijesë frymore, por e quajnë Djall (në gjuhën origjinale «Shpifës»), sepse shpifi për Perëndinë. Quhet edhe Satana (në gjuhën origjinale «Kundërshtar»), sepse kundërshton Jehovain. Satana Djalli quhet edhe «gjarpri i hershëm», me sa duket ngaqë përdori një gjarpër për të mashtruar Evën. (Zbulesa 12:9; 1 Timoteut 2:14) Ai njihet edhe si «i ligu».​—Mateu 6:13. *

3. Cilën pyetje do të marrim në shqyrtim?

3 Ne si shërbëtorë të Jehovait nuk duam kurrsesi t’i ngjajmë Satanait, armikut kryesor të të vetmit Perëndi të vërtetë. Prandaj duhet t’i vëmë veshin këshillës së apostullit Pavël: «Mos i lini asnjë anë [nga] t’ju kapë Djalli.» (Efesianëve 4:27, Simon Filipaj) Cilat janë disa tipare të karakterit të Satanait që s’duhet t’i imitojmë?

Mos e imitoni shpifësin e madh

4. Si shpifi «i ligu» për Perëndinë?

4 «I ligu» e meriton të quhet shpifës, sepse është vërtet i tillë. Shpifjet janë fjalë të rreme që thuhen me keqdashje e për të përlyer emrin e mirë të dikujt. Perëndia e urdhëroi Adamin: «Mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur.» (Zanafilla 2:17) Evës ia kishin thënë këtë, por Djalli, me anë të një gjarpri, i tha: «Ju s’keni për të vdekur aspak. Por Perëndia e di se, po atë ditë që do të hani, sytë tuaj do të hapen e ju do të jeni si Perëndi, dhe do të njihni të mirën dhe të keqen.» (Zanafilla 3:4, 5) Kjo ishte një shpifje keqdashëse për Perëndinë Jehova!

5. Pse ishte e drejtë që Diotrefit t’i kërkohej llogari për shpifje?

5 Izraelitët morën urdhrin: «Mos shko vërdallë të shpifësh nëpër popullin tënd.» (Levitiku 19:16) Apostulli Gjon tha për një shpifës në ditët e tij: «I shkrova diçka kongregacionit, por Diotrefi, të cilit i pëlqen të jetë i pari mes tyre, nuk pret asgjë nga ne me respekt. Prandaj, nëse vij, do të kujtoj veprat që ai vazhdon të bëjë, duke llomotitur fjalë të liga për ne.» (3 Gjonit 9, 10) Diotrefi po shpifte për Gjonin dhe duhej të jepte llogari për këtë. Asnjë i krishterë besnik s’do të donte të ishte si Diotrefi e të imitonte Satanain, shpifësin e madh.

6, 7. Pse duhet të ruhemi që të mos shpifim për dikë?

6 Fjalë shpifëse dhe akuza të rreme thuhen shpesh kundër shërbëtorëve të Jehovait. «Krerët e priftërinjve dhe skribët ngriheshin dhe e akuzonin gjithë zjarr [Jezuin].» (Luka 23:10) Kryeprifti Anania dhe të tjerë akuzuan në mënyrë të rreme Pavlin. (Veprat 24:1-8) Gjithashtu, Bibla e përshkruan Satanain si «paditësi i vëllezërve tanë, i cili i padit ata ditë e natë para Perëndisë sonë». (Zbulesa 12:10) Vëllezërit ndaj të cilëve bëhen këto akuza të rreme janë të krishterët e mirosur që ndodhen në tokë, në këto ditë të fundit.

7 Asnjë i krishterë nuk do të donte të shpifte për dikë ose të bënte akuza të rreme. Por kjo mund të ndodhë, nëse dëshmojmë kundër dikujt pa i ditur të gjitha faktet. Në Ligjin e Moisiut, të jepje qëllimisht dëshmi të rreme, mund të çonte deri në vdekjen e atij që ngrinte padinë. (Dalja 20:16; Ligji i përtërirë 19:15-19) Për më tepër, ndër gjërat që për Jehovain janë të pështira, përfshihet edhe «dëshmitari i rremë që përhap gënjeshtra». (Proverbat 6:16-19) Sigurisht, pra, nuk duam ta imitojmë kryeshpifësin dhe paditësin e rremë.

Qëndroni larg taktikave të vrasësit fillestar

8. Në ç’kuptim Djalli «ishte vrasës që nga fillimi»?

8 Djalli është vrasës. «Ai ishte vrasës që nga fillimi»,​—tha Jezui. (Gjoni 8:44) Që me veprimin e tij të parë, kur e ktheu Adamin dhe Evën kundër Perëndisë, Satanai ka qenë vrasës. Ai i solli vdekjen çiftit të parë njerëzor dhe pasardhësve të tyre. (Romakëve 5:12) Është për t’u vënë re se këtë veprim mund ta bëjë vetëm një person, jo thjesht një koncept i së keqes.

