Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A jeni si pema lagani auna?

A jeni si pema lagani auna?

A jeni si pema lagani auna?

NË NJË fshat, në rrethinat e Port-Moresbit, në Papua Guinenë e Re, dy lajmëtarë po ktheheshin në shtëpi pasi kishin predikuar. Gjatë rrugës panë një pemë të bukur. «Oh, kjo është një lagani auna!»—tha më i madhi prej tyre. Duke u kthyer nga shoku i tij, vazhdoi: «Emri i saj do të thotë ‘pemë vjetore’. Ndryshe nga shumë pemë të tjera tropikale, asaj i bien gjethet çdo vit dhe duket sikur është tharë. Por, kur bie shi, ajo gjallërohet, çel lule dhe bëhet përsëri e bukur.»

Mund të nxjerrim një mësim nga lagani auna, ose siç njihet në shumë vende poinciana mbretërore. Sipas disa autoriteteve, ajo renditet ndër pesë pemët më të bukura në botë që çelin lule. Megjithëse gjatë stinës së thatë lulet dhe gjethet e saj bien, pema grumbullon një sasi uji rezervë. Ka një sistem rrënjësor të fortë, zgjatimet e të cilit vazhdojnë edhe përreth shkëmbinjve që gjenden thellë në tokë. Në këtë mënyrë, mbrohet nga erërat e forta. Pra, me pak fjalë, rritet duke u përshtatur me kushtet e vështira.

Edhe ne mund të gjendemi në rrethana që provojnë se sa i fortë është besimi ynë. Po çfarë do të na ndihmojë që të tregojmë qëndrueshmëri? Ashtu si lagani auna, mund të marrim dhe të grumbullojmë ujin jetëdhënës të Fjalës së Perëndisë. Gjithashtu duhet të kapemi fort pas ‘shkëmbit tonë’, Jehovait, dhe organizatës së tij. (2 Samuelit 22:3) Vërtet, në mënyrë të këndshme, lagani auna na kujton se, edhe në rrethana të vështira, mund të qëndrojmë të fortë e të bukur frymësisht, nëse përfitojmë nga ndihma që na jep Jehovai. Duke vepruar kështu, ‘do të trashëgojmë premtimet’ që ai ka bërë, ku përfshihet edhe jeta e përhershme.—Hebrenjve 6:12; Zbulesa 21:4.