Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Në arkën e besëlidhjes ndodheshin vetëm dy pllakat prej guri, apo kishte edhe sende të tjera?

Në kohën e kushtimit të tempullit të Solomonit, në vitin 1026 p.e.s., «në Arkë nuk kishte gjë tjetër përveç dy pllakave që kishte vënë Moisiu në Horeb, kur Jehovai bëri besëlidhjen me bijtë e Izraelit ndërsa dilnin nga Egjipti». (2 Kronikave 5:10) Megjithatë, nuk kishte qenë gjithnjë kështu.

«Muajin e tretë pasi bijtë e Izraelit dolën nga vendi i Egjiptit», hynë në shkretëtirën e Sinait. (Dalja 19:1, 2) Më pas, Moisiu u ngjit në malin Sinai, ku mori dy pllakat prej guri që kishin Ligjin. Ai tregon: «Atëherë u ktheva dhe zbrita nga mali. Pllakat i vura në arkën që kisha bërë, që të qëndronin aty, si më urdhëroi Jehovai.» (Ligji i përtërirë 10:5) Kjo ishte një arkë ose mbajtëse e përkohshme, të cilën Moisiu e ndërtoi me urdhër të Jehovait, për të vënë pllakat e Ligjit. (Ligji i përtërirë 10:1) Arka e besëlidhjes u bë vetëm nga fundi i vitit 1513 p.e.s.

Pak kohë pasi u çliruan nga Egjipti, izraelitët nisën të murmuritnin për ushqimin. Atëherë, Jehovai u siguroi manën. (Dalja 12:17, 18; 16:1-5) Në atë kohë, Moisiu e udhëzoi Aaronin: «Merr një enë, hidh brenda një omer të plotë manë, dhe vëre përpara Jehovait, që të ruhet brez pas brezi.» Më pas, tregimi vazhdon: «Aaroni bëri ashtu si e urdhëroi Jehovai Moisiun, dhe e vuri atë përpara Dëshmisë [një arkiv për të ruajtur dokumentet e rëndësishme] për t’u ruajtur.» (Dalja 16:33, 34) Edhe pse, me siguri, Aaroni e mblodhi në atë kohë manën dhe e vuri në një enë, ajo u vendos para Dëshmisë vetëm kur Moisiu bëri Arkën dhe vuri brenda saj pllakat prej guri.

Siç u tha edhe më lart, arka e besëlidhjes u ndërtua andej nga fundi i vitit 1513 p.e.s. Shkopi i Aaronit u vendos në Arkë shumë kohë më vonë, pas rebelimit të Korahut dhe të të tjerëve. Apostulli Pavël përmend ‘arkën e besëlidhjes . . . në të [cilën] ndodheshin ena e artë që kishte manën, shkopi i Aaronit që lëshoi sythe dhe pllakat e besëlidhjes’.​—Hebrenjve 9:4.

Manën e siguroi Perëndia gjatë 40 viteve që izraelitët u endën nëpër shkretëtirë. Kur «ata nisën të hanin nga prodhimet e vendit» të premtuar, ajo nuk u sigurua më. (Josiu 5:11, 12) Shkopi i Aaronit u vendos në arkën e besëlidhjes me një qëllim, domethënë që të shërbente si shenjë ose dëshmi kundër brezit rebel. Kjo lë të kuptohet se shkopi qëndroi atje të paktën gjatë gjithë udhëtimit në shkretëtirë. Pra, duket logjike të nxjerrim përfundimin se, ca kohë pasi Izraeli hyri në Tokën e Premtuar dhe para kushtimit të tempullit të Solomonit, shkopi i Aaronit dhe ena e artë me manë u hoqën nga arka e besëlidhjes.