9. Si mund të bëhemi vrasës, siç e tregon 1 Gjonit 3:15?

9 «Mos vrit!»​—thotë një nga Dhjetë Urdhërimet që iu dhanë Izraelit. (Ligji i përtërirë 5:17) Duke iu drejtuar të krishterëve, apostulli Pjetër shkroi: «Askush nga ju të mos vuajë si vrasës.» (1 Pjetrit 4:15) Pra, si shërbëtorë të Jehovait, sigurisht që nuk vrasim asnjeri. Po gjithsesi, do të ishim fajtorë para Perëndisë edhe po ta urrenim një të bashkëkrishterë e t’i dëshironim vdekjen. «Kush urren vëllanë e tij është vrasës,​—shkroi apostulli Gjon,​—dhe ju e dini se tek asnjë vrasës nuk mbetet jeta e përhershme.» (1 Gjonit 3:15) Izraelitëve iu dha urdhri: «Mos e urre vëllanë në zemrën tënde.» (Levitiku 19:17) Le të jemi të shpejtë për të zgjidhur ndonjë problem që na lind me një bashkëbesimtar, me qëllim që vrasësi Satana të mos na e shkatërrojë unitetin e krishterë.​—Luka 17:3, 4.

Qëndroni të patundur kundër kryegënjeshtarit

10, 11. Çfarë duhet të bëjmë për të qëndruar të patundur kundër kryegënjeshtarit, Satanait?

10 Djalli është gënjeshtar. «Kur thotë gënjeshtra, i thotë se ashtu e ka natyrën, sepse ai është gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës»,​—tha Jezui. (Gjoni 8:44) Satanai e gënjeu Evën, kurse Jezui erdhi në botë për të dhënë dëshmi për të vërtetën. (Gjoni 18:37) Për të qëndruar të patundur kundër Djallit, si ithtarë të Krishtit, s’mund të përdorim gënjeshtra e mashtrime. Duhet ‘të themi të vërtetën’. (Zakaria 8:16; Efesianëve 4:25) ‘Jehovai, Perëndia i së vërtetës’, bekon vetëm Dëshmitarët e tij që thonë të vërtetën. Të ligjtë s’kanë të drejtë ta përfaqësojnë atë.​—Psalmi 31:5; 50:16; Isaia 43:10.

11 Po ta çmojmë lirinë nga gënjeshtrat satanike, që kemi arritur kur kemi marrë të vërtetën biblike, do të kapemi fort pas krishterimit, ‘udhës të së vërtetës’. (2 Pjetrit 2:2; Gjoni 8:32) Të gjitha mësimet e krishtere së bashku, përbëjnë ‘të vërtetën e lajmit të mirë’. (Galatasve 2:5, 14) Shpëtimi ynë varet nga ‘ecja në të vërtetën’, domethënë t’i përmbahemi asaj dhe të qëndrojmë të patundur kundër ‘atit të gënjeshtrës’.​—3 Gjonit 3, 4, 8.

Kundërvijuni apostatit kryesor

12, 13. Si duhet të sillemi me apostatët?

12 Krijesa frymore që u bë Djall, më parë kishte qenë në të vërtetën. Por «nuk qëndroi i vendosur në të vërtetën, sepse e vërteta nuk është në të»,​—tha Jezui. (Gjoni 8:44) Ky apostat kryesor ka ndjekur gjithnjë udhën e kundërshtimit të ‘Perëndisë të së vërtetës’. Disa të krishterë të shekullit të parë ranë në ‘lakun e Djallit’, me sa duket duke u bërë viktima të tij, sepse u mashtruan dhe u shmangën nga e vërteta. Prandaj, Pavli e nxiti bashkëpunëtorin e tij, Timoteun, që t’i udhëzonte ata me butësi, me qëllim që ta merrnin prapë veten frymësisht dhe të dilnin nga laku i Satanait. (2 Timoteut 2:23-26) Natyrisht, është shumë më mirë të kapemi fort pas së vërtetës dhe as të mos biem fare në grackën e pikëpamjeve apostate.

13 Ngaqë e dëgjoi Djallin dhe nuk i hodhi poshtë gënjeshtrat e tij, çifti i parë njerëzor u bë apostat. Atëherë, a duhet t’i dëgjojmë apostatët, të lexojmë literaturën e tyre ose të shohim çfarë përmbajnë sitet e tyre në Internet? Nëse e duam Perëndinë dhe të vërtetën, nuk do të veprojmë kështu. Nuk duhet t’i lejojmë apostatët në shtëpinë tonë dhe as t’i përshëndetim, sepse veprime të tilla do të na bënin ‘pjesëmarrës në veprat e tyre të liga’. (2 Gjonit 9-11) Mos rënçim kurrë pre e taktikave të Djallit, duke braktisur ‘udhën e së vërtetës’ së krishterë për të ndjekur mësuesit e rremë, që kërkojnë ‘të futin ideologji shkatërruese’ dhe përpiqen ‘të na shfrytëzojnë me fraza të thurura mirë’!​—2 Pjetrit 2:1-3, Byington.

14, 15. Ç’paralajmërim u dha Pavli pleqve nga Efesi dhe bashkëpunëtorit të tij, Timoteut?

14 Pavli u tha pleqve të krishterë nga Efesi: «Kushtojini vëmendje vetes dhe gjithë kopesë, mes së cilës fryma e shenjtë ju emëroi mbikëqyrës, që të kullotni kongregacionin e Perëndisë, të cilin ai e bleu me gjakun e Birit të vet. E di se pas ikjes sime do të hyjnë mes jush ujqër të ligj e nuk do ta trajtojnë kopenë me zemërbutësi, dhe nga gjiri juaj do të ngrihen njerëz e do të thonë gjëra të shtrembëruara, për të tërhequr pas vetes dishepujt.» (Veprat 20:28-30) Me kalimin e kohës, dolën vërtet apostatë të tillë që ‘thanë gjëra të shtrembëruara’.

15 Rreth vitit 65 të e.s., apostulli Pavël e nxiti Timoteun që ‘ta përdorte drejt fjalën e së vërtetës’. «Por,​—i shkroi,​—shmangu nga fjalët boshe, që dhunojnë atë që është e shenjtë, sepse ata do të shkojnë gjithnjë e më shumë drejt paperëndishmërisë dhe fjala e tyre do të përhapet si gangrenë. Ndër ta janë Himeneu dhe Fileti. Pikërisht këta njerëz janë larguar nga e vërteta dhe thonë se ringjallja ka ndodhur tashmë, e po minojnë besimin e disave.» Kishte filluar apostazia! Pavli shtoi: «Megjithatë, themeli i fortë i Perëndisë qëndron në këmbë.»​—2 Timoteut 2:15-19.

16. Përse kemi qëndruar besnikë ndaj Perëndisë e ndaj Fjalës së tij, pavarësisht nga taktikat e apostatit kryesor?

16 Satanai i ka përdorur shpesh apostatët në përpjekjet për të ndotur adhurimin e pastër, por më kot. Rreth vitit 1868, Çarls Tejz Rasëlli filloi një shqyrtim të hollësishëm të doktrinave që kishat e të ashtuquajturit krishterim i kishin pranuar prej kohësh dhe gjeti keqinterpretime të Shkrimeve. Rasëlli dhe disa të tjerë që po kërkonin të vërtetën, formuan një grup për studimin e Biblës në Pitsburg të Pensilvanisë, SHBA. Në afro 140 vitet që kanë kaluar që nga ajo kohë, shërbëtorët e Jehovait kanë marrë gjithnjë e më shumë njohuri dhe kanë shtuar dashurinë për Perëndinë e për Fjalën e tij. Pavarësisht nga taktikat e apostatit kryesor, vigjilenca frymore e klasës së skllavit të besueshëm e të matur i ka ndihmuar këta të krishterë të vërtetë të mbeten besnikë ndaj Jehovait e ndaj Fjalës së tij.​—Mateu 24:45.

Mos e lejoni kurrë sundimtarin e kësaj bote të ketë pushtet mbi ju!

17-19. Cila është bota që dergjet nën pushtetin e Djallit, dhe pse nuk duhet ta duam këtë botë?

17 Një mënyrë tjetër që përdor Satanai për të na zënë në grackë, është duke na shtyrë që ta duam këtë botë, domethënë shoqërinë e padrejtë njerëzore që është larguar nga Perëndia. Jezui e quajti Djallin ‘sundimtarin e kësaj bote’ dhe shtoi: «Ai nuk ka pushtet mbi mua.» (Gjoni 14:30) Mos e lejofshim kurrë Satanain që të ketë pushtet mbi ne! Natyrisht, ne e kuptojmë se «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut». (1 Gjonit 5:19) Për këtë arsye, Djalli mundi t’i ofronte Jezuit «të gjitha mbretëritë e botës» në këmbim të një akti apostat adhurimi, diçka që Biri i Perëndisë e refuzoi prerazi. (Mateu 4:8-10) Bota e sunduar nga Satanai i urren ithtarët e Krishtit. (Gjoni 15:18-21) Ja pse apostulli Gjon na paralajmëroi të mos e duam botën!

18 Gjoni shkroi: «Mos e doni as botën, as gjërat që janë në botë. Nëse ndokush e do botën, dashuria e Atit nuk është në të. Sepse gjithçka e botës: dëshirat e mishit, dëshirat e syve dhe kapardisja për t’u dukur me të mirat materiale, nuk vjen nga Ati, por nga bota. Dhe bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.» (1 Gjonit 2:15-17) Nuk duhet ta duam botën, sepse mënyra e saj e jetesës bën për vete mishin mëkatar dhe është krejt në kundërshtim me normat e Perëndisë Jehova.

19 Po sikur tashmë ta kemi në zemër dashurinë për këtë botë? Atëherë le të lutemi për ndihmën e Perëndisë që ta mposhtim këtë dashuri dhe dëshirat e mishit që lidhen me të. (Galatasve 5:16-21) Sigurisht që do të përpiqemi të mbetemi «të panjollë nga bota», po të mbajmë në mend se «forcat e liga frymore» janë «sundimtarët botërorë» të padukshëm që sundojnë mbi shoqërinë e padrejtë njerëzore.​—Jakovi 1:27; Efesianëve 6:11, 12; 2 Korintasve 4:4.

20. Pse mund të thuhet që ne ‘nuk jemi pjesë e botës’?

20 Jezui tha për dishepujt e tij: «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:16) Të krishterët e mirosur dhe shokët e tyre të kushtuar përpiqen të mbeten të pastër moralisht e frymësisht, të ndarë nga kjo botë. (Gjoni 15:19; 17:14; Jakovi 4:4) Kjo botë e padrejtë na urren ngaqë qëndrojmë të ndarë prej saj dhe jemi «predikues të drejtësisë». (2 Pjetrit 2:5) Vërtet, ne jetojmë në një shoqëri njerëzore ku përfshihen njerëz që janë kurvarë, kurorëshkelës, zhvatës, idhujtarë, gënjeshtarë dhe pijanecë. (1 Korintasve 5:9-11; 6:9-11; Zbulesa 21:8) Por nuk e thithim «frymën e botës», sepse nuk nxitemi nga kjo forcë motivuese mëkatare.​—1 Korintasve 2:12.

Mos i lini vend Djallit

21, 22. Si mund ta zbatoni këshillën e Pavlit që gjendet tek Efesianëve 4:26, 27?

21 Në vend që të motivohemi prej ‘frymës së botës’, ne na udhëheq fryma e Perëndisë, e cila prodhon te ne cilësi të tilla, si dashurinë dhe vetëkontrollin. (Galatasve 5:22, 23) Këto cilësi na ndihmojnë t’u qëndrojmë sulmeve të Djallit ndaj besimit tonë. Ai dëshiron që ne ‘të nxehemi, që kjo të na shtyjë veç të bëjmë keq’, por fryma e Perëndisë na ndihmon ‘ta lëmë zemërimin dhe të largohemi nga tërbimi’. (Psalmi 37:8) Qartë, nganjëherë mund të zemërohemi me të drejtë, por Pavli na këshillon: «Zemërohuni, por mos mëkatoni. Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të acaruar, as mos i lini vend Djallit.»​—Efesianëve 4:26, 27.

22 Zemërimi mund të na çojë në mëkat, nëse mbetemi të acaruar. Po të kemi këtë gjendje mendore, do t’i japim Djallit një rast për të nxitur fërkime në kongregacion ose për të na nxitur të bëjmë veprime të liga. Prandaj, mosmarrëveshjet me të tjerët duhet t’i sheshojmë shpejt dhe sipas mënyrës së Perëndisë. (Levitiku 19:17, 18; Mateu 5:23, 24; 18:15, 16) Pra, le të udhëhiqemi nga fryma e Perëndisë, duke ushtruar vetëkontroll e duke mos lënë asnjëherë që edhe zemërimi me të drejtë, të arrijë deri në mëri, keqdashje dhe urrejtje.

23. Cilat pyetje do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

23 Kemi shqyrtuar disa tipare të Djallit që nuk duhet t’i imitojmë. Por, disa lexues mund të pyesin: a duhet ta kemi frikë Satanain? Pse nxit ai përndjekje ndaj të krishterëve? Dhe si të ruhemi që të mos na e hedhë Djalli?

[Shënimi]

^ par. 2 Shih serinë e artikujve «A ekziston Djalli vërtet?», në Kullën e Rojës, 15 nëntor 2005.

Si do të përgjigjeni?

• Pse nuk duhet të shpifim kurrë për dikë?

• Në përputhje me 1 Gjonit 3:15, çfarë nuk duhet të bëjmë, që të mos bëhemi vrasës?

• Ç’pikëpamje duhet të kemi për apostatët dhe përse?

• Pse nuk duhet ta duam botën?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 23]

Nuk do ta lejojmë kurrë Djallin të na shkatërrojë unitetin e krishterë

[Figurat në faqen 24]

Pse Gjoni na nxiti të mos e duam botën?